Rasti (Mundësia)
“Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova”. Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit” (2 Korintasve 6:2).
Parathënie
Po të mos kishte vdekur Krishti në kryq, asnjëri prej nesh nuk do ta falenderonte dot Perëndinë për shpëtimin që na ka dhënë. Pikërisht pra, tek kryqi, Perëndia e shfaqi dashurinë e Tij të pamatë për ata që i kishte krijuar Vetë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16)… “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Mëkatarët gjejnë shpëtim vetëm tek kryqi: “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë” (1 Korintasve 1:18).
Njerëzit, sidomos të rinjtë, që sapo kanë dalë në jetë, kujtojnë se mund ta lënë shpëtimin për një ditë tjetër, kur jetës së tyre t’i vijë fundi. Njëlloj si bujku, i cili (një herë në vit) ka mundësi për ta korrur arën, ashtu edhe Perëndia i jep mundësi çdo burri e gruaje, që ai ose ajo të vijë tek Krishti. Do vijë dita (dhe ajo ditë mund të mos jetë thjesht momenti i vdekjes), kur nuk do të ketë më rast tjetër për t’u shpëtuar…”Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3)… “Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar” (Jeremia 8:20).
Le t’i hedhim një sy dy llojeve të mundësive, që kanë ata që nuk besojnë, për t’u penduar e për t’u kthyer tek Zoti.
Lloji i parë: Rinia
“Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: “Nuk gjej asnjë kënaqësi në to,”para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut; në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen; kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve. Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus, dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë” (Predikuesit 12:1-7).
Me guxim të madh, Salomoni na tregon se ai që pendohet e beson tek Perëndia para se të vdesë, e ka shkuar dëm tërë jetën e vet. Të rinjtë mendojnë se vdekja është larg, ndaj edhe nuk e ndjejnë nevojën e Krishtit si Shpëtimtar. Përsa kohë që janë mirë me shëndet, kujtojnë se vdekja nuk do t’i marrë sot me vete: “Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!” (Isaia 22:13). Shpëtimi dhe vdekja nuk qenkan për sot, por për nesër! Ata që kanë vdekur pa i besuar Krishtit, e mallkojnë veten, ngaqë nuk erdhën tek Zoti, sa ishin gjallë, kurse ata që kanë vdekur, duke i besuar Krishtit, do të donin që t’i kishin besuar Atij edhe më herët, “Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus” (2 Timoteut 3:14-15).
Lloji i dytë: Bindja
“Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit” (2 Korintasve 5:11).
Të paktë janë ata njerëz, që e vrasin mendjen se si do të ballafaqohen me një Perëndi të shenjtë. “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27)… “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Ca njerëz jetojnë sikur të mos kishte Zot fare, sikur mëkatet e tyre të mos kishin fare pasoja. Ka të tjerë që shpresojnë se veprat e bamirësisë që kanë bërë gjatë jetës, do të ngrenë më shumë peshë sesa veprat e liga. Jetojnë aq serbes e në mënyrë mospërfillëse, duke kujtuar se Perëndia nuk iua vë re mëkatet: “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31). Ca njerëz e dëgjojnë Lajmin e Mirë, por akoma vazhdojnë ta hedhin poshtë, ose ta lënë atë për një ditë tjetër, edhe pse Perëndia i ka bindur se duhet të pendohen për mëkatin e të kthehen tek Ai. Por, mund të mos kenë më ‘një ditë tjetër’ - e nesërmja mund të mos i gjejë gjallë: “Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër” (Fjalët e Urta 29:1).
Po ne, që jemi të shpëtuar? A shqetësohemi aq shumë për ata që nuk besojnë, saqë të shkojmë e t’iu tregojmë atyre të vërtetën? Rasti i tyre i shpëtimit është edhe rasti ynë i ungjillizimit: “A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen” (Gjoni 4:35).
Përfundim
Perëndia përdor mjete nga më të ndryshmet për t’i bindur mëkatarët, që të largohen prej “zemërimit që po vjen” e të shkojnë tek kryqi (Luka 3:7). Ai përdor sëmundje, katastrofa, apo frikën, por Atij do t’i pëlqente më shumë sikur ata të vinin tek Krishti, pasi ta kishin dëgjuar predikimin e fjalës së Tij. Ne e kemi për detyrë që ta shfrytëzojmë rastin e t’iu tregojmë atyre që nuk besojnë rreth Krishtit: “Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën” (1 Gjonit 5:12)… “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).
Ata që nuk pranojnë të vijnë tek Zoti, do të gjykohen për mëkatet e tyre, kurse ne do të gjykohemi, ngaqë nuk i kemi shfrytëzuar mundësitë që na ka dhënë Perëndia, për t’i paralajmëruar mëkatarët: “Në rast se unë i them të pabesit: “Me siguri ke për të vdekur,” dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij” (Ezekielit 3:18).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



