Shpëtimtari dhe Vaji i Parfumuar me Nard



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 20.10.2007

Parathënie
Ky kapitull i Ungjillit sipas Markut fillon me paraqitjen e fazës përfundimtare të vuajtjes dhe vdekjes së Zotit Jezus Krisht. Deri tani, Krishtin e kemi parë si Profetin dhe Mësuesin tonë, por, së shpejti, Ai do të na shfaqet si KryePrifti ynë. Ka ardhur koha për t’u përqëndruar tek ngjarjet, që na çojnë drejt vdekjes së Tij sakrifikuese mbi kryq.

Të korruptuarit
“Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli” (Marku 14:1-2).
Vini re mashtrimin dinak të drejtuesve fetarë. Ata kishin marrë vendim për ta shkatërruar Jezusin me çfarëdo lloj mënyre, që të ishte e mundur. Këto plane të liga thureshin edhe nga vetë krerët e priftërinjve: “Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa. Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin” (Mateu 26:3-4). Por, për momentin, krerët e priftërinjve pushuan së thururi plane të tilla, ngaqë dikush sugjeroi se populli do t’iu kundërvihej, po ta vrisnin Jezusin gjatë ditës së përgatitjes për Pashkë. Nuk kaloi shumë kohë dhe filluan të kurdisnin ligësi të reja: “Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati” (Mateu 27:62).
Këta njerëz kujtonin se ishin në gjendje ta vrisnin Krishtin, por, në të vërtetë, ata, pa e kuptuar, po e shfaqnin Atë si Mesian e vërtetë, të vetmin, që mund të shpëtojë mëkatarët: “Dhe Unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek Unë” (Gjoni 12:32). Krerët e priftërinjve po thurnin plane për ta poshtëruar e për ta përbuzur Zotin, duke e kryqëzuar Atë si një kriminel të zakonshëm. Por, në fakt, Perëndia i ktheu mbrapsht planet e tyre, për hir të lavdisë së Tij. U përpoqën për ta vrarë fshehtas, pas shpine, por përkundrazi, vdekja e Tij u kthye në një vdekje publike. Kujtuan se me kaq mbaroi puna, por ky ishte vetëm fillimi: “Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty” (Psalmi 76:10). “Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”. Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Psalmi 2:1-4).

Dhembshuria
“Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye” (Marku 14:3).
Nga dhembshuria që kishte për Krishtin, gruaja e theu enën e alabastrit me vaj të kushtueshëm dhe vajin e derdhi mbi kokën e Tij. Kjo grua ishte Maria, motra e Llazarit dhe e Martës: “Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji” (Gjoni 12:3). Duket, pra, se Maria vajosi me vajin e saj jo vetëm kokën e Jezusit, por edhe këmbët e Tij. Marias i pëlqente shumë të rrinte ulur te këmbët e Jezusit: “E cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij” (Luka 10:39). Përsëri, Martën e shohim të zënë me përgatitjen e ushqimit, kurse Maria u ul te këmbët e Zotit: “Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të” (Gjoni 12:2).

Kritikët
“Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit? Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve”. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj” (Marku 14:4-5).
Kush ishte Simoni leproz? Po të kishte qenë me të vërtetë leproz, atëherë nuk do të ishte i pranishëm në tryezë. Mos vallë, i biri, Juda, po e përfaqësonte të atin si zot i shtëpisë? “Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha: “Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?” (Gjoni 12:4-5).
Juda ishte kritiku kryesor, por, shumë shpejt, edhe dishepujt e tjerë mbajtën anën e tij dhe iu kundërvunë Zotit: “Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: “Përse gjithë ky shpenzim i kotë? Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t’u jepeshin të varfërve” (Mateu 26:8-9). Po të ishte shitur vaji i nardit, ishte Juda ai, që do t’i kishte përfituar për vete paratë (të cilat do ta kishin patur vlerën e shumës së rrogave të një viti të tërë): “Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda” (Gjoni 12:6).

Lavdërimi
“Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj” (Marku 14:6-9).
Këto fjalë janë nga fjalët më të nderuara, që i janë drejtuar ndonjërit ndonjëherë në Bibël. Të tjerët e vunë Marian në lojë, por Zoti Jezus e lavdëroi për atë, që bëri. Reagimi i tyre bazohej vetëm në egoizëm dhe lakmi. Ata nuk bënë asgjë për Zotin, kurse ajo bëri atë që pati mundësi. Një lavdërim i tillë i ngjan atij, që Jezusi i bëri Marias në sytë e Martës: “Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet” (Luka 10:42).
Jezusi deklaron se ajo që bëri Maria, do të zërë pjesë gjithmonë në të predikuarit e mesazhit të ungjillit. Pse? Sepse Maria është shembull i dedikimit të vërtetë. Veprimi i saj ishte shprehje e devocionit dhe e dashurisë së thellë, që kishte ajo për Zotin e vet. Besimi i krishterë nuk kërkon vetëm që të kryejmë thjesht ritet fetare, ashtu siç vepronin edhe drejtusit hipokritë fetarë. Por, besimi i krishterë i mëson besimtarit që të ketë një marrëdhënie personale me Krishtin dhe t’i shërbejë Atij, pa marrë parasysh sakrificat.      
          
Përfundim
Në fillim të këtij studimi, pamë zemërngurtësinë e krerëve të priftërinjve, të cilët mburreshin se ishin shërbëtorë të Perëndisë. Por, foton e një shërbëtori të vërtetë të Perëndisë e pamë në fund të studimit. Zoti nuk kërkon që të kemi shkollim, shugurim, apo devocion të thellë fetar, para se të vijmë tek Ai. Ai thjesht na kërkon që ta thyejmë enën tonë të alabastrit dhe t’i japim Atij gjithçka që kemi: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar” (Psalmi 51:17).


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net