Shëmbëlltyra e Merimangës
Parathënie
Bibla e përdor merimangën për të ilustruar të vërteta të rëndësishme. Në këtë studim, do t’iu hedhim një sy ca mësimeve, që mund të nxjerrim prej merimangës modeste.
Merimangat ndodhen kudo
“Hardhuca (ose merimanga) që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve” (Fjalët e Urta 30:28).
Thuhet se merimangat na ndodhen afër gjatë gjithë kohës. Për disa njerëz, ato janë krijesa të frikshme. Por, po të mos ishin merimangat, bota do të mbushej me miza e me lloj-lloj insektesh të tjera. Nganjëherë pyes veten se sa merimanga vriten çdo ditë prej atyre, që kanë frikë prej këtyre krijesave? Ka nga ata njerëz, që kujtojnë se merimangat janë krijesa të pista, që jetojnë në vende të ndotura. E megjithatë, edhe Pallati mbretëror i Bakingamit (në Londër) ka me mijëra merimanga, që jetojnë në të. Merimangat nuk e kanë problem se ku jetojnë, në shtëpitë e të pasurve apo të të varfërve, sepse, në çdo situatë që të ndodhet, merimanga menjëherë thurr pëlhurën (rrjetën) e saj. Salomoni e përmendi merimangën, pikërisht për shkak të pëlhurës së mrekullueshme, që thurr ajo. Kush e mësoi atë të bëjë një punë të tillë? Është Perëndia Ai, që i dha merimangës mençurinë, që në momentin që e krijoi. Në gjuhën hebraishte, fjala ‘merimangë’ përkthehet ‘akkabish’, që do të thotë ‘një endës i shkathët’.
Ashtu si merimangat, edhe besimtarët ndodhen kudo. Por sa pak ka prej tyre, që janë të zellshëm e punëtorë për Zotin! Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh aftësinë për t’i thirrur të humburit për tek Krishti, por shumica prej nesh hezitojnë, nga frika se mos ofendojmë njeri. Jezusi na tha që të shkojmë e t’i tregojmë botës lajmin e mirë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që Unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Kurse apostulli Pal na inkurajon kështu: “Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë” (2 Timoteut 4:2). Botës mund të mos i pëlqejë ajo që i themi. Mund të na kritikojnë, ngaqë iu tregojmë pasojat që rrjedhin, n.q.s. nuk e pranojnë Krishtin si Shpëtimtar. Por, prapëseprapë, ne duhet ta hapim gojën e të flasim për Krishtin. “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!” (Romakëve 10:14-15).
Pëlhura e merimangës
Bibla flet gjithashtu edhe rreth aspekteve negative të merimangës. Pëlhura e merimangës është një gjë e mahnitshme. Është jashtëzakonisht delikate e mund të prishet, sapo ta prekësh. E prapëseprapë, kjo pëlhurë është aq e fortë, saqë mund të kapë e të mbajë edhe insekte të mëdha në të. Profeti Isaia e përdori pëlhurën e merimangës për të ilustruar planet e liga të njerëzve të pabesë: “Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë” (Isaia 59:5). Të ligët e kësaj bote thurin lloj-lloj planesh e kurthesh për të kapur ata, që janë më të dobët. Përdorin p.sh. televizorin, filmat, lojrat vidjo dhe internetin (i cili, me që ra fjala, quhet ‘rrjeta mbarëbotërore’). Mësuesit e rremë thurin një rrjetë (pëlhurë) gënjeshtrash e mashtrimesh për t’i bërë robër ata, që janë analfabetë të Biblës. E megjithatë, fjala e vërtetë e Perëndisë mund ta shkatërrojë çdo fije të rrjetës, që thurin këta mësues të rremë: “Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange” (Jobi 8:14).
Të ligët janë aq dinakë, sa arrijnë të përdorin çdo lloj mjeti të mundshëm për të shkatërruar shpirtin dhe trupin e çdo burri, gruaje dhe fëmije. E kalojnë kohën, duke u munduar ta kryejnë sa më mirë punën e tyre, kurse ata, që e njohin Shpëtimtarin, janë dembelë dhe dorështrënguar, kur vjen puna për të shpërndarë ungjillin.
Këmbëngulja e merimangës
Po qe se pëlhura e një merimange, që ndodhet në një tub uji, prishet prej shiut, ajo (d.m.th. merimanga) do të kthehet prapë tek ai tub, sapo të dalë dielli, e do të thurë një pëlhurë tjetër nga e para. Kjo ilustron faktin se njeriu në të vërtetë kurrë nuk mëson prej asaj që e pëson. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata besimtarë, që refuzojnë të jetojnë sipas asaj që thotë Bibla. Jeta e tyre është e mbushur me kthime mbrapsht. Duket sikur janë çliruar, por s’kalon shumë kohë dhe kthehen përsëri tek veprat e vjetra. Vetëm një merimangë pamend ngul këmbë, që ta thurë pëlhurën në ulluk.
