Shimei plan-thurës



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 23.09.2011

“Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t’i dalë përpara Davidit. Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit. Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin dhe i tha mbretit: “Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh. Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim”. Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?”. Davidi tha: “Ç’marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?”. Pastaj mbreti i tha Shimeit: “Ti nuk ke për të vdekur!”. Dhe mbreti iu betua atij për këtë” (2 Samuelit 19:16-23).
 
Parathënie
Kishte shumë njerëz, që nuk e prisnin që Davidi të kthehej përsëri në Jeruzalem si mbret, por, përkundrazi, shpresonin se Absalomi do ta largonte atë njëherë e përgjithmonë nga froni. Një person i tillë ishte Shimei, të cilit i duhej të mendonte e të vepronte me shpejtësi të madhe, me qëllim që të mos egzekutohej, ngaqë e kishte sharë dikur mbretin. E dimë se ky njeri e kishte zemrën katile, ndaj edhe lutja që i bëri Davidit për ta falur, ishte thjesht një plan sa për sy e faqe, si e si për ta shpëtuar lëkurën e vet. Nuk ishte një pendesë e vërtetë, apo një shenjë besnikërie ndaj Davidit.
 
Shpejtësia
Shimei e kuptoi se i duhej të vepronte me shpejtësi të madhe, sidomos kur e mori vesh se Davidi po i afrohej Jeruzalemit. Ai u nis me nxitim drejt lumit Jordan, me qëllim që të ishte e pari për ta përshëndetur Davidin. Jo vetëm që u tregua i shkathët fizikisht, por edhe taktikisht, ngaqë e ndërroi menjëherë mendjen, duke pretenduar se tani kishte ndryshuar si njeri. Ashtu siç na thuhet edhe në Bibël, një veprim i tillë nuk ishte shfaqje përulësie, por thjesht një akt egoist e hipokrit. Shimei kujtoi se Davidit do t’i bënte përshtypje fakti se ai ishte i pari, që po e shoqëronte mbretin për në Jeruzalem. Shimei nuk priti shumë dhe ia përmendi vetë mbretit këtë fakt.
 
Nënshtrimi
Shimei hiqet sikur i vjen keq për mënyrën sesi u soll dikur ndaj Davidit. E dinte se do ta vrisnin, po qe se nuk do të hiqej si fajtor. I rrëfeu mbretit se kishte mëkatuar, kur e kishte mallkuar dhe sharë. Për t’iua vënë edhe më shumë në dukje të tjerëve keqardhjen e tij, Shimei i ra përmbys mbretit, për t’i treguar gjoja se tani ishte një shërbëtor i vërtetë. Shimei kishte besim se Davidi do të tregohej i mëshirshëm dhe do ta falte, sepse përndryshe do t’ia kishte mbathur me të katra. “Kur Davidi kishte qenë në rrezik, Shimei ishte treguar armiku i tij më i ashpër, kurse tani, kur Davidi ishte jashtë rrezikut, ai po mundohet t’ia fitojë zemrën me lajka” (Shënime nga Bibla e Gjenevës).
Duhet ta vëmë re se Shimei nuk i kërkoi falje mbretit në mënyrë private, përkundrazi, erdhi përpara tij me një turmë njerëzish, disa prej të cilëve kishin qenë përkrahës të Absalomit. Ndoshta kujtoi se Davidi nuk do ta ndëshkonte hapur, në mes të tradhtarëve të tjerë. Gjithashtu, Shimei e dinte se, nëse Davidi do ta ndëshkonte, atëherë tërë fisi i Beniaminit do të konsiderohej i ndëshkuar.
 
Vendimi
Duhej marrë sa më shpejt një vendim. Davidi u vu në pozitë përpara gjithë atyre njerëzve. Abishai ishte i mendimit për ta vrarë menjëherë Shimein, për shkak të asaj që kishte bërë. Ai e kuptoi se Shimei po hiqej si i penduar, me qëllim që të mos ndëshkohej. Abishai po tregohej besnik ndaj Davidit në këtë rast, edhe pse Davidi e kritikoi për vendimin e tij. Davidi e kishte qortuar edhe më parë Abishain, kur ky kishte dashur ta vriste Shimein, në kohën kur ai po e gjuante mbretin me gurë (2 Samuelit 16:9-10). Abishai, të paktën, nuk kishte ndryshuar, por ishte po ai – besnik deri në fund.
Davidi donte të kishte paqe dhe shpresonte që kryengritësit do të fillonin t’i zinin prapë besë atij dhe do ta ndiqnin. Është gjithashtu e mundur që Davidi të mendonte se duhej ta falte Shimein për mëkatin që kishte bërë, ngaqë edhe atij ia kishte falur mëkatin Perëndia. “Kur Perëndia është treguar kaq i mëshirshëm ndaj meje dhe ma ka falur mëkatin, a duhet, vallë, që unë të hakmerrem ndaj Shimeit?” (Gjon Uesli). Me siguri që Abishai kishte të drejtë, lidhur me Shimein, por ai nuk e kuptoi se Perëndia kishte kohën e Tij. As ai, as Davidi, nuk e dinin faktin se ndëshkimi i Shimeit thjesht po shtyhej për më vonë, në një të ardhme jo shumë të largët. “Shimeit, për momentin, iu vulos falja me betim. Por, prapëseprapë, ai duhej të sillej mirë, sepse përndryshe, do të ndëshkohej. Dhe pikërisht, kështu ndodhi, në momentin e duhur, kur drejtësia e qeverisë u çua deri në fund” (Mateo Henri). 
Davidi, edhe pse e fali Shimein, kurrë nuk e harroi mënyrën se si ai u soll ndaj tij. Ndëshkimi i ishte shtyrë vetëm për pak kohë. Davidi i premtoi Shimeit se nuk do të vdiste, por një premtim i tillë ishte thjesht një fjalë goje e jo një marrëveshje ligjore. Tek 1 Mbretërve 2:8-9, Davidi e urdhëron kështu Salomonin, lidhur me Shimein: “Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i Beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: “Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata”. Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol””. Më vonë, Salomoni u përpoq për t’u treguar i mëshirshëm ndaj Shimeit, i cili, nga ana tjetër, e vërtetoi veten si një njeri pa pikë dashurie për dinastinë e Davidit, ndaj edhe u egzekutua (1 Mbretërve 2:36-43). Kështu, pra, Shimei vdiq në fakt, ngaqë nuk e mbajti premtimin, që i kishte bërë Davidit dhe Salomonit. Këta të dy nuk ishin fajtorë për vdekjen e tij.
 
Përfundim  
Këtë studim mund ta përmbledhim në mënyra të ndryshme, por nuk mund ta lëmë pa përmendur faktin se ka nga ata njerëz, që thonë fjalë të mira, hiqen sikur janë të përulur dhe të penduar për mëkatet e tyre e megjithatë, zemrën e kanë të ligë. Prandaj edhe spektakli që japin, nuk i bën shumë përshtypje Perëndisë. Ai e di se ata janë egoistë dhe hipokritë, gati për të marrë ndëshkimin në kohën e duhur.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/
  
 
          
  

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com