Shkatërrimi shpirtëror i Lotit
Tekst studimi
Zanafilla 13:1-13 dhe Zanafilla 19
Parathënie
Si Abrahami, ashtu edhe Loti morën bekime të shumta nga Perëndia. Ata kishin në zotërim aq shumë bagëti, saqë iu duhej të ndaheshin në dy kampe. Duke qenë se ishte më i madh, Abrahami mund t’i kishte zgjedhur i pari kullotat për bagëtitë dhe kopetë e tij. Por, përkundrazi, ai i dha leje nipit të tij që të zgjidhte i pari. Loti zgjodhi “fushën e ujitur të Jordanit”, sepse kjo iu duk sikur do t’ia rriste shansin atij për t’u pasuruar më shumë. Po qe se Loti do të kishte shkuar në drejtimin tjetër, atëherë Abrahami do kishte zgjedhur Jordanin. Por, a do ta kompromentonte Abrahami besimin e tij, ashtu siç bëri Loti? Nuk ka shumë të ngjarë që kjo të ishte e vërtetë, sepse zemra e Abrahamit ishte e drejtë ndaj Perëndisë. E vërteta qëndron kështu: Loti do të largohej nga besimi pavarësisht se në ç’vend ndodhej. Mund të shohim shtatë faza të shkatërrimit shpirtëror të Lotit, siç përshkruhet tek Zanafilla.
Dëshira për botën
“Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit” (Zanafilla 13:10).
Loti donte të ndodhej aty ku mblidheshin të gjithë ata njerëz që dukeshin të suksesshëm. Fusha ishte e përsosur për të mbajtur bagëti dhe për të mbjellë grurë e prodhime të tjera. Ai e bëri syrin qorr ndaj mëkatit dhe ligësisë së dukshme të Sodomës, me qëllim që të fitonte pasuritë e botës. Ai zgjodhi atë që ishte e përkohshme, në vend të asaj që është e përjetshme. Po të kishte një zemër që në fillim dëshironte të kërkonte udhëheqjen e Perëndisë, atëherë Loti do të bekohej begatisht së bashku me Abrahamin. “Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: “Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty”. Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit” (Zanafilla 13:14-18). Loti nuk i ndërtoi Zotit një altar, ngaqë ai po ndërtonte mbretërinë e tij të bazuar në dëshirat e tij egoistike.
Vendim jo i mençur
“Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri” (Zanafilla 13:11).
Loti e mori vendimin e tij. Toka pjellore rreth Sodomës ishte parajsë në sytë e tij. Ndoshta ai mendoi se do ishte budalla po të mos e zgjidhte këtë tokë. Ajo që ne na duket e mirë dhe e këndshme, mund të jetë, në fakt, e neveritshme para Zotit. Djalli gjithmonë shtron tapetin më të mirë, për t’i tërhequr mëkatarët në folenë e tij. Ai i bën ata që të kujtojnë se janë të rëndësishëm, derisa më në fund, ata bien në kurthin e tij. Vendimet që marrim, kanë pasoja, të cilave nuk mund t’iu mënjanohemi.
Afër botës
“Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë” (Zanafilla 13:12).
A s’ishte vallë fusha e Jordanit e bukur dhe “e ujitur mirë”? Pse i ngriti atëherë Loti “çadrat e tij deri në Sodomë”? A s’e shihte dot se sa në rrezik po e vinte familjen dhe veten e tij, duke jetuar kaq afër banorëve të Sodomës? Dritat vezulluese të qytetit duhet ta kenë tunduar vazhdimisht Lotin, duke bërë që ai t’u afrohej atyre, ashtu siç i afrohet mushkonja dritës. Sa më shumë që i shihte këto drita, aq më pak mëkatarë i dukeshin atij banorët e Sodomës. Ndoshta atij mund t’i ketë shkuar në mendje që t’u mësonte dhe predikonte atyre të vërtetën dhe drejtësinë.
Të ulurit në pragun e mëkatit
“Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë, ndërsa Loti ishte ulur te porta e Sodomës” (Zanafilla 19:1).
Tani e gjejmë Lotin, jo më në fushën e Jordanit, por të ulur në portën e Sodomës. Kjo shprehje do të thotë se ai ndoshta mund të ketë qenë gjykatës në qytet, ose mund të ishte punësuar si roje tek porta. S’ka dyshim që ai dinte gjithçka rreth mëkatit të banorëve: “Sa i pa, ai u ngrit më këmbë për t’u dalë përpara dhe u shtri me fytyrën në tokë, dhe tha: “Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët; pastaj nesër në mëngjes mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj”. Ata u përgjigjën: “Jo; do ta kalojmë natën në sheshin”. Por ai nguli këmbë aq shumë sa që ata erdhën tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një banket dhe poqi bukë pa tharm, dhe ata hëngrën” (Zanafilla 19:1-3).
