Respekt me dashuri
“Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit Perëndisë tënd…”(Ligji i Përtërirë 5:11).
- Eeej, e imja është! I bërtiti Eltoni motrës së tij të vogël.
- Sa po bëhesha gati ta vija.
Liza shtrembëroi turinjtë dhe i nxori gjuhën. Pastaj u largua me vrap me maskën e re për të notuar, atë që kishte dërguar gjyshja e tyre.
- Liza, sille shpejt këtu, bërtiti fort, por ajo ishte futur në det. Kështu janë motrat e vogla, iu ankua kushuririt të tij Indritit. Mirë do të ishte të isha edhe unë djalë i vetëm si ty.
- Shko edhe merrja, tha Indriti, je më i madh sesa ajo.
- Shaka bën? Pyeti Eltoni, nëse shkoj t’ia marr do filloj të bërtasë dhe do të shkoj me vrap tek mamaja dhe do kemi telashe. Atë, asnjëherë nuk e qortojnë, gjithmonë unë e kam fajin.
Indriti filloi të hidhej përpjetë mbi rërën e nxehtë.
- Sidoqoftë bëj diçka, tha. Filluan të më piqen këmbët. Dua të zhytem.
- Mirë, tha Eltoni, po shkoj ti flas.
Të dy djemtë u drejtuan për në det, ndërsa Liza në ujin e cekët, mbushte maskën e Eltonit me ujë dhe e derdhte mbi kokën e saj. Sa i pa që po i afroheshin iu ktheu kurrizin. Eltoni qeshi dhe tha me zërin e tij të ëmbël:
- Liza, të lutem, mund të luaj edhe unë me maskën time? Indriti dhe unë duam të shikojmë thellësinë e detit.
Liza tundi kokën e saj në mënyrë negative. Indriti pa Eltonin dhe mori frymë thellë, pastaj foli përsëri me shumë seriozitet.
- Mirë, Liza, por dua të them diçka, hajde këtu.
- Çfarë?- Pyeti Liza pa lëvizur.
- Nuk të them po nuk erdhe këtu, tha Eltoni.
Liza pa maskën dhe pastaj vëllain e saj. Eltoni i buzëqeshi lehtë.
- Mirë, tha, nuk do ta marr, por hajde këtu për të mirën tënde. Dua të them diçka me shumë rëndësi.
Liza kërkoi me sytë e saj të gjente mamanë. Kur e pa aty vërdallë, u duk sikur mori kurajo, por vazhdoi të mos lëvizte nga vendi.
- Më duket se nuk do t’ia dijë Indrit,- u ankua Eltoni.
- Çfarë po të thosha unë? Nejse, shkojmë. Djemtë u kthyen për tu larguar.
- Prisni thërriti Liza duke u përpjekur të dilte nga deti.
Eltoni e çoi tek bari dhe i tha Lizës që të ulej. Ajo e shtrëngoi akoma më shumë maskën me duar. Eltoni iu afrua tek veshi dhe i tha me zë të ulët:
- Liza, ti e di që maska është e imja. Liza e vuri pas kurrizit kur i foli i vëllai.
- Gjyshja ma dërgoi mua për ditëlindjen time. Ty të dërgoi kukullën, të kujtohet? Kjo është dhurata ime dhe ti ma more. Liza filloi të largohej shpejt prej vëllait të saj. Nuk donte që t’ia jepte.
- Liza, a e di që Jezusi zemërohet shumë me ty, kur ti merr diçka që nuk të takon?
Liza dëgjonte me sytë të hapur nga frika. Eltoni pa Indritin dhe vazhdoi:
- Në qoftë se nuk më jep maskën time, Jezusi ndoshta nuk do të dojë më. Unë nuk do të doja që Ai të zemërohej me mua.
Lotë filluan të rrëshqisnin mbi faqet e Lizës të skuqura nga dielli.
- Në qoftë se do ta jap, do të më dojë përsëri Jezusi?
Eltoni po mundohej që të mbante të qeshurën e tij.
- Nuk e di. Ti Indrit si thua? Pyeti. Indriti dukej i menduar.
- Nuk e di Liza, ndoshta.
Liza e nxori maskën nga mbrapa.
- Elton, nuk dua që Jezusi të jetë i zemëruar me mua. Të lutem thuaji që të më dojë përsëri. Eltoni buzëqeshi i kënaqur duke e marrë maskën.
- Dëgjo, tha seriozisht. Mund të rregullohen të gjitha në qoftë se, që tani e tutje bën çfarëdo që të them.
Indriti ra dakort.
- Sigurisht Liza. Mendoj se ka të drejtë. Do të bësh çfarëdo që të thotë Eltoni dhe ndoshta Jezusi të fal.
Buzët e Lizës dridheshin duke dëgjuar dy djemtë më të rritur, ndërsa ata me zor mundoheshin që të qëndronin serioz. Në fund Eltoni tha:
- Liza, shko të më sjellësh peshqirin tim. Është atje tutje tek gardhi. Indriti dhe unë do të zhytemi dhe e dua sa të dal.
Liza pati frikë të kundërshtonte. U ngrit duke iu bindur dhe filloi të ecte drejt gardhit. Në gjysmën e rrugës u kthye dhe pa me keqardhje të vëllain.
