Shfajësimi nëpërmjet besimit
“Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t’u lëvduar. Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? “Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi”. Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: “Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar” (Romakëve 4:1-7).
Parathënie
Shfajësimi nëpërmjet besimit është një nga temat më të rëndësishme të Dhiatës së Re. Të shumtë janë ata, që nuk arrijnë ta kuptojnë dot se ç’është ky shfajësim, ndaj edhe njerëz të tillë nuk mund ta vlerësojnë dot ashtu siç duhet atë që realizoi në kryq Krishti për ta.
Përkufizimi i fjalës
Pali na tregon se shfajësimi nuk vjen si rezultat i zbatimit të Ligjit të Moisiut: “Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit” (Romakëve 3:28). Veprat tona të bamirësisë nuk mund të rezultojnë në shfajësim. Nëse njeriut do t’i duhej të punonte për të fituar shpëtimin, atëherë nuk do të kishte më nevojë për hir. Po qe se shfajësimi do të merrej nëpërmjet kryerjes së veprave të mira, atëherë Perëndia do të ishte borxhli ndaj nesh. Pali na tregon se shfajësimi nëpërmjet besimit egzistonte para dhënies së ligjit të Moisiut. Kështu pra, nëse mund të shfajësohemi përpara Perëndisë nëpërmjet ligjit, atëherë nuk do të kishte më nevojë për hirin e Tij: “Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër” (Romakëve 11:6).
W.E.Vain e përshkruan kështu shfajësimin: “Akti i të deklaruarit i drejtë, pafajësim, shlyerje e borxhit; kuptimi i saktë i kësaj fjale varet nga kuptimi i foljes ‘dikaioo’, që do të thotë ‘të shfajësosh’. Kjo folje përdoret 2 herë vetëm në Dhiatën e Re, në Letrën drejtuar Romakëve dhe ka kuptimin e krijimit të një njeriu të drejtë, me anë të shfajësimit prej fajit”.
Shfajësimi tregon se njeriu është fajtor dhe i ndëshkuar
Bibla na mëson se “paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23) dhe se “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Po e njëjta e vërtetë theksohet edhe tek Efesianëve 2:1-2: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes”. Prandaj, të gjithë i japim llogari Perëndisë për mëkatin tonë dhe e meritojmë ndëshkimin. Me anë të shfajësimit, Perëndia na deklaron se jemi të lirë prej fajit dhe ndëshkimit. Pra, shfajësimi është të qënit pa faj. Ndëshkimi shpirtëror është kaq i rëndë, saqë njeriu nuk mund ta çlirojë dot vetveten prej dënimit me vdekje: “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5).
Mjetet e shfajësimit
Bibla përmend një numër çështjesh, që luajnë rol në shfajësimin e mëkatarit. Ajo thotë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet hirit: “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:24); nëpërmjet besimit: “Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit” (Romakëve 3:28); nëpërmjet gjakut të Krishtit: “Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të Tij” (Romakëve 5:9); me anë të Frymës së Shenjtë: “U shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë” (1 Korintasve 6:11) dhe me anë të kryerjes së veprave, që kërkohen nga Perëndia: “Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi” (Jakobi 2:24).
Një studim i kujdesshëm i mjeteve që kanë të bëjnë me shfajësimin, vë në dukje një harmoni të përsosur mes tyre. Për shembull, Ati Perëndi i jep mundësinë njeriut për t’u çliruar prej fajit. Hiri apo favori vjen prej Perëndisë dhe është përgjigja ndaj problemit që ka njeriu, ngaqë nuk e shpëton dot veten. Besimi është puna që kryen njeriu, duke e lejuar atë për ta pranuar hirin e Perëndisë. Pra, shpëtimi është “me anë të hirit, nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8). Gjaku i Jezusit është metoda, me anë të së cilës mëkatari deklarohet i pafajshëm. Jezusi tha: “Sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve” (Mateu 26:28).
Në shfajësimin e njeriut, Fryma e Shenjtë vepron, duke e afruar mëkatarin tek Krishti, për ta pranuar dhuratën (shiko Gjoni 14-16). Besimi nga ana e njeriut është absolutisht i domosdoshëm: “Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja” (Gjoni 8:24). Besimi që kërkohet, është besim veprues dhe i bindshëm: “Sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie” (Galatasve 5:6). Veprat që kryehen për shkak të besimit shpëtues, nuk kanë ndonjë meritë në vetvete. Ato nuk janë vepra që meritojnë shpëtimin. E megjithatë, besimtari është thirrur për t’iu bindur me besnikëri Perëndisë: “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10).
Rezultatet e shfajësimit
“Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Ndjenjat e fajit dhe të ndëshkimit e dërrmojnë shpirtin, por shfajësimi sjell paqen “që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (Filipianëve 4:7). Njeriu, si rezultat i shfajësimit, mundet që t’i shpëtojë zemërimit të Perëndisë, të bëhet trashëgimtar dhe të çlirohet prej çdo lloj faji: “Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij” (Romakëve 5:9)… “që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:7)… “dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut” (Veprat e Apostujve 13:39).
Përfundim
Siç e pamë, pra, ka shumë gjëra për t’u marrë në konsideratë, përsa i përket temës së shfajësimit. Njeriu është i ndëshkuar me anë të ligjit dhe nuk mund ta çlirojë dot vetveten. Por Perëndia e ka siguruar mënyrën, me anë të së cilës njeriu mund të deklarohet i lirë. Gjithçka që ka siguruar Perëndia, është e sigurtë dhe e patundur. Megjithatë, njeriu duhet të besojë që të shpëtohet. Po qe se të shfajësurit varej vetëm nga Perëndia, siç thonë disa, atëherë shpëtimi do të ishte universal, d.m.th. të gjithë do të shpëtoheshin. Por Bibla na thotë se të paktë janë ata, që do të shpëtohen, sepse të paktë janë ata, që i binden Perëndisë dhe i pranojnë kushtet e faljes prej Tij: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mateu 7:13-14)… “Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden” (Hebrenjve 5:8-9).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



