Reflektime mbi Gjonin 15:1-16 – Pjesa V



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 18.07.2010

Krasitja
“Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova” (Gjoni 15:2-3).
Parathënie
Pothuajse çdo lloj bime e kultivuar ka nevojë për kujdes e për krasitje. Duhet prerë pak, që të rritet e të japë më shumë fryte. Nga kjo pikëpamje, pra, zbritja është, në fakt, shumë. Vreshtari e di se ç’duhet bërë, që të ketë një korrje të mbarë. Në fakt, ai di më shumë rreth jetës së bimëve, sesa ç’mund të dinë ato vetë! 
Pastrimi dhe krasitja
Vreshtarit i duhet t’i pastrojë degët prej gjithçkaje, që i pengon ato prej së qënit të frytshme. Fjala “krasit” do të thotë “të heqësh, të presësh ato pjesë që s’kanë vlerë”. Përsa i përket bimës, krasitja ka të bëjë me ato degë të viteve të kaluara, të cilat nuk japin më fryte, apo lule, me qëllim që të mbeten vetëm degët e shëndetshme. Po të mos bëhet një krasitje e tillë, atëherë këto degë shterpë do të vazhdojnë ta thithin të gjithë ushqimin, që iu duhet degëve prodhimtare. Degët e sëmura të bimës priten, në mënyrë që të mos kenë një ndikim negativ tek degët e tjera. Gjithçka, pra, që e pengon bimën të rritet, pritet e krasitet.
Ndoshta po i varim shpresat tek bekimet e viteve të kaluara, ndaj edhe kemi nevojë që të krasitemi prej Zotit, në mënyrë që të jemi më të frytshëm si tani, ashtu edhe në të ardhmen. Të shumtë janë ata, që kanë pushuar së rrituri, ngaqë po mundohen të jetojnë me bekimet e një derdhjeje të Frymës së Perëndisë mbi ta dikur, në të kaluarën. Ndoshta për këta njerëz, ajo kohë ishte më e mira, por harrojnë se Perëndia mund të veprojë edhe tani në të njëjtën mënyrë. Në kishat tona, kemi besimtarë që mezi po egzistojnë, duke jetuar me bekimet e një eksperjence të kaluar. Iua tregojnë shpesh këtë eksperjencë të tjerëve, me shpresën se do t’i përjetojnë po prapë ndjenjat dhe emocionet e dikurshme. Por, në vend që t’i kthejnë sytë mbrapsht, ata duhet ta përqëndrojnë vëmendjen përpara, tek e tanishmja dhe tek e ardhmja, duke pritur që Perëndia t’i bekojë përsëri me bollëk. Ka mundësi që të mos jenë kurrë të frytshëm, po qe se nuk e lejojnë Zotin, që t’iua krasisë të shkuarën. “Sepse ky është njëri nga shpërblimet më të çmuara, që mund të na japë Perëndia, ngaqë i jemi bindur Atij në të kaluarën, d.m.th. Ai na shpërblen, duke na bërë më të shenjtë e më të shëndetshëm për t’i shërbyer Atij edhe më mirë” (Gjon Uesli).
Nuk mund ta neglizhojmë këtu edhe çështjen e mëkatit. Mëkati është një sëmundje, e cila e korrupton gjithçka, që preket prej saj, ndaj edhe duhet larguar. Ndoshta kujtojmë se mëkati ynë personal nuk iu bën dëm të tjerëve. Por, në fakt, ky mëkat shkatërron jetën tonë shpirtërore dhe shumë shpejt, të tjerët kanë për të parë qartë rezultatet e një jete shterpë. “Të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Numrave 32:23). Nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë, e kuptojmë se duhet ta hedhim “tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur” (Hebrenjve 12:1), në mënyrë që të bëhemi të vlefshëm për Perëndinë. Prandaj, pra, kjo krasitje është për të mirën tonë, për shenjtërinë tonë. Nuk na vjen mirë, kur Perëndia fillon e na disiplinon, kur mëkatojmë. Por kjo tregon se Ai na do dhe se dëshiron që të jemi të pastër. “Sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen” (Hebrenjve 12:6).
Fjala pastruese
“Që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës” (Efesianëve 5:26). Si na pastron Vreshtari, që të bëhemi të vlefshëm për Të? Na pastron me thikën krasitëse të fjalës së Tij. Nganjëherë, Ai lejon që të ballafaqohemi me probleme e vështirësi, me qëllim që të heqim dorë prej mosbindjes e mëkatit. Ai dëshiron që t’i besojmë dhe t’i bindemi fjalës së Tij, e jo që t’ia vëmë vëmë veshin asaj vetëm atëherë kur sëmuremi, apo kur vuajmë, apo kur ndodhemi në vështirësi. Thika e Tij është “më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12). Fjala e Perëndisë e kryen punën e saj pastruese në zemrën tonë, vetëm atëherë kur e besojmë dhe i bindemi. Do ta shohim se do të jemi më të pastër, nëse e lejojmë fjalën e Perëndisë, që të na hyjë në zemër. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11)… “Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës” (1 Pjetrit 1:22).
Ashtu siç i besojmë dorës së kirurgut, për të na e hequr tumorin (kancerin) nga trupi, ashtu duhet t‘i besojmë edhe thikës së Vreshtarit. Këtë e quajmë “dorëzim të jetës”. “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:24-26)… “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2).
               
Përfundim 
“Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6). Nëse e lejojmë Perëndinë, që ta vazhdojë punën e Tij tek ne, atëherë Ai do të na bëjë të frytshëm në çdo fushë të jetës. Nuk do të shqetësohemi më atëherë, nëse do të jemi të frytshëm apo jo, por sa shumë fryte do të japim. A jemi gati, pra, t’i zbrazim të gjitha ato gjëra, që na pengojnë që të rritemi? A jemi gati, që të pastrohemi prej fjalës së Tij? “Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!” (Jakobi 4:10)… “Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur” (1 Pjetrit 5:6). I tërë qëllimi i pastrimit dhe i krasitjes sonë prej Perëndisë është që ta kënaqim Atë, duke ecur në shenjtëri. “Që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë” (Filipianëve 2:15).    
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com