Pesë gjërat, që nuk mund të gjenden dot në Ferr
Teksti: Luka 16:19-31
Parathënie
Të gjithëve na është garantuar një gjë: një ditë, do të largohemi nga kjo botë dhe do të qëndrojmë përpara Krijuesit tonë: “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27). Do të vdesim, pavarësisht nga pozita që kemi tani në jetë: “Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt… Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën. Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë” (Jobit 21:23, 25-26). Shumica e njerëzve kujtojnë se janë njerëz të mirë, të destinuar për në Parajsë. Ka të tjerë që nuk besojnë fare se egziston Ferri. Ndoshta mund të na habisë fakti se Zoti Jezus Krisht foli më shumë për Ferrin, sesa për Parajsën. Ja, pra, kaq serioze është kjo çështje.
Shënim: Kjo histori (Luka 16:19-31) ka të ngjarë të jetë thjesht një shëmbëlltyrë, por e bazuar në ngjarje të vërteta. Gjithashtu, jemi të prirur për ta konsideruar gjirin e Abrahamit (d.m.th. Parajsën) si një vend me dy zona: njëra zonë, ku shkojnë besimtarët, kurse tjetra, ku shkojnë ata që nuk besojnë. Por, po ta lexojmë me vëmendje tekstin, e shohim se shpirti i lypësit kishte shkuar në gjirin e Abrahamit, ndërsa trupi i pasanikut ishte i varrosur në një varr të kushtueshëm, por shpirti i tij kishte shkuar në Ferr (vargu 22). Fati i përjetshëm i të dyve nuk kthehej dot mbrapsht pas vdekjes.
Në Ferr nuk ka ngushëllim
“Por Abrahami thoshte: “O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan” (Luka 16:25). Vini re se si pasaniku, sa ishte gjallë, kishte të gjitha të mirat: pasuri, rroba të shtrenjta e të modës dhe ushqim të mirë. Por, asnjë nga këto gjëra nuk udhëtuan bashkë me të në Ferr. Tani ai nuk mund të kënaqej dot me llukse të tilla. Përkundrazi, për rrisk i ranë mundime të përjetshme. E kishte kaluar jetën në tokë, duke menduar vetëm për veten. Kishte marrë vendime të gabuara, e tani po vuante pasojat. Ata që nuk besojnë, shpesh bëjnë pyetjen: “Si ka mundësi që një Perëndi i dashurisë t’i lejojë krijesat e Tij që të vuajnë në Ferr?” Por pyetja qëndron këtu: E pse të mos i lejojë Perëndia krijesa të tilla? Ferri vërtet që nuk i përshtatet dashurisë së Perëndisë, por është pasojë e drejtpërsëdrejtë e asaj dashurie.
Në Ferr nuk ka paqe
“Atëherë ai bërtiti dhe tha: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë” (Luka 16:24). A e imagjinoni dot se si mund t’i lehtësojë mundimet e Ferrit një pikë uji? Në Ferr, nuk ka paqe, por, përkundrazi, ka mundim të vazhdueshëm, ankth dhe pikëllim. Paqja duhet gjetur në këtë anë të përjetësisë (në tokë). Ajo gjendet vetëm në Krishtin: “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).
Në Ferr nuk ka mëshirë
“Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne” (Luka 16:26). Nuk egziston mundësia qoftë edhe e mëshirës më të vogël ndaj atyre që shkojnë në Ferr. Ata që mëkatojnë, duke e mohuar Krishtin, e nënvleftësojnë dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë: “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote” (Vajtimet 3:22-23). Një ditë, mëshirës së Tij ndaj rebelëve do t’i vijë fundi. Xhonatan Eduarts ka thënë: “Këtu në tokë, të gjithë gjykatësit tregojnë sadopak mëshirë. Por zemërimi i Perëndisë do të derdhet pa mëshirë mbi kokat e mëkatarëve. Pa imagjinojeni veten të futur në një furrë sobe vetëm për një çerek ore, me trupin që ju digjet si thëngjill i ndezur, ndërkohë që, gjatë gjithë kësaj kohe, jeni plotësisht i vetëdijshëm për atë që po ju ndodh. Ç’tmerr do të ndjenit! O, sa do t’ju pikëllohej zemra, po ta dinit se edhe pas miliona vitesh, mundimit tuaj nuk do t’i vinte kurrë fundi! Por, mundimi juaj në Ferr do të jetë edhe më i madh sesa ky shembull që ju dhashë unë”.
Në Ferr nuk ka shoqëri
Pasaniku vdiq në vetmi (Luka 16:22). Edhe pse shumë prej shokëve të tij më në fund arritën në të njëjtin vend, ku ndodhej edhe ai vetë, prapëseprapë ai nuk i shihte dot. Nuk kishte asnjeri afër, që ta ndihmonte. Ka patur shumë raste, kur i kemi dëgjuar budallenjtë të thonë: “Nuk e çaj kokën fare, nëse shkoj apo jo në Ferr. Të gjithë shokët e mi do të jenë aty me mua”. Në Ferr, nuk ka shoqëri. Ferri është një burg i përjetshëm, në të cilin askush nuk vjen dot për vizitë, e nga i cili nuk ka shpresë daljeje (Luka 16:26).
Në Ferr nuk ka shpresë
“Por ai i tha: “Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti, sepse unë kam pesë vëllezër e le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh” (Luka 16:27-28). Ata që vuajnë në Ferr, nuk kanë qejf ta marrin vesh se edhe të afërmit e tyre janë aty, në Ferr, me ta. Në të njëjtën kohë, atyre as që nuk i jepet dot mundësia që ta marrin vesh nëse ndonjëri prej të afërmve të tyre ia ka falur jetën e vet Zotit (d.m.th. është bërë besimtar i krishterë). Ferri është një vend, ku mungon plotësisht çdo lloj shprese: “Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde” (Isaia 38:18).
Përfundim
Me ç’lloj metode do të arrijnë të besojnë njerëzit në Krishtin, për t’iu shpëtuar mundimeve të Ferrit? Mos, vallë, do të binden, duke parë mrekulli të mëdha, apo duke dëgjuar predikues të famshëm? Ndoshta do ta pranojnë Krishtin, nëse njëri prej të afërmve iu kthehet nga varri! Fakti qëndron këtu: nuk kanë për të besuar, po qe se nuk duan të besojnë: “Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata”. Ai tha: “Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen”. Atëherë ai i tha: “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish”” (Luka 16:29-31).
Pse nuk duan të besojnë? Ngaqë e duan shumë mëkatin: “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:19-20). Mungesa e besimit vjen, jo nga mungesa e dëshmive dhe e provave në favor të besimit, por nga prania e një zemre rebele e mëkatare. Ateisti, Isak Asimov, ka thënë: “Nuk besoj në jetën pas vdekjes, prandaj edhe nuk e kaloj kohën, duke patur frikë qoftë nga ferri, qoftë nga parajsa. Sepse, sado të tmerrshme të jenë torturat e Ferrit, mendoj se mërzia e parajsës do të jetë akoma edhe më e madhe”. Por, ky ateist, do të qëndrojë një ditë para Fronit të Gjyqit, pavarësisht nëse beson apo jo në egzistencën e Ferrit, a të Parajsës. Në një pllakatë jashtë një kishe, shkruhet: “Si do ta kaloni përjetësinë? Duke u pjekur?”
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



