Një mundësi e artë

Categories: Predikime

“Nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit. Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t’i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar. Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë. Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë. Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç’do të thotë që unë jam tërhequr nga ju. Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin”. Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin, ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit. Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin. Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë. U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: “Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepse kemi mëkatuar”. Por Moisiu tha: “Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t’ju dalë mbarë. Mos u ngjitni, sepse do t’ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush. Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju”. Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit. Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah” (Numrave 14:30-45).
 
Parathënie
Populli i Izraelit kishte mundësi të hynte në Tokën e Premtuar dhe, me përjashtim të mosbesimit dhe mosbindjes së tyre, absolutisht asgjë tjetër nuk mund t’i pengonte dot. Izraelitët e refuzuan ftesën, që iu bëri Perëndia, për t’u bekuar me bollëk. Kjo tokë iu ishte premtuar, ngaqë ata ishin pasardhësit e Abrahamit, Isaakut dhe Jakobit. Por detyra e tyre ishte që të shkonin dhe ta merrnin nën zotërim Tokën e Premtuar.
 
Mundësia e tyre
Nëse Perëndia e kishte planifikuar me kohë që Izraeli ta merrte tokën e vet, atëherë pse nuk shkoi ky popull për ta kontrolluar atë vend? S’ka dyshim se gjëja e vetme, që iu mbetej për të bërë ishte thjesht të marshonin drejt e në Tokën e Premtuar dhe ta deklaronin atë si tokë të tyren! Tek Numrave 13:1-2 na thuhet qartë se Perëndia kishte dhënë urdhër që toka të kontrollohej prej Izraelitëve, para se ata ta merrnin atë nën zotërim. “Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: “Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre”. Dymbëdhjetë burra, një prej secilit fis të Izraelit, u dërguan për ta kontrolluar Kanaanin. Ndenjën atje 40 ditë dhe panë shumë gjëra të mrekullueshme. Fatkeqësisht, dhjetë prej tyre nuk patën besim se ishte e mundur ta merrnin nën zotërim tokën. Vetëm dy veta besuan se ishin në gjendje ta kryenin detyrën e ngarkuar. A e shohim, pra, se urdhëri i Perëndisë për të dërguar spiunë në Tokën e Premtuar ishte një sprovë, për ta parë sesa besim kishte populli i Izraelit?
Njerëzit vendosën t’i zinin besë fjalëve të shumicës, ndaj edhe e humbën mundësinë për ta marrë trashëgiminë e tyre. Këta ishin po ata njerëz, që kishin qenë vetë dëshmitarë, kur Deti i Kyq ishte ndarë në mes, apo kur Faraoni ishte shkatërruar, së bashku me ushtrinë e tij. Përditë e kishin parë kolonën e reve dhe kolonën e zjarrit, dy symbole këto të pranisë së Zotit. Kishin pirë ujin e mrekullueshëm prej shkëmbit dhe kishin ngrënë mana (bukë) qiellore. Kishin dëgjuar zërin e Perëndisë prej Malit Sina. E megjithatë, prapëseprapë nuk pranuan ta besonin se Perëndia do ta mbante premtimin. Mëkatet e tyre ishin të shumta, por vetëm një mëkat do t’i pengonte së hyri në Tokën e Premtuar e së gjeturi pushim atje: mëkati i mosbesimit. Atij brezi iu dha vetëm një mundësi për të marrë Kanaanin. Ky premtim fitoreje nuk do të përsëritej më, ndaj edhe kësaj oferte i nevojitej besimi. Por ata nuk e pranuan ofertën dhe e humbën përgjithmonë bekimin. Kur e kuptuan më në fund se ç’kishin humbur, u përpoqën ta merrnin prapë bekimin, por u mundën prej armikut (Numrave 14:40-45). Me përjashtim të Jozueut, Kalebit dhe të vegjëlve (fëmijëve) të Izraelitëve, asnjëri prej tyre nuk banoi dot në Tokën e Premtuar.
 
Mundësia jonë
Po ne, sa herë dështojmë dhe nuk i zëmë në dorë mundësitë që na ofron Perëndia! Mund të themi se “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20), por le të mos e harrojmë faktin se premtime të tilla bëhen realitet në jetën tonë, vetëm atëherë kur kemi besim dhe i bindemi Zotit. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Sa herë që Zoti na jep mundësinë për t’i shërbyer, duhet ta shfrytëzojmë menjëherë një mundësi të tillë.
Ndoshta edhe ne nuk marrim bekime, për shkak të mosbesimit në zemër. Bibla na mëson se “për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26) dhe “nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (Marku 9:23). Kjo do të thotë se, përveç dyshimeve tona, asgjë tjetër nuk mund të na pengojë dot së hyri në plotësinë e Krishtit. Le të mos kujtojmë se mund të na jepet prapë një rast i tillë. Nuk kemi garanci nëse Perëndia do të na e përsërisë edhe një herë tjetër ofertën. Për më tepër, a nuk tregon mungesë besimi një veprim i tillë nga ana jonë?
Ka shumë të krishterë, të cilët bredhin lart e poshtë nëpër shkretëtirën e sajuar prej mendjes së tyre, ngaqë nuk pranojnë ta vënë në zbatim fjalën e Perëndisë. Presin që t’iu jepet një shans (mundësi) tjetër për t’iu bindur Atij, por më kot. Ka nga ata, që përpiqen ta marrin bekimin me forcat e veta, por armiku i shpirtrave të tyre zakonisht i mund në këtë drejtim. Shpesh kthehen në praninë e besimtarëve të tjerë, duke u treguar shumë të entuziazmuar, por shumë shpejt entuziazmit të tyre i vjen fundi dhe njerëz të tillë largohen përsëri prej Perëndisë. A mund t’i marrin ndonjëherë bekimet që iu ka premtuar Perëndia? Po, por vetëm nëpërmjet mëshirës së Tij, jo me rrugë tjetër! Është për të të ardhur keq, që shumicës së njerëzve i jepet prapë shansi, por prapëseprapë nuk pranojnë t’i binden Zotit.    
 
Përfundim 
“Sepse ai thotë: “Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova”. Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit” (2 Korintasve 6:2). Ky varg shpesh citohet në lidhje me mesazhin e shpëtimit, por vargu përpara tij na shpjegon arsyen pse Pali e citoi atë prej Isaias 48:9, “Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë” (2 Korintasve 6:1). Pali, pra, kërkon të na thotë se besimtarët duhet t’i marrin menjëherë shanset (mundësitë), që iu jep Perëndia, ose përndryshe do të kenë humbje. Mundësitë që na ofron Perëndia, janë gjithmonë të arta.
   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 
 
Author: magda.maylam

Leave a Reply