Qëllimi i përjetshëm i Zotit për njeriun
QELLIMI I PERJETSHEM I ZOTIT PER NJERIUN
Nje mesazh i dhene nga Gene Edwards ne UCLA , 1969
Zanafilla 1:1. Në fillim Zoti krijoi qiejtë dhe tokën. Zanafilla 1:26. Dhe Zoti tha: Le ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë, sipas ngjashmërisë sonë, dhe le të kenë ATA zotërimin… Vargu 26 thotë: “le të kenë ata” . Ai varg nuk thotë “le të ketë Adami,” ose “le të ketë ai”. Ai thotë “le të kenë ata” . Fjala “ata” është shumë domethënëse. Që nga fillimi Zoti nuk kishte ndërmend një njeri individual, por një korporatë njerëzish. Prandaj shohim “ata” në fillim.Shohim “Ata”, një korporatë. Shkrimi vazhdon “Le të kenë ata zotërim” .Një korporatë njerëzish të ketë zotërim.Zotërim mbi peshqit, zogjtë, kafshët. “Le të kenë ata zotërim mbi tokën”. Një njeri, korporatë njerëzish, që ka zotërim, mbi gjithë planetin! Dhe ky njeri duhet të ketë zotërim gjithashtu mbi dicka tjetër, gjithashtu: mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe. A e dini se cfarë simbolizojnë rrëshqanorët? Unë besoj se e dini. Ata jane armiku. Së fundi, pjesa thotë: “Zoti e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e Tij. Ai i krijoi ata sipas imazhit të Tij.”
Një njeri,
Një korporatë njerëzish,
Që ka zotërim:Mbi tokën,Mbi gjarprin.
Dhe ky njeri ka imazhin e Zotit!
Tani le të kthehemi tek Efesianët 3:11 ku diskutohet i njëjti subjekt themelor. “Sipas qëllimit të përjetshëm, të cilin Ai e kishte në Krishtin Jezus”. Këtu shtohet një fjalë tjetër domethënëse, “qëllim i perjetshëm” . Zoti ka një qëllim. Por ky nuk është qëllim me një fillim dhe një fund. Është një qëllim i përjetshëm. Ju e dini, me siguri, që Zoti kishte për qëllim që njeriu të shpëtohej. Por ky është një qëllim në kohë. Ju mund ta lokalizoni këtë qëllim tek Zanafilla 3, pas rënies. Këtu është vendi ku ky qëllim fillon. Po kështu, mund të gjendet dhe një fund për këtë qëllim, tek Zbulesa 20, ku mbetjet e fundit të rënies janë zhdukur. Shpëtimi nuk është qëllimi i përjetshëm i Zotit! Ai nuk ishte aty, në Zotin, para kohëve. Pra, kjo tregon se qëllimi i Zotit nuk ishte kurrë që të na shpëtonte ne. Pse? Sepse njeriu nuk kishte nevojë për shpëtim në fillim. Njeriu nuk u krijua i humbur! Shpëtimi thjesht e kthen njeriun prapa, në nivelin zero, prapa, për të vazhduar me qëllimin e përjetshëm që Zoti kishte përpara krijimit. Kështu pra, është një qëllim që daton përpara rënies (Zanafilla 3) dhe shkon përtej shkatërrimit të Satanit (Zbulesa 19). Tani le të lexojmë Efesianët 2:15 “Duke shkatërruar, në mishin e Tij, armiqësinë që ishte në ligjin dhe urdhërimet, që Ai vetë t’i bëjë prej të dyve (judenj dhe paganë) një Njeri të Ri.” Pra ja ku është një fjalë tjetër. Kësaj here Zoti flet, jo për një njeri, por për një Njeri të Ri. Tani të kthehemi tek Efesianët 1:21-22. “Përmbi principatat dhe pushtetet dhe zotërimet dhe çdo emër që thirret jo vetëm në këtë botë(ja ku kemi tokën), por dhe në atë që vjen. Dhe Ai i ka vendosur të gjitha gjërat nën këmbët e Tij (ja pra zotërimi) dhe e bëri Krishtin që të jetë koka e të gjitha gjërave… për kishën.” Pjesa e fundit e këtij vargu është më shumë interesante: çfarëdo që Jezusi ka, çfarëdo pushteti që zotëron, Ai ja jep këtë Kishës. Jezusi fiton zotërim; kisha përfundon që të jetë një me këtë zotërim. Cfarëdo që Jezusi zotëron, Ai ja jep kishës. Mbajeni mend këtë.
Efesianët 4:24. Një varg mendje- shpërthyes. “Vishni Njeriun e Ri.” Ju jeni supozuar të hyni brenda Njeriut të Ri dhe të bëheni pjesë e Njeriut të Ri. Këto janë fjalët me të cilat do të doja të fillonim:
Njeriu
Korporata njerëzore
Zotërimi
Imazhi
Qëllimi i përjetshëm
Kisha
Njeriu i Ri
Do të filloj me termin “qëllim i përjetshëm”. Ne jemi të gjithë të varur në faktin se njeriu mëkatoi dhe Jezus Krishti erdhi në tokë që të vdiste për mëkatet tona. Ky ka qenë fokusi kryesor i vëmendjes sonë për shekuj. Sa here keni dëgjuar të thuhet: “Qëllimi i Zotit për njeriun është që ta shpëtoje atë” ?. Mirë, vëllezër dhe motra, a kishte Zoti ndonjë plan për njeriun përpara se ky njeri të mëkatonte? A ishte njeriu në ndonjë vend përpara se ai të mëkatonte? A kishte Zoti ndonjë plan më të lartë se sa shpëtimi? Nqs njeriu nuk do të kishte rënë kurrë, Zoti përsëri do të kishte një qëllim madhështor për të. Zoti i kishte lënë njeriut të bënte diçka, kur e vendosi atë në tokë. Ajo nuk kishte të bënte absolutisht fare me rënien apo shpëtimin. Rënia ishte një devijim dhe shpëtimi ishte kthimi i njeriut nga ky devijim dhe vazhdimi në rrugën kryesore. Por, dhe pasi Zoti e prezantoi njeriun me shpëtimin dhe e ktheu sërisht në rrugë, Ai sërisht nuk kishte atë që donte që nga fillimi.
Nqs njeriu do të kishte vazhduar me Zotin dhe do të kishte bashkëpunuar me Të, Zoti do të kishte bërë diçka mbi këtë tokë që nuk do të kishte të bënte fare me mëkatin, shpëtimin apo shpëngimin. Eshtë kaq e qartë nqs ju thjesht rikujtoni se njeriu nuk filloi mbi tokë si mëkatar; ai nuk filloi si i humbur apo në nevojë për shpëtim. Njeriu ishte pa mëkat dhe Zoti kishte diçka që Ai donte të bënte. Diçka të përjetëshme. Diçka që do të shkonte përtej kohës.
Cfarë është kjo gjë që Zoti dëshironte? Një qëllim? Më i madh se shpëtimi? Më i madh se sa kryqi i shpengimit?
Po. Qëllimi i përjetshëm. Qëllimi i përjetshëm i Zotit është për mua dhe për ty. Dhe unë do të jem në të; po ti ç’do të bësh?
Që të shohim qëllimin e përjetshëm, le të udhëtojmë përpara në kohen para rënies. Atëherë do të jemi në gjendje të kuptojmë. Zoti bëri qiejtë, Pastaj Ai bëri tokën. Më pas Ai krijoi shumë gjëra të tjera si peshqit, zogjtë etj… Me pas, në përfundimin e një javë gjashtë ditëshe pune, Zoti bëri njeriun. Ai formëzoi një pirg balte të kuqe. Me pas Ai e goditi atë dhe i fryu asaj. Dhe shihni, toka lëvizi. Ajo u ngrit dhe qëndroi në këmbë. Ajo ishte një njeri! Një njeri, një copë pluhur i kuq, u bë një shpirt i gjallë. Më pas Zoti i tha njeriut: “Pluhur i kuq, cohu në këmbë. Unë dua të të jap një punë. Së pari, Unë dua që ti të kesh zotërim mbi këtë planet që quhet Tokë. Zotërim mbi peshqit e detit, zogjtë e qiellit, mbi kafshët, mbi gjarpërinjtë, zotërim mbi çdo gjë në këtë tokë dhe zotërim mbi vetë tokën.”Së dyti, Zoti tha: “Unë të kam bërë ty në një mënyrë të tillë që ti të mbartësh imazhin Tim. Shko përmes gjithë kësaj toke. Mbart imazhin tim. Mbarte atë kudo. Le ta shohin të gjitha gjërat se si jam Unë. Mbart imazhin Tim të dukshëm, imazhin e Zotit të padukshëm. Toka duhet ta shohë se si dukem Unë.
“Rënie ose jo, njeriu duhet të bëjë dy gjëra: (1) të ketë kontroll mbi tokën – duke përfshirë dhe kontrollin mbi gjërat që zvarriten, mbi Satanin – dhe (2) të mbartë imazhin e Zotit.Cfarë është imazhi i Zotit?Sipas librit të Kolosianëve: Krishti është imazhi i Zotit. Kështu që në këtë tokë, në këtë epokë, duhet të ekzistojë një Njeri që endet mbi këtë tokë që duket ashtu siç dukej Jezus Krishti!
Ky është imazhi i Zotit!
Tani le të flasim për zotërimin. Që të bëjmë këtë, fillimisht duhet të flasim për tokën. Tek Zanafilla 1:1 thuhet se Zoti krijoi qiejtë. Kështu ne shohim se Zoti i zotëron qiejtë. Ai i ka ato sepse gëzon të drejtën e krijimit. Ai ka dokumentin legal të tyre. Pas qiejve, Zoti krijoi tokën. Po kështu dhe toka është e Tij, në bazë të së drejtës së krijimit. Por, shumë gjëra ndodhën pas krijimit. Pa më thoni, a ka Zoti akoma të drejtë të padiskutueshme mbi tokën që nga koha që Ai krijoi njeriun?
Jo, Ai nuk ka!
A e mbani mend historinë e Jezusit ku flitet se Ai shkoi në një mal të lartë dhe aty u tundua nga Satani? Zoti dhe Satani qëndruan në atë mal të lartë dhe panë të gjithë planetin Tokë dhe të gjitha mbretëritë e saj. Më pas, Satani, një engjëll, i bëri një deklaratë të guximshme Jezusit, një njeriu. Satani tha: “Ky është zotërimi im. Unë e drejtoj këtë. Unë e kam këtë. Eshtë e imja”. Por ajo çfarë është më e pabesueshme, është se Jezusi nuk e vuri në diskutim këtë deklaratë! U nënkuptua nga të dy se Satani kishte të drejtë të pretendonte zotërimin e Tokës. Më pas Satani, një engjëll, shkoi dhe i tha Jezusit, një njeriu, “Unë do të t’i jap ty këto mbretëri të tokes nqs ti përkulesh para meje dhe më adhuron!” Disa nga ju do të pyesin, “Përse e quan Satanin engjëll dhe Jezusin njeri? Jezusi është Biri i Perëndisë.” Po kjo është e vërtetë. Por shihni sjelljen e Jezusit në kohën kur Ai po bisedonte me Satanin. Ai po mbante pozicionin e Tij si njeri. Vini re se Zoti e pranoi se Satani kishte të drejtë të pretendonte për zotërimin e tokës. Ai e pranoi se Satani mund t’ja japë këtë pushtet një njeriu që e adhuron atë. A e mbani mend se çfarë tha Jezusi kur Satani e sfidoi Atë, që nqs ishte Biri i Perëndisë, të kthente gurët në bukë? Jezusi i tha, “Njeriu nuk jeton vetëm nëpërmjet bukës!” Njeriu! Njeriu!
