Numërimi i ditëve tona

Categories: Predikime

“O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi. Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia. Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: “Kthehuni, o bij të njerëzve”. Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë. Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes. Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet. Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt. Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate. Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë. Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje. Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje? Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu. Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona. Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë. Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre. Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona” (Psalmi 90).
 
Parathënie 
Po të na thuhej se na ka mbetur vetëm një ditë për të jetuar, si do ta kalonim, vallë, atë ditë? A do t’iu bënim vizitë miqve, për t’iu thënë lamtumirë? A do t’ia bënim sa më shumë qejfin vetes? A do t’i sillnim ndërmend të gjitha ato ditë të humbura kot, kur nuk kishim jetuar për Zotin? Mund të mos na ketë mbetur vërtet vetëm një ditë për të jetuar, por, prapëseprapë, asnjëri prej nesh nuk e di nëse do ta shijojë apo jo të nesërmen. Jeta është e shkurtër dhe përjetësia është e gjatë. Përsa kohë që marrim frymë, duhet ta shfrytëzojmë kohën, duke bërë ato gjëra, që Perëndia na ka thirrur për t’i bërë.
 
Kërkesa
Psalmi 90-të, ashtu siç na thuhet edhe në Bibël, është “një lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë”. Ai foli “ballë për ballë” me Perëndinë (Eksodi 33:11). Për më tepër, Moisiut iu lejua ta shikonte sadopak lavdinë e Zotit (Eksodi 33:17-23). Prandaj edhe mund të themi se ai kishte më shumë njohuri për Zotin sesa shumë njerëz të tjerë. E megjithatë, në këtë lutje, ai i kërkon Perëndisë, që t’i mësojë sesi t’i numërojë ditët e veta. Kështu, pra, pavarësisht sesa shumë njohuri mund të mendojmë se kemi rreth Biblës, nuk jemi dot në gjendje t’i numërojmë ditët tona pa patur me vete fuqinë e Perëndisë. Në fakt, po të mos e lexonim një gjë të tillë në Bibël, as që do ta kuptonim dot domosdoshmërinë e një numërimi të tillë. Jemi në gjendje, pra, të reflektojmë rreth kësaj kërkese të rëndësishme, vetëm atëherë kur Fryma e Shenjtë na e ndriçon mendjen.
Ç’do të thotë t’i numërosh ditët e tua? Thjesht të numërosh sa ditë ke jetuar në këtë botë, që nga momenti i lindjes e deri tani? Po të jetonim “shtatëdhjetë vjet” në këtë botë (Psalmi 90:10), do të kishim jetuar për 25567 ditë. Jo aq shumë ditë, jo! Është e kotë ta dish sesa ditë ke jetuar deri tani. Vlera e ditëve tona qëndron tek vetë jeta. Perëndia i dha njeriut jetë, ndaj edhe jeta jonë i përket Atij. “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). Nuk mund ta zgjasim jetën, më shumë sesa ç’na është caktuar prej Zotit. “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27). Jeta është një dhuratë e çmuar dhe e vlefshme, e dhuruar prej Perëndisë. Ndoshta jeta jonë do të ishte edhe më e frytshme, po ta merrnim parasysh këtë fakt dhe po ta konsideronim çdo ditë sikur të ishte dita jonë e fundit. T’i numërosh ditët e tua do të thotë të marrësh vendim, për t’i shërbyer Perëndisë. “Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua” (Ligji i Përtërirë 30:19-20). Çdo ditë që jetojmë, ose shkojmë në rrugën e bekuar, ose marrim rrugën e mallkuar. Nuk ka vendim më të mirë sesa të jetosh për Jezusin gjatë gjithë ditëve të jetës sate. Moisiu e kuptoi se jeta ishte e çmuar dhe se ka shumë rëndësi mënyra se si e kalojmë kohën. Ai e konsideroi jetën si dhuratë dhe u përpoq të jetonte në atë mënyrë, sa t’i sillte sa më shumë lavdi Perëndisë.
 
Arsyeja
Lutja e Moisiut tek Psalmi 90-të na shpjegon arsyen e numërimit të ditëve tona, d.m.th. “për të pasur një zemër të urtë”. Zoti Jezus na mëson se veprimet, mendimet dhe sjellja e njeriut varen nga ato që ai ka në zemër (ose në shpirt dhe në karakter). “Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës” (Luka 6:45). Profeti Jeremia na e bën të qartë se njeriu ka më shumë tendencë për të bërë të ligën, sesa të mirën. “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Po të mos na jepej hiri i Perëndisë, secili prej nesh do të zgjidhte rrugën drejt shkatërrimit. “Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes” (Fjalët e Urta 16:25). Në momentin kur vendosim që t’i numërojmë ditët dhe ta lejojmë Perëndinë, që të na japë urtësi e mençuri, atëherë jemi në gjendje të jetojmë një jetë të shenjtë për lavdinë e Tij.
Çdo frymëmarrje e jona është vërtet një thesar i çmuar, që na jep Perëndia. Duhet t’i kërkojmë Atij vazhdimisht që të na mësojë çdo ditë se si t’i shërbejmë Atij edhe më mirë. Kjo, pa dyshim, ka të bëjë me të paturit frikë nga Perëndia. “Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia” (Fjalët e Urta 9:10). A e kemi vrarë ndonjëherë mendjen dhe a e kemi marrë ndonjëherë në konsideratë mënyrën se si e kalojmë kohën? Si e shfrytëzuam kohën dje, për shembull? Po sot, kur u zgjuam nga gjumi, a i bëmë pyetje vetes se si do ta nderonim Zotin sot? Nuk ka pse të mos ia fillojmë nga e para dhe t’i kërkojmë Perëndisë, që të na mësojë për t’i numëruar ditët, që na kanë mbetur dhe për të patur urtësinë për të jetuar për Të.
          
Përfundim 
Tek Efesianëve 5:16-17, apostulli Pal na thotë se të krishterët duhet ta shfrytëzojnë gjithmonë “kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit”. Mos, vallë, Palit iu kujtuan fjalët që tha Moisiu tek Psalmi 90-të? Po ta shfrytëzojmë siç duhet kohën, atëherë lavdia e Perëndisë do të jetë mbi ne, ashtu siç ishte edhe me Moisiun. “Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona” (Psalmi 90:17).
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda.maylam

Leave a Reply