Puthja e faljes

Categories: Predikime

Teksti i studimit: Luka 15:11-32
 
Parathënie
Në këtë shëmbëlltyrë, Zoti Jezus na tregon një histori rreth një djali të ri, që donte të jetonte sipas qejfit të vet. Donte ta shikonte dhe ta provonte botën për vete. Ishte mërzitur me jetën shtëpiake, me punët e përditshme që duhet të bënte. Ndoshta mendonte madje se edhe i ati, tanimë i plakur, nuk ishte në dijeni fare të realitetit. Kështu, pra, sapo e mori trashëgiminë, iku me vrap, për të përmbushur ëndrrat dhe dëshirat e veta. Sapo u çlirua prej sigurisë së shtëpisë së babait, i shpenzoi të gjitha paratë që kishte, duke ngrënë e duke pirë e duke u marrë me prostituta. Kishte plot miq e shokë, kur e kishte xhepin plot, por shumë shpejt, të vetmit shokë që i mbetën ishin derrat. Kjo histori na ilustron gjendjen e atij, që largohet prej Perëndisë, ngaqë dëshiron t’i shijojë kënaqësitë e mëkatit. Ky është një paralajmërim për besimtarët, që të mos i shërbejnë si botës, ashtu edhe Perëndisë. E vetmja gjë që na ofron mëkati është ushqimi i derrave, i cili nuk mund të krahasohet dot me lavditë e Qiellit.
 
Falja
Çfarë i dha i ati të birit, kur këtij të fundit i erdhën mendtë dhe u kthye në shtëpi? Shumë prej nesh do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, duke thënë: “rrobën, unazën, sandalet dhe viçin e majmur”. Por gjëja më e rëndësishme që i dha babai djalit gjendet tek Luka 15:20, “U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi”. Gjëja e parë që i dha babai djalit, pra, ishte puthja e faljes.
Këtu Perëndinë e shohim të përshkruar si një Baba të dashur, që derdh mëshirën e Tij mbi mëkatarët e penduar dhe shenjtorët mëkatarë, që kthehen përsëri tek Ai. Falja e Tij është po aq e menjëhershme, sa ç’ishte puthja e të atit në faqen e të birit. Mëkatari falet automatikisht, në momentin kur ai kthehet tek Perëndia, i penduar sinqerisht. Vini re se, edhe pse djali plangprishës e kishte mësuar përmendësh fjalimin që do të bënte para të atit, për ta bindur atë se i biri ndihej me të vërtetë fajtor për atë që kishte bërë (vargjet 18-19), prapëseprapë i ati nuk priti në fakt për ta dëgjuar rrëfimin e të birit, por thjesht e puthi. Po, i biri iu rrëfye dhe i kërkoi falje, por vetëm pasi ishte mirëpritur në fole prej një babai të lumtur e të gëzuar (vargjet 20-21). A e shohim, pra, se si falja dhe shpëtimi nuk varen nga ne, por bazohen tek mëshira dhe hiri i Perëndisë? “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Le të mos e harrojmë atë që na thotë Bibla: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Kushti i parë i faljes nuk është falja, por një Perëndi i dashur, i cili është gati për të na falur. Djali plangprishës u kthye tek i ati. “Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë” (Luka 15:18), ngaqë e dinte se i ati e donte.
 
Themelorja
“Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8). Kjo është një nga të vërtetat më themelore të Biblës e megjithatë, është një nga karakteristikat e Perëndisë, që nuk vihet re sa duhet prej njerëzve. Shumica e fajësojnë Perëndinë për problemet e botës, madje thonë se edhe e urrejnë Atë për shkak të këtyre problemeve të ndryshme. Karakteristikën e dashurisë e vëmë re që nga Zanafilla e deri tek Zbulesa, ndaj edhe habitemi se si mund të thotë dikush se Perëndia nuk e do. Njëra nga thëniet më të famshme, që e përshkruan mirë dashurinë e Perëndisë, gjendet tek Gjoni 3:16, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”. As Perëndia vetë nuk mund ta rrisë dot dashurinë e Tij akoma më shumë sesa dhurata e Birit të Tij, e dhënë për shpëtimin e botës. Sakrifica e Krishtit është shprehja më e plotë e dashurisë së Tij ndaj nesh. Njerëzimit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta pranojë puthjen e Tij të faljes. “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Nuk mund të mos e vëmë re dot në shëmbëlltyrë dashurinë që kishte i ati për të birin. “Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi” (Luka 15:20). Kjo na tregon se i ati e kishte pritur me padurim ardhjen e të birit dhe vazhdimisht shikonte nga dritarja, për të parë nëse po i kthehej i biri.
 
Harrimi
“Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua” (Isaia 43:25). Lajmi i mirë i Ungjillit të Krishtit është ky: Perëndia na i fal mëkatet dhe i harron fare ato. Në shëmbëlltyrë, p.sh. i ati nuk i përmend fare gjërat e tmerrshme dhe mëkatare, që kishte bërë i biri. Djali i madh ia kujtoi të atit ato mëkate. “Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo. Dhe ai i tha: “U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë”. Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: “Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur”” (Luka 15:25-30). Babai nuk pranoi t’i dëgjonte ato që kishte bërë djali i vogël, sepse ai, ashtu si edhe djali i madh, do ta kishte marrë vesh me kohë se ç’kishte bërë i biri. “Paditësit të vëllezërve tanë” nuk i lejohet që t’ia sjellë Perëndisë në mendje të kaluarën tonë (Zbulesa 12:10), përkundrazi, “në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:7).
Perëndia, pra, nuk na fal gjysëm-për-gjysëm. Ai na fal plotësisht. Kur e pranojmë falas dhuratën e hirit të Tij, nuk jemi gjysëm të falur, apo gjysëm të pafalur. Ose jemi të shpëtuar plotësisht, ose jemi plotësisht të pashpëtuar. Nëse me të vërtetë kthehemi tek Ai me besim, atëherë le të besojmë se Ai na fal plotësisht dhe na pranon në gjirin e Tij. Po mëkatet tona të ardhshme? Është interesant fakti se, sipas shëmbëlltyrës, babai nuk priti për ta parë, nëse i biri do ta mbante apo jo fjalën e nuk do të largohej më për të mëkatuar. Ai thjesht e fali me dashuri, duke e puthur me gjithë zemër. Dashuria e të atit ia kishte falur të birit edhe mëkatet e së ardhmes. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9).    
 
Përfundim 
Kurrë nuk duhet të pushojmë së besuari se dashuria e Perëndisë është po aq e vlefshme për ne sot, sa edhe në të kaluarën. Ajo kurrë nuk mbaron. Ai nuk na do më shumë sesa ç’na deshi në Krishtin. “Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5). Puthja e faljes do të ketë pasoja gjatë gjithë përjetësisë. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:19).
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda.maylam

Leave a Reply