Provoni të gjitha gjërat
“Provoni të gjitha, mbani të mirën” (1 Thesalonikasve 5:21).
Parathënie
Për ne të krishterët, është e rëndësishme që të mos lëkundemi në besim dhe në ato gjëra, që na mëson fjala e Perëndisë. Apostulli Pal na inkurajon që të qëndrojmë “të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58). Një sjellje e tillë është e kundërta e kompromisit, e largimit prej Perëndisë, dhe e të qënit i çrregullt e i padisiplinuar në jetën e përditshme.
Provoni të gjitha gjërat
Kjo shprehje mund të përkthehet edhe kështu: “I vini në provë të gjitha gjërat”. Ka shumë të krishterë sot, që janë të mashtruar, ngaqë e pranojnë si të vërtetë gjithçka që dëgjojnë e lexojnë. Ka shumë rëndësi që të gjitha gjërat (të gjitha doktrinat e ndryshme) t’i matim (t’i krahasojmë) me fjalën e Perëndisë. Ato gjëra, që nuk përputhen me Biblën, duhen hedhur poshtë. Ata besimtarë, që nuk e lexojnë e nuk e studiojnë Biblën, janë të papërgatitur për t’i vënë në provë të gjitha doktrinat e ndryshme fetare. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15)… “Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu” (Veprat e Apostujve 17:11). Gjon Lok ka shkruar: “Ai, që e hedh poshtë arsyen (ose arsyetimin), kur vjen puna për t’i gjykuar siç duhet gjërat, i përngjan atij njeriu, që i qorron sytë, në mënyrë që të shohë më mirë me teleskop”.
Çdo predikues, çdo profet e çdo mësues do të gjykohet në bazë të asaj që thotë fjala e Perëndisë. “Në rast se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli, dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: “Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t’u shërbejmë,” ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt. Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të. Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t’ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t’ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt” (Ligji i Përtërirë 13:1-5)… “Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet”. Dhe në se ti thua në zemrën tënde: “Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?”. Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij” (Ligji i Përtërirë 18:20-22)… “Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë” (Isaia 18:20). Mateo Henri ka thënë: “Duhet të tregojmë kujdes, që t’i vëmë në provë të gjitha gjërat, sepse, edhe pse predikimi i Biblës është i rëndësishëm, nuk duhet t’i marrim gjërat thjesht kallëp prej predikuesit, por duhet t’i matim ato, që na thotë ai me ligjin dhe dekretet e Perëndisë. “Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë” (1 Gjonit 4:1-3). Është e qartë, pra, siç e shohim edhe prej këtyre vargjeve, se çdo fjalë që flitet prej atyre, që thonë se flasin në emër të Perëndisë, duhet gjykuar sipas standarteve të vetë Perëndisë. Gjon Uesli ka thënë: “Vëreni në provë çdo lloj këshille, duke e krahasuar atë me Biblën”.
Mbani të mirën
Besimtari është përgjegjës për ta mbajtur (për ta shtrënguar) fort të vërtetën. “Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga. Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë, si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan” (Hebrenjve 2:1-3). E si mund ta nderojmë Perëndinë, kur jemi të lëkundur në besim e nuk i qëndrojmë besnik fjalës së Tij? “Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar” (1 Korintasve 11:2)… “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). Kjo do të thotë se nuk duhet ta hedhim poshtë kurrë të vërtetën, por duhet ta shtrëngojmë fort e të mos e lëmë të na shkasë nga dora. “Që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit…Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 1:10; 4:8). Gjon Uesli ka thënë: “Mbani të mirën - me zell, me vendosshmëri, duke e praktikuar zellshëm atë, pavarësisht nga kundërshtimet e të tjerëve”.
Përfundim
Në një kohë, kur, në kishat tona shumë prej besimtarëve janë të mashtruar prej doktrinave të ndryshme, e shohim se është tepër e domosdoshme për ata, që e duan Zotin, që të qëndrojnë të patundur tek Ai. Edhe pse mund të ketë nga ata, që duan të na pengojnë, prapëseprapë, ne duhet t’i vëmë në provë të gjitha gjërat, duke e matur çdo gjë me atë që na thotë Bibla.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



