Perëndia i Gjallë
“Sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë” (1 Thesalonikasve 1:9)…“O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta” (Veprat e Apostujve 14:15).
Parathënie
Jeta egziston vetëm në planetin tokë. Jeta vjen vetëm nga Perëndia. Për shekuj me rradhë, shkenca është përpjekur për të vërtetuar se Bibla e ka gabim. Me miliarda lekë janë shpenzuar për të gjetur qënie jashtëtokësore në planete të tjerë, por pa sukses. Përpjekje të tilla janë budallallëk. Teoria e evolucionit na sugjeron se jeta u shfaq në mënyrë spontane, si rezultat i një shpërthimi të madh mitologjik. Por është e pamundur që jeta të prodhohet nga asgjëja.
Bibla vazhdon akoma të na japë përgjigjen: Perëndia i Gjallë, i cili krijoi qiellin, tokën, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta, është origjina e jetës: “Pastaj Perëndia tha: “Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore”. Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë” (Zanafilla 1:20-21)… “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7).
Perëndia i gjallë është origjina e jetës njerëzore
“Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27).
Nuk i përulemi një statuje prej mermeri, apo një imazhi pa jetë (një idhulli), që as nuk shikon, as nuk dëgjon, as nuk ndjen, as nuk mendon dot. Nuk adhurojmë as natyrën (kjo mënyrë adhurimi quhet panteizëm), as njeriun (p.sh. një hero). Adhurojmë Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë, që na krijoi, që na mbron, që na do, që dëgjon lutjet tona dhe që ndërhyn për të na ndihmuar: “Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij” (Jeremia 10:10). Pasi Perëndia e çliroi Danielin nga shpella e luanëve, mbreti Dar shkroi kështu: “Atëherë mbreti Dar u shkroi tërë popujve, kombeve dhe gjuhëve që banonin në gjithë dheun: “Paqja juaj qoftë e madhe! Unë dekretoj që në të gjithë sundimin e mbretërisë sime të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë të Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë dhe sundimi i tij nuk do të ketë fund kurrë. Ai çliron, shpëton dhe kryen shenja dhe mrekulli në qiell dhe në tokë; është ai që e çliroi Danielin nga fuqia e luanëve” (Danieli 6:25-27).
Perëndia i gjallë i ka folur njeriut
Në kohën kur besëlidhja e vjetër iu dha popullit të Izraelit, ata dëgjuan “zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit” (Ligji i Përtërirë 5:26).
Kur Jezusi erdhi si Shpëtimtar i botës, u dëgjua zëri i Perëndisë, që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17). Pjetri, Jakobi dhe Gjoni dëgjuan zërin e Perëndisë, në momentin kur Jezusi u shpërfytyrua para tyre: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!” (Mateu 17:5). Në letrën e tij të dytë, Pjetri dëshmon se: “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja, duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:16-21).
Perëndia i gjallë i ka folur gjithmonë njeriut. Mesazhi i Tij është i ruajtur në shkrimet e profetëve. Nuk na lejohet që ta interpretojmë Biblën ashtu si të na dojë qejfi, sepse fjala e Perëndisë ka një kuptim të caktuar, ndaj edhe njeriu mundet që ta kuptojë lehtë. Por interpretimet e veçanta të njerëzve zakonisht ta bëjnë mendjen lëmsh. Jeremia i paralajmëroi njerëzit: “Keni shtrembëruar fjalët e Perëndisë të gjallë, Zoti i ushtrive, Perëndia ynë” (Jeremia 23:36) dhe për këtë arsye, Perëndia thotë: “Ja, unë do t’ju harroj plotësisht dhe do t’ju hedh larg fytyrës sime, ju dhe qytetin që ju kisha dhënë juve dhe etërve tuaj” (Jeremia 23:39). Nëse ne nuk duam ta dëgjojmë Perëndinë e gjallë, atëherë për ç’arsye duhet që të na dëgjojë Ai ne?
Pjetri bën fjalë për ata njerëz të paditur e të paqëndrueshëm, që e shtrembërojnë Biblën, duke i bërë dëm kështu vetëm vetes (shikoni 2 Pjetrit 3:16). Nuk duhet t’i ndryshojmë, apo t’i shtrembërojmë fjalët e Perëndisë së gjallë. Kur flasim me Perëndinë gjatë lutjes, ulim kokën në shenjë përuljeje para Tij. Duhet të tregohemi edhe më të respektueshëm e më të përulur, kur është Perëndia Ai që na flet, gjatë leximit, studimit apo mësimit të Biblës.
Do të gjykohemi një ditë me anë të fjalës së gjallë: “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:12-13).
Perëndia i Gjallë është shfaqur në Jezus Krishtin
“Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjoni 1:18). Rrëfimi i Pjetrit duhet të zbatohet prej të gjithë të krishterëve: “Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Mateu 16:16)… “Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Gjoni 6:69).
Vetëm nëpërmjet Krishtit, si Judenjtë, ashtu edhe jo-hebrenjtë mund të bëhen bij e bija të Perëndisë: “Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: “Ju nuk jeni populli im,” atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë” (Romakëve 9:26). Këtu bazohet edhe besimi ynë: “Kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve” (1 Timoteut 4:10)… “Aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!” (Hebrenjve 9:14).
Ky pastrim i bën të krishterët që të jenë “tempulli i Perëndisë së gjallë” (2 Korintasve 6:16). Jemi anëtarë të shtëpisë së Perëndisë, “që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Timoteut 3:15).
Përfundim
I shërbejmë Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë, që krijoi qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që egziston në to. Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe, ashtu si autori i këtyre psalmeve, edhe ne kemi mall për Atin tonë: “Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?” (Psalmi 42:2)… “Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë” (Psalmi 84:2).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



