Shpirtrat e lidhur



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.09.2009

“Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet” (1 Samuelit 18:1).

Parathënie
Fitorja e Davidit kundër Goliathit e bëri atë, që të duhej shumë prej popullit të Izraelit. Jonathani, biri i Saulit, lidhi me Davidin një miqësi, që zgjati gjatë gjithë jetës. Është interesant fakti se Jonathani, i cili i kishte mundur edhe më parë filistenjtë, kësaj rradhe nuk i doli përpara gjigandit. “Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: “Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit” (1 Samuelit 14:12). S’ka dyshim se Jonathani do ta ketë ditur se dora e Perëndisë ishte mbi Davidin.

Lidhja e fortë
Në hebraisht, fjala “qashar” përdoret për të përshkruar lidhjen e ngushtë miqësore midis Jonathanit dhe Davidit. Sot, kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “ngjitës (vinovil) tepër i fortë”, gjë që shpjegon sesa e fortë ishte dashuria e Jonathanit për Davidin. Ata që sugjerojnë gjëra të tjera, e jo një miqësi të sinqertë e të dlirë mes këtyre dy personazheve, nuk tregojnë gjë tjetër, veçse zemrën e tyre të ndotur, ngaqë njerëz të tillë mundohen të nxjerrin si konkluzion nga Bibla diçka, që nuk ndodhet fare aty.

Dashuria
Përdorimi i fjalës “e deshi” ka bërë që shumë njerëz të kujtojnë se marrëdhënia që egzistonte mes Jonathanit dhe Davidit ishte një marrëdhënie homoseksuale. Por e njëjta fjalë dhe i njëjti koncept përdoret edhe tek Zanafilla 43:30, ku lexojmë rreth dashurisë së fortë e të veçantë, që kishte Jozefi për vëllanë e tij, Benjaminin. “Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij”. Të njëjtën shprehje (në gjuhën hebraisht) e gjejmë të përdorur edhe tek Zanafilla 44:30, ku lexojmë se jeta e Jokobit “është e lidhur me atë të fëmijës”. Nuk ka ndonjë gjë mëkatare në asnjërin prej këtyre vargjeve.
Ata që kanë një pikëpamje të shtrembëruar rreth Davidit, nuk e kuptojnë atë, që thotë Bibla. Tek 1 Mbretërve 15:5 na thuhet se “Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut”. Kjo nuk do të ishte e vërtetë, po qe se Davidi ishte homoseksual, një veprim që ishte i neveritshëm në sytë e Perëndisë. “Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme” (Levitikut 18:22). Homoseksualiteti është ndëshkuar gjithmonë në Bibël. “Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre” (Romakëve 1:27). Asnjë homoseksual nuk ka për të hyrë në Parajsë, po qe se nuk pendohet për mënyrën e tij të neveritshme të jetesës. “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët” (1 Korintasve 6:9).
Dashuria që kishte Jonathani për Davidin, ishte thjesht një dashuri platonike. Në Dhiatën e Re, një dashuri e tillë përshkruhet si “dashuri vëllazërore” (shiko Romakëve 12:10, Hebrenjve 13:1). Zoti Jezus Krisht na urdhëron që ta duam të afërmin tonë “porsi vetveten” (Mateu 22:39). “Dashuria e Davidit dhe e Jonathanit ishte si rezultat i hirit Hyjnor, i cili bën që besimtarët e vërtetë të kenë një zemër e një shpirt të vetëm dhe i bën ata, që ta duan njëri-tjetrin” (Mateo Henri).

Humbi gjithçka
Për ta vlerësuar mirë dashurinë që kishte Jonathani për Davidin, duhet ta kuptojmë se ai (Jonathani) humbi gjithçka si rezultat i kësaj dashurie. Siç ishte edhe tradita e asaj kohe, atij i takonte të bëhej mbret, pasi t’i vdiste i ati. Por, siç do ta vëmë re edhe në studimet e ardhshme, ai ka për t’i hedhur poshtë të gjitha të drejtat e veta si princ, për shkak të djalit bari. E, duke vepruar kështu, ai ka për të përjetuar zemërimin e madh të të atit. Jonathani i pa gjërat nga ana shpirtërore, ashtu si edhe Davidi. Ai ishte gati për ta hedhur poshtë të gjithë botën, me qëllim që të fitonte miqësinë e Davidit. Edhe ne jemi thirrur për të vepruar njëlloj për Jezusin. “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:24-26).  

Përfundim
Davidi atë ditë arriti të fitonte dy gjëra: fitoren kundër Goliathit dhe miqësinë e dashurinë e Jonathanit. Dashuria e tyre ishte më e thellë sesa ajo e dy vëllezërve, që janë të lidhur me njëri-tjetrin nga ana familjare. Marrëdhënia mes Davidit dhe Jonathanit ishte një marrëdhënie shpirtërore. Një marrëdhënie e tillë është e rrallë. “Është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24). Jonathani dhe Davidi kishin të njëjtin shpirt. Vetëm ai, që ka një mendje të çoroditur, mendon ndryshe.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com