Pesë tipet e njerëzve, që mund ta shkatërrojnë kishën
“Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria; por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:12-13).
Parathënie
Të shumtë janë ata besimtarë, që nuk pyesin fare për thirrjen e Perëndisë në jetën e tyre, por janë thjesht të kënaqur që janë të shpëtuar. Në kishat tona ka nga ata që, i përkushtohen shumë pak Zotit, ndaj edhe vuajnë pasojat e mungesës së këtij përkushtimi. E kemi lejuar mëkatin të hyjë brenda në kishë, ndaj edhe jeta jonë është e sëmurë dhe kisha është e dobët. Ka shumë gjëra, që mund ta shkatërrojnë kishën nga brenda, por le t’i hedhim një sy pesë prej tyre.
Ata që nuk vijnë rregullisht në kishë
“Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:24-25).
Është për t’u kënaqur tek sheh besimtarët, që përpiqen për të shkuar në kishë të dielën, por edhe studimi biblik dhe takimi i lutjes janë gjithashtu takime shumë të rëndësishme. Kur vjen puna për të shkuar në takimet e mesjavës, pothuajse çdo kishë vuan nga mungesa e anëtarëve të saj në këto takime. Të mbledhurit bashkë në takime është një shenjë simbolike e të mbledhurit tonë bashkë me Krishtin, kur të vijë. Bashkimi është fuqi. Të mbledhurit bashkë krijon dashuri e paqe, si edhe mundësi për “ta nxitur” njëri-tjetrin për vepra të mira. Pali na shfaq një nga arsyet kryesore pse të krishterët nuk vijnë në kishë: “Por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot,” që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit” (Hebrenjve 3:13). Mëkatarëve nuk iu pëlqen, kur në kishë predikohet shenjtëria dhe drejtësia.
Indiferentët
“Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!” (Zbulesa 3:15).
A tregojmë kujdes për t’u lutur jashtë mureve të kishës? A lutemi për takimet dhe për ata që marrin pjesë në takimet në kishë? Kur ishte hera e fundit, që e morëm Biblën në dorë për ta lexuar dhe për ta studiuar? Indiferenca (apo apatia) jonë ndikon shumë në mënyrën sesi e jetojmë jetën tonë të krishterë në sytë e botës. Dëshmitë e shumë besimtarëve janë shkatërruar e janë bërë të pavlera, për shkak të kësaj indiference. Vetëm Perëndia mund të na shërojë prej një sëmundjeje të tillë vdekjeprurëse. Të jesh indiferent, do të thotë të mos jesh as armik i Krishtit, as i apasionuar pas Tij. Duket sikur je rehat, por, në të vërtetë, ky pozicion është më i rrezikshmi nga të gjithë. Të jesh i vakët, do të thotë t’i jesh afruar zjarrit të shenjtë, por të mos jesh ngrohur fort prej tij e të mos kesh dashuri të vërtetë për Krishtin. Të jesh i vakët, do të thotë se ke fe të mjaftueshme për t’iu treguar të tjerëve nga ana e jashtme e për ta vënë ndërgjegjen tënde në gjumin e një sigurie fallco, që nuk ta shpëton dot shpirtin: “Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime” (Zbulesa 3:16).
Ata që e duan botën
“Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të” (1 Gjonit 2:15).
Bota iu ka mësuar besimtarëve, që t’i vlerësojnë gjërat e korruptuara të jetës, si p.sh. pasurinë, pronën apo trupin. Po ne, kë vlerësojmë mbi të gjitha? A jemi gati ta sakrifikojmë gjithçka për hatrin e Krishtit? Po nuk qemë gati për ta sakrifikuar gjithçka, atëherë jemi fajtorë, ngaqë, duke dashur botën, jemi bërë armiq të Perëndisë. Bota, e mbushur me dëshira të liga, lakmi, kënaqësi dhe krenari, urrehet prej Atit Qiellor. Prandaj nuk mund ta duam dot si Perëndinë, ashtu edhe botën. Xhon Ueslli ka shkruar: “Mos e doni botën – I shkoni pas fitores, duke e mposhtur botën. Nëse ndokush do botën – ai që kërkon të gjejë lumturi në ato gjëra që duken, nuk e do Perëndinë” (Shënime mbi Dhiatën e Re).
Të pabesët
“Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le” (Zbulesa 2:4).
Të gjithë e mbajmë mend ditën, kur erdhëm tek Krishti për shpëtim. Ishim të mbushur plot me gëzim e lumturi, ngaqë e dinim se mëkatet na ishin larë në gjakun e shtrenjtë të Krishtit. Ishim gati të ngriheshim në këmbë e të deklaronim se e donim Zotin me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin e me gjithë forcën tonë. Por në zemrën tonë ndodhi diçka. Ashtu si kisha në Efes, edhe ne mund të kemi shumë gjëra për të cilat ia vlen të na lavdërojnë, por Perëndia thotë: “E megjithatë…”. Kjo tregon se mbi rrobat tona të pastra tani ka rënë një njollë. Nuk ka pse të vazhdojmë të qëndrojmë në një gjendje të tillë. Përkundrazi, duhet të marrim vendim për t’i vëmë nëpër vijë punët: “Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:5).
Grindavecët
“Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet. Sepse më është treguar për ju, o vë-llezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje… “Në fakt, sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?” (1 Korintasve 1:10-11 dhe 3:3).
Me anë të grindjeve e përçarjeve, kishat po e lejojnë Satanain që t’iua grabisë bekimet e Perëndisë. Edhe mund të mbijetojmë, duke patur problemet e përmendura më lart, por grindja, smira dhe inati sjellin ogur të zi për çdo kishë. Satanai gjithmonë është përpjekur për të shkaktuar grindje e përçarje mes të krishterëve. Kjo është një nga mjetet e tij kryesore kundër përhapjes së fjalës së Perëndisë. Ata që grinden, e vërtetojnë se nuk e njohin Zotin. Grindavecët flasin e sillen si ata të botës. Perëndia nuk vepron në një kishë, ku mbizotëron grindja e përçarja: “Që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:4)… “Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim. Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin” (Galatasve 5:25-26). Mateo Henri, duke komentuar mbi këtë varg, thotë kështu: “Të shumtë janë ata, që e quajnë veten të krishterë, madje edhe predikues, që e vërtetojnë se janë akoma të mishit, duke u mburrur e duke mbajtur mëri, të gatshëm për t’u zënë e për të folur keq për të tjerët”.
Përfundim
Këto pesë tipe besimtarësh duhet të na bëhen nxitje, për ta përmirësuar jetën tonë të krishterë. Mënyra sesi e jetojmë jetën tonë private, ndikon shumë në marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe me njerëzit e Tij. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos e harxhojmë kohën, duke kujtuar se jemi të krishterë. Krishtërimi nuk është vetëm për ditën e djelë, por për çdo ditë të jetës sonë: “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



