Sekreti i pemës së fikut



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 22.07.2011

Parathënie
Disa prej shëmbëlltyrave të Jezusit janë profetike nga natyra, si p.sh. shëmbëlltyra e pemës së fikut. Kjo shëmbëlltyrë na sugjeron se vera (d.m.th. fundi i epokave) është afër dhe se duhet të bëhemi gati. Ardhja e dytë e Krishtit ka për të ndodhur papritmas dhe ka për t’i habitur të gjithë. Të shumtë kanë për të qenë ata besimtarë, që do të zihen mat, kur të kthehet Zoti!
Për shekuj me rradhë, ka patur nga ata njerëz, të cilët kanë kujtuar se iu është ngarkuar detyra, për të caktuar datën e ardhjes së Krishtit. Por secila prej datave të caktuara (1843, 1844, 1914 dhe 1988) dolën data fallco. Parashikimi i kohëve të fundit i vitit 2011-ë doli, po ashtu, fallco. E megjithatë, është me rëndësi fakti, që çdo besimtar të jetë gati për ngjarjen, që ka për të ndodhur me të vërtetë.
 
Ardhja e Krishtit ka për ta habitur botën
“Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë. Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im. Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet. Dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet” (Mateu 24:32-41).
Ngaqë bota nuk beson më tek Perëndia dhe tek Bibla, ajo nuk ka për të qenë kurrë gati për ardhjen e Krishtit. Në fakt, e njëjta gjë ndodhi edhe në kohën e Noeut, para përmbytjes. Njerëzit e asaj kohe nuk iua vunë veshin thirrjeve, që Noeu iu bënte që të pendoheshin, ngaqë ata ishin duke u marrë me çdo lloj mëkati dhe ligësie. Për ta, Noeu ishte si një profet i marrë, që duhej mbyllur brenda në spitalin psikiatrik. Ata që nuk besonin tek Perëndia, thoshin se Noeun e kishin indoktrinuar të tjerët, kurse ata që ishin fetarë, nuk kishin besim se një Perëndi i dashur ishte gati për ta shkatërruar botën. Vetëm një grup i vogël njerëzish (vetëm minoriteti) i shpëtoi gjykimit.
Në të njëjtën mënyrë, pra, edhe mëkatarët e sotshëm e kanë mendjen tek argëtimi dhe imoraliteti, e jo tek Perëndia, apo tek fjala e Tij. Mendojnë vetëm për vete dhe shajnë këdo, që flet për pendimin prej mëkatit, apo për kthimin tek Perëndia. Por vetë Zoti ka për t’iu dhënë fund argëtimeve të tyre, kur të derdhë, një ditë, zemërimin e Tij mbi botën. Pjetri profetizoi se jo-besimtarët kanë për ta hedhur poshtë ardhjen e Krishtit, ngaqë kujtojnë se jeta e tyre ka për të zgjatur përgjithmonë. “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit”. Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit, për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi, ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë” (2 Pjetrit 3:4-7). Kjo është, pra, e vetmja arsye pse bota e konsideron përmbytjen e madhe të kohës së Noeut si një përrallë!
 
Ardhja e Krishtit ka për t’i habitur të krishterët
“Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj” (Mateu 24:42).
Askush nuk e di ditën, apo datën e ardhjes së Krishtit. Vetëm të marrët kujtojnë se e dinë. Ka patur nga ata, që janë përpjekur për ta llogaritur këtë datë, por të gjithë këta njerëz kanë qenë profetë të rremë. Vërtet që nuk e dimë as ditën, as orën e Ardhjes së Dytë, por, në të njëjtën kohë, besojmë se Zoti ka për të ardhur, ndaj edhe duhet ta përgatisim veten për ta takuar. E dimë se Ai ka për t’u kthyer, sepse:
Jezusi premtoi Vetë se do të kthehej. “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).
Ëngjëjt na thanë se Ai do të vijë përsëri. “Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e Apostujve 1:11).
Në librin e fundit të Biblës na thuhet se Ai ka për të ardhur. “Ja, unë vij shpejt… Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë… Po, unë vij shpejt. Amen”. Po, eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:7, 12, 20).
Si besimtarë që jemi, e pranojmë se ardhja e Zotit është shumë afër. “Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13). Për këtë qëllim, pra, duhet ta mbajmë veten të pastër e të panjollosur prej botës. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3)… “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira” (Titit 2:11-14).
 
Përfundim  
Këto fakte na tregojnë se puna që kemi përpara, është urgjente, sepse, ashtu si Noeu, edhe ne duhet ta paralajmërojmë botën, edhe pse ajo nuk do që të na dëgjojë. Jezusi tha: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet” (Veprat e Apostujve 1:7). Jemi thirrur për të dëshmuar për Krishtin para të gjithëve. “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Kthimi i Krishtit ka për t’i dhënë fund mundësisë, që ka kisha për ungjillizim. “Sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thesalonikasve 4:16-17). A do të jemi në gjendje t’i marrim shpërblimet, që dëshiron të na japë Krishti? A do të jemi gati për të predikuar mesazhin e shpëtimit dhe të ardhjes së shpejtë të Krishtit? “Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu” (Mateu 24:46).  
   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com