“Njerëz të shenjtë”



nga: eno.dokollari, botuar me: 04.11.2009

Jemi tek Marku 14:60… «Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?»
Ungjillizimi i botës. Ajo pra që duhet të mësojnë njerëzit për Jezu Krishtin se shpëton. Të informohen për Kryqin e Krishtit. Disa gjëra nuk i kemi kuptuar mirë. Nuk kuptuam për shembull kur dikush na thotë: Epo mirë, nuk mjafton Krishti? Fryma e Shenjtë nuk do të na flasë? Zoti a nuk është i Gjithëfuqishëm?… JO!
Ndoshta do të të duket e çuditshme.. paksa paradoksale. Të gjithë do të pyesin. Kush shkoi dhe u foli atyre? Gjithçka u tha. Po kush shkoi? Cili qe ai? Do t’ju lutesha shumë, ta kuptoni mirë këtë. Jezu Krishti nuk dërgoi këdo që do të qe i gatshëm për të shkuar e ungjillizuar në fund të botës. Do t’ju lutesha shumë! Të vazhdoni të kini kujdes dhe të luteni. Ata që do të shkojnë, ata që do të flasin, ata që do të japin Lajmin e Mirë… do t’i pyesin. Krishti shpëton? Ty të shpëtoi? Jezu Krishti ndryshon njerëz. Ti që po më flet, ty të ndryshoi? Jezu Krishti shenjtëron njerëzit, të paktën kështu thoni juve. Shumë e bukur kjo thënie. Ty a të shenjtëroi? Juve thoni se Perëndia bëri gjëra të mrekullueshme, të mëdha… epo mirë, më thuaj me ty çfarë bëri? Nuk të shikoj të ndryshuar…
Pra siç besoj po e kuptoni edhe vetë, se nuk mjafton të marrësh një mesazh… as të duash ta japësh këtë mesazh tek njerëzit e tjerë… apo të kesh të gjithë njohurinë e nevojshme për këtë mesazh, por duhet të kem me vete edhe dëshminë e duhur që të vërtetoj pra se ato gjëra të cilat Krishti i thotë se i bën, i bëri gjithashtu edhe brenda meje.
Çfarë dëshmojnë këta?
Dikur një vajzë e vogël i tha Pjetrit… atje ku qenë ulur të gjithë rreth zjarrit dhe po ngroheshin… në atë momentin kur Pjetri përpiqej sesi të fshihej… Galileas je, – i thotë ajo. Ajo e kishte marrë vesh se edhe Jezu Krishti gjithashtu ishte nga Galilea. Por ajo vajza e vogël i thotë më vonë, – mos u fshih, vetëm dialekti yt të tradhëton. Mund t’ju them se jam shqiptar. Po kur më kërkoni t’ju them një emër në shqip, do ta them gabim atë, është pak e vështirë. Nuk e merrni dot me mend sesa shumë dëm i është bërë Ungjillit në këtë pikë. Kur ne të gjithë, ne shërbëtorët e Perëndisë, fillojmë e flasim për ndërhyrjen e fortë të Jezu Krishtit… e shumë e shumë fjalë të tjera… por që nuk mundemi t’i vërtetojmë dot. Dhe duke folur më shumë për njeriun e sotëm veçanërisht, e sidomos në kohët e sotme, është një njeri i cili kërkon sa më shumë prova. Ndryshimi i njeriut nga kafshët dhe nga të gjitha krijesat e tjera që shohim përreth, gjendet pikërisht në këtë pikë: Njeriu dyshon. Kafshët nuk kanë dyshime. Nuk kanë as pikëpyetje në jetën e tyre. Por ne me të tjerët flasim dhe duam t’i bindim ata. Ne e thërrasim njeriun që të ikë nga ai vend në të cilin ndodhet dhe të shkojë diku tjetër. Këtë ndryshim në jetën time (dalja prej andej ku isha më parë dhe vajtja diku tjetër), a mund t’ia vërtetoj? Siç e patë edhe në vargun e sotëm, janë disa njerëz të cilët dëshmuan kundër Krishtit dhe akoma edhe sot vazhdojnë të dëshmojnë kundër Tij. Por kjo dëshmi nuk u llogarit. Por edhe dëshmia e disa të tjerëve gjithashtu që flasin për Krishtin me orë të tëra… përsëri nuk u llogarit. Nuk ju bën fare përshtypje kjo gjë?
Në atë kohë qenë 12 apostuj. Vendosni edhe 70 nxënës që nuk i njohim. Vendosni edhe 500 të tjerë ashtu siç na thotë kapitulli i 15-të i letrës së parë drejtuar Korintasve. U bënë gjithësej 600 njerëz. Dhe këta i dërgoi në të gjithë botën. Të përhapnin Ungjillin në të gjithë tokën. Ishin të pafuqishëm. Të pakët. Të varfër. Të pashkolluar. Të përndjekur…
