Plani i Perëndisë për Izraelin, popullin e Tij
Parathënie
Në kapitullin e 37-ë të Ezekielit, Perëndia premton se do ta mbledhë përsëri popullin e Izraelit nga mbarë bota dhe do ta sjellë prapë në tokën e tyre: “Do të shtie te ju Frymën time dhe ju do të jetoni, dhe do t’ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë,” thotë Zoti… dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj përsëri në vendin e tyre” (Ezekieli 37:14, 21). Vizioni profetik i Ezekielit, lidhur me luginën e kockave të thata, përfaqëson judenjtë e shpërndarë në të gjithë botën, si edhe shkatërrimin e Tokës së Izraelit. Toka nuk do të jepte fryte e nuk do të ishte pjellore, sepse populli i Perëndisë do të shpërndahej dhe do të jetonte mes “kombeve pagane” (Ezekieli 37:21). Kështu, kjo profeci tregon restaurimin e Izraelit, i cili nuk do të mbetej më i shpërndarë, por do të bashkohej përsëri në një shtet të vetëm Izraelit: “Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit” (Ezekieli 37:12).
Princi David
Restaurimi i plotë i Izraelit do të mund të bëhet realitet, kur “Davidi” të sundojë në Jeruzalem: “Shërbëtori im David do të jetë mbret mbi ta dhe do të ketë një bari të vetëm për të gjithë; ata do të ecin sipas dekreteve të mia, do të respektojnë statutet e mia dhe do t’i zbatojnë në praktikë. Dhe do të banojnë në vendin që i dhashë shërbëtorit tim Jakob, atje ku banuan etërit tuaj. Do të banojnë aty ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre për jetë dhe shërbëtori im David do të jetë princi i tyre përjetë” (Ezekieli 37:24-25). Meqënëse ky varg nuk mund t’i referohet Mbretit David, i cili kishte vdekur shumë kohë më përpara sesa të bëhej kjo profeci, atëherë ai mund të konsiderohet si përmbushje e premtimit të Perëndisë ndaj Davidit: “Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: “Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit” (1 Mbretërve 8:25). E dimë se Zoti Jezus Krisht është pasardhës i Mbretit David: “Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit… lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit” (Mateu 1:1; Romakëve 1:3).
Restaurimi i Izraelit
Para se Mesia i Izraelit të zërë vendin që i takon si Mbret, duhet që të egzistojë një vend, që quhet Izrael, si edhe një popull, që banon në të. Satanai nuk arriti që ta prishte dot, si planin e ardhjes së parë të Krishtit në tokë si Shpëtimtar të mëkatarëve, ashtu edhe rëndësinë shpirtërore të këtij plani. Por djalli e di se Mesia duhet që të sundojë si Mbret në Jeruzalem për 1000 vjet. Prandaj, ai është përpjekur që ta pengojë Ardhjen e Dytë të Krishtit, duke shkatërruar judenjtë sa më shumë që të jetë e mundur. Ai i urren judenjtë dhe tokën e tyre. Po qe se djalli do të mundet që t’i shkatërrojë si ata, ashtu edhe kombin e tyre, atëherë do të jetë e pamundur që Zoti Jezus Krisht të kthehet përsëri në tokë.
Judenjtë u shpërndanë në mbarë botën, pas shkatërrimit të vendit të tyre prej romakëve në vitin 70 (pas Krishtit). Që prej asaj kohe, Izraeli ka qenë ose i shkretuar, ose nën kontrollin e arabëve (e më vonë të myslimanëve). Gjatë gjithë këtyre shekujve, që prej vitit 70 (pas Krishtit), Satanai i ka nxitur popujt e tjerë që t’i urrejnë judenjtë, kudo që të ndodhen. Kjo urrejtje solli si rezultat shkatërrimin në masë të popullit Izraelit (ose pastrimin etnik të tyre) në çdo cep të Evropës. Pothuajse çdo komb në botë ka në gjirin e vet një popullsi çifute, të cilën ai e ka persekutuar ose e ka bërë që të shpërndahet në vende të tjera. Në Evropë sidomos, keqtrajtimi i judenjve arriti shkallën më të lartë. Disa nga masakrat më të mëdha u bënë në vendet katolike, por judenjtë u shkelën me këmbë edhe në kombet protestante. Që prej 2000 vjetësh, populli Izraelit është shpërngulur nga toka e tij, është ballafaquar me kryqëzatat (katolike), me masakra e me holokauste. Të gjitha këto kanë qenë të frymëzuara nga djalli, me qëllim që ai ta ndalonte kthimin e Krishtit në tokë.