Jezusi po fliste me Satanin jo si Perëndi, por si njeri. Dhe subjekti i diskutimit ishte toka dhe kush do ta zotëronte atë. Kjo ishte biseda që po zhvillohej mes tyre në atë moment. Satani dikur e kishte mposhtur një njeri, njeriun e parë, dhe kishte bërë që ai të binte. Tani Satani po përballej me një njeri të dytë, një Njeri të Ri, dhe donte që ta bënte këtë njeri të përkulej dhe ta adhuronte atë, ashtu si dikur kishte joshur njeriun e parë. Kështu Satani filloi të fliste me Zotin Jezus, duke u përpjekur ta shkatërronte Atë. Ai i adresohej Atij si Biri i Perëndise. Por, Satani kishte frikë nga Zoti-Njeri, sepse njeriu ishte supozuar të sundonte tokën dhe të nënshtronte armikun. Plani i Satanit nuk funksionoi sepse Jezusi nuk ju përgjigj atij si Bir Perëndie. Jezusi qëndroi fort pas pozicionit të Tij si njeri. Zoti i rezistoi armikut. Në atë moment, Satani u mposht nga një njeri! Kështu Satani u kthye. Tani ai i foli Jezusit si njeri. Dhe ai i foli Atij në bazë të vetë qëllimit të njeriut në tokë – të ketë zotërim mbi tokën. “Në rregull,” i tha Satani Jezusit, “Ti mund të kesh zotërim mbi tokën, ashtu si Zoti ka planifikuar për ty, një njeri, që të bësh. Ti do të kesh mbretëritë, peshqit, kafshët, çdo gjë. Gjithçka që të duhet të bësh, është të përkulesh para meje.”
Përse Jezusi e refuzoi këtë ofertë? Në fund të fundit, zotërimi ishte gjithçka që Zoti donte që njeriu të kishte. Ajo ishte një ofertë e mirë. Zoti mund të kishte mbaruar punë me të, shpejt e shpejt dhe ta kishte realizuar planin hyjnor. Përse Ai e refuzoi ofertën? Ndoshta, sepse Zoti mund të kishte dhënë këtë përgjigje: “Jo, faleminderit Satan. Kontrata jote lë diçka të vogël jashtë. Njeriu duhet të ketë zotërim mbi tokën dhe mbi çdo gjë në tokë…duke përfshirë dhe gjarpërinjtë!” . Jezusi donte zotërimin total. Ai e ktheu mbrapsht ofertën. Nga ky diskutim midis Jezus Krishtit dhe Satanit, ne zbulojmë se Satani ka një pretendim, një pronësi mbi këtë “Pronë”. Madje dhe kur Zoti krijoi Adamin, zotërimi i Tokës ishte në diskutim, dhe Zoti vendosi që njeriu ta përfundonte këtë diskutim duke zotëruar tokën.
A keni vënë re gjatë studimit të historisë se një mbret asnjëherë nuk shkon të luftojë kundër një gjenerali që ka rebeluar? Kur një gjeneral fillon një rebelim, mbreti dërgon një gjeneral tjetër që t’i japë fund rebelimit. Mbreti asnjëherë nuk e ul veten që të luftojë; Ai nuk merret në mënyrë direkte me gjeneralin që synon të zotërojë mbretërinë e tij. Kështu është dhe me Zotin. Dikush filloi të pretendojë për pronësinë e një pjese të mbretërisë së madhe të Zotit. Emri i uzurpatorit ishte Luçifer - biri i agimit. Vendi: Toka. Zoti dërgoi një gjeneral tjetër që ta nënshtronte armikun e Tij dhe ta rimerrte atë pjesë të mbretërisë. Qëllimi i gjeneralit ishte që ta rikthente atë pronë në mbretërinë e Zotit, dhe më pas, gjenerali fitimtar do të sundonte aty, me dekret mbretëror. Ky ishte qëllimi i Zotit për njeriun. Tani qëllimi i përjetshëm i Zotit për njeriun po bëhet më i qartë. Zoti dëshiron që njeriu të ketë zotërimin e tokës. Zoti dëshiron që njeriu të mbartë imazhin e Jezus Krishtit. Ka një dëshirë të përjetëshme nga ana e Zotit. Cdo gjë tjetër, është më pak se kjo.
Nuk ka një konflikt direkt midis Zotit dhe Satanit në këtë diskutim. Kjo betëje e madhe frymore që ju e shihni të jetohet përditë në këtë tokë, është midis një njeriu dhe Satanit. Dhe beteja bëhet për një glob prej balti, për Tokën.
Njeriu,
Satani,
Toka,
Qëllimi i përjetshëm i Zotit.
Zoti i tha njeriut që ta zotëronte tokën sapo Ai e mbaroi së krijuari atë. Ai nuk mund të zotëronte atë që nuk ishte tashmë në rebelim, kështu që rebelimi ishte në lulëzim të plotë kur Zoti krijoi njeriun pa mëkat. Njeriu duhej të zotëronte tokën dhe të reflektonte imazhin e Zotit të tij. Tingëllon e mahnitëshme. Zoti kishte njeriun e Tij. Por diçka ndodhi…
Njeriu e shkatërroi këtë, fatkeqësisht.
I gjithë plani i Zotit dështoi.
Satani triumfoi.
Njeriu e humbi pozicionin e tij superior dhe u bë subjekt i armikut.
Ndodhi afërsisht kështu: Zoti sapo kishte krijuar njeriun dhe ishte gati ta vinte në jetë qëllimin e Tij. Ai e thirri Adamin dhe e çoi të qëndronte afër Pemës së Jetës. Pema e Jetës! Ky ishte hapi i parë në betejën për të rimarrë tokën.
Përse është kaq domethënëse Pema e Jetës në qëllimin e Zotit? Në mënyrë që njeriu të ishte ashtu si Zoti dëshironte, ai duhej të hante nga ajo Pemë. Pse? Sipas shkrimit, tre format më të larta të jetës në univers janë:
1-)Jeta hyjnore
2-)Jeta engjëllore
3-)Jeta njerëzore.
Jeta e Zotit është jeta më e lartë, jeta engjëllore vjen e dyta dhe e treta vjen jeta njerëzore. Armiku i Zotit është një engjëll. Nqs njeriu duhej që ta nënshtronte këtë armik, atij i duhej të kishte një jetë më të lartë se ajo e armikut. Tani ndoshta e shihni se sa e rëndësishme është Pema e Jetës. Ajo Pemë është vetë Jeta e Zotit; është jeta më e lartë në univers; dhe ajo Jetë ju ofrua njeriut. Njeriu nuk ishte menduar asnjëherë që të jetonte me jetë njerëzore. Njeriu duhej të kishte një jetë mbinjerëzore për një detyrë mbinjerëzore. Zoti kishte për qëllim që njeriu të kishte një Jetë të tillë që të mund të nënshtronte armikun, një jetë më të lartë se jeta engjëllore. Menjëherë përpara se njeriu të hante prej kësaj Jete më të lartë – që meqënëse ra fjala, është Jezus Krishti – Satani u afrua. Satani erdhi aty me një strategji që të ruante pronësinë e tij. Dhe Satani fitoi. Ai e mbajti token. Si? Së pari, ai e ndaloi njeriun që të merrte një jetë më të lartë. Se dyti, Satani bëri që njeriu të binte. Sepse, që njeriu të mëkatonte ishte keq, por që të mos e kishte kurrë jetën e Zotit, ishte akoma më keq. Që ta bënte gjendjen akoma më të mjerë, njeriu bëri diçka tjetër. Ai hëngri nga fruti i njohurisë së të mirës dhe të së keqes. Njeriu mori një emër tjetër pas atij akti të tmerrshëm. Pas atij momenti e në vazhdim, ai nuk ishte më njeri, ai u bë “njeriu i vjetër”. Kjo është ajo çfarë është ai. Ai është shumë i vjetër. Jeta e njeriut të vjetër është shumë, shumë më e ulët se jeta engjëllore; ajo është madje më e ulët se jeta njerëzore ashtu si u krijua në fillim, para rënies. Ishte ky njeri i dobët, i vjetër, ky njeri i rënë, ai që filloi të shumohej mbi tokë. Pa Jetën e asaj Peme, njeriu ndodhej në vend të tretë. Tani kjo jetë njerëzore që ishte në vend të tretë, zbriti akoma më poshtë. Ishte totalisht e pamundur për këtë njeri të vjetër, të dobët, që të përmbushte planin origjinal të Zotit. Zoti pësoi një dështim të tmerrshëm. Mbi të gjitha, Ai kishte planifikuar që një njeri të zotëronte tokën dhe të mbartte imazhin e Tij. Pas rënies, nuk kishte më shpresë për këtë. Gjenerali i Zotit dështoi.Zoti e humbi këtë pjesë të pronës së Tij.Dhe njeriu filloi të zvarritej duke pasur një jetë njerëzore, që zë vendin e tretë… jo, akoma më keq… një jetë njerëzore të rënë dhe nga ky vend i tretë.
PJESA 2
Zoti i qiellit dhe i tokës.
Njeriu i ri
Përveç rënies së njeriut, që ishte në vetvete një humbje e madhe, ndodhi dhe një humbje tjetër. Zoti humbi pjesën e pronës së Tij.
A është toka kaq e rëndësishme?
Le të shohim historinë e tokës, se si ajo shfaqet në shkrimet. Toka përmendet për herë të parë kur Zoti e krijoi atë. Duket sikur toka ishte në një gjendje të mjerë, e mbuluar në errësirë dhe zbrazëti. Ndoshta kjo është prova e parë e konfliktit mbi tokë.
Shumë shpejt pas krijimit, Zoti krijon krijesat e gjalla të tokës. Qendra e tokës dhe e krijimit të gjallë të Zotit, ishte kopshti. Kopshti ishte qendra, froni i zotërimit të Zotit mbi tokë.
Kur njeriu ra, Zoti e dëboi atë nga kopështi. Zoti e humbi zotërimin e Tij mbi tokën.
Në vitet në vazhdim, Zoti e pa se toka u shndërrua në një gjendje kaq të tmerrshme sa Ai vendosi ta shkatërronte atë. Toka i ngjasonte shumë pak asaj toke që Zoti kishte për qëllim të krijonte. Ai nuk ishte më Zoti i tokës, por vetëm Zoti i qiellit.
Por Zoti e rimori pronën e Tij sërisht. Ai e mori atë me anë të Noes. Përmbytja shkatërroi të gjitha veprat e njeriut dhe Noe e mori këtë pronë. Por kjo ishte vetëm për pak kohë. Besoj se keni dëgjuar për Hamin, birin e Noes. Ai i riktheu të gjitha rrugët e njerëzve të vjetër në tokë. Brenda pak brezash, çdo gjë po shkonte keq përsëri. Satani, përmes Hamit dhe pasardhësve të tij, stabilizoi në tokë sistemin e tij përsëri. Njeriu hyri tërësisht brenda atij sistemi, brenda asaj qeverisjeje, brenda sistemimit njerëzor.
Kështu Zoti tha: “Unë po filloj sërisht. Do të marr një copë tokë mbi këtë dhe, dhe do të ngre pretendimin Tim mbi të. Kjo tokë do t’i jepet një njeriu, një njeriu që beson tek Unë. Satani nuk do të jetë në gjendje të thotë se kjo copë toke është e tij.”
Ishte një epokë e errët. Zoti nuk kishte pasues. Të gjithë njerëzit ishin dhënë pas sistemit botëror që Satani kishte ngritur në tokë. Kështu që Zotit i duhej të thërriste një njeri jashtë atij sistemi. Ai thirri Abrahamin jashtë nga Uri, jashtë nga Babilonia. Ai tha: “Abraham, ja ku është Kanaani. Eshtë i yti. Eshtë i pasardhësve të tu. Merre atë, mbaje atë, ruaje atë.” Abrahami hyri në atë tokë, pretendoi për të dhe jetoi në te. Kështu bëri dhe biri i tij, Isaaku. Jakobi, i biri i Isaakut e trashëgoi po ashtu tokën. Por më vonë, Jakobi dhe pasardhësit e tij e humbën tokën përsëri. Pasardhësit e Jakobit përfunduan jo më shumë se sa skllevër në Egjipt. Zoti e humbi sërisht tokën.
Më pas Zoti thirri Moisiun. Pasardhësit e Jakobit dolën nga Egjipti duke marshuar dhe u kthyen në tokë sërisht. Më vonë, përmes Joshuas, ata e rimorrën tokën. A po filloni ta shihni vijën e luftës midis Zotit dhe armikut të Tij? Gjithë historia është vetëm një betejë e madhe për një copë toke.
Lexoni shkrimet me shumë kujdes që nga fillimi në fund dhe do të vëreni diçka shumë interesante: Sa herë që njeriu i Zotit është në zotërim të asaj copë toke, Zoti quhet: “Zoti i qiellit dhe i tokës”. Kur ky njeri nuk e zotëron këtë tokë, Zoti i referohet Vetes si “Zoti i qiellit”. Për shembull, kur priftërinjtë nën udhëheqjen e Joshuas, kaluan lumin dhe hynë në tokë, pikërisht në momentin kur këmba e tyre preku Kanaanin dhe jo më parë, Zoti u deklarua Zot i qiellit dhe i tokës.
