Reflektime mbi Gjonin 15:1-16 – Pjesa VII



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 03.08.2010

Asgjë
“Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë… Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi” (Gjoni 15:5, 8).
Parathënie
“Pa mua nuk mund të bëni asgjë”. Këto fjalë bien në kundërshtim me teorinë e të mbështeturit në forcat tona, teori e cila thotë se mund të shkojmë në Parajsë thjesht duke bërë vepra bamirësie, apo duke zbatuar ritet e ndryshme fetare. Fjala “asgjë” tregon vlerë absolute dhe është komplet ndryshe nga fjalët “nëse”, “por”, apo “me përjashtim të”. Kjo fjalë i referohet jo vetëm jetës sonë të re shpirtërore, por edhe asaj së vjetrës, kur nuk qëndronim në Krishtin. Në këto vargje, Zoti na mëson se pa Të nuk mund të bëjmë dot asgjë të vlefshme, asgjë që mund ta kënaqë Perëndinë.     
Mbështetja
Ndoshta mund të mos e kuptojmë dot në fillim, por kjo e vërtetë ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Krishtin. Nëse qëndrojmë në Të, atëherë “asgjë”-ja s’ka më kuptim. Por, që në momentin kur një besimtar ndahet prej Krishtit, atëherë gjërat që bën ai, nuk janë më të pëlqyeshme prej Perëndisë. Duhet t’i besojmë Krishtit aq shumë, saqë jemi gati të mbështetemi plotësisht e pa rezerva tek Ai dhe tek fjala e Tij. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij” (Hebrenjve 11:6). E shohim, pra, se si fjalët “asgjë” dhe “e pamundur” kanë të bëjnë me besimin tonë tek Zoti. Fjalë të tilla e humbin fuqinë e tyre, kur besimi ynë shfaqet atëherë kur qëndrojmë në Krishtin. “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Luka 1:37)… “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: “Zhvendosu nga këtu atje,” dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20)… “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (Marku 9:23).
Gjithçka, pra, varet nga marrëdhënia jonë me Perëndinë. Kjo marrëdhënie është e ngjashme me atë marrëdhënie, që egziston edhe mes Atit dhe Birit. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes” (Gjoni 5:19). Kjo thënie na tregon se Jezusi nuk veproi sipas mendjes së Vet, apo në kundërshtim me vullnetin e Atit të Tij, por ashtu siç e tha edhe Ai vetë: “Përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri” (Gjoni 5:19). Gjithçka që tha e që                         bëri Jezusi, ishte plotësisht brenda për brenda vullnetit të Atit dhe të Frymës së Shenjtë, d.m.th. Ai nuk bëri asgjë në mënyrë të pavarur prej tyre. “O Atë, je në mua dhe unë në ty” (Gjoni 17:21)… “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” (Gjoni 4:34). Nëse Biri nuk mund të bënte dot gjë pa Atin, atëherë është mëse e sigurtë se as ne nuk mund të bëjmë dot gjë, nëse jetojmë të ndarë nga Krishti. Nëse jemi plotësisht të varur tek Zoti dhe plotësisht të përkushtuar ndaj Tij, atëherë mund të themi së bashku me apostullin Pal: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Mund të jemi të dobët, por nuk jemi pa shpresë. “Sepse Perëndia është ai që vepron në [ne] vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13). Po t’i pranojmë këto fakte, atëherë do ta kuptojmë se ç’do të thotë të kesh një jetë të lumtur e të bekuar.
Dishepullizimi
Nëse nuk mund të arrijmë të bëjmë dot gjë, po të mos qëndrojmë në Krishtin, atëherë kjo vjen si rezultat i mosbindjes sonë ndaj Tij. Çështjen e bindjes do ta studjojmë më hollësisht në një studim të ardhshëm, por në vargjet në hyrje të këtij studimi, e shohim se, n.q.s. duam ta lavdërojmë me të vërtetë Perëndinë, atëherë duhet të jemi dishepuj të Krishtit – jo thjesht pasues të Tij, por besimtarë, që e lavdërojnë Atë me gjithë shpirt e me gjithë zemër, si me fjalë, ashtu edhe me vepra. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17).
Një dishepull i vërtetë jep fryte të mira. Prandaj edhe ata, që japin fryte të kalbura, apo që s’japin fryte fare, nuk janë dishepuj besnikë të Jezusit. Për vite me rradhë, njerëz të shquar besimtarë arritën t’i bënin madje edhe kombe të tëra, që të pendoheshin e të ktheheshin tek Zoti, duke i sjellë ringjallje kështu edhe vetë kishës. Njerëz të tillë prodhuan fryte, që i sollën lavdi Zotit. Këta ishin dishepuj të vërtetë, që iu bindën urdhërimeve të Tij. E megjithatë, ata nuk arritën asgjë me forcat e veta. Përkundrazi, ishte Krishti Ai, që veproi përmes tyre. “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar. Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen”. Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë. Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin” (Marku 16:15-20). Këta besimtarë nuk i përkisnin një klase të veçantë. Përkundrazi, ata kishin marrë vendim, që të qëndronin në Krishtin dhe t’i besonin fjalës së Tij. Ai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne, nëse duam që të jemi dishepuj të vërtetë të Tij.
Dëshira e zemrës sonë duhet të jetë e përqëndruar tek të dhënit “shumë fryt”, në mënyrë që të lavdërohet Ati. Vetëm kjo është provë e të qënit dishepull i vërtetë. Nuk duhet t’i vëmë shpresat tek fuqia jonë, por tek fuqia e Frymës së Shenjtë, e cila iu jepet të gjithë atyre, që i binden Atij. “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:9). Perëndia na jep fuqi, për ta zbatuar urdhërin e Tij. “Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne” (Psalmi 68:28).
    
Përfundim 
Nuk duhet të hezitojmë së qëndruarit në Krishtin, sepse ky është i vetmi vend, ku mund të bekohemi me bollëk. Nëse duam të kemi një jetë të frytshme dhe të jemi të mbushur plot e përplot me Frymën e Perëndisë, atëherë nuk duhet të dëshirojmë gjë tjetër, veçse të qëndruarit pa pushim në Të, të paturit një lidhje të ngushtë me Të, një shenjtëri të përsosur dhe një bindje pa rezerva. A jemi nga ata pasues të Krishtit, të cilët përpiqen të jetojnë të ndarë prej Tij, apo nga ata dishepuj, që qëndrojnë vazhdimisht në Të?   
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com