POEZI
Nga Magda Maylam
SHTËPIA E RE
Kur vdekja të vijë e të më thotë:
‘Eja e fli tani!’
Unë, si fëmijë, s’do protestoj:
‘Edhe pak a s’mund të rri?’
Kur të lë miqtë e të afërmit,
Natyrisht, do ket’ dhe lot.
Por, kur e di se ku do t’shkoj,
Gëzimin s’do ta fsheh unë dot.
Në portat e qiellit do trokas
dhe do pres unë fort e qetë,
duke e ditur se pas pak
do takoj Jezusin vetë.
Në shtëpinë e re, të kaltër,
Me qiellin lart, porsi çati,
Do jetoj unë përgjithmonë
rrethuar nga dashuria e Tij.
PESHORJA E JETËS
Ylber a do t’shihnim, vallë,
po t’mos binte kurrë shi?
Pranverë a do t’ndjenim, vallë,
po t’mos kishte kurrë stuhi?
Si peshore është kjo jetë!
Në barazpeshë gjithçka qëndron.
Këtej gëzimi - zog me fletë,
Andej loti - maturon.
Ndonëse netët dimërore
ne na sollën veç trishtim,
dielli prapë do lindë nesër,
buzëqeshur në agim.
O DASHURI!
Në dhomën sekrete të dashurisë
Zot, po hyj,
e mrekulluar nga bukuria
që shoh aty.
O ngrohtësi,
O ëmbëlsi,
O dashuri.
Sakrifikove Ti fronin Tënd
O dashuri.
S’je e kësaj bote,
je përjetësi,
je Dashuri.
Ti je e gjatë, Ti je e gjerë,
Je aq e thellë sa s’të kuptoj.
Vdiqe për mua, jetoj për Ty.
Zot Jezus, të adhuroj.
E MAHNITUR
Madhështor në shenjtëri,
Triumfues në lavdi,
Çudibërës në fuqi,
Perëndia im je Ti.
Nuk ka det që Ti s’kalon,
S’ka stuhi që Ti s’qetëson,
S’ka armik që Ti s’shkat’rron,
Mbretëron Ti, mbretëron!
E mahnitur, t’adhuroj,
Me besim nga Ti kërkoj,
Të pamundurën të takoj,
Për Ty të vdes, me Ty të rroj.
PESHKATARË NJERËZISH
Sa shumë më pëlqen deti,
puhiza e erës në breg,
molusqet që lozin me valët
dhe flasin me to qetë-qetë!
Në det kanë shtëpinë peshqit,
me mijëra, s’i numëron dot!
Për t’i zënë të gjithë me grep,
Dita s’do mjaftonte sot!
Ne jemi peshkatarë njerëzish
Në detin e madh - botë,
Me mijëra zemra presin
të dëgjojnë të Vërtetën tonë.
Dërgomë Ti, Zot, dërgomë,
Përdormë Ti, në këtë vend,
Me grepin ‘Fjalë e Gjallë’,
me varkën e Shpëtimit Tënd.
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



