Pse është kaq e veçantë Besëlidhja e Re?
“Ja do të vijnë ditët,” thotë Zoti, “në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre,” thotë Zoti. “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve,” thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!,” sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi,” thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre””. (Jeremia 31:31-34)
Parathënie
Në tekstin e mësipërm na premtohet se “Besëlidhja e Re” do të jetë tërësisht e ndryshme nga besëlidhja e themeluar mbi malin e Sinait. Nuk do ta gëzojmë besëlidhjen “e re”, po qe se akoma zbatojmë atë të vjetrën. Isaia profetizoi se “Besëlidhja e Re” do të jetë një “besëlidhje e përjetshme” (Isaia 61:8), prandaj ajo nuk mund të egzistojë bashkarisht me besëlidhjen e vjetër. “Besëlidhja e Re” e përfshin brenda saj edhe atë të vjetrën.
Duke patur frikë nga hija
“Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira, sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër. Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës, jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti. Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im. Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: “Njih Perëndinë!”. Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre, sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre”. Duke thënë “një besëlidhje e re,” ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes” (Hebrenjve 8:6-13).
Besëlidhja e Sinait ishte një dokument ligjor për të qeverisur një popull, që vazhdimisht e refuzonte t’i bindej Perëndisë me anë të dashurisë dhe besimit. Atyre nuk iu mbetej gjë tjetër veçse të dridheshin tek qëndronin pranë malit, por Zoti nuk donte që ata t’i përgjigjeshin fjalës së Tij në këtë mënyrë.
Besëlidhja e vjetër ishte “modeli” i një “besëlidhjeje më të mirë”, e cila do të jepej nëpërmjet Jezus Krishtit mbi malin e Kalvarit (Hebrenjve 8:5-6). Hebrenjtë kanë qenë gjithmonë të kënaqur me ritet dhe ceremonitë e gjendura në Ligjin e Moisiut, madje edhe kur për ta ishte e pamundur të justifikoheshe nga Perëndia përmes këtyre ceremonive. Këto rite dhe ceremoni shkaktonin një ndjenjë bamirësie tek ai person që i kryente ato, por, në të vërtetë, ato nuk e bënin dot atë njeri të përsosur. Kënaqësia që sillnin këto ligje të shkruara mbi pllaka guri, i ngjasonte asaj kënaqësie që të jep një foto e bukur e një shtëpie, që e sheh në vitrinën e dyqanit, por që akoma se ke të tënden. Të krishterët që besojnë tek Bibla, e kanë në zotërim të tyre “besëlidhjen e përjetshme” dhe “më të mirë”, sepse ata e kanë të shkruar atë “në mendjet e tyre” dhe “në zemrat e tyre” (Hebrenjve 8:10).
Më e mirë dhe më efikase
Pse është “Besëlidhja e Re” më e mirë dhe më fryt-dhënëse sesa ajo e vjetra? Si fillim, Ligji i Moisiut nuk mund ta bënte të përsosur asnjë gjë apo asnjë njeri. Ky ligj ishte mjeti që përdori Perëndia për t’i hapur rrugën një “shprese më të mirë” të gjendur tek “Besëlidhja e Re”: “Sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë” (Hebrenjve 7:19).
Nuk e kishte fajin Ligji, sepse ai vetë ishte i përsosur, por njerëzimi e pati të vështirë që t’i bindej Ligjit : “Sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish” (Romakëve 8:2-3). Perëndia e përdori Ligjin për ta bindur njeriun se ishte mëkatar.
Besëlidhja e vjetër nisi të vjetërohej, në momentin kur Perëndia foli për një “Besëlidhje të Re”. Duke marrë parasysh këtë aspekt, mund të themi se Ligji nuk u anullua, por ishte drejt skadimit, derisa të themelohej “Besëlidhja e Re” në Krishtin. Data e skadimit të Ligjit ishte pikërisht ai moment, kur Krishti vdiq mbi kryq për mëkatin tonë. Tani ne jemi bërë pjesëmarrës të një “besëlidhjeje të përjetshme” dhe marrim “premtimin e një trashëgimisë së amshuar”… “Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar” (Hebrenjve 9:15).
