Shkopinj dhe gurë
1 Samuelit 17
Parathënie
Të gjithë ndoshta i mbajmë mend shprehjet e drejtuara ndaj atyre, që na ngacmonin brenda oborrit të shkollës, kur ishim të vegjël, si p.sh.: “Gurët dhe shkopinjtë që ti i hedh kundër meje, mund të më lëndojnë trupin, por sharjet e tua s’më bëjnë dot asgjë”. Në studimin e sotëm, do të diskutojmë historinë e Davidit dhe Goliathit. Si duhet t’iu përgjigjemi Goliathëve tanë? A mund t’i besojmë Perëndisë së Davidit?
Përgatitja e skenës
Goliathi ishte 2m 85 cm i gjatë. Ai do të ishte dukur si një kullë e lartë në sytë e ushtrive të Izraelitëve dhe të Filistenjve. Figura e këtij gjigandi, së bashku me mungesën e besimit të tyre tek Perëndia, i kishte paralizuar dhe frikësuar shumë Izraelitët. Goliathi, pa dyshim, që ishte njeri i fuqishëm, ngaqë vetëm heshta (ushta) i peshonte 13,5 kg. Por, të qënit kaq i gjatë, e bënte atë të ishte i ngadalshëm dhe e pengonte të lëvizte me shpejtësi. Izraelitët do të ishin tmerruar fare, kur e panë Goliathin të hyjë në fushën e betejës, me parzmoren ngjyrë ari, e cila ndoshta shkëlqente si urë zjarri nën dritën e diellit (shiko 1 Samuelit 17:1-7). Davidi, nga ana tjetër, ishte djalë i ri (ndoshta mes moshës 17-25 vjeç), ndryshe nga ç’thuhet në këngët e fëmijëve se ai ishte një “djalë i vogël”. Ai ishte bari (1 Samuelit 17:20), nuk kishte përvojë ushtarake, prandaj armatura që i dha Sauli, iu duk e papërshtatshme për t’u veshur (1 Samuelit 17:38-39). Por, në sytë e Davidit, Goliathi ishte njëlloj si luani apo ariu, me të cilët ai ishte mësuar të luftonte, tek kulloste delet.
Goliathi ishte i frikshëm, Izraelitët ishin të frikësuar, por Davidi kishte besim.
Pesë gurë të lëmuar
Në vend që të zgjidhte armët e shkatërrimit në masë të kohës së tij, Davidi zgjodhi një raketë, që dinte ta gjuante. E dinte se kjo armë do të gjuante në shenjë, edhe më mirë madje sesa një bombë, që drejtohet me rreze lazer. Disa kanë sugjeruar se pesë gurët që zgjodhi Davidi, përfaqësojnë emrin e Jezusit. Ka shumë mundësi që zgjedhja e këtyre gurëve të jetë një akt profetik, që simbolizon atë që do t’i ndodhte Goliathit dhe katër vëllezërve të tij (2 Samuelit 21:15-22). Goliathi vërtet ishte njeri i ashpër dhe i fortë, por ai u vra vetëm me një gur të lëmuar. Po në të njëjtën mënyrë, edhe Antikrishti dhe mbretëria e tij do të shkatërrohen me anë të një “guri” (Danieli 2:34-35).
Të fyesh ushtrinë e Perëndisë
Davidi e paralajmëroi Goliathin rreth rrezikut që vjen, kur dikush fyen ushtrinë e Perëndisë. Kjo botë gjen kënaqësi të madhe, kur tallet me krishtërimin, por Perëndia po i dëgjon dhe po i mban shënim fjalët dhe veprimet e njerëzve. Ata që fyejnë Zotin Jezus Krisht, harrojnë se në kampin tonë mund të ndodhet një “David”, i cili është gati t’i mundë ata dhe ta ringjallë kishën. Ndoshta tani mund të duket e pranueshme tallja dhe fyerja e emrit të Krishtit, apo lavdërimi i gjigandit të “evolucionit”, por do të vijë dita kur edhe ky gjigand do të rrëzohet.
