Pagesa e çmimit

Categories: Jeta e Davidit

“Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: “Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!”. Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: “Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, Gebuseitit”. Kështu Davidi shkoi, simbas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti. Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë. Pastaj Araunau tha: “Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?”. Davidi u përgjigj: “Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli”. Araunahu i tha Davidit: “Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e olokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru. O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit”. Pastaj Araunahu i tha mbretit: “Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!”. Por mbreti iu përgjigj Araunahut: “Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t’i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë”. Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi. Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit” (2 Samuelit 24:17-25).
 
Parathënie
Siç e theksuam edhe në studimin e mëparshëm, Davidit iu desh të paguante një çmim të lartë për mëkatin e tij, lidhur me regjistrimin e popullsisë. Në këtë studim, Davidin e shohim të gatshëm për të paguar të gjithë çmimin për tokën, në të cilën do të ndërtohej një ditë tempulli i ardhshëm. Pikërisht në këtë vend, pra, Davidi ia përkushton sërish veten Perëndisë.
 
Pendimi
Në këtë pasazh, lexojmë rreth pendimit të Davidit dhe reagimit të Perëndisë ndaj këtij pendimi. Kur njerëzit pendohen me të vërtetë përpara Zotit, Ai i fal dhe e shëron menjëherë vendin e tyre. “Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikasve 7:14)… “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Davidi u pendua, pra, për mëkatin që kishte bërë dhe për hidhërimin, që i kishte shkaktuar popullit. Vini re se si ai nuk ia vuri fajin të tjerëve, por u pendua, kur e pa veten mëkatar në dritën e shenjtërisë së Perëndisë. Edhe mund ta kishte fajësuar popullin, sepse vetë Perëndia ishte i inatosur me Izraelin, për shkak të ligësisë së tyre. Por Davidi e dinte se po të vepronte kështu, do ta gënjente veten dhe Zotin (2 Samuelit 24:1).
 
Çmimi
Profeti Gad i transmetoi Davidit ato fjalë, që i kishte thënë Perëndia, lidhur me ndërtimin e një altari të vogël, i cili në të ardhmen do të bëhej qendra zyrtare e adhurimit për të gjithë Izraelin. Altari duhej të ngrihej pikërisht në atë vend, ku Zoti manifestoi mëshirën e Tij dhe i dha fund murtajës.
Davidi, si mbret që ishte, mund t’i kishte dhënë thjesht urdhër Araunaut, që t’ia falte tokën e vet. Araunau ia ofroi falas, por Davidi e kuptoi se i duhej të paguante një farë çmimi. I dha 50-ë sikla argjendi Araunaut. Një shumë e tillë i referohet peshës së argjendit, jo vetëm thjesht monedhave, sepse tek 1 Kronikasve 21:24-25 lexojmë: “Por mbreti David i tha Ornanit: “Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk ka për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një olokaust që nuk më kushton asgjë”. Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave ari”. Disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se atë ditë u kryen dy pagesa: Davidi i bleu kafshët e flijimit (ose të olokaustit) me argjend, kurse tokën e bleu me ar. Por ky lloj arsyetimi nuk përputhet me historinë në fjalë. Ka mundësi që Davidi t’i ketë dhënë Araunaut (ose Ornanit) dy lloj shifrash pagese, por ka të ngjarë gjithashtu që autorët e 2 Samuelit dhe 1 Kronikasve ta kenë patur fjalën për një pagesë të vetme, pesha e të cilës u mat si me argjend, ashtu edhe me ar.
Davidi nuk donte t’i shërbente Perëndisë pa e zbrazur xhepin, ashtu siç bëjnë shumë sot! Flijimi kushton! “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Pagesa e plotë ishte dëshmi se Davidi ishte penduar me të vërtetë dhe ishte i përkushtuar ndaj Zotit.
Vini re gjithashtu se flijimi i ofruar kishte të bënte me derdhje gjaku. Kështu pra, themelet e tempullit të ardhshëm u lyen me gjakun e kafshëve të flijuara. Kjo ishte mënyra e vetme, me anë të së cilës Perëndia do ta pranonte këtë lloj sakrifice. Kjo ishte e vetmja sakrificë, që e bëri Perëndinë ta tërheqë dorën prej shpatës dhe t’i japë fund gjykimit. Tek 1 Kronikasve 21:26-27 na thuhet se Perëndia u kënaq me ofertën. “Pastaj Davidi ndërtoi aty një altar për Zotin, ofroi olokauste dhe flijime falenderimi dhe kërkoi ndihmën e Zotit, që iu përgjigj me zjarrin që zbriti nga qielli mbi altarin e olokaustit. Atëherë Zoti urdhëroi engjëllin ta fusë përsëri shpatën e tij në myll”. Ne si të krishterë që jemi, e dimë se sakrifica e fundit e flijuar në Jeruzalem ishte sakrifica e fundit, që do të pranohej prej Perëndisë, si pagim i plotë për mëkatin. “Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korintasve 5:7)… “Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (2 Pjetrit 1:17)… “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22). 
           
Përfundim
Është për t’u theksuar fakti se, sa herë që mali Moriah përmendet në Bibël, pasazhi i caktuar ka të bëjë me pagesën e një çmimi. Abrahami ishte gati për ta flijuar të birin në atë mal, Davidi ofroi olokaust po aty, Salomoni ngriti tempullin atje dhe pikërisht në këtë vend, Jezusit iu ofrua e tërë bota prej Satanait, me kusht që Ai (Jezusi) t’i nënshtrohej djallit. Edhe neve na duhet të paguajmë një çmim të lartë, nëse duam vërtet që ta ndjekim Perëndinë e t’i shërbejmë Atij. Na duhet më parë t’i llogaritim mirë “shpenzimet”, sepse “secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:28, 33)… “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Marku 8:34).
Për momentin, mbi malin Moriah qëndron “Neveria e Shkatërrimit”, e njohur ndryshe me emrin “Moska e Omarit dhe Kubeja e Shkëmbit” (Marku 13:14). Por Mbreti Jezus u ndesh një herë aty me Satanain dhe ka për t’u ndeshur e ka për të fituar aty përsëri kundra tij. Mesia, Biri i Davidit, ka për të mbretëruar si “Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve” (Zbulesa 19:16).   
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/
  
 
           
  
Author: magda.maylam

Leave a Reply