Edhe ndoshta nuk mund ta kuptojmë mirë sot sesa të shtrenjta qenë asokohe udhëtimet. Si shkuan në të gjithë botën këta njerëz kur në të njëjtën kohë qenë shumë të varfër?
E megjithatë Ungjilli u përhap në të gjithë tokën. Sot ka me mijëra misionarë. Mijëra qendra. Mijëra televizione, libra, broshura, kaseta, kisha… ka shumë mënyra pra. Por nuk kemi të njëjtin përfundim. Pse? A ju ka shqetësuar ndonjëherë kjo temë? Për Palin dhe Silën kur i zunë thanë: Këta të dy me mesazhin dhe Lajmin që dhanë tronditën gjithë tokën. Dy të varfër, të burgosur, e megjithatë shkaktuan një tërmet të madh. Ne që sot këtë mbrëmje jemi kaq shumë, kaq të fuqishëm me kaq shumë libra, me një njohuri kaq të madhe që ka secili prej jush. Përse nuk shkaktuam tërmete? Thonë se bota tani është bërë e fortë. Kjo s’është e vërtetë sepse gjithmonë zemra e njeriut ka qenë e ngurtë dhe e pabindur. Mendoj se duhet të kërkojmë dhe të gjejmë shkakun. Dëshmia ime a është e bindshme për të tjerët? Njerëzit nuk besojnë me veshë, besojnë me sy. Jo pra me ato që do t’i thuash, por me ato cilësi që do të shohin në ty.
E kemi thënë edhe më parë atë historinë me atë njeriun e krishterë i cili kishte shkuar në ishujt e Solomonës. Nuk mundi të mësonte gjuhën e atyre njerëzve që banonin atje. Ishte shumë e vështirë. Qe e vështirë sepse ishte shumë e varfër. Me të njëjtën fjalë emërtonin shumë gjëra, si mund të përkthehej kjo? Pas shtatë vitesh ky njeri shkon tek kryetari i fisit dhe i thotë:
- Do të iki.
- Pse?- e pyeti kryetari.
- Nuk munda të mësoj gjuhën tuaj, prandaj.
Dhe ai i tha: jo nuk ke për të ikur… – Jo… – Sepse nëse ti nuk e mësove gjuhën tonë, mësuam ne gjuhën tënde. Mënyrat e tua, jetën dhe sidomos dashurinë që tregove për ne.
Do t’ju lutesha shumë të më dëgjonit në diçka shumë të thjeshtë që do të dëshiroja të tregoja nga kjo histori. Ata nuk e mësuan gjuhën e tij duke e dëgjuar atë, sepse thjesht për faktin se ai nuk e dinte gjuhën e tyre. Por mësuan gjuhën e dashurisë së tij ndërsa e shikonin atë.
Ky është një kapitull i madh. Më ka bërë shumë përshtypje. Erdhën armiqtë, por dëshmitë e tyre nuk u dëgjuan. Shumë akuzime u bënë. Por Ai nuk u përgjigj. A keni parë ose dëgjuar se pikat e shiut sado të mëdha të jenë të ngjiten në xham? E as nuk mund ta kalojnë xhamin sado të mëdha të jenë ato. Të gjitha bien poshtë. Asnjë nga akuzat e tyre nuk u llogaritën. Dhe marr pikërisht anën tjetër… Po dëshmia ime a llogaritet? Dëshmia e Kishës llogaritet? Një dëshmi e shenjtë që ka si përmbajtje sesi një njeri i Shenjtë vdiq atje lart në Kryq? Apo se një i Gjallë i Shenjtë mund t’i kthejë e t’i shndërrojë njerëzit në njerëz të shenjtë? E pra megjithëse është gjithë ky mesazh vetëm kur përdoret dhe flitet nga “njerëz të shenjtë”, vetëm atëherë do të ketë fryt.
Kemi nevojë për njerëz të shenjtë. Kemi nevojë për njerëz të dorëzuar. Njerëz të thyer! Njerëz të cilët i janë përkushtuar Atij. Njerëz me një dëshmi të gjallë. As dëshmitë e armiqve nuk zënë vend sepse nuk vijnë nga njerëz të shenjtë, e as dëshmia e Ungjillit nuk ka për të zënë në qoftë se nuk vjen nga një zemër e shenjtë. Uroj që Perëndia t’ju flasë. Dhe marrim kështu Gjakun e Plotfuqishëm të Krishtit. Të bëjë mrekulli dhe gjëra madhështore në jetën tonë. Jezu Krishti kërkon të bëjë diçka të fortë në jetën tënde. E nëse kjo nuk ndodh ose nuk bëhet realitet, Ai nuk ka faj. Ju lutem shumë në këtë mbrëmje, ju lutem shumë! Shenjtëroheni Emrin e Perëndisë. Dua t’ju kujtoj së fundmi atë frazën që e përmendën ata dy nxënësit kur u takuan me Zotin: – Qëndro me ne.
Dashtë Zoti që të gjithë ne të mund të themi.
Qëndro me ne Zot.

I moshuari
“Spiros.I.Portinos”


per autorin: