Shpresa e Lavdisë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 07.08.2007

“Me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:2-5).

Parathënie

Perëndia iu premton të gjithë besimtarëve se do të vijë dita, kur ata do të jenë pjesëtarë të lavdisë së Krishtit. Garancia, që çdo besimtar dëshiron ta ketë në jetën e vet, mbështetet tek vetë fakti se Perëndia është autori i shpëtimit. Çdo aspekt i këtij shpëtimi i takon vetëm veprës së Tij. Pjesa përfundimtare e veprës së madhe të shpëtimit prej Perëndisë është përlëvdimi i çdo pasuesi të vërtetë të Krishtit: “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi” (Romakëve 8:29-30).

Litari tresh i shpëtimit

Salomoni thotë se “një litar tresh nuk këputet aq shpejt” (Predikuesit 4:12). Kështu qëndron puna edhe me tre aspektet e shpëtimit.

Shpëtimi ynë është siguruar në të shkuarën, nëpërmjet sakrificës së Krishtit në kryq: “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Është i siguruar në të tashmen, nëpërmjet ndërmjetësimit (d.m.th. lutjeve) të Krishtit për besimtarin: “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).

Në vargun në hyrje të këtij studimi, Pali shpall se shpëtimi është i siguruar edhe në të ardhmen, sepse Perëndia premton se, ata që i shërbejnë me besnikëri Atij, do të vishen me lavdinë e Birit të Tij: “Por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës” (Hebrenjve 3:6). Në shënimet e tij mbi Dhiatën e Re, Alfred Barnes shkruan: “Këtu [tek Romakëve 5:2], apostulli i referohet atij nderi dhe dinjiteti, që do t’iu jepet të shpenguarve, kur të ringjallen për të marrë nderimet e plota të shpengimit, kur të kenë triumfuar në përfundimin e detyrës dhe të jenë çliruar prej mëkatit, dhimbjes, lotëve, e kur t’iu jetë dhënë leja për të marrë pjesë në madhështinë e plotë, me të cilën do të mbështillet froni i Perëndisë në qiell”.

Le të mburremi

Tek Romakëve 5:2, fjala “mburrem” (në greqisht “kauchaomai”) do të thotë “të mburresh, të lavdërosh e të jesh i ngazëllyer”. Ne mund të mburremi e të ngazëllohemi, duke e ditur se e ardhmja jonë është e lavdishme. Me anë të Krishtit, ne kemi këtë premtim të mrekullueshëm të lumturisë së përjetshme në praninë e Tij: “Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri…Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:9, 11). Krishti është garancia e kësaj shprese, sepse Ai vetë është shpresa jonë: “Pali, apostulli i Jezu Krishtit, me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë” (1 Timoteut 1:1).

Të përndjekurit nuk mund ta shuajë këtë shpresë 

Vetëm ata që “duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Xhon Ueslli ka thënë: “Nuk ka përjashtim këtu. Ose Bibla nuk thotë të vërtetën, ose ata që kujtojnë se janë fetarë, por nuk përndiqen, me mënyra nga më të ndyshmet, mashtrojnë vetveten”. Ata që vuajnë për kauzën e Krishtit, mund të gëzohen lidhur “me lavdinë që do të shfaqet në” ta (Romakëve 8:18). Edhe apostulli Jakob bie dakort me këtë ide: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri” (Jakobit 1:2-3).

Përfundim

Ndërkohë që vazhdojmë t’i shkojmë pas shenjtërisë, do të na përndjekin e do të na tallin. Por, sa më shumë që të na përndjekin e sa më shumë që të na tallin, aq më e madhe do të jetë shpresa jonë, ngaqë Perëndia na plotëson çdo nevojë, me anë të mëshirës dhe hirit të Tij: “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetrit 4:19)…“Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:17).

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net