Pastërtia e vënë në praktikë
“Jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë, dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam” (1 Thesalonikasve 4:5-7).
Parathënie
Në këtë studim, do të shohim se në ç’mënyrë mund të vihet në praktikë pastërtia personale në jetën tonë të përditshme. Pali na përshkruan mëkatet më të zakonshme të shoqërisë, pasionet e sëmura, papastërtitë dhe mënyrën se si i krishteri duhet të ketë norma më të larta morale sesa ata që nuk besojnë. Oskar Uailld, i cili ia fali jetën homoseksualitetit, ka shkruar kështu: “Kur më deshte qejfi, i shkoja pas kënaqësisë dhe vazhdoja në të… Nuk isha më zot i vetes. Nuk e komandoja më unë shpirtin tim. Nuk e dija se ç’po më ndodhte. E lashë kënaqësinë të më sundonte. Përfundova me turp të patreguar”.
Pasione të sëmura
Shprehja “pasione epshi”, apo “dëshira të këqija” ka të bëjë me forcën lëvizëse, që i shtyn sot njerëzit. Këtë lloj dëshire mund ta quajmë “instinkt kafshe”, sepse ata që sundohen prej kësaj dëshire e kanë mendjen të mbushur me fëlliqësitë e kësaj bote. Besimtari duhet ta ketë vazhdimisht nën kontroll një mëkat të tillë: “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” (Kolosianëve 3:5). Këto lloj pasionesh të sëmura të çojnë vetëm në një drejtim, d.m.th. larg Perëndisë dhe drejt ndëshkimit: “Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre” (Romakëve 1:24). E vetmja mënyrë për t’iu bërë ballë këtyre dëshirave, është kjo: “Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16)… “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë” (Titit 2:11-12).
E dimë mirë se nuk duhet të shkojmë pas standarteve morale të botës, sepse, përndryshe, zemërimi i Perëndisë do të bjerë mbi kokat tona: “Ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët” (Efesianëve 2:3). E kemi për detyrë, që t’i mbajmë nën kontroll instinktet tona njerëzore, e jo t’i lëmë ato të lira, që të na shkatërrojnë. A duhet të sillemi si ata, që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar?
Papastërtia
Këtu Pali e ka fjalën për kurvërinë, apo të lakmuarit e gruas së dikujt tjetri. Sot, martesës i ka rënë fare vlera. Pothuajse të gjithë njerëzit e konsiderojnë kurvërinë si diçka normale. Ata që nuk besojnë, ia ‘hedhin’ njëri-tjetrit dhe kujtojnë se kjo është një gjë për të qeshur. Madje, situata të tilla shfaqen hapur në televizor. Por, këta njerëz, jo vetëm që shkatërrojnë veten, por shkatërrojnë edhe ata që i rrethojnë (bashkëshortin, apo bashkëshorten, fëmijët, familjen dhe miqtë). Pa pikë turpi, ata e shkelin urdhërimin, që thotë: “Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd” (Eksodi 20:17). Ata, që e çnderojnë Perëndinë, duke shkelur urdhërimin e parë, çnderojnë gjithashtu edhe të afërmin, duke shkelur urdhërimin e fundit.
Perëndia do t’i gjykojë të gjithë ata, që merren me papastërti, prandaj edhe besimtari duhet t’i rrijë larg këtij lloj mëkati. Jemi çliruar prej pellgut të mëkatit e të ligësisë, ndaj është e rëndësishme që të jetojmë ashtu siç e kërkon Zoti: “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Galatasve 5:19-21).
Thirrja e Perëndisë
Jemi thirrur për të jetuar jetë të shenjta, jo jetë të papastra. Shenjtëria është e kundërta e vlerave dhe e standarteve të botës, që nuk beson. E çnderojmë Perëndinë, kur e çnderojmë trupin, që na ka dhënë Ai: “A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu! A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm”. Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:15-20). Ka dallim të madh mes thirrjes së Perëndisë në jetën tonë dhe epsheve të mishit: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim” (Galatasve 5:22-25).
Përfundim
Pastërtia personale duhet të vihet në praktikë në jetën tonë të përditshme. Nuk ia vlen vetëm që të themi se besojmë në Krishtin, po nuk e praktikuam atë besim! Pak rëndësi ka nëse bota na quan ‘ të dalë jashtë mode’, ngaqë jetojmë një jetë të shenjtë e të pastër. Standartet tona janë më të larta sesa ato të botës. Në fund të fundit, të gjithë një ditë do të qëndrojmë përpara Perëndisë: “Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet” (Romakëve 14:12)… “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



