Para se të vijë Ai
“Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të, të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit. Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.”
(2 Thesalonikasve 2:1-4)
Parathënie
Ne besojmë se Zoti Jezu Krisht do të kthehet një ditë në këtë botë, për të ngritur mbretërinë e Tij mijëvjeçare. Besojmë gjithashtu se disa vite para kësaj ngjarjeje, Zoti do ta rrëmbejë Kishën për në qiell. Në këtë studim, do t’i hedhim një vështrim të shkurtër kushteve që do të egzistojnë mbi tokë para ardhjes së dytë të Krishtit.
Shkelja e ligjit
“Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti” (2 Thesalonikasve 2:7).
Nuk mund ta mohojmë se jetojmë në një epokë kur shkelja e ligjit egziston në mbarë botën. Që nga terrorizmi e deri tek vjedhja më e vogël, të gjithë njerëzit, sikur po bëjnë atë që atyre u duket e drejtë, sidomos kur duket sikur ata që janë në pushtet, janë të pafuqishëm për të zbatuar ligjet e drejta. “Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 21:25). Ata që janë përgjegjës për ruajtjen e ligjit, duket sikur janë gati t’i pengojnë dhe t’i akuzojnë të gjithë ata që duan perëndishmërinë dhe drejtësinë. Çdo komb që e braktis Perëndinë, do të gjejë vetëm të liga të mëdha në rrugët e tij. “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17). Humanizmi, fetë e rreme, dhe ata që bëjnë mirë dhe kujtojnë se janë të shpëtuar, jo vetëm që e kanë verbuar drejtësinë, por ia kanë nxjerrë jashtë sytë komplet asaj.
Rënia
“Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia” (2 Thesalonikasve 2:3).
Shkelja e ligjit gjithmonë të çon në mëkat të madh. Bota është e neveritshme në sytë e Perëndisë dhe qëndron në prag të ndëshkimit. Po ç’mund të themi lidhur me Kishën? Në vend që Kisha t’i japë mësim botës, ajo ndikohet nga bota. Ata që thonë se janë të krishterë, nuk e quajnë gabim të jetuarit sipas të njëjtave standarte si të atyre që nuk janë besimtarë. Mësimet dhe doktrinat e Kishës janë harruar, dhe në vend të tyre egzistojnë ato mësime që të gudulisin veshët: “Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Timoteut 4:3-4). Predikuesit e ditëve të sotme ofrojnë helm të lyer me sheqer, në vend që të predikojnë mësime biblike që të prekin shpirtin. Anëtarët e kishave të sotme dinë gjithçka rreth këngëtarëve të rinj të muzikës rrok, por nuk dinë asgjë rreth Zotit Jezus Krisht.
Frenuesi
“Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet. Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti” (2 Thesalonikasve 2:6-7).
Fryma e Shenjtë ka një shërbesë të dyfishtë. Së pari, Ai i bind njerëzit se janë mëkatarë dhe i bën që të kthen tek Krishti: “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). Së dyti, Ai e ndalon Satanain që të bëjë si t’i dojë qejfi në këtë botë; përndryshe gjendja e kësaj bote do ishte shumë më e keqe.
Ka shumë mundësi që ky ndikim frenues i Frymës së Shenjtë do të largohet nga bota, ndoshta në kohën kur Kisha do të rrëmbehet nga Perëndia për në parajsë, sepse Kisha është tempulli i Frymës: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?” (1 Korintasve 6:19). “Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thesalonikasve 4:14-17).
Heqja e ndikimit frenues të Frymës së Shenjtë duhet të ndodhë para se Krishti të themelojë mbretërinë e Tij mijëvjeçare. Nuk e imagjinojmë dot se sa vështirë do të jetë atëherë kur forcat e demonëve do të lihen të lira mbi tokë. “Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12).
Shfaqja e Antikrishtit
“Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.” (2 Thesalonikasve 2:3-4).
Kapitulli 13 i Zbulesës na tregon diçka reth asaj që do të ndodhë, kur të shfaqet Antikrishti dhe të marrë adhurimin e botës. Edhe pse ai ndoshta nuk do të mund ta ketë nën kontroll të gjithë botën, s’ka dyshim që të gjithë qeveritarët dhe qytetarët e botës do ta përqëndrojnë vëmendjen tek ai. Ai do të adhurohet prej tyre njësoj sikur të ishte perëndi. Mbretëria e Antikrishtit do të zgjasë rreth 7 vjet, dhe do të ngrihet para ardhjes së dytë të Zotit. “Bisha” do të synojë që të kontrollojë jetët e të gjithë atyre që kanë mbetur në botë, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Ai do t’ia arrinte këtij qëllimi, po qe se nuk do të ndërhynte Zoti me ardhjen e Tij.
Shkatërrimi i Antikrishtit
“Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij. Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar” (2 Thesalonikasve 2:8-10).
Zoti do ta shkatërrojë “të paudhin”, kur të kthehet. Mbretëria e tij e ligë do të zhduket përnjëherësh, dhe ai do të hidhet në liqenin e zjarrtë: “Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij. Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur” (Zbulesa 19:19-20).
Përfundim
Shenjat e ditëve të fundit para ardhjes së Krishtit janë kudo përreth nesh. Ritmi gjithnjë e në rritje i “misterit të paudhësisë” nganjëherë edhe na frikëson. Kudo shohim evidenca të “gënjimit të madh” (2 Thesalonikasve 2:11). Mëkati mbizotëron si në botë, ashtu edhe në kishë, dhe të paktë janë ata që synojnë t’i paralajmërojnë të tjerët për pasojat e kësaj shkelje të ligjit. Brezi i sotëm dëshiron gënjeshtrat në vend të së vërtetës, sepse e vërteta e fjalës së Perëndisë iu duket e neveritshme. “Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni3:20-21).
Pavarësisht nga këto kushte, ne e kemi për detyrë të bëjmë dy gjëra: 1) Të vazhdojmë ta predikojmë Ungjillin e Krishtit derisa të vijë Ai: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). 2) Ta ruajmë veten nga çdo veprim dhe standart i ligë i kësaj bote: “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota” (Jakobi 1:27) dhe “që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27).
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



