Një thirrje për pendim
“Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikave 7:14).
Parathënie
Tek 2 Kronikave 7:14 gjejmë një premtim, që Perëndia ia bën popullit të Tij. Ky premtim është i kushtëzuar, d.m.th. para se të plotësohet premtimi, populli vetë duhet t’i përgjigjet Perëndisë. Edhe ne, si besimtarë që jemi, kemi dy rrugë për të zgjedhur: ose t’i bindemi Perëndisë dhe të përjetojmë ringjallje, ose të vazhdojmë të bëjmë si të na dojë qejfi.
Një thirrje për pendim
Premtimi në hyrje të këtij studimi, ashtu si edhe e tërë Bibla, i drejtohet vetë popullit të Perëndisë. Prandaj edhe thirrja për pendim i përket po këtij populli. Kjo është një thirrje për t’u kthyer mbrapsht prej rrugëve të liga. Zoti nuk po e thërret botën, apo kombin tonë për t’u penduar, por Ai po thërret ata, që janë tashmë të rigjeneruar ose të lindur prej Frymës. Janë zemrat tona shterpë ato, të cilat duhet të thyhen e të lërohen, para se Perëndia të sjellë rilindje: “Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë” (Osea 10:12).
Është shumë e lehtë t’ia vësh gishtin politikanit, apo të ashtu-quajturve drejtuesve fetarë në vendin tonë. Mund t’ia hedhim fajin paperëndishmërisë së shfrenuar, që vihet re në media, feve të rreme dhe njerëzve të degjeneruar. Por fakti qëndron këtu se shkaku i rënies së parimeve morale në kombin tonë ka të bëjë sidomos me individët dhe kishat krishtere, që janë të kompromentuar me botën dhe nuk pranojnë të qëndrojnë në Fjalën e Perëndisë: “Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet. Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para teje. Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde. Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai. Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi. Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era. Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t’u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona. Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua. Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt” (Isaia 64:1-9).
Rënie shpirtërore
Padrejtësia ka mbushur boshllëkun e krijuar prej kishës, e cila, me kalimin e viteve, ka rënë nga ana shpirtërore. Kisha është zgjuar nga gjumi, por, për çudinë e saj, ka vënë re se gjigandët e materializmit, të homoseksualitetit dhe të fesë Islamike kanë shkelur me këmbë gjithçka, që është e shenjtë. Jetojmë në një epokë, kur Zoti Jezus Krisht shahet hapur e Bibla vihet në lojë. Po na i marrin dalë-nga-dalë edhe ato pak liri fetare që kemi, e si rrjedhim, po iu drejtohemi juristëve për ndihmë, në vend që t’i thërrasim Zotit.
Për një kohë të gjatë, kisha ka qëndruar gojë-mbyllur, ndërkohë që mëkati, dalë-nga-dalë, por me hapa të sigurtë, ka sjellë shkatërrim. Kur kisha flinte gjumë, kombi ynë i është afruar gjithnjë e më shumë ditës së gjyqit dhe të mallkimit. Pse nuk e vumë re këtë gjë më parë? Mos, vallë, nuk i kuptuam sinjalet? Apo ngaqë nuk iu kushtuam vëmendje paralajmërimeve të shumta të ndodhura në fjalën e Zotit? “Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?” (1 Pjetrit 4:17)
Përfundim
Perëndia do të na vërë përpara përgjegjësisë për atë vendim, që e marrim sot. A jemi gati t’i pranojmë bekimet e premtimit të mrekullueshëm, të ndodhur tek 2 Kronikave 7:14, duke ardhur të përulur para Perëndisë, me një pendim të vërtetë në zemrat tona? Të gjithë, si individë, familje dhe kishë që jemi, kemi shumë nevojë për një ringjallje shpirtërore. Lutja e profetit duhet të jete edhe lutja jonë: “O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën” (Habakukut 3:2).
Ilaçi kundër sëmundjes së mëkatit, që po e shkatërron kombin tonë, do të japë rezultat, sapo populli i Perëndisë të kthehet prapë tek Ai. E si mund ta thërrasim kombin drejt drejtësisë, nëse ne vetë nuk duam t’i shërbejmë Zotit, apo ta ndjekim Atë? Nëse e kërkojmë fytyrën e Tij, atëherë do ta përjetojmë deri në maksimum jetën me bollëk dhe do të korrim të korrura shpirtrash: “Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi” (Psalmi 126:5).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