E themeluar mbi premtime të pakushtëzuara
Vini re se njeriu nuk luan asnjë rol, kur vjen puna pët ta sjëllë “Besëlidhjen e Re”. Nuk shohim ndonjë Moisi, që t’i ngjitet malit për ta marrë besëlidhjen. Përkundrazi, Perëndia zbret vetë në Personin e Krishtit, për ta shkruar këtë besëlidhje në zemrat tona. Sakrifica sublime e Krishtit ishte plotësisht plan, qëllim dhe vepër e Perëndisë: “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6).
Ata që e zbatonin besëlidhjen e vjetër, i bindeshin Perëndisë nga frika, por jo me një zemër të gatshme plot dashuri. Si komb, Izraeli kishte njohuri rreth Perëndisë, por të paktë ishin ata, që kishin një marrëdhënie personale me Të. Por tani, nën “Besëlidhjen e Re”, çdo besimtar mund ta njohë Zotin në mënyrë personale. “Ndërmjetësi” ynë ishte Ai që na prezantoi me Perëndinë: “Ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re” (Hebrenjve 9:15), Ai “është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë” (Hebrenjve 8:6), dhe Ai “është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve” (1 Timoteut 2:5).
Besimtari i Dhiatës së Re e di se atij i janë falur mëkatet, jo sepse ai e meriton, apo sepse ai e zbaton Ligjin, por i janë falur vetëm nëpërmjet gjakut faj-shlyes të Krishtit. Ndërkohë që besëlidhja e vjetër ia kujtonte vazhdimisht mëkatarit mëkatet e tij të shkuara, “por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve” (Hebrenjve 10:3), “Besëlidhja e Re” na siguron se Perëndia kurrë nuk do t’i mbajë mend mëkatat tona: “Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t’i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t’i shkruaj në mendjet e tyre”, shton: “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre” (Hebrenjve 10:16-17)… “Sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre” (Hebrenjve 8:12). Gjithashtu, Perëndia na kënaq me faktin se bëhemi fëmijët e Tij, në momentin kur e pranojmë se gjaku i Krishtit është i mjaftueshëm për shpëtimin tonë. “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).
Bazuar tek Jezusi
“Besëlidhja e Re” është plotësisht e bazuar tek Zoti Jezus Krisht dhe tek gjaku i Tij i derdhur për ne mbi Kalvar. “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve” (Mateu 26:28). Besëlidhja e vjetër nuk mund ta çlironte njeriun nga mëkati, edhe pse sakrifikoheshin kafshë të panumërta. Në fakt, të gjithë ata që i thernin këto kafshë, mbeteshin akoma “të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1), edhe pas sakrifikimit të kafshës. Vetëm gjaku faj-shlyes i Krishtit mund ta heqë mëkatin. “Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese, hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar… dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti, sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë që kur se u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes” (Hebrenjve 9:11-12, 25-26).
Nën besëlidhjen e vjetër, prifti, i cili s’ishte as vetë i përsosur, duhej të ofronte kafshën më të mirë që mund ta gjente, si sakrificë për mëkatet e popullit. “Por në të dytin hynte vetëm kryeprifti një herë në vit, jo pa gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popullit të kryera në padije” (Hebrenjve 9:7), por Zoti Jezus Krisht, Kryeprifti ynë i përsosur, ishte sakrifica e përsosur për të gjithë.
Përfundim
A duhet ta hedhim poshtë besëlidhjen e vjetër? Jo, sepse ajo na mëson arsyen pse Krishti duhej të vinte në tokë për t’u bërë “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29), dhe na tregon se si Perëndia i përgatiti zemrat e njerëzve për ta pritur ardhjen e Tij. Megjithatë, nuk duhet të përpiqemi që të bëhemi të drejtë para Perëndisë, duke zbatuar besëlidhjen e vjetër me të gjitha ritet dhe ceremonitë e saj. Përkundrazi, ne duhet të marrim drejtësinë, që na numërohet nga Perëndia. Kjo drejtësi vjen nëpërmjet besimit në Krishtin: “Por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë” (Romakëve 4:24). Nuk kemi një frikë të tmerrshme, kur të shfaqemi para Perëndisë, por nën Besëlidhjen e Re, mund t’i afrohemi Atij me besim dhe siguri të plotë: “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë…Le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar” (Hebrenjve 11:6, 10:22).
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com