Por, a mbaron me kaq?
Jo.
Kombi i Babilonisë, ose më mirë sistemi babilonian, e rimori tokën sërisht nën Nabukadnecarin. Ushtria e tij ja rrëmbeu njeriut tokën. Izraeli u robërua, u mërgua dhe u bë pjesë e sistemit të madh babilonian.
Ata e humbën tokën përsëri!
Tani shko dhe lexo librat e Ezras dhe Nehemias. Tani njeriu i Zotit e lë Babiloninë, ashtu si Moisiu e la Egjiptin. Ata u rikthyen tek toka! Ishte kaq mahnitëse. Ata u rikthyen në një qytet të shkatërruar dhe të djegur, që nuk e kishin parë më parë. Restaurim! Eshtë kaq ngazëllyese! Restaurim i shtëpisë së Zotit në tokën e Zotit!
Dhe sapo ata u kthyen në atë qytet të shkatërruar, gërmadhë dhe të pabanuar, sapo për atë copë toke u ngrit sërisht pretendimi, Shkrimi e quan Zotin “Zot të qiellit dhe të tokës” . Një grup njerëzish, jo një njeri, por një korporatë, u kthyen dhe morën Sionin. Njeriu, korporata njerëzore, “ata” e kishin tokën. Satani nuk mund të pretendonte për zotërim.Pra, siç e shihni, toka është e rëndësishme.
Madje dhe sot, pronësia e saj është e diskutueshme. Qendra e konfliktit nuk është Zoti, nuk është Satani. Qendra e diskutimit është njeriu. Në sytë e Zotit, krijesa e quajtur “njeri”, është gjëja më e rëndësishme e Universit. Ai është qëndra e planit të Zotit. Ai është shpresa e Zotit, ëndrra e Tij, qëllimi i Tij.
Toka është e rëndësishme. Njeriu është po ashtu i rëndësishëm.
Më tutje, le të shohim Zotin Jezus kur Ai erdhi në tokë si ne. Ne gjithmonë duam ta nderojmë Atë si Birin e Vetëmlindur të Perëndisë. Kjo është e vërtetë, por Zotit Jezus, kur erdhi në tokë, i pëlqente ta quante Veten Bir të Njeriut.
Kjo është plotësisht mahnitëse. Shihni shkrimet. Kjo është e vërtetë. Gjithashtu duket se armiku tërbohej më shumë kur Jezusi e quante Veten njeri se sa kur e quante Veten Zot! Njerëzve sot u pëlqen të diskutojnë nëse Jezusi ishte apo jo Perëndi. Por me Satanin nuk ndodh kështu. Ai e di se Jezusi është Perëndi! Ai nuk shqetësohet që Jezusi është Perëndi. Por ai çmendet nga dëshpërimi kur mendon se Jezusi është njeri! Satani e di se ai nuk do të mposhtet nga Zoti, ai e di se ai do të mposhtet nga një njeri. Nqs Jezusi është njeri, dhe nqs Ai është në tokë, Satani është në rrezik të madh. Vetëm shih: Kur demonët i flisnin Zotit, ata e quanin Atë “Bir të Perëndisë”. Për ata nuk kishte asnjë problem që Ai ishte Bir i Perëndisë. Njeriu është armiku i tyre i zgjedhur. Por kur ata e quanin Jezusin “Bir të Perëndisë”, Ai përgjigjej, “Pushoni” dhe më pas e quante Veten “Bir të Njeriut”. Më pas, si njeri, Ai i dëbonte ata. Aleluja! Më në fund, Zoti kishte një njeri në tokë që i kishte gjarpërinjtë nën zotërim.
Ai bëri të njëjtën gjë me Satanin ashtu siç bëri me demonët. Siç e kemi parë, në malin e tundimit, Satani u bazua në Hyjninë e Tij. Jezusi u bazua në Njerishmërinë e Tij. “Njeriu nuk do të jetojë vetëm nga buka”. Ai fitoi mbi Satanin në Malin e tundimit, si njeri! Shihni! Cfarë pamje!
Aty, në malin e tundimit, një njeri, për të parën herë kishte zotërim mbi Satanin! Shiko përsëri tek letra e parë e Gjonit. Në këtë letër jepet një mënyrë për të testuar frymërat. E dini se çfarë është ky test? “A do ta rrëfejë një frymë se Jezus Krishti ka ardhur në mish!” Një demon nuk do ta rrëfejë se Jezus Krishti është Bir i Njeriut. Bir Perëndie, po. Në atë pikë, demoni është i sigurt. Por nqs demoni rrëfen se ka një njeri mbi tokë që ka pushtet mbi të, atëherë Satani është mundur dhe Zoti ka fituar!
Kur Stefani po vdiste, çfarë tha ai? Ai pa drejt qiellit. Cfarë pa ai? Birin e Perëndisë mbi fron? Jo! Dëgjoni o demonë, principata, zotërime dhe mbretëri: Stefani pa një njeri në qiej! Duke zotëruar! Eshtë një njeri në qiej!
”… duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet …” Efesianët 1:20,21.
Zoti e vendosi Krishtin përmbi të gjitha këto gjëra. Dhe Ai është në qiell si Bir Njeriu, me pushtet mbi Satanin. Një qënie njerëzore është përmbi principatat e kësaj toke, dhe ato janë të gjitha nën pushtetin e tij… si njeri!
Cili njeri e bëri këtë?
Adami?
Jo.
Raca e Adamit?
Jo.
Korporata Adam është raca e njeriut të vjetër. I dobët, i mundur.
Jezus Krishti nuk i përket asaj race. Ai është kreu i një race të re. Ai është njeriu i parë i një lloji të ri njerëzor. Duke e quajtur ashtu si Shkrimi e quan: Ai është kreu i Njeriut të Ri! Madje dhe pasi Adami ra, Zoti akoma synonte të realizonte qëllimin e Tij. Dhe Ai synonte ta bënte këtë ashtu siç e planifikoi në fillim, me anë të një njeriu! Kështu Zoti dërgoi një Njeri të Ri në tokë! Ai filloi një racë të re, një specie të re!
Si dukej Zoti kur Ai erdhi në tokë? Cfarë bëri Ai? Ai kishte dhembshuri për turmat. Ai shëroi të sëmurët. Ai mësoi ashtu siç nuk kishte mësuar asnjë njeri. Më pas, Ai u përplas me mbretërinë e errësirës. Sa herë që Jezus Krishti, Biri i Njeriut, erdhi në konflikt me atë mbretëri, Ai fitoi. Ai kishte pushtet absolut mbi të. Gjërat po ktheheshin nga ana tjetër me këtë Njeri të Ri. Nuk ishte si ajo disfatë që Adami njohu. Shiheni Zotin Jezus.
Zoti po punon për qëllimin e Tij të përjetshëm që kishte në kopësht.
Kur Krishti ishte në tokë, Ai ishte në mish. Kjo do të thotë se Ai ishte plotësisht i kufizuar. Nuk ka asnjë përmendje për pjesën tjetër të racës së Tij. Ai ishte i vetëm, një njeri i ri, i vetëm. Ai nuk ishte “ata”. Nuk ka njerëzim të ri, as trup madhështor. Ku është korporata njerëzore? Ku janë “ata”? Ku është Njeriu i Ri korporatë?
A e keni vënë re se si Jezusi ishte gjithmonë në ankth për t’u larguar? Ai donte ta linte tokën. Ai vazhdimisht thoshte: “Unë duhet të iki”. Ai gjithashtu tha, “Unë duhet të iki, kështu që Dikush tjetër të mund të vijë”.
Një ditë, Ai e dinte. Koha e Tij kishte ardhur.
“Unë do të largohem shpejt!”. Ai filloi të përgatitej për kryqin, vdekjen dhe ringjalljen.
Tani shihni: Ai kryqëzohet dhe vdes. Ai ngrihet përsëri. Dhe më pas, Ai e lë tokën. Ai ngjitet në qiell. Dhe ne jemi lënë këtu në tokë të vetmuar… pa Të!
Mos u ndjeni të braktisur. Ai kishte një qëllim madhështor në largimin e Tij. Ai po largohet me qëllim që realisht, me të vërtetë, të mund të jetë një Njeri i Ri në tokë. Një “ata” i vërtetë. Një njeri korporatë që të përmbushë planin e Zotit.
Njeriu.
Toka.
Imazhi.
Zotërimi.
Njeriu i Ri.
Ndërkohë që Jezus Krishti ishte në tokë, Ai ishte fillimi i një krijimi të ri. Kur ishte në tokë, ky njeri i kufizuar, i vetmuar dhe një, kishte zotërim mbi tokën dhe Ai ishte Imazhi i Zotit. Zoti mund të shihej nqs ju shihnit Jezusin.
Imazhi dhe zotërimi. Zoti i dukshëm! Ky ishte Jezusi. Në çdo gjë, Zoti Jezus e përmbushi planin e Zotit, me përjashtim të diçkaje: Ai nuk ishte “ata”. Ai nuk ishte korporatë. A e dini se çfarë bëri Zoti?
Tani ne po i afrohemi pamjes së kuptimit të qëllimit të përjetshëm të Zotit.
Zoti dërgoi Frymën e Tij – E cila është Vetë Vetja e Tij – Ai e solli Frymën e Tij sërisht në tokë. Kjo Frymë përmbante të njëjtën gjë që përmbante dhe Pema e Jetës! Fryma erdhi duke mbartur Jetën e Zotit. Duke mbartur formën më të lartë të jetës. Ai ishte Jeta më e lartë!
Dhe Ai e futi Jetën e Tij tek ne!
Deri tani:
Zoti kishte jetën e Zotit.
Engjëjt kishin jetën ëngjëllore.
Njeriu kishte jetën njerëzore.
Por tani Fryma zbret dhe njeriu ka jetën e Zotit!
Më në fund një njeri që ka jetë më të lartë se jeta ëngjëllore. Nuk ishte më Biri i Perëndisë, i vetmuar, i ardhur në mish. Nuk ishte më vetëm një njeri me Jetën e Zotit brenda Tij. Jo më vetëm një Njeri i Ri.
Ai e vendosi jetën e Tij tek të gjithë ne!
Ai e vendosi jetën e Tij tek ty!
Një racë e re ka filluar. Më në fund janë “ata”. Njeriu i Ri korporatë ka filluar të jetojë në këtë tokë.
Tani le të shkojmë tek libri i Veprave të Apostujve. Cfarë shihni aty? Njeriun e Ri korporatë. Ka dhe një emër tjetër që do t’ju habisë ju: Ky Njeri i Ri korporatë quhet “Kishë”.
Cfarë? Kishë?
Kujtoni atë pasazhin që lexuam tek Efesianët, aty thuhet qartë se çfarë është ky Njeri i Ri. Njeriu i Ri është Krishti koka, plus Judenjtë plus paganët; papritmas nuk ka më judenj dhe paganë. Ata janë një. Jo më judenj. Jo më paganë. Ikën. Cfarë ngeli në vend të tyre? Krishti, koka, dhe ne, trupi!
Krishti dhe Kisha: Njeriu i Ri!
Ti nuk je njeriu i ri. As unë nuk jam. Ne jemi brenda Njeriut të Ri. Njeriu i Ri përbëhet nga të gjithë besimtarët, të kombinuar në Krishtin.
Cfarë shihni tek “Veprat e Apostujve”? Ju shihni se çfarë po bënte Zoti tek Zanafilla 1 dhe 2. Ju shihni një njeri korporatë. Në fakt nuk ka diferencë të dukshme midis “Veprave të Apostujve” dhe Ungjijve. Në Ungjij ju shihni një njeri që bën disa gjëra. Tek “Veprat e Apostujve”, ju shihni një njeri korporatë që bën të njëjtat gjëra.
Ata kanë të njëjtën jetë.
Në Ungjij është Krishti. Në “Veprat” është Krishti në trupin e Tij. Tek ju, tek une, tek të tjerët. Së bashku ne jemi një njeri korporatë, kisha.
Shiheni Zotin tuaj. Ai nuk është më i kufizuar. Jo më i kufizuar në një trup të vetmuar, prej mishi. Ai nuk është më aq i kufizuar sa vetëm pak të mund të jenë me Të apo ta prekin Atë. Ai ka lëvizur brenda teje, apo brenda të tjerësh si puna jote. Tani Ai mund të merret nga të gjithë pasuesit e Tij.