- Shpejt, i bërtiti ai. Liza filloi të vraponte.
Indriti filloi të lëvizte duke qeshur mbi bar.
- Më në fund, tha, ia arrite qëllimit. Tani çfarë t’i thuash do të bëjë. Të vetmen gjë që duhet t’i thuash është se Jezusi do të zemërohet me të. E di, që më së fundi nuk është dhe aq keq të kesh motër të vogël. Është sikur të kesh një shërbëtore të veçantë.
Eltoni rrëmbeu maskën dhe u turr për në det. Indriti e ndoqi nga pas.
Në mbrëmje kur po hanin darkë, babai vuri re se Liza ishte e mërzitur.
- Çfarë problemi ka vajza ime? Pyeti. Liza pa Eltonin në sy, por nuk tha asnjë fjalë. Mamaja solli në tavolinë një pjatë të madhe me mish pule dhe preku lehtë në sup Lizën.
- Shkuan në plazh sot. Mendoj se është e lodhur. Kështu nuk është Liza?
Mamaja u ul në vendin e saj midis Eltonit dhe babait.
- Bija ime, lutu ti Jezusit që ta bekojë ushqimin tonë, dhe pas ushqimit do të biem të gjithë për të fjetur.
Fytyra e Lizës filloi të skuqej. “Oh”, mendoi Eltoni, “do filloj të qaj”.
Papritur motra e tij filloi të qante me dënesë. Babai dhe mamaja mundoheshin ta ngushëllonin, por Liza nuk mund të ndalonte qe t’u thoshte se ç’kishte ndodhur.
Eltoni kthehej sa andej ketej në karrigen e tij. Mërzitej që e kishte trembur kaq shumë motrën e tij. Dhe tani, që prindërit e tij do të zbulonin se çfarë kishte bërë, do t’i vinte më shumë keq. Më në fund Liza zbuloi sekretin.
- Nuk mund të lutem. Jezusi është zemëruar me mua
Eltoni priste në dhomën e tij. Më së fundi dëgjoi hapat e babait të tij të afroheshin. Kur u hap dera, Eltoni kuptoi nga pamja e fytyrës së të atit se do të kishte telashe.
Pas një bisede të gjatë se si duhej të sillej ndaj motrës së tij, me çudi dëgjoi babain të thoshte:
- A e di, biri im, se më e keqja në këtë çështje është se ke shkelur një nga dhjetë urdhërimet.
-Çfarë bëra? Pyeti i çuditur Eltoni.
- Cilën nga të gjitha?
Babai i shpjegoi.
- E mban mend urdhërimin që thotë të mos e përdorim emrin e Zotit pa arsye?
Eltoni u shtang.
- Por, baba…,- tha, - kujtova se do të thoshte se nuk mund ta përdorim emrin e Zotit Jezus Krisht si blasfemi. Unë nuk bëra një gjë të tillë.
I ati u mundua t’ia shpjegonte.
- Ke të drejtë, por kjo është vetëm njëra anë. Përdore emrin e Jezusit që të trembësh dhe madje shumë, motrën tënde. Perëndia do të thotë se duhet ta përdorim emrin e Zotit me kujdes. Nuk duhet ta përdorim emrin e Zotit si na intereson ne.
Gjithashtu nuk duhet ta përdorim për shaka. Sa herë që përdorim emrin e Zotit duhet të kujtojmë sa shumë na do. Sa herë që flasim për Perëndinë, duhet Ti tregojmë dashurinë tonë për të gjitha ato që ka bërë për ne. E kuptove?
Eltoni e kuptoi se nuk e kishte përdorur emrin e Perëndisë me dashuri.
- Po baba e kuptova. Më fal.
- Gëzohem që po të dëgjoj ta thuash. Por mendoj se ekziston dikush tjetër të cilit duhet t’i kërkosh të falur, kështu nuk është?
Eltoni tundi kokën në mënyrë pohuese. Babai u drejtua për tek porta.
- Po të lë vetëm,- i tha. – Kur të mbarosh këtu brenda, eja jashtë të flasësh me motrën tënde.
Ndaloi për një moment dhe vazhdoi:
- Sigurisht… nuk ka banjo për një javë, në rregull?
- Në rregull,- tha Eltoni
Babai i tij mbylli derën dhe Eltoni u shtri i vetmuar në krevat. Pas disa minutash u ngrit dhe u ra në gjunjë para krevatit.
- Perëndia im i dashur, më fal…
Kur mbaroi lutjen, nuk u ngrit menjëherë. U mbështet në krevatin e tij dhe po mendohej se çfarë do të mendonte për të motra e tij e vogël. Dhe më e keqja, çfarë do të mendonte ajo për Jezusin.
Mendoi se sa shumë e donte ai vetë Jezusin dhe dëshironte që edhe ajo ta donte Jezusin në të njëjën mënyrë. Pak më vonë u lut përsëri.
“Zoti Jezus, më ndihmo të përdor emrin Tënd në një mënyrë të tillë që të mund t’i them Lizës se sa i mrrekullueshëm je. Në emrin Tënd, Amen”
Mendohu: Cilat janë disa mënyra të këqija me të cilat mund të përdorin njerëzit emrin e Krishtit?
Si mund të përdorim në mënyrë të drejtë emrin e Perëndisë?



