Plangprishësi
Parathënie
Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës tek Luka 15:11-24 na mëson se “veprimi i të pabesëve është i dëmshëm” (Fjalët e Urta 13:15). Por, për atë që e pranon mëkatin e tij dhe pendohet, gjithmonë egziston një rrugë për t’u kthyer tek Perëndia. Ati është gjithmonë në pritje të fëmijëve të Tij plangprishës, që të kthehen prapë në shtëpi.
Prishësi (shpenzuesi) i parave
Në këtë histori, djali i ri e hodhi poshtë dhe e shpërdoroi gjithçka, për shkak të kënaqësisë, që ai mendonte se do ta gjente tek mëkati. Nuk e mori në konsideratë fare të ardhmen. Mendonte se kishte para të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij, por, sa kohë që ke para në xhep, ke edhe miq e shokë. Iku paraja, iku miku! Ky djalë ishte harxhues, jo vetëm i parasë, por, edhe i vendit ku shkelte këmbën.
Sot ka shumë nga ata, që mendojnë se mund t’ia hedhin Zotit, pa patur një marrëdhënie të ngushtë me Krishtin. Janë mirë për një farë kohe, por në fund, ata gjithmonë përfundojnë tek stalla e derrave. Vendimet që marrim, kanë pasoja për të ardhmen. Ndoshta nuk po harxhojmë para si djali plangprishës, por a po e harxhojmë kohën, në vend që ta shfrytëzojmë atë (Efesianëve 5:16)? Shumë të krishterë mendojnë se Perëndia nuk ua vë re atyre, kur sillen si bota, apo kur janë pijanecë, por do vijë dita kur ata do të kthehen tek Ai dhe do të vënë në përdorim ato shqisa, që nuk iu janë korruptuar prej botës.
Shpërdoruesi shumë shpejt zuri shoqëri të keqe. Satanai është gati për të na dhënë miq të rinj në vend të atyre që i hedhim poshtë. Më thuaj me kë rri, të të them se cili je! Shpërdoruesit gjithmonë zënë miqësi me shpërdorues të tjerë, dhe kështu, ata shpërdorojnë njëri-tjetrin. Si të krishterë që jemi, ne duhet të jetojmë ndryshe nga bota. Me fjalë të tjera, nuk duhet t’i përshtatemi botës. Përkundrazi, le ta çmojmë pa masë Shtëpinë e Atit tonë dhe vëllezërit tanë në Krishtin. Kisha të tëra mundohen ta sigurojnë miratimin e botës, duke u sjellë në mënyrë të paperëndishme, por ato përfundojnë në stallën e derrave.
Penduesi
Tek u ul me derrat, gati për të ngrënë këllirën e tyre, djali plangprishës e kuptoi se sa i marrë ishte treguar.
Ai erdhi në vete (vargu 17) – A e shihni se është e mundur që edhe më i madhi i mëkatarëve të marrë vendime të drejta? Vendimi më i mirë që mori ky djalë, ishte vendimi që e pranoi se kishte gabuar.
U kthye në gjurmët e veta (vargu 18) – Ai mori drejtimin të kthehej nga pisllëku i botës, drejt atij vendi, të cilit i përkiste.
Fajësoi veten (vargu 18) – Sa herë dëgjojmë njerëzit tek bëjnë me faj të tjerët, kur heqin dorë nga Zoti! Ky djalë e kishte dashur botën, por tani ai e kuptoi se ajo që i nevojitej ishte vetëm shtëpia e babait të vet. Atij s’i mungonte asgjë, para se të nisej për në ekskursion drejt mëkatit.
U përul (vargu 19) – Para se të nisej, ai ishte mendjemadh dhe kokëfortë, por përvoja e tmerrshme që kishte kaluar, ia kishte larguar krenarinë. Tani ai ishte gati të punonte si shërbëtor, ose të bënte çfarëdo lloj pune tjetër, vetëm e vetëm që të largohej prej së jetuarit me derrat. E kishte parë mëkatin, ashtu siç ishte me të vërtetë.
I restauruari
Djali plangprishës u restaurua tek pozita që i takonte në familje, jo sepse e meritonte, por për shkak të hirit dhe mëshirës së të atit (vargu 20-24). Shtëpia e tij ishte vendi më i begatë në tokë. Atij iu dha:
a) Një rrobë, si shenjë nderi dhe pranimi. Edhe neve kur edhëm tek Krishti, na u dha një rrobë drejtësie. Kjo rrobë na bën të pranueshëm përpara Perëndisë: “Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj” (Isaia 61:10). Po nuk patëm veshur rrobat e shpëtimit, atëherë nuk i përkasim Atit.
b) Një unazë, si shenjë pasurie. Djali tani mund ta shijonte përsëri të gjithë pasurinë që kishte i ati. Ishte bërë i varfër, për shkak të mëkatit. Ishte kthyer në shtëpi këmbëzbathur, i dërrmuar e i mavijosur, por tani ai ishte restauruar.
c) Sandale të reja për në këmbë. Tani ai mund të ecte përsëri në rrugë të drejtë.
Përfundim
I ati u gëzua shumë, kur pa të birin planprishës tek afrohej. Jezusi tha: “Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:7). Çdo besimtari, që është larguar nga Zoti, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kthehet të Zoti. Kur kthehet, atë pastaj e pret mëshira, falja dhe restaurimi (ose kthimi në gjendjen e mëparshme).
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



