Perfeksionizmi
Parathënie
Fjalori anglisht i Oksfordit e përkufizon kështu ‘perfeksionizmin’: “Një lloj doktrine, që thotë se përsosmëria morale, shoqërore, apo politike është e arritshme”. Një besimtar, jeta e të cilit mbizotërohet prej manisë për të qenë i përsosur, e jeton jetën e vet, duke u bazuar në ligje të nxjerra prej njerëzve, në vend që të drejtohet prej bindjes ndaj Frymën e Perëndisë. Vans Havner ka thënë: “Ka shumë kisha, që e kanë filluar jetën në Frymë, por që përpiqen të bëhen të përsosur në mish (d.m.th. me forcat e veta)”. Nuk është shumë vështirë të largohesh prej rrugës së shenjtërisë dhe të bindjes.
Sa të përsosur?
Perfeksionistat (ata që s’kënaqen dot lehtë) besojnë se Perëndia nuk mund t’i përdorë, apo Ai nuk mund të sjellë dot ringjallje, po qe se ata dhe kisha nuk janë 100% të përsosur. Kur lutjet e tyre për ringjallje nuk marrin përgjigje, atëherë, sipas tyre, fajin e kanë ata besimtarë, të cilëve iu mungon besimi, apo shenjtëria. Kjo lloj sjellje nga ana e perfeksionistave, në vend që të përhapë më shumë dëshirë për t’i shërbyer Perëndisë, shkakton një ndjenjë faji dhe dënimi brenda kishës, duke e shkatërruar kështu punën e Perëndisë, pikërisht në atë vend, ku duhet të fillojë. Perfeksionistat gjithmonë synojnë të gjejnë gabime tek të tjerët dhe, sipas tyre, i gjejnë gjithmonë këto gabime!
Besimtari nuk është thirrur, që ta përcaktojë standartin e jetesës së shenjtë, duke synuar vazhdimisht drejt përsosmërisë absolute. Përkundrazi, ai është thirrur drejt bindjes (ndaj Perëndisë). Jemi të përsosur, atëherë kur i bindemi Frymës së Shenjtë dhe Biblës: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14)… “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Nuk ka kurrë përsosmëri, aty ku mbizotëron frika, ndjenja e fajit dhe dënimi: “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (1 Gjonit 4:18).
Ç’pret prej nesh Perëndia?
Prej nesh Perëndia pret dashuri, besnikëri dhe bindje. Ai nuk pret idenë tonë lidhur me përsosmërinë. Jezusi na thotë se duhet të synojmë për të qenë të përsosur: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48). Por kjo lloj përsosmërie, apo shenjtërie vjen nga bindja jonë e përditshme ndaj Zotit: “Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:14-16). Po qe se përsosmëria jonë nuk bazohet në këtë bindje, atëherë do ta konsiderojmë veten të padenjë për t’u përdorur prej Perëndisë. Apostulli Pal shkroi kështu rreth vetes: “Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti” (Filipianëve 3:12). E megjithatë, ai u përdor fuqishëm prej Perëndisë, për t’iu sjellë të humburve Ungjillin, si edhe për të shkruar shumë prej letrave të Dhiatës së Re. Para se të takohej me Krishtin, edhe Pali ishte një perfeksionist. Ishte një njeri, që donte të ishte i përsosur. Tek Romakëve 7, ai thotë: “Jam përpjekur të bëhem i përsosur, të bëhem i mirë, por, prapëseprapë, sado që përpiqem, nuk mundem ta arrij dot kurrë këtë gjë. Pse nuk mund të bëhem dot aq i mirë sa ç’duhet?” Pastaj, ai thërret: “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (Romakëve 7:24). Edhe ne mund ta krahasojmë luftën tonë me luftën e Palit për të jetuar një jetë të shenjtë. Të qënit perfeksionist është një barrë shumë e madhe, që mishi s’e mbart dot vetë, prandaj edhe Pali shtoi: “I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit. Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 7:25 - 8:1). Duke komentuar mbi të qënit i përsosur brenda kishës, J.C. Raill ka shkruar: “Lidhur me përsosmërinë absolute, në çdo epokë, shenjtorët më të shquar të Perëndisë kanë qenë gjithmonë të fundit fare për ta deklaruar se janë të përsosur! Përkundrazi, këta shenjtorë gjithmonë e kanë ndjerë se janë plotësisht të padenjë dhe të papërkryer. Sa më shumë dritë shpirtërore që të kenë shijuar, aq më shumë i kanë vënë re defektet dhe dështimet e tyre të panumërta”.