Duket sikur Loti nuk e kishte problem të banonte mes mëkatarëve të Sodomës. Perëndishmëria e Abrahamit duhet të ketë lënë mbresa tek Loti, sepse ai e urrente me pasion mëkatin e Sodomës: “dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve (sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra)” (2 Pjetrit 2:7-8). Sa shumë mundësi kishte Loti që t’u predikonte dhe t’u mësonte atyre drejtësinë dhe çlirimin prej mëkatit! Por gjatë qëndrimit të tij në Sodomë, ai do ta ketë kompromentuar edhe atë pak besim që kishte.
Shtëpia e Lotit
“Dhe tha: “Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj” (Zanafilla 19:2).
Loti nisi të jetojë në një çadër në fushën e ujitur mirë rreth Sodomës, por tani ai ka një shtëpi brenda mureve të qytetit. Ai ishte brenda në Sodomë dhe Sodoma ishte brenda zemrës së tij. Sa shumë kish rënë nga besimi! E kishte braktisur traditën e perëndishme të familjes së Abrahamit dhe kishte zgjedhur ujërat e zeza të Sodomës. Dikur ai kish qenë një bari i përulur, që kujdesej për delet, por tani ai ishte një gjykatës, që pretendonte të qeveriste shpirtrat e atyre që ishin nisur për në ferr.
Me të vërtetë e ke?
“Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: “Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin”. Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka” (Zanafilla 19:14).
Loti e kishte neglizhuar besimin e tij tek Perëndia. Ai nuk u mësoi bijave të tij udhën e shenjtërisë, duke i lejuar që të martoheshin me jobesimtarë. Kur vendosi të flasë, askush nuk e besoi se e kishte seriozisht. Kur e kuptoi mëkatin e tij, atëherë ishte shumë vonë për t’iu treguar të tjerëve për Zotin. Loti ishte predikuesi i fundit i Sodomës (shiko përsëri 2 Pjetrit 2:7-8). Kur Loti foli për gjykimin që po vinte, njerëzit e konsideruan si komedian dhe hipokrit. Askush nuk e respektonte. “Ky erdhi këtu si i huaj, dhe dëshiron të bëhet gjykatës! Tani do të sillemi më keq me ty se sa me ata!” (Zanafilla 19:9). Me një fjalë, Loti kishte dështuar nga ana shpirtërore.
Pa besim të vërtetë
“Por Loti iu përgjegj atyre: “Jo, zoti im! Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes. Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën” (Zanafilla 19:18-20).
Edhe pasi ishte shpëtuar mrekullisht prej Sodomës, Loti nuk arriti t’i besonte fjalës së Perëndisë. Ashtu si të gjithë mëkatarët, si ata që janë larguar nga besimi, dhe si të gjithë ata që kompromentohen, Loti mendonte se dinte më shumë sesa Zoti. Po të kishte qenë njeri besimtar, ndoshta gruaja e tij nuk do t’i kishte kthyer sytë nga Sodoma: “Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe” (Zanafilla 19:26). Po qe se Loti do të kishte qenë njeri besimtar, ndoshta bijat e tij nuk do ta kryenin atë mëkat të tmerrshmëm (shiko Zanafilla 19:30-36). Shkatërrimi shpirtëror i Lotit erdhi si rezultat i mungesës së besimit të tij që nga fillimi.
Përfundim
Vendimi i Lotit ishte me pasoja. Po ta kishte kërkuar vullnetin e Zotit që në fillim, atëherë ai nuk do të kompromentohej me banorët e Sodomës dhe nuk do t’ua kishte ofruar bijat e tij atyre. Po ta kishte kërkuar vullnetin e Zotit që nga fillimi, atëherë asnjë nga ato gjëra që i ndodhën Lotit dhe familjes së tij, nuk do të kishin ndodhur fare. Loti e deshi botën dhe gradualisht kjo dashuri e çoi atë në ujërat e zeza të saj. Vendimet tona vetjake gjithashtu nuk janë pa pasoja. Po të mos i lutemi Zotit dhe t’i kërkojmë që të na shfaqë vullnetin e Tij, atëherë do të na duhet të jetojmë dhe të vdesim me pasojat e vendimeve tona.
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



