Pamja e jashtme



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 21.06.2009

“Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: “Po na vjen në mënyrë paqësore?”. Ai u përgjegj “Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim”. Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: “Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij”. Por Zoti i tha Samuelit: “Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën”. Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: “Zoti nuk zgjodhi as këtë”. Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: “Zoti nuk zgjodhi as këtë”. Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: “Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre”. Pastaj Samueli i tha Isait: “A janë këtu tërë bijtë e tu?”. Ai u përgjigj: “Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet”. Samueli i tha Isait: “Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu”” (1 Samuelit 16:4-11).

Parathënie
Profeti Samuel u nis për në Bethlehem, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. U nis me besim në zemër, pa patur më frikë se ç’mund t’i bënte Sauli, po ta merrte vesh qëllimin e vërtetë të vizitës së tij. Samueli ishte i sigurtë se Perëndinë e kishte me vete. Vitet që kishte kaluar në tempullin e Shiholit, e kishin përgatitur profetin për këtë ngjarje të rëndësishme, vajosjen e Davidit, prej familjes së të cilit do të vinte edhe Mesia.

Pleqtë e shqetësuar
Pleqtë e Bethlehemit u shqetësuan menjëherë, kur e panë se ky profet i shquar kishte ardhur për vizitë në qytetin e tyre. Ndoshta kujtuan se ai kishte ardhur për t’i gjykuar e për të derdhur mbi ta zemërimin e Perëndisë. Lidhur me këtë, Gjon Uesli ka shkruar: “Bethlehemi ishte në qytet i humbur, larg prej banesës së Samuelit, ndaj edhe banorëve të tij iu duk e çuditshme dhe e papritur vizita e profetit. Ata, me të drejtë, kujtuan se Samueli kishte një arsye të jashtëzakonshme, që kishte ardhur”. Fjala “u dridhën” (në hebraisht “charad”) do të thotë “të dridhesh e të të rrënqethet trupi nga frika”.
Pyetja që i bënë ata Samuelit, “Po na vjen në mënyrë paqësore?”, na tregon shqetësimin dhe merakun e madh që kishin ata, tek po takoheshin ndoshta për herë të parë me njeriun e Perëndisë. Por kjo pyetje i dha mundësinë Samuelit, që t’iu thoshte atyre pikërisht atë, që i kishte udhëzuar Zoti. Ai iua hoqi frikën, duke iu treguar me gisht mëshqerren dhe duke iu thënë se kishte ardhur për t’ia ofruar atë Zotit. Supozimi i tyre i mëparshëm rreth vizitës së Samuelit kishte dalë i gabuar. Kishin arritur në një konkluzion të gabuar, gjë që na tregon se shpeshherë të gjykuarit e gjërave nga pamja e jashtme na çon në rrugë të gabuar.

Shenjtërimi i familjes së Isait
Anëtarët e familjes së Isait u ndanë veçant. Atyre iu kushtua një vëmendje e veçantë. Shprehja “vuri të pastohen” do të thotë se ata e lanë trupin me ujë të pastër, veshën rroba të lara dhe u penduan për mëkatet e tyre, para se të lejoheshin të merrnin pjesë në gosti. “Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat” (Eksodi 19:10). Samueli e pastroi (e shenjtëroi) vetë familjen e Isait. Kjo nuk do të thotë se ai i lau vetë anëtarët e kësaj familjeje, por se thjesht ai ose i veçoi ata prej të tjerëve, për një qëllim të caktuar, ose i deklaroi ata të pastër nga ana ceremoniale përpara të gjithëve, pasi kishin kryer vetë këtë rit pastrimi.

Kush do të jetë i vajosuri i Zotit?
Para se të hapej gostia, Samueli kërkoi që t’i dilnin përpara djemtë e Isait. I tha të parit, Eliabit, që t’i dilte përpara. Duke e parë nga ana e jashtme, që ishte i gjatë e i fuqishëm, Eliabi iu duk Samuelit si kandidati më i përshtatshëm për t’u bërë mbret. Pa dyshim, Samuelit iu kujtua momenti, kur e kishte parë Saulin për herë të parë, i cili “që nga supet e lart, ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë” (1 Samuelit 9:2). Perëndia e ndaloi profetin, që ta zgjidhte Eliabin si mbret, ngaqë Ai e njihte Eliabin më mirë se të gjithë të tjerët. Eliabi nuk ishte njeriu, që kishte zgjedhur vetë Perëndia. “Në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve” (1 Mbretërve 8:39)… “Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij” (Psalmi 147:10-11).
Asnjëri prej të shtatë bijve të Isait nuk u pranua prej Perëndisë. Profeti duhet të jetë habitur, kur e pa se asnjëri prej tyre nuk ishte i përshtatshëm për Zotin. Ndoshta, atij iu kujtua përsëri sesi edhe Sauli dikur ishte “fshehur midis bagazheve” (1 Samuelit 10:22), prandaj edhe e kuptoi se Isai diku duhej të kishte edhe një djalë tjetër.

Mbreti i ardhshëm
Isai nuk e kishte quajtur të rëndësishme ta thërriste djalin e tij më të vogël në gosti. Ai kishte kujtuar se, nga pamja e jashtme, Davidi nuk do të dukej i pëlqyeshëm në sytë e Samuelit e të pleqve të qytetit. Madje ka të ngjarë që ai të mos ketë qenë konsideruar i denjë as për t’u pastruar e për t’u shenjtëruar. Mbreti i ardhshëm po kujdesej për delet në kullotë. Djali më i vogël i Isait ishte punëtor, i shkathët dhe trim.
Samueli, me mençurinë e tij, e kuptoi se djali bari mund të ishte ai, që kishte zgjedhur Perëndia, ndaj edhe dërgoi njerëz që ta thërrisnin. Ja pra, këtu shohim një djalë të ri, të cilin Perëndia po e përgatiste për të luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Davidi ishte një bari i mirë, pasardhësi i së cilit do të njihej me emrin “Bariu i Mirë”, që dha “jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11).   

Përfundim
Të gjithë personazhet e këtij studimi po i gjykonin gjërat nga pamja e jashtme. Por Perëndia i kishte sytë e ngulitur mbi atë, që ishte “një njeri simbas zemrës së tij” (1 Samuelit 13:14). Edhe neve mund të na duket vetja si të pafuqishëm e të parëndësishëm, apo të tjerët mund të na konsiderojnë si të tillë. Por ajo që ka vlerë, është ajo, që mendon Perëndia rreth nesh. “A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit” (2 Korintasve 10:7)… “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Korintasve 1:26-29). 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net