Nuk është puna se ‘çfarë di’, por se ‘kë njeh’
Teksti i studimit: Gjoni 4:1-42
Parathënie
Ka të ngjarë që Jezusi të kishte shkuar në Samari, (një vend, në të cilin Judenjtë nuk ishin të mirëpritur) vetëm e vetëm për t’u takuar me gruan që përmendet në këtë pasazh biblik. Ajo ishte si një dele e humbur, që kishte nevojë për Bariun, që ta gjente: “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Luka 15:4-7). Një shpirt, që jetonte në errësirën shpirtërore e morale, u ballafaqua me Shpëtimtarin e gjithë botës. Më poshtë, po iu paraqesim disa fakte, të cilat kjo grua i dinte mirë.
E dinte se kush ishte
“Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët)” (Gjoni 4:9). E pranoi se përçmohej prej Judenjve, ngaqë vinte nga një komb tjetër e besonte në një fe tjetër. Si ishte e mundur që Jezusi ta shkelte rregullin e të fliste me një samaritan, e sidomos me një grua samaritane? Dishepujt e Tij “u mrekulluan që po fliste me një grua” (Gjoni 4:27). Krishtërimi i vërtetë duhet të thyej çdo lloj tradite, apo kufizimi, në mënyrë që t’iu vijë në ndihmë atyre, që kanë nevojë për Mesian.
E dinte se ishte mëkatare
“Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu”. Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë”. Jezusi i tha: “Mirë the: “Nuk kam burrë,” sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!”. Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet” (Gjoni 4:16-19). Një gjë të tillë përpiqemi t’iu themi edhe ne mëkatarëve. Po qe se ata nuk e konsiderojnë veten si mëkatarë, atëherë nuk do ta kuptojnë kurrë domosdoshmërinë e Shpëtimtarit: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një… sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:10-12, 23).
E dinte se ku po qëndronte
“Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë? Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?” (Gjoni 4:11-12). Pusi i Jakobit ishte një vend i shenjtë historik. Por fakti se ajo ishte në atë vend, nuk do të thotë se ishte e shpëtuar. Ka nga ata njerëz, që kujtojnë se ngaqë janë pagëzuar, apo ngaqë janë anëtarë të një kishe, apo ngaqë gjejnë kënaqësi në gjërat e shenjta, janë të shpëtuar.
E dinte se Mesia duhej të vinte
“Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë” (Gjoni 4:25). Jetojmë në një kohë, kur njerëzit e kuptojnë shumë më pak të vërtetën biblike, sesa ç’e kuptonte gruaja samaritane. Edhe pse ajo ishte e zhytur në besimin e saj heretik, prapëseprapë, ajo dinte diçka rreth Mesias. Teologjia e saj mund të mos ishte e përsosur, por mbi një themel të tillë Jezusi ndërtoi mësimin e Tij.
E dinte se për çfarë kishte nevojë
“Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë” (Gjoni 4:20). Jezusi nuk i rekomandoi gruas samaritane një vend adhurimi, që i ngjante një godine të bukur e të mahnitshme. Përkundrazi, shpirti i saj duhej të prekej nga Fryma e Shenjtë, në mënyrë që ajo të kishte mundësi ta adhuronte me të vërtetë Perëndinë: “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24). “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Psalmi 51:10)… “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme. Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij” (Psalmi 24:3-5).
E dinte se shpirti i saj i etur kishte nevojë për më shumë se feja
“Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!” (Gjoni 4:15). Përveç Jezusit, askush tjetër nuk mund t’ia shuajë etjen njeriut me zemër bosh. Në momentin që njeriu kërkon Ujë të Gjallë, Zoti menjëherë do t’ia plotësojë nevojën që ka: “Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës” (Zbulesa 21:6). Kur jemi të ngopur me Ujin e Jetës, atëherë s’kemi më nevojë për kovat me ujin e fesë: “Atëherë gruaja e la kovën e saj” (Gjoni 4:28)… “Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit” (Isaia 12:3).
E dinte se Jezusi ishte shpëtimi i saj
E kuptoi se si duhej të shpëtohej, ndaj edhe donte që t’i sillte edhe të tjerët tek Jezusi: “Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve: “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?”. Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai…Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Ai më tregoi gjithçka kam bërë” (Gjoni 4:28-30, 39). Kur ke gjetur diçka më të fuqishme sesa kovat e ujit të fesë, atëherë nuk rri dot pa iu treguar pjesëtarëve të familjes, miqve, apo fqinjëve rreth Zotit. Kur njerëzit binden se ne, me të vërtetë, besojmë se e kemi gjetur përgjigjen, atëherë ata duan ta njohin vetë Krishtin: “Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë. Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij. Dhe ata i thoshnin gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës” (Gjoni 4:40-42).
Përfundim
Po ne, çfarë dimë? A e njohim aq mirë Zotin, saqë guxojmë t’iu tregojmë të tjerëve me besim rreth Tij? Mos, vallë, nuk iu tregojmë të tjerëve rreth Tij, ngaqë nuk jemi vetë të sigurtë, nëse mrekullia e mahnitshme e shpëtimit na e ka transformuar me të vërtetë jetën? “Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!,” ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë” (Gjoni 4:10)… “Dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:19).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