Por, mos krijoni idenë se ju jeni shumë të rëndësishëm. Mos mendoni se ju mund të shkoni nëpër botë, për të pasur zotërim mbi të dhe për të mbartur imazhin e dukshëm të Zotit të padukshëm.
Jo.
Zoti tha, “Le të kenë ata zotërimin”. Zoti nuk do t’ja besojë fuqinë e Tij një individi, në mënyrë që ky individ të ketë pushtet mbi armikun e Tij. Fuqia e Tij, Zotërimi mbi Satanin dhe imazhi i Tij i dukshëm në tokë, janë dhënë vetëm në një vend: Në Kishë!
Më lejoni ta ilustroj këtë. Në Ungjij ju shihni së çfarë mësoi Jezusi; Ai shëroi turmat; Ai ringjalli të vdekurit; Ai shëroi të sëmurët; Ai dëboi demonët. Ai kishte zotërim mbi gjithë krijimin. Zoti e bëri Krishtin kreun e gjithë principatave dhe fuqive të kësaj bote. Krishti është mbi to.
Tani Zoti kthehet dhe e jep Fuqinë e Tij, Jetën e Tij, Autoritetin e Tij, Imazhin e Tij, Zotërimin e Tij. Kujt ja jep këto? Efesianët na thonë: Njeriut të Ri.
Tani shihni “Veprat e Apostujve”. Njeriu i Ri korporatë po jep mësim. Ai po shëron të sëmurët. Ai po dëbon demonët. Ai ka pushtet mbi gjarprin. Dhe Ai mbart imazhin e Zotit mbi tokë. Kur ju shihni Kishën mbi këtë toke, ju shihni se si duket Zoti! Njeriu i Ri korporatë duket si Njeriu i Ungjijve.
Ky Njeri i Ri, ky trup, është Kisha. Tani është koka dhe trupi. Kisha është të qënit korporatë, është duke pasur pushtet mbi tokë dhe duke mbartur imazhin e Jezusit.
Mos rrini më ulur aty. Thërrisni: Aleluja!
PJESA 3
Ndërtesa e njeriut dhe ndërtesa e Zotit
Le të rikthehemi në kopshtin e Edenit. Ne pamë se Zoti krijoi dikë që të mbartte imazhin e Tij dhe të kishte autoritetin e Tij. Kush ishte ai? NJERIU! Në mënyrë që njeriu të bënte atë gjë për të cilën Zoti e kishte krijuar, njeriu duhej të hante nga Pema e Jetës. Por nuk ka asnjë shënim se njëriu hëngri ndonjëherë nga ajo Pemë. Akoma më keq, njeriu ra, dhe mëkati erdhi mbi të. Kështu ai nuk mundi dot ta kishte Jetën e Zotit, pra ai nuk mundi dot ta kishte atë jetë që mund të mposhtë armikun; ai nuk mundi dot ta kishte jetën që mund të mbartë imazhin e Krishtit. Dhe që nga dita e rënies, njeriu ka filluar të quhet me një emër tjetër. Ai është quajtur “njeriu i vjetër”. Njeriu i rënë është njeriu i vjetër.
Miqtë e mi, disa prej jush më trembin. Ju shihni pak nga kisha. Por jini të kujdesshëm; jini shumë të kujdesshëm, sepse në dëshirën tuaj për ta parë kishën të restauruar ashtu siç duhej të ishte, duhet të jeni të sigurt se nuk do të ndërtoni sipas mënyrës së njeriut të vjetër. Ndërkohë që ju mund të jeni duke ndërtuar “Njeriun e Ri”, ju mund të përfundoni duke ndërtuar një ndërtesë tjetër tipike, të dizenjuar dhe të ndërtuar nga njeriu i vjetër. Po, njeriu i vjetër ndërton. Shumë nga të ashtuquajturat gjërat “e krishtera” në tokë janë të ndërtuara nga njeriu i vjetër.
Le të vazhdojmë historinë.
Kur njeriu i vjetër e la kopshtin, ai kishte një pamje shumë të ngjashme me pamjen para rënies. Ai ishte një imazh i shtrembëruar i Krijuesit të vet. Dhe ai donte të bënte mirë. E dini përse? Sepse ai kishte ngrënë nga pema e njohurisë së të mirës. Por, ndonëse ai e njihte dhe e donte të mirën, ajo çfarë bënte ishte e keqe, sepse pema nga kishte ngrënë ishte gjithashtu e njohurisë së të keqes.
Ai kishte atë element brenda tij që e bënte të dëshironte të mirën dhe të bënte të keqen. Kishte një element thellësisht fetar brenda tij, por ky element gjithmonë e humbte shënjestrën. Ky lloj i “së mirës” që ishte brenda tij, ishte po aq nga Satani sa ç’ishte dhe lloji i së keqes. Ky lloj i “së mirës” nuk kishte të bënte fare me Zotin. JETA, nga Pema e Jetës, është nga Zoti. Zoti ka të bëjë me Jëten, Satani ka të bëjë me të mirën.
Vëllezër, ne nuk jetojmë duke bërë mirë; ne jetojmë nga Jeta, nga Pema e Jetës. Dhe kjo është gjithçka me anë të së cilës duhet të jetojmë…
Le të ndjekim njeriun e vjetër në vazhdim. I lindur në imazhin e Zotit, por tashmë në një imazh të thyer, Adami e lë kopshtin. Ai lind një djalë që e quan Kain. Kaini largohet nga prania e Zotit. Më pas, ndërton një qytet që e quan Enok. Ky është projekti i parë ndërtues i njeriut të vjetër. Vini re rrugët e njeriut të vjetër: Ai përpiqet të jetë diçka për Zotin. Por, është vetë ky njeri që ndërton, Zoti nuk ka të bëjë fare me këtë. Njeriu i vjetër është i motivuar gjithmonë për të bërë diçka për Zotin, dhe gjithashtu merr të gjitha vendimet se çfarë duhet bërë për Zotin!
Shumë shpejt, shumë prej ndërtimeve të njeriut të vjetër filluan të rriten mbi tokë. Ky program ndërtimi filloi të ketë një formë, një sistem të vetin. Kështu mund ta shohim se ku fillon sistemimi i njeriut të vjetër. Gjithçka filloi me një djalosh të quajtur Lamek (Zanafilla 4). Ai kishte një djalë me emrin Jabal, i cili shpiku idenë e të harxhuarit të të gjithë energjisë për të pasur një shtëpi. Jabali po kështu shpiku dhe sistemimin e industrisë ushqimore. Një tjetër nga bijtë e Lamekut, quhej Jubal. Ai shpiku idenë e dëfrimit. I treti quhej Tubal-Kain, dhe ai shpiku mbrojtjen kombëtare. Dhe ja ku janë pra: disa prej ndërtimeve kryesore njerëzore. Këto ndërtime kanë disa karakteristika që Zoti i urren. Ky njeri i vjetër nuk është veçse kapaciteti juaj njerëzor, jeta juaj njerëzore, jeta e rënë adamiane në funksionim. Unë ju dhashë dëshminë time para pak kohe. Ajo ngjasonte si dëshmi e një shërbese të krishterë! Por, ajo çfarë dëgjuat ishte vetëm ideja, koncepti modern i asaj çfarë është një shërbesë e krishterë. Në fakt, ajo çfarë dëgjuat ishte më shumë një histori e jetës së Adamit. Ka shumë histori të tilla. Eshtë historia e 18 orëve në ditë, e letrave, e predikimeve, e financave, e embëlsirave, e fletushkave… dhe e frikësimit. Të gjitha këto janë gjëra njerëzore, në përpjekje për të bërë mirë, në përpjekje për të ndërtuar diçka për Zotin. Por, gjithçka ngelet njerëzore. Ka ardhur koha që bota të fillojë të shohe dëshminë e një njeriu korporatë që jeton nga jeta hyjnore.
Që t’i rikthehemi historisë sonë, cilat ishin gjërat që bijtë e Lamekut ndërtuan? Lufta, Zbavitja, Industria ushqimore dhe Shtëpitë e rehatshme. Ky është fillimi i sistemit botëror. Sistemi botëror nuk është gjë tjetër veçse gjëra të zakonshme, të mira (si psh ushqim, veshje, pushim, çlodhje), të sistemuara deri në atë pikë sa të konsumojnë jetën tënde dhe të të skllavërojnë. Fatkeqësisht, aty ndodhen të gjithë njerëzit, duke përfshirë dhe të krishterët, sot.
Sistemi botëror janë gjërat e mira që janë bërë perverse. Psh – Martesa. Proçesi i të martuarit është kaq gjithë- konsumues sa të shkatërron plotësisht. Por, unë njoh një vëlla dhe një motër, që erdhën në një takim kishe vitin e shkuar, dhe në fund të takimit, dhanë njoftimin se ata donin të martoheshin. Ata morën një çertifikatë dhe e firmosën. Të dy këta, së bashku me ata që ishin të pranishëm, thanë: “Lavdi Zotit. Aleluja. Amen!” . Dikush tha një lutje të shkurtër dhe takimi u mbyll. Ata ishin legalisht të martuar. Nuk kishte asnjë sistem në atë çfarë bënë ata. Aspak agoni, aspak panik. Ishte kaq e bukur dhe kaq absolutisht e thjeshtë.
Por shihni se si sistemi botëror i afrohet martesës. Javë të tëra shqetësimesh dhe pune; ftesat që dërgohen; babai i shkretë që harxhon qindra dollarë për ëmbëlsirat, qirinjtë, mbajtëset e luleve. Gjithçka aty s’është veçse një sistem i bukur që të ka futur në kurth. Dhe aty ka vetëm agoni. Por mbi të gjitha, ka tërheqje absolute larg Krishtit.
E njëjta gjë vlen për pushimet. Shikoni se si veprojmë sot. Punojmë kaq shumë, që të bëjmë pushim. Jemi totalisht të robëruar nga pushimet.
Dhe shtëpia! Shtëpia është bërë një skllavëri totale për njeriun. Kositja e barit, fshirja e pluhurit, riparimet, çdo gje e bukur dhe e këndshme e vendosur aty ku duhet dhe më pas një e bërtitur: “Mos u ul aty!”. Unë kam pasur një shtëpi. Tani nuk e kam më, por e di se të gjitha shpenzimet kryesore vijnë nga faturat mujore. Plus kësaj, janë orë të tëra që shpenzohen për ta mbajtur atë të këndshme. Ah, skllavëria e çadrës, e shtëpisë. Ky është sistemi botëror, ndërtesa e njeriut!
Sot, është dhe një sistem tjetër, që u shtua prej Tubal-Kainit. Eshtë bota e transportit. Oh, sa shumë përgjegjësi ka që të kesh një makinë. Shpenzimet e vazhdueshme dhe agonia për ta mbajtur atë gjë në gjendje pune.
Ka një sistem në këtë tokë që e zë rob njeriun dhe e largon atë nga thjeshtësia e tij. Le ta shohim dhe sistemin fetar. Kur ti ke një kishë me një pastor dhe një bord drejtuesish, që mund të quhen dhjakonë, ose pleq, dhe një tufe njerëzish që ulen në audiencë, ajo çfarë sheh është një strukturë organizative si General Motors. Ka një president, një bord drejtuesish dhe ata që bëjnë punën. Ky është sistemi. Nuk ka asnjë bazë shkrimore. Kjo strukturë thjesht mungon në Bibël. Ky sistem u fut bashkë me jetën adamiane. Organizimi, është në fakt imazhi i jetës njerëzore. Po, ju mund ta shihni imazhin e njeriut në të gjithë tokën. (Zoti e shpejtoftë ditën kur ju të shihni imazhin e Zotit). Eshtë shumë e lehtë ta dallosh imazhin njerëzor. Ky imazh ka gjithmonë një lloj presidenti, ose një kokë në krye. Pastaj vjen një lloj bordi. Pastaj një zinxhir komandash. Kjo është rruga e njeriut të vjetër përmes historisë. Vër re se të rëndomtit janë gjithmonë në fund! Në gjuhën fetare këta quhen: Amatorë (Laikë)!
Por Zoti dëshiron imazhin e Tij në tokë. Mos e harro këtë. Dhe Ai dëshiron që ky të shprehet në mënyrë korporative, nga dikush që quhet “Njeriu i ri”.