Ndoshta edhe ne jemi fajtorë, ngaqë kemi pritur të bëhemi menjëherë të përsosur, në vend që të jetojmë një jetë bindjeje të përditshme ndaj Perëndisë. Mund të ndihemi se tani jemi më të shenjtë nga ç’ishim më parë, por, po qe se Perëndia do ta drejtonte tërë dritën e shenjtërisë së Tij mbi jetën tonë, atëherë do ta merrnim edhe një herë në konsideratë atë që ndjejmë lidhur me veten. Perfeksionistat e vështirësojnë të jetuarit e jetës së krishterë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30)… “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur” (Psalmi 103:13-14).
Çdo besimtar ka nevojë të ketë një marrëdhënie të shëndetshme me Perëndinë. Secili prej nesh është tamam si një diamant i ashpër, derisa Zoti fillon e na lëmon, për të na bërë të vlefshëm. Në gjendjen e tij natyrale, diamanti i ngjason gurit, por, pasi pritet, bukuria e tij e fshehur fillon të duket. Madje edhe atëherë, guri i diamantit duhet të kalojë nëpërmjet një proçesi përfundimtar, në mënyrë që të japë shkëlqimin dhe vlerën e tij të plotë. Kjo arrihet nga një mjeshtër me përvojë, i cili e pastron gurin me vegla të ashpra e mprehëse. Ky proçes mund të zgjasë shumë kohë, varet nga cilësia, që dëshiron personi, që do ta përdorë diamantin. Nëse diamanti do të përgatitet për mbretin, atëherë duhet shumë kohë e shumë kujdes, që ai të bëhet i përsosur.
Shenjtëria nuk është përsosmëri
1 Pjetrit 1:13-15 thotë: “Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit. Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj”. Secili prej nesh do të ballafaqohet në jetën e tij me situata, që do të vënë në dukje dobësitë tona. Por nuk duhet ta përdorim këtë si justifikim për të hequr dorë nga të ecurit në shenjtëri dhe nga të synuarit e shenjtërisë.
Perfeksionistat mund të kujtojnë se po jetojnë një jetë të shenjtë, por, përkundrazi, ata po përpiqen të jetojnë për Perëndinë, nëpërmjet një serie rregullash, që i kanë thurur vetë: “Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet, duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre. Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit” (Mateu 23:1-7). Farisenjtë e konsideronin veten si njerëz të shenjtë. Kështu konsideroheshin edhe prej të tjerëve. Por, në të vërtetë, shenjtëria e tyre nuk ishte gjë tjetër veçse perfeksionizëm fetar, të cilin Jezusi e quajti hipokrizi: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë” (Mateu 23:14).
Është kollaj të shkojmë nga shenjtëria drejt perfeksionizmit të fariseut dhe të skribit: “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit” (Mateu 15:8-9). Duhet të tregojmë kujdes, që të mos mburremi për ato që bëjmë, si fariseu, sepse kështu ia grabisim lavdinë Perëndisë.
Përfundim
“O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit? A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?” (Galatasve 3:1-3). Perëndia nuk pret që të jemi të përsosur, para se të na përdorë. Po t’iu hedhim një sy dishepujve, do ta shohim se kjo thënie është e vërtetë. Edhe ata bënë gabime, nuk i kuptuan si duhej fjalët e Krishtit, madje e mohuan dhe e tradhtuan Atë. Ishin njerëz, që kishin të meta në jetën e tyre, e prapëseprapë, Jezusi i zgjodhi për të ndërtuar kishën e Tij. Po të kishte dashur përsosmëri, Perëndia nuk do t’i kishte zgjedhur kurrë këta dishepuj. Përkundrazi, Ai i deshi dhe i pranoi ashtu siç ishin. J.C. Raill ka shkruar po prapë: “Disa prej fëmijëve të Perëndisë dëshpërohen, kur e ndjejnë se nuk do ta arrijnë dot kurrë këtë lloj ‘përsosmërie’. Ka nga ata vëllezër të tjerë besimtarë, që mburren, duke kujtuar se janë të përsosur. Me pak fjalë, pra, kjo lloj ‘përsosmërie’ është një iluzion i rrezikshëm”.
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