Emri i Perëndisë së Gjallë
Davidi u ngrit kundër Goliathit me emrin e Zotit në gojë dhe në zemër (1 Samuelit 17:45). Në fakt, ai s’kish nevojë për gurët; ato ishin thjesht si mjete për t’u parë nga të dyja ushtritë. Për këtë bari, fitorja ishte fituar me kohë, që para se të niste lufta. Po në të njëjtën mënyrë, edhe ai njeri që vërtet beson tek Perëndia, arrin fitore para betejës. Nuk ishte guri ai që i theu brinjët Goliathit, por ishte emri i Zotit.
Davidi kishte besim dhe kishte marrë vendim se do t’i rezistonte Filisteut, duke qëndruar i fortë në Zotin. Të bësh diçka në emër të Perëndisë, do të thotë të veprosh për shkak të nderit të Tij, dhe jo për shkak të motivacioneve egoiste. Sot na nevojiten besimtarë, të cilët janë të gatshëm që ta provojnë faktin dhe fuqinë e Perëndisë së Gjallë, të cilin e përbuz bota.
Fuqia e besimit
Fuqia e plotë e besimit të Davidit tek Perëndia e goditi Goliathin papritur në mes të ballit (1 Samuelit 17:42-49). Atë ditë, shpendët e qiellit e hëngrën me të vërtetë mishin e Goliathit. Ndërkohë që Goliathi gjendej i shtrirë përtokë pa ndjenja, Davidi mori shpatën e gjigandit dhe ia preu kokën (1 Samuelit 17:50-51).
Ballafaqimi me Goliathët tanë
Gjatë gjithë jetës sonë të krishterë, ne kemi probleme të mëdha e nga më të ndryshmet, që kërkojnë zgjidhje. Këto probleme mund të jenë: persekutim prej botës, miqve apo prej familjes, sëmundje, humbje e të afërmve, apo dilemë financiare. Ashtu si Davidi, edhe ne duhet ta vëmë besimin tonë tek Zoti në çdo drejtim. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e urta 3:5-6).
Në Dhiatën e Re, djajtë u dëbuan, sëmundjet u shëruan, të vdekurit u ringjallën dhe mijëra të tjerë u lindën për së dyti nëpërmjet emrit të Zotit. Duhet të mësojmë që të flasim dhe të veprojmë në emrin e Krishtit çdo ditë dhe në çdo situatë: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). Emri i Jezusit nuk është një etiketë që e ngjisim në fund të lutjeve tona! “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri” (Fjalët e urta 18:20).
Përfundim
Tek qëndronte përpara Goliathit, Davidi ishte një ushtri e përbërë vetëm nga një person. Por Perëndia ishte përkrah tij, prandaj edhe fitorja ishte e sigurtë, edhe pse shanset ishin të dobëta. A e shihni se ç’mund të bëjë Perëndia me dikë që i beson Atij? Rigjallja për të cilën lutemi shpesh, mund të vijë atëherë kur, qoftë edhe një njeri i vetëm ngrihet në emër të Zotit dhe shpall fuqinë e Tij të madhe. Ky njeri mund të tallet nga bota dhe nga kisha, por nuk ka ushtri në tokë apo në ferr që të mund ta mposhtë besimtarin, që e vë besimin tek fjala e Perëndisë.
Edhe pse kjo botë, e mbushur me djaj, na kërcënon të na shkatërrojë,
Nuk do të frikësohemi, sepse Perëndia dëshiron që e vërteta e Tij të triumfojë përmes nesh:
Princi i Errësirës vë buzën në gaz, por ne nuk dridhemi prej tij;
Mund ta durojmë inatin e tij, sepse, ja, atij po i vjen fundi,
Vetëm një fjalë e vogël do të bëjë që ai të rrëzohet.
(Një Kështjellë e Fuqishme është Perëndia Ynë, nga Martin Luteri)
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



