Përshëndetje

Categories: Letra e Thessalonikasve

“Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.” (2 Thesalonikasve 1:1-2).

Parathënie
Kjo letër e dytë drejtuar kishës së Thesalonikasve ka mundësi të jetë shkruar ca muaj pas asaj të parës. Kjo letër ka të bëjë me probleme akoma edhe më të vështira, me të cilat po ballafaqohej kisha, sidomos me ato probleme të shkaktuara prej mësuesve të rremë, të cilët po deklaronin se ardhja e dytë e Krishtit kishte kohë që kishte ndodhur. Deklarata të tilla kishin shkaktuar konfuzion mes besimtarëve, prandaj edhe Pali iu shkroi atyre një letër tjetër, për t’iu sqaruar edhe më shumë çështje të tilla të rëndësishme, si edhe për të shkatërruar bazën, mbi të cilat mbështeteshin këto mësime të rrema. 

Qëllimi i letrës
Kjo letër përmban të njëjtat tema, si edhe letra e parë, por duke e përforcuar edhe më shumë të vërtetën. Nuk është gabim t’i kujtosh herë pas here të vërtetat themeltare: “Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri” (Filipianëve 3:1). Letra e dytë drejtuar thesalonikasve ka një qëllim të trefishtë: 1) për ta inkurajuar kishën, e cila ishte e re në besim e, si pasojë, ishte e prirur drejt mësimeve të rreme. Për më tepër, si kishë e re, kjo kishë ishte e prirur për të rënë në tundim e për ta braktisur shpejt besimin, për shkak të përndjekjeve e persekucionit të drejtuar kundër saj. 2) për t’i nxitur besimtarët, që të jetonin një jetë të shenjtë e të disiplinuar, pavarësisht nga vështirësitë që po kalonin. 3) për t’i shkatërruar mësimet e rreme, që kishin të bënin me ardhjen e dytë të Krishtit.
Në letrën e tij të parë, Pali na portretizohet si një nënë, që kujdeset për fëmijën e saj: “Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj” (1 Thesalonikasve 2:7). Por, në këtë letër, ai na shfaqet më shumë si një baba, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse t’i disiplinojë fëmijët e tij të pabindshëm.

Perëndia Ati Ynë
Pali përdor pothuajse të njëjtën mënyrë përshëndetjeje, si edhe në letrën e tij të parë drejtuar thesalonikasve: “Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht” (1 Thesalonikasve 1:1). I vetmi dallim është se në këtë letër të dytë, ai përdor shprehjen “Perëndinë Atin tonë”, në vend të shprehjes “Perëndinë Atë”. Ndoshta ai kërkon të vërë në dukje faktin se Perëndia është një Perëndi personal. Duke përdorur përemrin “tonë”, ai kërkon t’iu thotë besimtarëve thesalonikas se edhe ata i përkasin Perëndisë dhe vlerësohen shumë prej Tij. Ndoshta ata e kishin harruar se ai e përshkroi Perëndinë po në të njëjtën mënyrë edhe tek letra e tij e parë: “Për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij” (1 Thesalonikasve 3:13).
Përdorimi i shprehjes “Atin tonë” përforcon gjithashtu faktin se Perëndia është Ati ynë, e jo thjesht Ati i Zotit Jezus Krisht. Përsëri, pra, e shohim se kjo na tregon se marrëdhënia, që kemi me Perëndinë e Gjithëpushtetshëm, është një marrëdhënie personale. E kemi si privilegj ta thërrasim Atë “Ati ynë”, ashtu siç thuhet edhe në lutjen e dishepullit (Mateu 6:9-13). Vetëm një fëmijë i vërtetë i Perëndisë, mund ta thërrasë Perëndinë “Atë”. Prandaj edhe Pali i inkurajoi besimtarët që ta thërrisnin Perëndinë “Aba”. “Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë” (Romakëve 8:15-16)… “Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!” (Galatasve 4:6). Të njëjtin titull i dha edhe Jezusi Atit të Tij, kur u lut: “Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!” (Marku 14:36). Kështu pra, në bazë të këtyre vargjeve, vetëm ai, që është “në” Krishtin, mund ta quajë Perëndinë “Aba”. Është interesant fakti se në gjuhën aramease, fjala “Aba” do të thotë “O Atë”. Kjo është një nga shenjat, që tregon se mëkatarët që janë penduar për mëkatin, janë vërtet të rilindur dhe janë të bekuar, ashtu siç thotë edhe Gjon Uesli, për t’iu afruar “Perëndisë, si me besimin, ashtu edhe me mënyrën e sjelljes, së një fëmije të bindur”.   

Përfundim
Edhe pse përshëndetja e Palit në letrën e tij të dytë është pothuajse e ngjashme me atë të letrës së parë, prapëseprapë e shohim se ai ka si synim që t’i zgjidhë ato probleme, me të cilat po ballafaqoheshin thesalonikasit. Kjo është një letër më e shkurtër se e para, e megjithatë, është po aq e fuqishme sa edhe letrat e tjera të apostullit. Përpara nesh, ndodhet një thesar i vërtetë mësimesh, ndaj edhe bëjmë mirë t’i lexojmë e t’i vëmë ato në praktikë. Këtë gjë shpresonte edhe Pali prej besimtarëve thesalonikas.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 

Author: magda maylam

Leave a Reply