Le të vazhdojmë në linjën e njeriut të vjetër, sepse ajo është në të gjitha faqet e Shkrimit. Ju e shihni se një sistem i madh botëror filloi me pasardhësit e Kainit, por ky sistem ka sisteme të tjera brenda tij, të cilat kanë dhe ato sisteme brenda vetes. Psh, në sistemin botëror bën pjesë sistemi edukativ, sistemi politik, sistemi mjekësor, sistemi fetar dhe kështu me rradhë. Le të marrim sistemin fetar. Brenda këtij sistemi ka shumë denominacione, shumë organizata dhe lëvizje. Secila është një sistem. Brenda secilit denominacion, ka kisha, dhe secila prej tyre është një botë më vete. Sisteme brenda sistemeve, brenda sistemeve. Dhe që të gjitha janë kaq të ndryshme, por dhe kaq të ngjashme.
Si? Në shumë mënyra ndryshojnë, por në diçka janë të ngjashme. Ato kanë ekzaktësisht të njëjtën strukturë organizative. Ky është imazhi i njeriut. Dhe sigurisht që ky imazh mund të shihet aq qartë në botën e fesë, sa dhe në botën jashtë saj.
Gjithë këto aktivitete komplekse njerëzore kanë një element mirësie themelor brenda tyre. Le ta shohim në këtë menyre: Sistemi nuk është gjë tjetër veçse një pushtues i gjërave të mira, që i bën ato të duken kaq komplekse, kaq të rëndësishme dhe kaq themelore, sa që ne të biem totalisht nën robërinë e tyre.
Siç e thashë, nuk ka asgjë të keqe tek martesa: Eshtë pikërisht skllavëria e ceremonisë që e bën atë të duket kaq e frikshme. Nuk ka asgjë të keqe me shtëpinë, e cila është një strehë për ne, por skallëveria e të gjitha gjërave që mendohet të futen në atë shtëpi, është e tmerrshme. Po kështu veshjet dhe transporti – të gjitha kanë hyrë në sistemin botëror dhe përdoren për ta mbajtur njeriun e vjetër nën skllavëri.
Le ta vazhdojmë historinë pak më tutje.
Le të shkojmë në Babiloni, tek vetë esenca e ndërtimeve njerëzore. Po deshët besojeni, po deshet jo, por ishin vetë stërnipërit e Noes ata që ngritën Kullën e Babelit. Noe ishte një vegël e Zotit. Por, Babeli erdhi prej njërit prej pasardhësve të tij. Ja pra se si funksionojnë gjërat: Dikush fillon diçka madhështore, dhe katër breza pas tij, ju keni një sistem. Stërnipi i Noes, Nimrodi, ndërtoi qytetin e parë madhështor që ishte po ashtu përpjekja e parë njerëzore për të arritur tek Zoti. Kjo në fakt është diçka e admirueshme. Dhe është vetë esenca e sistemit fetar!
Nimrodi karakterizohej nga madhështia. Ai ishte një gjahtar i madh. Ai dinte gjithashtu disa gjëra për Zotin (kishte një damar fetar brenda familjes së tij), dhe ai donte të bënte diçka për Zotin. Ai pa diçka nga ndërtesa e Zotit; ai instiktivisht e dinte se Zoti dëshiron një ndërtesë. Ndaj ai filloi të ndërtonte një qytet, një qytet që mund të arrinte në qiej. Kujdes, sepse dhe ju mund të përfundoni duke bërë diçka të tillë…
Cfarë materiali përdori Nimrodi për ndërtim? Ai përdori tullat. E dini se çfarë janë tullat? Eshtë diçka e bërë nga njeriu. Mjafton të marrësh pak baltë dhe ujë dhe t’i përzjesh. Pastaj e lë pak kohë në diell, dhe tulla është gati. Por, po të shihni brenda tullës, do të shihni aty disa pore të vogla. Ju nuk mund të bëni asgjë për t’i shmangur këto pore; kështu është balta dhe uji dhe nuk ke ç’i bën.
Kështu Nimrodi dhe të tjerët filluan të ndërtojnë një qytet të përbërë nga tulla. Gjithçka njerëzore- njerëzore!
Kur Zoti ndërton, Ai ndërton me gurë. Ai është i Vetmi që mund të prodhojë gurë!
Nimrodi dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të ngrenë muret, por ata vunë re se pirgu i tullave nuk mund të qëndronte. Mjaftonte një shtyrje e lehtë, dhe ato binin. Tullat nuk mund të qëndrojnë të lidhura me njëra-tjetrën. Ato shemben shumë lehtë!
Ju filloni diçka. Përpiqeni të bëni diçka për Zotin. Pas pak vitesh, ajo fillon të shembet. Kështu që ju do të bëni atë që bëri dhe Nimrodi, dhe të jeni të sigurt se do të jeni në gjendje të ndërtoni ndërtesa njerëzore. Ja se ç’bëri Nimrodi:
Nimrodi dhe turma e tij, e kuptoi se duhej bërë diçka per t’i mbajtur tullat të lidhura me njëra-tjetrën. Ajo çfarë prodhuan ata, ishte diçka e quajtur “Bitimus” në hebraisht, përkthimi i saj është pak a shumë “llac”. Ishte një lloj substance që lidhte tullat me njëra-tjetrën. Kjo është karakteristika e ndërtesave njerëzore: njerëzit nuk mund të qëndrojnë bashkë nga vetvetja; ata shemben; duhet pak “llac” për t’i mbajtur ata të lidhur.
Nqs ju do të filloni duke u përpjekur që të keni “jetë trupi” së bashku, ose jetë kishe, e dini se çfarë do të ndodhë? Ju do të copëtoheni në 1000 drejtime. E dini përse? Sepse ju do ta bëni këtë sipas jetës njerëzore – dhe jeta njerëzore copëtohet gjithmonë. Cdo gjë që të ndërtoni, do të shembet. Natyrisht që ju mund të bëni pak “llac” për ta mbajtur ndërtesën në këmbë, por ju do të jeni aq larg nga ndërtesa e Zotit, dmth nga ndërtesa e Njeriu të Ri, sa nuk do të ketë të krahasuar.
Kështu, Nimrodi dhe grupi i tij filluan të ndërtojnë, dhe llaci u tha dhe tullat qëndruan. Po çfarë është ky llac meqënëse ra fjala? Më lejoni t’ua them: Eshtë “të përshtaturit”. Janë rregullat, vëlla, janë rregullimet, motër. Janë “ti duhet të bësh këtë dhe nuk duhet të bësh këtë”. Eshtë ndërtesa e njeriut, në të cilën të duhet të përshtatesh.
Llaci e mban ndërtimin e njeriut të bashkuar. Praktikisht, ky “llac” është një drejtues në krye, më poshtë një bord dhe më pas vijnë njerëzit e zakonshëm, në fund. Nuk ka rëndësi në i quani ata “pastorë”,”dhjakonë”, “pleq”, “udhëheqës kongregacioni” apo “presidentë dhe drejtues rajonalë me stafin e tyre”. Nuk ka rëndësi se si quhen, në fakt gjithçka ngelet është një lidhje artificiale. Hiqeni këtë organizim, largojini këto rregulla dhe gjithë ndërtesa shembet. Ju duhet të lidhni, përndryshe ndërtesa njerëzore nuk do të qëndrojë! Një ditë, Zoti pa poshtë qiellit dhe pa Babelin duke u ndërtuar, duke u ngritur drejt Tij! Cdo gjë dukej e mirë. Zoti e vuri re këtë! Besoj se e dini se ç’ndodhi. Papritur u shfaq një problem: Midis ndërtuesve hyri perçarja! Tani, Kush e solli këtë përçarje midis këtyre ndërtuesve? Zoti e solli! Ai zbriti në Babel dhe i dha çdo punëtori një gjuhë të ndryshme. Ata nuk komunikonin dot. Ata nuk mundën ta mbarojnë ndërtesën e tyre. Ata e ndërprenë dhe e braktisën!
Zoti sjell përçarje. A nuk është diçka suprizuese?
Unë e falenderoj Zotin, që nga mëshira e Tij, Ai sjell përçarje! Në rast se nuk do të kishte përçarje në sistemin njerëzor, në sistemin fetar, në ndërtesën e njeriut, ky sistem do të konsumonte gjithë tokën! Kështu çdo njeri i gjallë do të hynte nën skllavërine e tij! Në Mesjete ishte një sistem, një sistem fetar. Ai u rrit aq shumë, sa gati po konsumonte tokën! Kështu Zoti solli përçarje!
Ndoshta ju keni dëgjuar për disa organizata fetare që janë duke pasur probleme. Përçarja ka hyrë brenda tyre. Kjo përçarje vjen nga Zoti, sepse një sistem bëhet shpejt i fuqishëm dhe i madh. Zoti fut përçarjen aty, sepse përndryshe, ai konsumon gjithë tokën! Unë e falenderoj Zotin për përçarjen që fut në ndërtesat që projektohen nga grupe njerëzish me jetën e Adamit. Nqs doni ta dini se si dallohet metoda njerëzore e të ndertuarit, shikoni nqs ka aty një zinxhir komandash. Në rast se e gjeni një të tillë, aty është sistemi njerëzor, vula njerëzore.
Kulla e Babelit nuk ishte fundi i atij sistemi. Rrugët e njeriut të vjetër vazhdojnë në Egjipt. E mbani mend Egjiptin? Njerëzit e Zotit janë zhvendosur në Egjipt dhe aty kanë rënë në skllavëri. Ata janë të detyruar të ndërtojnë qytetet e Faraonit. Shihini pra njerëzit e Zotit, të skllavëruar për të ndërtuar ndërtesa njerëzore!
Libri i Eksodit na thotë se qytetet aty ndërtoheshin me tulla. Por si ndërtoheshin ato? Vëllezër, në mënyrë që të ndërtohen ndërtesa njerëzore, nevojitet skllavëri! Faraoni nuk mund t’i lejonte njerëzit e Zotit të shkonin, sepse kështu do të humbiste ndërtuesit e vet. Ai i kishte organizuar ata në një sistem dhe kështu i përdorte ata për të ndërtuar! Kjo vazhdon dhe sot. Eshtë një mbret në krye të njerëzve, që skllavëron njerëzit për të ndërtuar, jo qytetin e Zotit, por qytetin e vet, nën imazhin e njeriut!
Përse nuk i dërrmon zinxhirrët miku im, dhe të rrëshqasësh jashtë kur askush nuk të sheh?
Kështu, njerëzit e Zotit donin të largoheshin nga Egjipti dhe nga sistemi i faraonit. Cfarë donin të bënin ata? Të riktheheshin në tokën e tyre dhe të ndërtonin ndërtesën e Zotit. Cili ishte reagimi i Faraonit? Ai donte të bënte një marrëveshje me ta. Dëgjojeni me kujdes, sepse mund ta dëgjoni përsëri kur ju të filloni të largoheni nga projektet e ndërtesave njerëzore. Faraoni tha: “Shkoni në rrethinat e Egjiptit dhe ngrijeni qytetin e Zotit aty. Ju nuk keni nevojë të largoheni nga Egjipti totalisht; shkoni aty dhe ngrijeni aty Tendën tuaj.”
Dhe ata ju përgjigjën: “Jo. Ne na është thënë të largohemi totalisht nga Egjipti”
Ju bëni të njëjtën gjë. Largohuni totalisht. Mos u largoni pjesërisht dhe të filloni të ndërtoni shtëpinë e Zotit, ndryshe pa e ditur ju do të jeni sërisht në sistem dhe do të filloni sërisht të punoni për Faraonin, për ndërtesat e njeriut.
Faraoni, nuk do i lejonte ata të shkonin. Kështu Zoti dërgoi 10 plagë mbi të dhe popullin e tij- dhe përsëri ai nuk i lejonte izraelitët të shkonin. Sot, Zoti po dërgon 10 plagë mbi sistemin fetar. Por përsëri nuk ka asnjë ndryshim në këtë sistem; ky sistem bën çdo lloj justifikimi vetëm që njerëzit e Zotit të qëndrojnë aty.
Por ata do të largohen! Nga thirrja e Frymës së Zotit brenda tyre, nga udhëheqja e një tjetër Jete, ata do të ikin. Por ndoshta jo të gjithë. Ndoshta disa prej miqve tuaj do të qëndrojnë aty. Por ju duhet të shkoni.
