Pagëzimi me Frymën e Shenjtë Studimi 4

Categories: STUDIME

Studimi 4

Nevoja për t’u pagëzuar me Frymën e Shenjtë

Parathënie
“Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart” (Luka 24:49). Ky është një premtim shumë i çmuar, që Zoti Jezus iu bëri të gjithë dishepujve të Tij, para se të shkonte në Qiell. Këto fjalë i referohen derdhjes së Frymës së Shenjtë në ditën e Pentikostit dhe, pa dyshim, kanë të bëjnë me pagëzimin me Frymën. “Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë, sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh…Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:4-5, 8). Kjo fuqi hyjnore iu dha pasuesve të Krishtit, me qëllim që ata t’i shërbenin Atij. “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:18-20).

Hapi i dytë
Dishepujt kishin qenë me Jezusin për tre vjet me rradhë. Ishin vetë dëshmitarë të mrekullive të Tij dhe e kishin dëgjuar tek i mësonte njerëzit rreth Mbretërisë së Qiellit dhe mënyrës sesi duhet të silleshin besimtarët, ndërkohë që prisnin kthimin e Tij përsëri në tokë. Kishin patur rezultate të larta në shërbesën e tyre ndaj Krishtit, para se Ai të vdiste në kryq. Kishin shëruar të sëmurët, kishin ringjallur të vdekurit dhe shumë ishin penduar për mëkatin, si rezultat i dëshmisë së tyre. Pse iu duhej, pra, kjo fuqi prej Zotit? Puna qëndronte këtu: i kishin bërë të gjitha këto mrekulli, ngaqë Jezusi kishte qenë me ta. Por tani që Ai ishte ngjitur në Qiell, ata nuk mund të ishin më aq të suksesshëm, pa patur praninë e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre. Nuk mund ta realizonin dot detyrën, që iu kishte caktuar Zoti, pa u pagëzuar me Frymën e Shenjtë. Për ç’arsye, atëherë, kujtojnë besimtarët e sotshëm se mund t’i shërbejnë Krishtit pa patur fuqinë nga lart? Vërtet Zoti mund të na ketë thirrur për t’i shërbyer, por nuk e realizojmë dot detyrën, pa marrë atë që Jezusi iu ka premtuar pasuesve të Vet. Pa imagjinoheni njëherë faktin se as vetë Krishti nuk e filloi shërbesën e Tij tokësore, pa u pagëzuar në ujë dhe me Frymën e Shenjtë, që zbriti mbi Të! (shiko Luka 3). A kemi shembull më të mirë sesa ky?

Presupozimi
Të shumtë janë ata, që janë të angazhuar në shërbesën e Zotit, që drejtojnë Shkollën e së Dielës, që japin mësime biblike, që kryejnë punë misjonare, apo që predikojnë përpara kishës, pa patur fuqinë e Frymës së Perëndisë në jetën e tyre. Njerëz të tillë mund të jenë shumë të zgjuar nga trutë, por a janë vërtet të autorizuar për t’i shërbyer Krishtit? Të shumtë janë ata, që janë thirrur, por të paktë janë ata që janë përgjigjur! Në një gjendje të tillë është edhe kisha e sotshme. Ka nga ata, që ose e ngrenë vetë veten në pozitë, ose ngrihen në pozitë prej të tjerëve, ngaqë duken sikur kanë cilësi apo talente të veçanta, por Zoti nuk i shikon kështu gjërat. “Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7). Kjo nuk do të thotë se njerëz të tillë nuk janë të suksesshëm, por suksesi i tyre gjithmonë ka për të qenë i vogël, në krahasim me suksesin që do të arrinin, po të ishin të pagëzuar me Frymën e Shenjtë.
Na lind pyetja: “A duhet të vazhdojë t’i shërbejë Zotit besimtari, atëherë kur e kupton se nuk është i pagëzuar akoma me Frymën e Shenjtë?” Përgjigja është e thjeshtë: Një besimtar i tillë duhet ta ndalojë çdo lloj aktiviteti që ka lidhje me shërbesën e Perëndisë, derisa të marrë fuqinë prej Tij dhe, për më tepër, një fuqi e tillë duhet të vihet re qartë në jetën e këtij besimtari. Një pritje e tillë për marrjen e pagëzimit nuk është e përcaktuar me orë, apo me ditë, apo me muaj. Përkundrazi, fuqia vjen në momentin kur besimtari ia dorëzon jetën plotësisht Krishtit. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur” (Romakëve 12:1). E vetmja gjë që nevojitet për t’u bërë, është të priturit në praninë e Perëndisë, derisa të vijë bekimi.

Përfundim
Edhe një herë po e përsërisim – premtimi i pagëzimit me Frymën e Shenjtë nuk iu bë vetëm dishepujve, që ndenjën duke pritur në dhomë ditën e Pentikostit. Përkundrazi, ky premtim është i vlefshëm për besimtarët e të gjitha epokave. Ata që janë të angazhuar në shpërhapjen e Ungjillit të Krishtit, duhet të jenë të pagëzuar me Frymën e Perëndisë. “Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (Veprat e Apostujve 2:39). Këtë çështje do ta sqarojmë edhe më hollësisht në studimin e ardhshëm.
Krishtërimi i brezit tonë është në nivelin e fundit. Kishat e sotshme janë thjesht formale, pa jetë. Shumë besimtarë thonë se e kanë marrë fuqinë e Frymës së Shenjtë, por është vështirë ta shohësh këtë fuqi të manifestuar në jetën e tyre. Madje edhe aty ku prania e kësaj fuqie duket sikur egziston, zakonisht është fallco. “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Këtu qëndron sekreti – jetës sonë i nevojitet një derdhje e bollshme e Frymës së Perëndisë.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/

Author: magda maylam

Leave a Reply