Ka shumë mundësi që djalli ta ketë ditur se ç’do të ndodhte në Izrael në vitin 1948. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Zgjidhja Përfundimtare e Adolf Hitlerit ishte shkaku kryesor i fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj lufte, bota vuri re se si kombe të ndryshme po kërcënoheshin në nivelin fizik, ndërkohë që Satanai e pa se mbretërisë së tij po i afrohej fundi. Ndoshta Hitleri mund të ketë qenë një Antikrisht i parakohshëm, i përdorur nga Satanai për të themeluar Rajkun (ose sundimin) e tij 1000-vjeçar. Është mirë që të mos e harrojmë Holokaustin e çifutëve, por, në të njëjtën kohë, duhet që të mbajmë mend edhe planet djallëzore, të fshehura pas kësaj masakre.
Kockat e thata
Perëndia ka premtuar se, para se të vijë Mesia për herë të dytë në tokë, Ai do t’i ngrejë judenjtë nga varri: “Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit. Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im” (Ezekieli 37:12-13). Perëndia e mban gjithmonë fjalën, prandaj është e pamundur që të shkatërrohet plotësisht si populli çifut, ashtu edhe toka e Izraelit. Në këtë profeci, shohim një ringjallje të popullit të Tij dhe një restaurim të mëmëdheut të tyre. Shpresa e një ringjalljeje të tillë u mbajt gjallë dhe nuk u shua kurrë në zemrat e judenjve, nga viti 70 (pas Krishtit) deri në vitin 1948. Shpesh, ata e inkurajojnë njëri-tjetrin me këtë shpresë, duke cituar shprehjen e famshme: “Vitin tjetër në Jeruzalem”.
Djalli i kishte bërë gati të gjitha planet, për t’i ndaluar çifutët që të ktheheshin në tokën e tyre. Popullsia çifute e botës ishte zvogëluar tej mase në numër dhe jetonte me frikë. Myslimanët e kishin vendin nën kontrollin e tyre dhe tokës çifute i ishte vënë emri ‘Palestinë’. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur çifutët kërkuan që t’iu jepej një vend për të jetuar, atyre iu dha Uganda (në Afrikë), por një vend i tillë nuk mund ta përmbushte planin e përsosur të Perëndisë. Gjëja më e pabesueshme në sytë e botës ndodhi në maj të 1948-s, kur ëndrra Izraelite u bë realitet dhe fjala e Perëndisë doli e vërtetë dhe besnike. Kundër të gjitha parashikimeve, Izraeli u bë përsëri një shtet më vete: “Pastaj më tha: “Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: “Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur” (Ezekieli 37:11). Që prej asaj kohe, edhe pse judenjtë janë ballafaquar me një opozitë të vazhdueshme, ata përsëri vijnë e vërshojnë në Izrael pothuajse nga çdo komb i botës: “Dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj përsëri në vendin e tyre, dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata; nuk do të jenë më dy kombe, as do të ndahen më në dy mbretëri” (Ezekieli 37:22-23).
Përfundim
Në këtë kapitull, ka mbetur për t’u plotësuar edhe një akt final: mbretërimi 1000-vjeçar i Mesias, Zotit Jezus Krisht. Ai do të vijë në atë moment kur “të plotësohen kohët e paganëve” (Luka 21:24). Ne jemi të sigurtë se Ai do të vijë pikërisht në kohën e duhur, ashtu siç erdhi në tokë për herë të parë: “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij” (Galatasve 4:4). Pjesa e parë e profecisë së Jezusit është përmbushur: “Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet…” (Luka 21:24); pjesa e dytë po përmbushet: “…dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët” (Luka 21:24), “derisa” të vijë përsëri Zoti, “derisa të plotësohen kohët e paganëve” (Luka 21:24). Sapo t’iu vijë fundi këtyre kohëve, Jeruzalemi do të bëhet përsëri “qyteti i Mbretit të madh” (Psalmi 48:2). Atëherë tërë Izraeli do të ecë në dritën dhe në njohurinë e Perëndisë: “Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre, me veprimet e tyre të neveritshme dhe me gjithë shkeljet e tyre; do t’i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar dhe ku kanë kryer mëkate, dhe do t’i pastroj; kështu do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre… Banesa ime do të jetë pranë tyre; po, po unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im. Edhe kombet do të pranojnë që unë, Zoti, e shenjtëroj Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë në mes tyre përjetë” (Ezekieli 37:23, 27-28). Atëherë, “mbarë Izraeli do të shpëtohet” (Romakëve 11:26).
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