Izraelitet përfundimisht dolën nga Egjipti. Ata e lanë ndërtesën e njeriut, marshuan përmes shkretëtirës dhe filluan të shijojnë diçka të mrekullueshme: veprën ndërtuese të Zotit. Për herë të parë, njerëzit u përfshinë në ndërtimin e ndërtesës së Zotit.
Kështu, ata dolën në shkretëtirë tani. E mrekullueshme! Pastaj filluan të kenë problemë te vogla – dhe ju do i keni ato probleme po ashtu. Disa prej tyre thanë: “Oh, ushqimi i Egjiptit, oh tenxheret e Egjiptit”. Cfarë janë këto “tenxhere”?
Siguri, ja se çfarë janë! “Ti mund të jesh skllav përsëri aty, por djalosh, ti ke të ardhura. Ti ke bukë për të ngrënë dhe çati për të futur kokën!”
(Meqenëse ra fjala, njerëzit që dërgojnë “letra lutjeje” nuk kanë nevojë për lutje fare. Ata nuk i duan lutjet tuaja aspak. Shiheni mirë atë letër dhe ajo do të shndërrohet në një zarf biznesi, e drejtuar drejt vetes. Brenda atyre letrave nuk ka kërkesa për lutje. Aty ka kërkesa për siguri. Siguria është pjesë e sistemit. Dhe është pikërisht kjo siguri që na mban në Egjipt dhe atëherë kur e dimë mirë se duhet të largohemi. Kur izraelitët u larguan nga Egjipti, ata filluan të shikojnë me nostalgji atë siguri që kishin aty. Ajo skllavëri dukej madhështore. Dhe ata e donin atë përsëri.)
Cili ishte problemi i tyre? Përse donin të ktheheshin? Rëra? I nxehti përvëlues? Jo. Kishte një re mbi kokat e tyre ditën dhe një shtyllë drite natën. Kjo gjë po i çmendte ata. Ata donin të shkonin me shpejtësi në tokën e Zotit, drejt pronës së vërtetë dhe ta merrnin atë. Por ata mund të lëviznin vetëm kur reja lëvizte. Kur reja nuk lëvizte, ata qëndronin në vend. Kishte dhe ditë kur reja zhdukej, dhe këto ditë ishin të tmerrshme.
Në kohë të tilla, të lind dëshira të kesh nje sistem. Një sistem është kaq i sigurt. Ti e di se ku je dhe ke një lider të këndshëm, të qëndrueshëm. Por Zoti nuk është kështu. 95 % të kohës ti nuk e di se ku je, çfarë po bën dhe ku po shkon. Ka kaq pasiguri në të ndjekurit e Zotit jashtë sistemit.
Eshtë kaq e vështirë të mësohesh të udhëhiqesh nga një re dhe nga një shtyllë drite! Ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një pikturë e Frymës së Shenjtë brenda fëmijëve të Tij. Por ju e dini, ju asnjëherë nuk jeni udhëhequr prej Tij, përveçse kështu.
Problemi i madh me të cilin ju ndesheni kur ju dilni dhe përpiqeni të shkoni drejt tokës është i njëjtë me problemin që kishin izraelitet. Ju nuk keni pasur më parë eksperiencë në të ndjekurit e Zotit Jezus Krisht. Ju nuk keni bërë praktikë në këtë gjë. Ju keni qenë në sistem për një kohë të gjatë, duke marrë urdhra nga njerëz, dhe nuk ka pasur asnjë ushtrim rritjeje të frymës suaj. Proçesi i të mësuarit se si jetohet nga Zoti Jezus, të plagos! Eshtë i dhimbshëm! Eshtë një mësim që mësohet shumë ngadalë. Vëlla, ti do të shkosh përmes një kohe për të mësuar se si jetohet duke ndjekur një re dhe një shtyllë drite. Do të të duhet të mësosh se si ndiqet Fryma e Zotit brenda teje. Shumë njerëz preferojnë Egjiptin në vend të kësaj.
Më lejoni të ndaloj këtu dhe të vazhdoj me rrugën e Zotit. Shikoni në Testamentin e Ri. Shikoni Zotin dhe rrugën e Tij. Pjetrin dhe rrugën e tij, Palin dhe rrugën e tij. Shikoni Zotin. Ai kishte 12 njerëz përreth Tij. Ai i la ata! Kujt ja la? Resë dhe shtyllës së dritës! Pjetri kishte 20000 njerëz. Sipas rrethanave që rregulloi Zoti, ata u larguan nga Pjetri. Kush i drejtoi ata kur ata nuk e kishin më Pjetrin dhe të dymbëdhjetët? Kaloi pak kohë derisa kjo të ndodhte, dhe u desh pak praktikë por sidoqoftë dhe ata u lanë nën renë dhe shtyllën e dritës. Pali ngriti një dyzinë kishash. Ai i la ato të gjitha… që të ndiqnin renë dhe shtyllën e dritës.
Kështu pra, në dallim nga sistemi ku askush nuk rritet ndonjëherë, vjen ora kur ti nuk do të ndjekësh më njeriun, por do të braktisesh për të ndjekur renë e Zotit.
Në Testamentin e Ri, koncepti i apostullimit është në të njëjtën mënyrë. Eshtë komplet i ndryshëm nga çdo gjë që sistemi mund të prodhojë apo konceptojë ndonjëherë. Njerëzit që Zoti dërgon jashtë kanë vetëm një qëllim: të instruktojnë dhe t’u tregojnë njerëzve se si të jetojnë me anë të Krishtit. Puna e tyre është e përkohëshme. Njerëzit në Testamentin e Ri e përmbushën këtë qëllim kështu: ata ndërtuan një kishë dhe pastaj e lanë atë! Ata u larguan? Përse? Në mënyrë që njerëzit e Zotit të mund të mësonin të jetonin nga Fryma brenda tyre dhe nga asgjë tjetër. Pse? Kështu që Krishti të jetë koka e Kishës së Tij. Pra e thënë ndryshe, t’i jepej kohë Jezus Krishtit që është i gjallë tek ty, për të qënë Pastori i Kishës së Vet. Nqs e braktis sistemin, ty do të të duhet të mësosh se si jetohet nga Ai: duke ndjekur renë dhe shtyllën e dritës. Kjo është e vështirë për t’u bërë, por nuk duhet të ketë kthim prapa.
Le ta lemë Egjiptin dhe shkretëtirën. Ju e dini se disa prej popullit të Zotit hynë në tokë, shumica njerëz të rinj. Ata jetuan në tokë. Por shumë shpejt, një tjetër pikturë e ndërtimeve njerëzore u ngrit. Kësaj rradhe ajo quhej Babiloni!
Kujtohuni se pak më parë pamë se Nimrodi ndërtoi Babelin. Më pas ju nuk dëgjoni asgjë për këtë qytet për një kohë të gjatë. Duket sikur ai u zhduk. Por jo, ai thjesht u bë më i madh. Shiheni se si rishfaqet. Nimrodi e ndërtoi, njeriu e ndërtoi për qëllime fetare – për të arritur tek Zoti. Por lini cdo institucion fetar të vetmuar për disa qindra vjet dhe kur ai të rishfaqet, do të jetë Babiloni! Jo thjesht Babel, por Babiloni! Ai filloi si një qytet për të arritur tek Zoti i gjallë dhe i vërtetë. Por çfarë ndodh kur e shohim atë përsëri, qindra vjet më vonë? Ai filloi si diçka e mirë; filloi si diçka për të arritur tek Zoti por, qindra vjet më vonë, ai qytet po adhuronte hënën! Akoma më keq, ai qytet ishte bërë një armik i Zotit!
Nqs njeriu ndërton, dhe nqs ai ndërton për Zotin dhe për Krishtin, kur ajo gjë që ai ka ndërtuar vjetërohet dhe themeluesi i saj ka vdekur, ajo do të shndërrohet në vetë armikun e Zotit. Ajo nuk do të ketë asnjë lloj ngjashmërie sado të vogël me imazhin e Krishtit. Jepini asaj vetëm pak qindra vjet – ose akoma më pak, sepse në kohën tonë degjenerimi është më i shpejtë, mund të zgjasë vetëm 40 – 50 vjet, dhe pabesueshmërisht, ajo që filloi si diçka për Zotin do të shndërrohet në armik të punës së Zotit!
Cfarë ndodhi me Babelin? Ky qytet, i ndërtuar për të arritur tek Zoti, i ndërtuar “për Zotin”, robëroi vetë njerëzit e Zotit! Më shumë skllavëri! Babilonasit shkuan në Izrael me ushtrinë e tyre, arritën në Jerusalem, shkatërruan ndërtesën e Zotit dhe i morën njerëzit e Zotit në Babiloni dhe i skllavëruan ata.
Përsëri, ju e shihni, vazhdon lufta për atë copë toke.
Për 70 vjet, njerëzit e Zotit e humbën tokën. Zoti ishte vetëm Zoti i qiellit. Por, lavdi Zotit, një ditë, një grup i vogël judenjsh në Babiloni vendosën të kthehen në shtëpi. Disa prej vëllezërve dhe motrave të tyre, vërejtën me shpejtësi: “Ja, ku është një tempull këtu në Babiloni”. Por grupi i vogël tha: “Po, por duhet të ngrihet një tempull në Jerusalem. Ka qenë në një vend të caktuar, pikërisht në atë tokë. Ai duhet të jetë në vendin e duhur. Ne po kthehemi aty”. Të tjerët thanë: “Mos ikni. Qëndroni këtu dhe na ndihmoni. Ndoshta ne do e ndryshojmë këtë sistem. Qëndroni këtu, ndoshta ju mund të ndihmoni të tjerët që t’u hapen sytë.” Ju do ta dëgjoni këtë gjithmonë! Dhe shumë njerëz qëndrojne vetëm nga kjo. Nqs ju qëndroni, ose do t’ju flakin jashtë, ose do të duhet të përshtateni. Ju duhet të jeni të sigurt që sistemi nuk do të ndryshojë – shumë njerëz do të humbisnin punën e tyre po të ndodhte kjo. Në këta njerëz hyn dhe ti! Dhe ky është shkaku që shumë njerëz qëndrojnë aty.
Ka dhe diçka të fundit që ata njerëz që nuk dëshirojnë të largohen do t’u thonë juve: “Qëndroni, enët e Zotit janë në tempullin e Babilonisë!”. Enët e Zotit janë në tempullin e Babilonisë! Unë besoj se është pikërisht kjo ajo që na shqetëson ne! Ky është një argument i fortë dhe në të vërtetë na prek. Ka shpëtim aty. Ka diçka të Zotit aty. Shumë prej nesh u shpëtuan në Babiloni dhe u rritën aty. Por, kur ju hapni dritaret dhe shihni drejt tokës, drejt asaj toke që ju kurrë nuk e keni parë, madje ndoshta dhe nuk jeni të sigurt nëse ajo ekziston, por ju e dini se qëllimi i përjetshëm i Zotit është që njeriu ta zotërojë atë tokë dhe të jetojë në atë qytet, atëherë ju e kuptoni se duhet të largoheni nga Babilonia. Ju e kuptoni se ju duhet të shkoni tek ai vend të cilit i përkisni në të vërtetë.
Disa nga miqtë tuaj më të dashur do të thonë, “Mos shkoni!” Në atë kohë, kujtohuni se nuk ishte shumica e judenjve që u kthye – jo, shumica ndenji në Babiloni. Ishin vetëm pak prej tyre që u kthyen për të rindërtuar qytetin e Zotit. Ju do t’ju duhet t’u thoni një lamtumirë të madhe familjeve dhe miqve dhe të shkoni. Dhe shkoni, ashtu sic bëri Nehemia. Mos merrni asnjë monedhë floriri apo argjendi nga guvernatori i Babilonisë. Grabitni enët e Zotit, enët që i përkasin tempullit të Zotit dhe vraponi. Dhe kur të arrini aty, ndërtoni përsëri, me gurë, qytetin e Zotit!
