Shpata e Eleazarit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 29.07.2007

“Deri sa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën” (2 Samuelit 23:10)

Parathënie

Veprat e jashtëzakonshme të Perëndisë zakonisht kryhen prej njerëzve të zakonshëm. 2 Samuelit 23:8-39 jep një listë të një grupi të tillë njerëzish, të njohur me emrin “luftëtarët trima të Davidit”. Po të kemi parasysh prejardhjen e tyre, do të vëmë re se këta 37 njerëz nuk na japin përshtypjen e heronjve, e megjithatë Perëndia gjen kënaqësi tek zgjedh e tek përdor njerëz të tillë! “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij. Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korintasve 1:26-31).

Tek historia e “luftëtarëve trima të Davidit” në 2 Samuelit 23, gjejmë disa parime, që mund të na ndihmojnë të realizojmë më shumë gjëra për Zotin. Tek 2 Samuelit 23:9-10 lexojmë rreth Eleazarit: “Pas tij vinte Eleazari, bir i Dodas, që ishte bir i Ahohit, një ndër tre luftëtarët trima që ishin me Davidin, kur sfiduan Filistejtë e mbledhur për të luftuar, ndërsa Izraelitët ishin tërhequr. Ai u ngrit dhe i goditi Filistejtë, deri sa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën. Atë ditë Zoti korri një fitore të madhe dhe populli shkoi pas tij vetëm për të bërë plaçkë”. Le të shohim tre aspekte të jetës së Eleazarit, që duhet t’i imitojmë edhe ne.

Kurajo

Eleazari ishte pasardhës i Ahohit, prej fisit të Benjaminit. Ka të ngjarë që disa prej farefisit të tij të kenë qenë ushtarë në ushtrinë e Davidit dhe të kenë qenë të famshëm për guximin e tyre. Ndërkohë që ushtria Izraelite u tërhoq nga fusha e betejës kundër ushtrisë së fuqishme të Filistenjve, Davidi, Eleazari dhe ca të tjerë, nuk u tërhoqën, por i “sfiduan Filistenjtë”. Këtë gjë bëri pikërisht edhe Davidi, kur u ballafaqua me Goliathin, kur ishte djalë i ri (shiko 1 Samuelit 17:22-26, 41-47).

Nëse duam të përdoremi prej Perëndisë, atëherë na duhet të tregojmë kurajo, për ta sfiduar armikun, d.m.th. botën, mishin dhe djallin: “Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë” (1 Korintasve 16:13). Nëse na duhet të luftojmë “luftën e drejtë të besimit” (1 Timoteut 6:12), atëherë duhet ta shtrëngojmë fort “shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17).

Inisiativë

Eleazari u ngrit dhe e sulmoi ushtrinë e Filistenjve. U ngrit dhe shkoi drejt e në sulm! Kërkohet më shumë guxim për të thënë “Do të përpiqem”, sesa për të thënë “Dorëzohem”. Njeriut i duhet inisiativë, që të ketë sukses nga ana shpirtërore. Ata që i shkojnë pas turmës, zakonisht arrijnë të realizojnë vetëm pak gjëra! E dimë se shumica shpesh e ka gabim: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të” (Mateu 7:13).

Nuk mund ta lemë për nesër të luturit, studimin e Biblës, adhurimin apo të dëshmuarit për Krishtin, derisa të gjejmë mbështetje prej një grupi më të madh njerëzish. Rilindja vjen atëherë, kur burrat e gratë janë gati të dalin përpara me besim, në vend që të presin që dikush tjetër ta luftojë armikun.

Këmbëngulje

Eleazari nuk u dorëzua. Një predikues tha njëherë: “Njeriu matet nga fakti, nëse heq dorë lehtë apo jo”. Eleazari mund të ishte tërhequr nga fusha e betejës, ngaqë fitorja dukej e pamundur. Por ai nuk u tërhoq! Situata dukej e pashpresë nga pamja e jashtme, duke marrë parasysh sidomos fuqinë superiore të Filistenjve. Eleazari mund të ishte tërhequr nga frika, ashtu siç ishin tërhequr edhe shumë të tjerë nga fusha e betejës. Mund të ishte tërhequr nga lodhja e madhe fizike. Dora i ngriu me shpatën! Por, përkundrazi, Eleazari vazhdoi të luftonte derisa “Zoti korri një fitore të madhe”. Kur bëjmë aq sa kemi mundësi, Perëndia do të na japë fitoren! Eleazari e dinte se madje edhe një njeri i vetëm, por me besim, mund t’i bënte armiqtë të tërhiqeshin, nëse Zoti ishte me të: “Të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja” (Hebrenjve 11:33-34).

Përfundim

Kurajoja dhe inisiativa mund të na çojnë në fushën e betejës, por na duhet këmbëngulje, që të qëndrojmë të palëkundur në Krishtin: “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:9)…“Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58). Ashtu si Eleazari e shtrëngoi fort shpatën, derisa u korr fitorja, ashtu edhe ne duhet të vazhdojmë t’iua shpallim të humburve mesazhin e shpëtimit: “Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët” (Psalmi 149:6)… “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:12-13).

Është punë e vështirë t’i shërbesh Krishtit! Apostulli Pal shkroi kështu rreth shërbesës së tij: “Për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet” (Kolosianëve 1:29). Tek Zbulesa 2:3, Jezusi e lavdëroi kishën e Efesianëve për këmbënguljen e saj në punën e Tij: “Ti ke duruar, ke qëndrueshmëri dhe për hir të emrit Tim je munduar pa u lodhur”.

Në cilin grup do të donim të ishim? Në grupin e vogël të njerëzve, ku përfshihej edhe Eleazari, apo në turmën e madhe të njerëzve, që ikën me vrap, kur beteja arriti kulmin? Me kurajo, inisiativë dhe këmbëngulje prej Perëndisë, edhe ne mund të jemi me të vërtetë “heronj të zakonshëm” të Zotit, të cilët realizojnë gjëra të jashtëzakonshme për Të: “Sepse Perëndia është Ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të Tij” (Filipianëve 2:13).


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net