Një Kishë Ungjillore
“Për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë. Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë, sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë, dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen.” (1 Thesalonikasve 1:7-10).
Parathënie
E kemi parë tanimë se si të krishterët thesalonikas dëshironin ta vinin në praktikë atë mesazh, që iu solli apostolli Pal. Jeta dhe fuqia e një kishe nuk varet shumë nga aktivitetet e saj, por nga mënyra se si bashkësia i përgjigjet predikimit të fjalës së Perëndisë. Ja, pra, ku kemi një kishë, e cila, jo vetëm që e besonte ungjillin, por kishte gjithashtu edhe një ndikim të madh tek besimtarët e tjerë, si afër, ashtu edhe larg.
Ishin shembull
Pali iu bën kompliment këtyre të krishterëve, duke iu treguar sesa shumë vlerësoheshin ata prej të tjerëve. Një lloj vlerësimi i tillë është akoma më i çmuar, kur vëmë re se Pali kurrë nuk foli kështu për ndonjë kishë tjetër. Fjala “shembull” rrjedh nga fjala greke “tupos”, nga e cila vjen edhe fjala në anglisht “tip”. “Shembull” do të thotë “një shenjë e lënë pas goditjes”. Një kuptim tjetër i kësaj fjale ka të bëjë me vulën, që lë unaza mbi dyllin e nxehtë. Prandaj, pra, të krishterët thesalonikas ishin shembulli i vërtetë i krishtërimit, një shembull, që të tjerët mund ta imitonin në jetën e tyre. Këta të krishterë ishin të njohur për jetën e tyre të shenjtë, si edhe për zellin, që kishin për Krishtin.
Ishin lajmëtarë të së vërtetës
Në vargun e mësipërm, fjala “jehoi” na tregon se të krishterët thesalonikas e shpallnin fjalën e Perëndisë me guxim e pa frikë. Në greqisht, fjala “execheomai” do të thotë “eko”, duke na treguar kështu se këta besimtarë e shpallnin herë pas here (pa pushim) lajmin e mirë. Kjo fjalë përdoret gjithashtu edhe kur bëhet fjalë për rënien e burisë në betejë. Prandaj, pra, e shohim se të krishterët thesalonikas nuk i besonin një të vërtete të kompromentuar: “Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?” (1 Korintasve 14:8). Ata ishin misionarë ungjillorë, të cilët, sa herë që kishin mundësi, i treguan botës rreth fuqisë jetë-ndryshuese të ungjillit. Kishat e sotme duhet ta marrin në konsideratë një shembull të tillë.
U kthyen nga feja pagane
Pothuajse çdo industri kishte zotin e vet, që e mbronte. Çdo shtëpi kishte një statujë, për ta mbrojtur nga problemet. Individët mbanin varse të varura në qafë, si shenjë mbrojteje. Thesaloniku ishte një qytet shumë superticioz (që besonte tek bestytnitë). Edhe sot, jeta është pothuajse njëlloj, siç ishte 2 mijë vjet më parë: njerëzit prapë i varin shpresat tek shenjtorët, hajmalitë, gurët prej kristali, apo ikonat fetare: “Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit” (1 Korintasve 12:2).
Sot, ata që vijnë tek Krishti, duhet të vijnë pikërisht ashtu siç erdhën edhe njerëzit e shekullit të parë. Katoliku duhet ta lërë Marien dhe adhurimin e shenjtorëve. Myslimani duhet ta hedhë poshtë myslimanizmin dhe Kuranin. Judeu duhet t’i lërë mënjanë traditat dhe ritet e tij fetare. Ateisti duhet ta mohojë teorinë e evolucionit. Ajo që e mban njeriun larg Krishtit, duhet të hiqet nga froni, me qëllim që Krishti të zërë vendin që i takon.
I shërbyen Perëndisë
Nuk mjafton vetëm që të heqim dorë nga e liga dhe të jetojmë një jetë të shenjtë, sepse mëkatari, po nuk u kthye tek Perëndia për t’i shërbyer Atij, atëherë ai është i humbur. Të kthyerit prej adhurimit të idhujve nuk ka kuptim, po qe se mëkatari nuk kthehet tek Krishti. Por, gjithashtu, është po aq e rëndësishme që, sapo të kthehemi tek Ai, të vazhdojmë t’i shërbejmë dhe t’i bindemi Atij: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje. Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës. Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t’u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia” (Ligji i Përtërirë 5:6-10). Shkurtimisht, pra, Perëndia nuk e toleron besnikërinë e dy-anshme. Ai nuk është ndihmës-piloti i jetës sonë, por është Perëndia i Gjithpushtetshëm, shërbëtorët e të Cilit jemi thirrur për t’u bërë edhe ne.
Ishin gati për t’u takuar me Krishtin
Kjo kishë e priste me padurim ardhjen e Krishtit. Anëtarët e saj ishin të bindur se Zoti Jezus Krisht do të kthehej në tokë për të themeluar Mbretërinë e Tij: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e Apostujve 1:11). E besonin këtë, ngaqë e kishin pranuar faktin se Jezusi u ngjall vërtet (me gjithë trup) prej së vdekuri.
Është për të ardhur keq që, në kishat e sotme, kjo e vërtetë e mrekullueshme është kthyer thjesht në një seri parashikimesh të çmendura. Premtimi i marrjes së besimtarëve në qiell është kthyer në një mjet shpirtëror, për t’i shpëtuar “zemërimit që po vjen”. Përkundrazi, ky premtim u dha si burim ngushëllimi, jo vetëm në jetën e ardhshme, por edhe në këtë jetë: “Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Thesalonikasve 4:14-18). Njohuria e ardhjes përsëri të Jezusit nuk na jep vetëm shpresë për të ardhmen, por edhe na inkurajon dhe na pajis për të tashmen. Tek e shohim historinë, që vrapon drejt fundit të profetizuar të saj, është e rëndësishme që t’i shërbejmë Perëndisë me besim: “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8).
Përfundim
Pali do ta përshkruante kishën e thesalonikasve si një kishë të shëndoshë nga ana mësimore, të arsyeshme dhe me plot harmoni. Por, mbi të gjitha, ai do t’i përshkruante thesalonikasit si të krishterë, që besonin në Bibël, që e vinin teorinë në praktikë. Ata i besonin ungjillit dhe i bindeshin atij, duke e vënë atë në praktikë në jetën e tyre të përditshme, d.m.th. ata ishin të shenjtë dhe të drejtë para të gjithëve.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