Mosbesimi i merimangës
Egziston një histori rreth një merimange, që nuk donte ta dëgjonte fare këshillën e mirë, që iu dha:
“Njëherë e një kohë, në një fushë misri, jetonte një merimangë e madhe, e cila kishte thurur një pëlhurë të bukur mes kallinjve të misrit. Ishte shëndoshur, duke ngrënë të gjitha mizat, që i binin në rrjetë. Merimangës i pëlqente shumë shtëpia e vet, ndaj edhe kishte bërë plan që të jetonte përgjithmonë në këtë fushë. Një ditë, merimanga zuri një mizë të vogël në rrjetë dhe, sapo u bë gati ta hante, miza i tha: “Po të më lësh të lirë, do të të tregoj diçka të rëndësishme, që ka për të të shpëtuar jetën”. Merimanga ndaloi për momentin dhe, e habitur, ia vuri veshin mizës. “Do të bësh mirë të largohesh prej kësaj fushe misri” - tha miza, “po afrojnë të korrurat!” Merimanga vuri buzën në gaz dhe tha: “Për ç’të korrura e ke fjalën? Kjo që po më thua, është përrallë”. “Jo, është e vërtetë” – tha miza e vogël. “Pronari i kësaj fushe do të vijë e do ta korrë këtë fushë së shpejti. Po të rrish këtu, ke për t’u vrarë prej makinerive gjigande”. Merimanga tha: “Unë nuk besoj në të korrura e në makineri gjigande, që presin kallinj misri. I vërteton dot këto, që po më thua?” Miza tha: “Ja, hidhi një sy misrit. E shikon se si janë mbjellë kallinjtë rradhë njëri pas tjetrit? Kjo tregon se kjo fushë është krijuar prej një dizenjatori inteligjent”. Merimanga qeshi dhe duke e vënë në lojë mizën, i tha: “Kjo fushë ka evoluar e nuk ka lidhje fare me krijuesin. Misri gjithmonë rritet vetë, pa ndihmën e askujt”. Por miza u mundua ta shpjegojë çështjen edhe më shumë: “Jo, jo, kjo fushë i përket pronarit që e ka mbjellë dhe të korrurat po afrojnë”. Merimanga qeshi dhe i tha mizës së vogël: “Nuk të besoj” dhe pastaj e hëngri mizën për drekë.
Pas ca ditëve, merimanga po qeshte me vete rreth historisë që i kishte treguar ai insekt i vogël: “Të korrurat! Ç’ide e çmendur! Kam jetuar këtu gjithë jetës dhe deri tani asgjë nuk ma ka prishur rehatinë. Unë këtu kam qenë, qëkurse këta kallinj ishin të vegjël e këtu do të jem për gjithë jetën, sepse kjo fushë nuk ka për të ndryshuar kurrë. Jeta është e bukur dhe unë jam si s’ka më mirë”.
Të nesërmen, dita ishte e bukur e me diell. Qielli ishte i pastër e s’frynte erë fare. Atë pasdite, kur merimanga po bëhej gati të vinte një sy gjumë, asaj i zunë sytë ca re të trasha pluhuri, që po i afroheshin. Papritur dëgjoi ulurimën e një motori të madh dhe i tha vetes: “Ç’mund të jetë kjo, vallë?”
“Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit”… Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:3-4, 9).
Përfundim
Si po jetojmë ne, si merimanga e mençur, apo si ajo pamend? Ç’lloj pëlhure po thurim? Merimanga na jep mësime rreth punës dhe këmbënguljes. Perëndia na ka bekuar me aftësinë për ta kryer punën e Tij në këtë botë. Nuk na duhet të mbarojmë shkollë biblike, në mënyrë që të mësojmë se si t’iua fitojmë zemrat të humburve për Krishtin, sepse Zoti na ka dhënë Frymën e Tij dhe të vërtetën. Ajo, që na duhet, është gatishmëria për të shkuar e për t’iu treguar atyre rreth Tij. Ashtu si merimanga punon me mish e me shpirt për t’ia arritur qëllimit, ashtu edhe ne duhet të jemi të vendosur dhe këmbëngulës për kauzën e Krishtit. Po qe nevoja, merimanga mundet të thurë një pëlhurë çdo ditë të jetës së saj. Ajo kurrë nuk del në pension. Po ne, a jemi të gatshëm për të jetuar për Krishtin, cilidoqoftë çmimi?
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