Na duhet të shohim dhe një skenë të fundit në historinë e Babilonisë. Lavdi Zotit, Babilonia ka një skenë të fundit. Babilonia nuk do të jetë në tokë përgjithmonë. Sistemi botëror ka një fund! Në Zbulesë, Babilonia është shfaqur dhe një herë. Aty është njeriu i vjetër, ndërtesa e tij, të cilat filluan tek Zanafilla, të ndërtuara nga jeta njerëzore. Ai është aty akoma. Por, kësaj rradhe Babilonia ka filluar të shfaqë imazhin e asaj çfarë është në të vërtetë: Një grua që është prostitutë! Ajo e ka akoma rreth qafës arin, argjendin dhe gurët e çmuar që janë simboli i njerëzve të Zotit. Ajo i ekspozon këto që t’i shohin të gjithë. Por, poshtë tyre ajo është e mbuluar nga gjaku i profetëve dhe shenjtorëve të Zotit. Nqs ju nuk e besoni këtë, thjesht shihni se kush i ka vrarë të gjithë profetët dhe shenjtorët e Zotit: Ka qenë Sistemi Fetar!
Babilonia është ekspozuar për t’u dukur ajo çfarë është në të vërtetë. Ajo quhet: “Nëna e Prostitutave”. Dëshira e saj më e madhe është që të ketë marrëdhënie me botën. Kur në arrijmë tek Zbulesa, ne e shohim se ajo është bërë një blerëse e madhe e produkteve të botës!
Kjo është interesante. A nuk e dini se njëri nga faktorët më të mëdhenj ekonomikë në botë është ngritja e të ashtuquajturave “ndërtesa kishtare” dhe i institucioneve fetare? Ka një qytet në Midwest ku burimi i vetëm i madh i të ardhurave është një organizatë fetare e vendosur aty. Pa atë organizatë, kompanitë jo-fetare të botës që shërbejnë për shtyp, apo agjensitë e reklamave apo biznese të ngjashme nuk do të mund të ekzistonin. Ka të ardhura shumë të mëdha në atë qytet vetëm nga ai institucion fetar.
Prostituta ka filluar të përdorë teknikat e Madison Avenue (Agjensi Mode në New York). Ajo ka marrë imazhin e botës. Ajo ka pasur shumë marrëdhënie me botën. “Ajo” është sistemi i madh fetar – dhe ajo ka lindur shumë, shumë fëmijë, të cilët janë po ashtu prostituta.
“Mirë, djalosh. Por, këto janë fjalë të rënda…”
Unë nuk kam folur rreth këtij subjekti publikisht kurrë më parë, dhe mendoj se nuk do të flas më për këtë. Por, nqs flas njëherë të vetme, më lejoni të jem i qartë! Disa nga fjalët më të fundit që Zoti thotë nga qielli, përpara se qyteti i Tij të zbresë në tokë, janë fjalët që kanë të bëjnë me Babiloninë (Zbulesa. 18). Zoti thotë, “Populli im. Dilni prej saj, dilni prej saj!” . Përgjatë gjithë shekujve Zoti ka qenë duke na thirrur jashtë jetës njerëzore dhe jashtë sistemit të jetës njerëzore. Ai po ju thërret jashtë gjërave që njerëzit ndërtojnë për Zotin. Ai po ju thërret jashtë atyre gjërave që mbartin imazhin e njeriut dhe kanë rrugët e botës. Ai po të thërret ty dhe po më thërret mua. Përmes gjithë tokës, Fryma e Tij thërret: “Dilni jashtë prej saj!”. Njerëzit e Tij janë skllavëruar në Babiloni dhe Ai po të thotë ty, pikërisht tani : “Dil jashtë!” .
Ai nuk thotë, “Qëndro aty dhe bind dikë tjetër që të vijë.”. Ai nuk thotë: “Kur të largohesh, merr një rrobë babilonase me vete.” Jo. Ai thotë: “Dil jashtë!” dhe braktisni rrugët e saj. Dil jashtë, po ku të shkosh? Tek qëllimi i përjetshëm i Zotit! Dhe cili është qëllimi i përjetshëm i Zotit? Të ketë Njeriun e Ri që mban imazhin e Zotit dhe ka zotërim mbi armikun!
Tani le të shkojmë drejt pozitives. Ne kemi folur shumë për njeriun e vjetër dhe ndërtesën e tij. Le të shohim Krishtin, Njeriun e Ri, dhe le të shohim ndërtesën e Zotit.
Njeriu i Ri - Jezus Krishti erdhi në tokë. Ai ishte shumë i ngjashëm me Adamin, por Ai ishte fillimi i një race të re. Ai mban imazhin e Zotit. Ai ushtron autoritetin e Zotit. Ai ka jetën e Zotit brenda Tij. Asnjë njeri tjetër nuk e kishte jetën e Zotit brenda tij. Kështu, ky është një lloj i ri njeriu. Një Njeri i Ri.
Por, Ai ishte një specie në rrezik. Ishte i vetmi i llojit të Tij mbi gjithë tokën. Nqs Ai vdiste, specia e Tij zhdukej. Ai kishte imazhin e Zotit, autoritetin e Zotit dhe kishte zotërim mbi gjarprin. Por Ai ishte i vetmi i llojit të Tij. Nuk kishte “ata” aty. Vetëm një njeri. Nuk ka Njeri të Ri korporatë.
Dhe e keqja më e madhe ndodhi. Ai vdiq. Por Ai demonstroi disa karakteristika të pazakonta në vdekjen e Tij, të cilat asnjë tjetër nuk i kishte. Ky lloj i ri njerëzor ishte pak i ndryshëm. Kur Ai u varros në tokë, Ai u bë një farë. Një farë që ra në tokë dhe vdiq. Por, kjo farë u ngrit sërisht nga toka … dhe kur u ngrit kishte shumë fara të tjera bashkë me Të. Nqs e dini historinë e frutave të para dhe Pentikostit, ju e dini se tre ditë pasi Jezusi vdiq, farat i ofroheshin Zotit si frutat e para të korrjes. Por, në ditën e Pentikostit, gruri mblidhej, i plotë dhe i pjekur dhe shumë fara bluheshin së bashku. (U desh shumë bluarje për Zotin që Ai të kishte Njeriun e Ri të Tij). Këto fara ishin farat e një race të re, farat e specieve të reja – tani të bluara në miell dhe të shndërruara në bukë, në një bukë të plotë.
Ky ishte Pentikosti!
A mund të shihni diçka?
Jashtë varrit të Jezus Krishtit erdhi fara e një race të re, një race njerëzish që:
(1) Mbanin e imazhin e Zotit,
(2) Ushtronin autoritetin e Zotit dhe
(3) Jetonin nga një Jetë tjetër; ata jetonin, jo nga jeta njerëzore, por nga jeta hyjnore.
Pesëdhjet ditë nga vdekja e Jezusit, në ditën e Pentikostit, këto fara u bashkuan, u bluan dhe u shndërruan në një Bukë. Cfarë është kjo? Korporata Njeriu i Ri… e quajtur Kisha!
Jeta në Bukë është e njëjtë me Jetën që hyri në tokë. Jeta e Farës, është Jeta e Bukës. Aleluja! Zoti e ka Njeriun e Ri të Tij! Kisha është “Ata”.
Si është kjo Jetë e Njeriut të Ri? Jeta e njeriut të vjetër është jeta e Adamit. Në të është imazhi i ndarjes. Në njeriun e vjetër është imazhi i një mendjeje të mbushur me forma, me imazhe të të menduarit, të llogjikës dhe të skemave. Por imazhi i Njeriut të Ri është imazhi i Frymës së Jetës së Krishtit. Eshtë Vetë Krishti. Ai Vetë është derdhur brenda jush.
Sapo ti e merr këtë Jetë të re, Zoti dëshiron të të mësojë se si jetohet nga kjo Jetë, nga Ai. Dhe akoma më shumë. Ai dëshiron që ti dhe vëllezërit dhe motrat e tua të mësoni të jetoni bashkërisht prej Tij. Rezultati i të mësuarit për të jetuar së bashku nga Jeta e Zotit do të jetë rritja e trupit, e një trupi të bukur dhe të hijshëm. Jo një trup me një vesh gjigand për të dëgjuar dhe një gjuhë gjigande për të folur dhe asgjë më shumë, por të gjitha pjesët e trupit: krahët, këmbët, shputat e këmbëve, çdo gjë… të lidhura me hijshmëri me njëra-tjetrën. Njeriu i Ri! Trupi i Krishtit mbi këtë tokë!
Miku im, Zoti e mori atë! Ai aktualisht e ka atë! Pas vdekjes së Tij, gjatë festës së Pentikostit, Ai kishte disa njerëz që u bashkuan me njëri-tjetrin dhe u ndërtuan me njëri-tjetrin në unitet. Një njeri korporatë, më në fund!
Më lejoni të ndalem këtu. Unë duhet të ndaj me ju këtë, sepse disa nga ju këtu mendojnë se e shijojnë trupin, Njeriun e Ri. Dhe, lavdi Zotit, nqs ju nuk keni një nevojë të parezistueshme për ta bërë këtë – Mos e bëni! Nqs nuk mund të ecni në këtë rrugë, ndaluni. Por disa nga ju nuk kanë zgjidhje tjetër.
Kur të vijë dita që ju të mblidheni bashkë me motrat dhe vëllezërit tuaj në Krishtin, ju do të testoheni në çështjen e unitetit. Jeta njerëzore do të shpërbëhet tek ju dhe ju do ndjeni nevojën e një ndërtese.
Unë e shoh atë tani. Ajo është po kaq e vjetër sa historia e Kishës. Dikush nga ju do të ngrihet, do të pastrojë fytin, do të hapë Biblën dhe do të fillojë të flasë rreth predestinimit. Aha! Dhe aty do të jetë dikush i pranishëm që nuk beson tek predestinimi. Kështu fillon. Kjo është një histori 3000 vjeçare!
Dikush tjetër do të ngrihet dhe do të flasë rreth larjes së këmbëve. Dikush i pranishëm aty nuk do të besojë në këtë gjë. Dikush do të thotë që të përdorim verë për Darkën e Zotit, dikush tjetër do të thotë të përdorim lëng frutash. Do të jetë dikush që deklaron se beson tek rënia nga hiri dhe pasiguria e besimtarit. Një vëlla tjetër do të nxjerrë një pasthirrmë dhe do të sjellë një mesazh korrigjues duke folur për nevojën e të besuarit në sigurinë e përjetëshme. Këtu fillojnë ditët e fundit të Pompeit!
Shikoni, unë po mundohem t’ju tund ashtu siç nuk jeni tundur kurrë më parë! Ju lutem, mos shkoni për të fjetur tani. Dhe dëgjoni me frymën tuaj, jo me trurin tuaj.
Kjo skenë është e njeriut të vjetër. Unë e di se ju nuk e keni dëgjuar më parë të sfidohet “Doktrina e shëndetshme”, por ajo që ju përshkrova nuk është doktrinë e shëndetshme. Cdo një nga ato ide, është në fakt një skemë e bërë nga njeriu. Njerëzit në shekullin e parë nuk flisnin rreth sigurisë së përjetëshme. Teologët dhe filozofët e shpikën atë çeshtje dhe ata po përdornin një jetë më të ulët kur e shpikën atë.
Unë nuk besoj se Pali kishte qoftë dhe idenë më të mjegullt se çfarë ishte siguria e përjetëshme! Ju thoni, “Shih Romakët 8.”. Unë po shoh tek Romakët 8. Dhe para se gjithash, ajo është një pjesë e një letre të bukur, të gjallë, personale nga një Apostull për një kishë specifike. Eshtë rreth Frymës së Jetës në Krishtin. Flet për faktin se ju do t’ju duhet të vuani pak për t’u ndërtuar në trup, por Zoti jep hir dhe paqe dhe nuk do të lejojë që asnjë nga ju të shkatërrohet. A nuk është e lavdishme? Aleluja! Lavdi Zotit! Dhe jo vetëm kaq, por është e gjallë dhe e bukur njëkohësisht.
Le të themi se ju jeni një i krishter i ri. Dikush të vjen afër me teorinë e tij, të pluhurosur, të sigurisë së përjetëshme. Ai fillon të të mësojë rreth kësaj. Siguria e përjetëshme? Po, kjo do të thotë se ti nuk mund ta humbasësh shpëtimin. Ti thua: “Uau!”. Por ti e di se si funksionon ligji. Ti madje nuk e di se ke nevojë për siguri të përjetëshme derisa të të vijë dikush dhe të të thotë se ti duhet të besosh aty!
Kur njeriu dëgjon për ligjin, ai mendon se ky ligj është madhështor. Atij i thuhet që t’i bindet ketij ligji. Ai dëshiron. Por ai nuk mundet. Ai ishte i lumtur deri në momentin kur dëgjoi për ligjin. Tani, i paaftë për t’ju bindur, gjendja e tij bëhet e tmerrshme. Ky është ligji! Dhe ky princip funksionon dhe për sigurinë e përjetëshme.
