Njeriu i ashpër



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 01.05.2010

“Në Maon jetonte një njeri pronat e të cilit ndodheshin në Karmel; ky njeri ishte shumë i pasur; kishte tre mijë dele dhe një mijë dhi, dhe ndodhej në Karmel për të qethur delet e tij. Ky njeri quhej Nabal dhe gruaja e tij Abigail; ajo ishte një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme, por burri i saj ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij; ai rridhte nga Kalebi” (1 Samuelit 25:2-3).
Parathënie
Emri “Karmel” në tekstin e mësipërm nuk duhet ngatërruar me emrin e malit Karmel, që përmendet në historinë e Elias, kur ai korri fitore kundër profetëve të Baalit. Karmeli ishte një rajon pjellor i Hebronit.
Nabali dhe Abigaili ishin burrë e grua, një çift i papërshtatshëm për njëri-tjetrin. Prej këtij pasazhi, e shohim se marrëdhënia e tyre bashkëshortore ishte problematike. Abigaili, ngaqë ishte një grua inteligjente, e dinte mirë se i shoqi ishte i marrë. Në fakt, të gjithë banorët e Maonit e konsideronin Nabalin si një njeri të ashpër dhe të pahijshëm. Edhe Davidi dhe njerëzit e tij do ta shikonin se sa të ashpër e kishte gjuhën Nabali.
Festa
Davidi e dinte se në kohën e qethjes së deleve, pronari i bagëtive shtronte një banket të madh, për të festuar këtë ngjarje. “Sipas zakonit izraelit, qethja e deleve ishte një periudhë festimesh të mëdha, për shkak të rëndësisë që kishte tregtia e leshit” (marrë nga komentimi që i bën Biblës autori Peak). Davidi dhe njerëzit e tij po pritnin me padurim që të shijonin ushqimet e shijshme, të përgatitura prej pronarit bujar dhe mirënjohës, sidomos duke e ditur se kishin vuajtur shumë nëpër male e shkretëtira. Një nga kampet e tyre të strehimit kishte qenë Parani, për të cilin thuhet tek Ligji i Përtërirë 1:19 se ishte “një shkretëtirë e madhe dhe e tmerrshme”, kurse tek Ligji i Përtërirë 8:15 thuhet se Parani ishte një “vend gjarprinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë”. Ata nuk e njihnin pronarin personalisht, por kishin besim se ai do t’i priste krahëhapur, sidomos ngaqë ai ishte prej të njëjtit fis, si edhe Davidi. Por shumë shpejt, do ta shihnin se sa gabim e kishin patur!
Emrat
Vetë emrat “Nabal” dhe “Abigail” shërbejnë për të përshkruar mirë karakteret e të dy këtyre personave. Emri “Nabal”, p.sh. ngjason me fjalën hebraishte “i marrë” (ose “budalla”). Prindërit e tij duhet të kenë qenë po aq të marrë, sa edhe të ashtu-quajturit “yje” të muzikës, apo filmave të ditëve të sotshme, ngaqë nuk e kishin për turp ta quanin djalin e tyre “budalla”. Nabali ishte i ashpër, i pasjellshëm dhe vullgar. Të gjithë pjesëtarët e familjes e kishin inat. “Abigail”, nga ana tjetër, do të thotë “gëzimi i babait”. Ajo ishte një grua e mençur dhe inteligjente, e cila mund të përshkruhej gjithashtu edhe si një grua, që ishte e bukur si nga ana e jashtme, ashtu edhe nga ajo e brendshme. Në enciklopedinë izraelite thuhet se Abigaili ishte njëra nga katër gratë më të bukura në historinë e Izraelit (tre të tjerat ishin Sara, Rahabi dhe Esteri).
Nabali dhe Abigaili ndryshonin shumë nga njëri-tjetri. Ai ishte i paperëndishëm, kurse ajo e donte Zotin. Ai ishte i pandershëm dhe mosmirënjohës, kurse ajo ishte e drejtë dhe mirënjohëse. Ai ishte i ligë, kurse ajo ishte e hijshme.
Nabali ishte nga ata njerëz, që ishin të pasur nga ana materiale, por shpirtin e kishin shumë të varfër. “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?” (Marku 8:36). Gruan e kishte të mirë, por vetë ishte i keq. Ai nuk e kishte lejuar veten, që të ndikohej prej mirësisë së saj. Rridhte prej një familjeje të mirë, por nuk e kishte trashëguar besimin, që kishte patur Kalebi. Përkundrazi, ai ishte “turpi i familjes” (Mateo Henri). Në disa tekste të vjetra biblike, Nabali na përshkruhet si një “njeri, të cilit nuk i zihej besë, me një sjellje të ashpër e të pahijshme”. Të gjitha këto epitete, pra, na vërtetojnë ligësinë e pajustifikueshme të Nabalit.
Përse?
Duhet t’ia bëjmë vetes pyetjen se përse u martua Abigaili me Nabalin? Ç’e bëri atë, që të tërhiqej prej tij? Njerëzit, që janë të kundërtit e njëri-tjetrit, zakonisht tërhiqen drejt njëri-tjetrit. Por Abigaili duhet ta ketë ditur se i ç’natyre dhe i ç’karakteri ishte Nabali. Përgjigjen e gjejmë tek fakti se martesat e ujdisura ishin të zakonshme në ato kohë. Ka të ngjarë që Nabali ta ketë vënë re bukurinë e Abigailit dhe, si pasojë, iu drejtua babait të saj. Babait, nga ana tjetër, duhet t’i ketë bërë shumë përshtypje familja, prej së cilës vinte Nabali, si edhe pasuria dhe fama e tij. Ai i vuri, pra, më shumë rëndësi pajës, sesa vajzës. Duke rënë kështu dakort që Nabali të martohej me Abigailin, babai i saj po e ndëshkoi vajzën e tij me një jetë mizore. Duke “e martuar atë me këtë burrë, ai i kushtoi më shumë rëndësi pasurisë së Nabalit, sesa mençurisë së tij” (Gjon Uesli).
Përfundim
Ky pasazh shërben si një parathënie e takimit të Davidit me Nabalin dhe na i hap sytë për ta kuptuar edhe më mirë arsyen se përse e ndëshkoi Zoti Nabalin dhe përse Ai e lejoi që Davidi ta merrte Abigailin për grua. Davidi ishte dërguar për ta shpëtuar fëmijën e Perëndisë prej kthetrave të një biri të djallit.   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/
  

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com