Pjekuria e krishterë
Parathënie
Ndoshta ne mund të dimë gjithçka që është për t’u ditur rreth Biblës dhe jetës së krishterë, por kjo nuk do të thotë se jemi të pjekur nga ana shpirtërore. Njohuria shpirtërore duhet vënë sa më parë në zbatim, në mënyrë që ajo të bëhet realitet në shpirtin tonë. Vullneti i Perëndisë është që të gjithë fëmijët e Tij të rriten të shëndetshëm në Krishtin dhe në besim. Sa më i papjekur të jetë një besimtar, aq më vështirë e ka ai që të besojë në Zotin. Shkaqet e të mos përparuarit drejt pjekurisë janë të rrezikshme.
Besimtarët e papjekur
Besimtarët e papjekur janë ata që kanë vite që janë të krishterë, por që s’kanë dhënë shenja të dukshme, që tregojnë se janë rritur në besim. Përkundrazi, në vend që të rriten, ata kanë mbetur në ‘vend numëro’ dhe madje, edhe janë kthyer mbrapsht. Më poshtë, po japim disa shenja që tregojnë mungesë pjekurie:
a) Mungesa e vëmendjes: “Për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t’u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar” (Hebrenjve 5:11). Të papjekurit nga ana shpirtërore duhet që t’i inkurajosh vazhdimisht, në mënyrë që të dëgjojnë dhe t’i përgjigjen asaj që thotë Bibla: “Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga rruga” (Hebrenjve 2:1). Kur bëhet fjalë për jetën shpirtërore, të papjekurit janë të ngathët dhe pa gjallëri. Atyre iu pëlqen që për vete të jenë dëgjues të Fjalës, por preferojnë që të tjerët të bëhen bërës të saj: “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten” (Jakobi 1:22).
b) Bebe shpirtërore: “Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta” (Hebrenjve 5:12). Të papjekurit duhet që t’i kenë mbaruar me kohë mësimet e thjeshta të jetës së krishterë, por fatkeqësisht, disa prej tyre as që nuk i kuptojnë fare këto mësime bazë. Ata akoma kanë nevojë që t’i ushqejnë të tjerët me lugë dhe që t’ua shpjegojnë nga e para se ç’do të thotë të jesh i shpëtuar dhe i falur. Në vend që të rriten, ata duket sikur po kthehen mbrapsht.
c) Kurrë nuk e vënë në zbatim të vërtetën: “Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë” (Hebrenjve 5:13). Të papjekurit janë të ngadalshëm për të mësuar të vërtetën. Atyre iu duket e pamundur për ta vënë në zbatim fjalën e Perëndisë në jetën e tyre, por gjëja më e habitshme është fakti se ata janë plot gjallëri, kur bëhet fjalë për gjërat e kësaj bote! Marrëdhënia e tyre me botën është pikërisht arsyeja kryesore e dobësisë, papjekurisë dhe mungesës së seriozitetit në jetën e tyre shpirtërore. Kur nuk dinë ç’të bëjnë, ata kërkojnë këshilla prej atyre që janë më të pjekur në besim, por ata vetë kurrë nuk e zbatojnë udhëzimin që iu ofrohet.
d) Mungesa e mençurisë: “Kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen” (Hebrenjve 5:14). Ata që janë të papjekur nga ana shpirtërore, nuk mund t’i dallojnë dot predikuesit e rremë dhe doktrinat e tyre jo-biblike. Gjithashtu, ata nuk janë kurrë në gjendje (ose pretendojnë se nuk janë dot në gjendje) për të dalluar mes së mirës dhe së keqes në vendimet që marrin në jetën e tyre. Shpeshherë, të papjekurit nuk e kanë problem që ta kalojnë kohën mes atyre, që nuk besojnë.
Duhet të synojmë për të patur pjekuri
“Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia, nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm; dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia” (Hebrenjve 6:1-3).
Pak rëndësi ka sesa këshilla dhe lutje pranon një i krishterë i papjekur - nuk janë njerëzit ata, që mund ta nxjerrin atë nga balta. Çlirimi i tij vjen vetëm nga vetja: nga marrja e një vendimi personal për të përparuar në Krishtin. Problemi i të papjekurve të krishterë nuk qëndron në faktin se ata nuk janë të shpëtuar, apo se nuk kanë njohuri, apo aftësi. Problemi i tyre është ky: dembelizmi i plotë shpirtëror. Ata duhet të tregojnë vendosshmëri për të përparuar drejt maturisë dhe duhet që të mos lejojnë asgjë apo askënd që t’i pengojë në rritjen e tyre në Krishtin. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë të preokupuar me gjërat e Perëndisë dhe jo me vetveten, apo me botën: “Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2). Duhet që të egzistojë një ndarje (një shkëputje) nga paperëndishmëria dhe gjërat që s’kanë vlerë, d.m.th. jeta e vjetër duhet të lihet mënjanë njëherë e përgjithmonë. Ata që vazhdojnë të jenë të papjekur, po shkojnë drejt shkatërrimit dhe drejt zhgënjimit: “Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë, dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme, dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.” (Hebrenjve 6:4-6). “Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (Mateu 7:26-27).
Të pjekurit
Të jesh i pjekur nuk do të thotë se je në gjendje të bësh gjithçka me forcat e tua. Ne kemi nevojë që Zoti të jetë me ne në çdo hap që hedhim, që të na udhëheqë derisa të arrijmë në Qiell: “Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:12-13). Çdo ditë duhet të vëmë në praktikë ato që mësojmë nga fjala e Perëndisë. Do të jemi 100% të përkushtuar ndaj të shërbyerit të Zotit, n.q.s. e lejojmë Atë që të ecë me ne gjatë gjithë kohës. Pavarësisht nga stuhitë përreth tij, i pjekuri mbetet gjithmonë i fortë: “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb” (Mateu 7:24-25).
Përfundim
Çdo besimtari i jepet mundësia që të qëndrojë i papjekur. Ata që janë të rritur në Krishtin, nuk ndryshojnë shumë nga ata që nuk janë të rritur në Krishtin. Ata nuk kanë ndonjë talent të veçantë, apo ndonjë vajosje të veçantë. Perëndia nuk iu ka dhënë atyre më shumë hir shpëtimi. Por, të rriturit (apo të pjekurit) në Krishtin e kanë vendosur se do të jetojnë sipas fjalës së Tij. Të papjekurit iua hedhin fajin të tjerëve, apo ambientit që i rrethon, apo mungesës së talentit. Por arsyeja e papjekurisë së tyre qëndron tek fakti se ata refuzojnë që t’i binden Perëndisë.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