Ti i thua dikujt: “Nqs ti e ke marrë shpëtimin, ti nuk mund ta humbasësh atë!”. Menjëherë ky njeri fillon të dyshojë nëse e ka marrë shpëtimin!
Siguria e përjetëshme është një rregull. A mund të jetojmë pa të? PO! Si? Do t’jua them.
Krishti është Jeta! Tani ti i thua një të krishteri të ri se Jezus Krishti jeton tek ai dhe Jeta e Tij është e përjetëshme dhe e pashkatërrueshme dhe ky i krishter i ri, është i mbushur me Krishtin. Ti i thua atij se ai nuk ka nevojë që të jetojë sipas jetës njerëzore, por ai mund të jetojë sipas Jetës së Zotit që nuk mbaron kurrë dhe ai mund ta bëjë Krishtin gjithçkanë e tij. Dhe kjo është gjithçka që duhet t’i thoni! Thuajini atij: Jeto sipas Jezus Krishtit. Dhe më pas, thënie si: “Siguria e përjetëshme”, “Ti nuk mund ta humbasësh shpëtimin”, nuk do të hyjnë kurrë në mendjen e tij. Mendja e tij do të dërrmohet nga Krishti.
Nqs ju i thoni: “Siguria e perjetëshme”, ju e futni një të krishterë nën skllavëri. Krishti është Siguria e Përjetëshme. Predikoni Krishtin. Jetoni Krishtin. Hani Krishtin. Jetoni nga Ai.Ti beson tek larja e këmbëve? Ajo është një doktrinë.
Dëgjo, Jezusi erdhi, u ul para një dishepulli dhe i lau këmbët. Ky dishepull i tha: “Zot, unë nuk do të të lejoj kurrë ta bësh këtë.” Jezusi i tha “Nqs Unë nuk të laj, ti kurrë nuk do të jesh i plotë”. Dishepulli tha: “Mësues, më laj të gjithin”. Dhe Ai u përgjigj “Unë do të të laj vetëm këmbët. Kjo është gjithçka që ke nevojë të të laj.” Cfarë është larja e këmbëve? Po jua them se çfarë është larja e këmbëve: Eshtë Jezus Krishti!
Kush i lau këmbët? Jezusi! Cfarë është pra kjo larje, përveçse përulësia e Jezus Krishtit? Eshtë Vetë Krishti. Dhe, miku im, nqs ju thjesht e merrni Krishtin bashkërisht, në kishë, nqs jetoni nga Jeta e Tij, dhe nqs harroni të gjitha sistemet tuaja dhe nqs harroni të gjitha doktrinat e bëra nga njeriu, atëherë do të vijnë nga ajo eksperiencë e përbashkët, aq shumë larje këmbësh reale, sa ju nuk do të jeni në gjendje t’i permbani.
Ajo çfarë po flas është pak e vështirë për t’u kuptuar, sidomos nqs e dëgjoni për herë të parë. Kështu më lejoni vetëm t’ju them një histori që mund t’ju ndihmojë. Mua më pëlqen kjo histori; e kam degjuar atë tre a katër herë, nuk mund të mos jua them sepse është shumë e bukur.
Një djalosh që e donte Zotin shumë dhe ishte bërë një shërbëtor i vërtetë i Zotit, erdhi për të biseduar me Watchman Nee. Ai kishte me vete një bllok shënimesh; ai donte të mësonte çdo gjë. Ai kishte ardhur për të bërë shumë pyetje. Unë e di mirë se si është kjo gjë, sepse e kam bërë vetë të njëjtën gjë.
Ai tha diçka si: “Vëlla Nee, ç’mund të thoni për Romakët 7, për martesën, në fillim të kapitullit? “ Dhe vëlla Nee tha: “Hmmmmm.”
Asnjë përgjigje, vetëm: “Hmmmmm.”
Kështu, djaloshi bëri një pyetje tjetër. “Mirë, po për sigurinë e përjetëshme?”
“Hmmmmm.” - E njëjta përgjigje.
Më në fund, pas disa minutash si këto, vëlla Nee u kthye dhe i bëri një pyetje këtij miku të dashur. “Vëlla, çfarë është durimi?”
Ky vëlla kishte frikë të përgjigjej. Ai e dinte se çfarë ishte durimi! Por e ndjente se kishte diçka të dyshimtë në këtë pyetje. Ai nuk guxoi të thoshte. “Ti e di. Eshtë qetësia dhe paqja e brendshme, kur ti nuk shqetësohesh nga asgjë e jashtme…”. Ai mendonte: “Ka një kurth këtu”. Më në fund u përgjigj: “Vëlla Nee, nuk e di se çfarë është durimi.”
Vëlla Nee u përgjigj në mënyrën më të pabesueshme: “Durimi është Krishti” .
Durimi është Jezus Krishti. Cdo gjë tjetër është vetëm hije e durimit. Durimi i vërtetë është vetëm Jezusi.
Unë e di. Ndoshta ju nuk e kapni këtë. As nuk e kam kapur atëherë.
Por është e vërtetë. Nuk ka asgjë të tillë si durimi. Durimi njerëzor nuk është nga Zoti, dhe nuk mund të zgjasë. A jeni lutur ndonjëherë për durim? Unë po guxoj të them se nuk e keni marrë atë. Kisha e Zotit jeton vetëm nga burimi i një jete – dhe kjo Jetë është Krishti. Kisha duhet të mësojë të jetojë nga Krishti. Krishti është durimi. Dhe Krishti është paqja. Dhe siguria e përjetëshme është Krishti. Kisha duhet të kuptojë se Krishti është çdo gjë për besimtarët – duhet të merret vetëm Ai kur ata mblidhen bashkë.
Vëlla, në Shkrime nuk ka asgjë të ashtuquajtur “Doktrinë”. Aty ka thjesht Jezus Krisht. A beson tek zhytja për t’u pagëzuar? Dikush tjetër beson tek spërkatja. Cfarë do të bëni? Kë do të përjashtoni, atë që beson tek zhytja apo atë që beson tek spërkatja? Nqs e bëni, ju jeni duke ndërtuar një sistem njerëzor, të bazuar në jetën njerëzore. Ju thoni, “Oh, por kjo është e rëndësishme!”. Mirë, por diçka tjetër është akoma më e rëndësishme. A nuk e shihni se Jezus Krishti është Pagëzimi?
Mënyra jonë e të menduarit ka qenë kaq e sistemizuar në një koncept teologjik, të bërë nga njeriu, për Biblen, sa ne nuk e shohim se ne jemi verbuar për të parë paçmueshmërinë e realitetit të Krishtit. Vëllezër dhe motra, kur ju të mblidheni bashkë, ju nuk keni nevojë për asnjë “mënyrë të besuari”. Ka diçka brenda jush, në thellësi. Jetoni nga ajo kur të mblidheni bashkë.
Tani le të kthehemi. Jezus Krishti ishte Njeriu i Ri. Ai vdiq. Kisha lindi dhe Zoti kishte një grup njerëzish që jetonin nga Krishti dhe kishin Jetën e Tij. Ky grup njerëzish bëri atë që bëri Jezusi! Ai nënshtroi armikun dhe reflektoi imazhin e Tij. Lexoni “Veprat”! Eshtë aty. Ai trup korporatë, Ai Njeri i Ri bëri të njëjtën gjë në “Veprat” që Jezusi bëri në Ungjijtë.
Kur njerëzit vinin në kishë, kur ajo mblidhej, ata nuk shihnin drejtues njerëzorë. Jezus Krishti ishte koka e vetme. Jobesimtarët thoshnin: “Zoti është midis tyre!” . Këta njerëz nuk ngjasonin fare me sistemin botëror. Nuk kishte ndarje mes tyre, asnjë lloj ndarjeje doktrinore apo dhuntish, apo njerëzish, apo çfarëdo qoftë. Ata ishin vetëm vëllezër dhe motra, që ishin të thjeshtë dhe që jetonin nga një Jetë tjetër. Asnjë strukturë organizative. Asnjë njeri i vjetër. Kjo ishte Kisha. Zoti kishte një njeri që mbante imazhin e Tij dhe ushtronte autoritetin e Tij. Zoti ishte Zoti i qiellit dhe i tokës.
Por beteja vazhdoi! Sistemi i njeriut, që mban imazhin e njeriut, që ka ndarjen në natyrën e tij, erdhi. Dhe Zoti e humbi tokën e Tij përsëri. Kisha e hershme u zhduk rreth shekullit të tretë. Në këtë qytet është një trup i copëtuar,i shkatërruar, i Krishtit. Janë kryesisht të krishterë që janë brenda sistemit fetar. Dhe jo të gjithë ata do ta braktisin atë sistem. Por Zoti do të thërrasë disa – ndoshta ju – që të ktheheni dhe të merrni tokën.
Do të jenë disa që do të braktisin gjithçka që kanë njohur për të filluar aventurën e restaurimit. Ata do të flakin format, rregullat dhe doktrinat dhe nuk do të dinë asgjë tjetër përveç udhëheqjes së Krishtit. Ata do të mblidhen bashkë dhe do të jetojnë nga Ai. Ata nuk do të jenë trupi i Krishtit, ata do të jenë vetëm pjesë të trupit, por ata do ta prezantojnë trupin, ashtu siç duhet të jetë. Ata do të përfaqësojnë të gjithë besimtarët e atij qyteti. Ata do të thonë: “Ne do të vijmë dhe do të marrim tokën. Ne do të ndërtohemi së bashku në Jetë. Dhe ne nuk do të copëtohemi!”. Ata do të thonë: “Unë nuk e vras shumë mendjen nëse unë bie dakord me ty apo jo, por ti je vëllai im. Ti ke Jetën e Jezus Krishtit brenda teje. Ne jemi një!”
A e mbani mend situatën në Kishën e Korinthit? Aty kishte grindje. Pali u tha atyre rrënjën e problemit të tyre. “A e dini se përse jeni në këtë paçavure? Për shkak të jetës së shpirtit tuaj, për shkak të jetës suaj njerëzore, të Adamit. Ju e shihni Apollon, Pjetrin dhe Palin dhe Jezusin si katër grupe të ndryshme midis jush. “
“Jeta e Adamit.”
Jo, ne do të jemi një popull që nuk do të hamë nga ajo pemë. Ne do të marrim Krishtin, Pemën e Jetës, si ushqimin tonë. Ne do të marrim Atë si Jetën tonë. Ne do të marrin frutin e Pemës së Jetës dhe do ta hamë. Ne nuk do të kemi asgjë përveç Tij, në thjeshtësi primitive. Me anë të Hirit të Zotit mbi ne, pa rregulla dhe forma, ne do të takohemi së bashku në unitet si vëllezër dhe motra. Dhe ne do të kemi vetëm Atë.Po, do të ketë kohë kur ne të fillojmë të bëhemi si të çmendur. Do të qajmë, do të vajtojmë, dhe më pas do të kthehemi sërisht dhe do të jetojmë me njëri-tjetrin përsëri. Gradualisht, jeta e Zotit do të rritet tek ne. Më pas, me ngadalë, do të rritet midis nesh dashuria vëllazërore, që është një provë për botën se jemi të Tijtë.
Më tej, Krishti do të jetë koka. Ai do të jetë shtylla e zjarrit dhe reja midis nesh, duke na drejtuar drejt eksperiencave të reja, të panjohura. Dhe njerëz do të vijnë dhe do të shohin përreth dhe do të raportojnë se nuk ka lider njerëzor midis nesh. Në vend të tij, do të shohin njëherë njërin, njëherë tjetrin anëtar të trupit, që i drejtuar nga Fryma e Zotit, do të flasë, do të ndajë, do të bëjë çdo gjë që Fryma e Zotit ka vendosur të bëjë.
Vëllezër dhe motra, do të vijë një kohë mbi këtë tokë kur Zoti ynë të deklarohet Zot i qiellit dhe i tokës!
Po, do të ketë duar dhe këmbë dhe një gojë. Do të ketë sy dhe një gjuhë, dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, një kokë. Një trup komplet, një njeri i plotë. Ai do të jetë Njeriu i Ri, i bashkuar nën imazhin e Krishtit! Ai do të mposhtë armikun dhe do të ketë tokën! Kjo është ajo çfarë po bën Zoti tani! Aleluja!



