Një Herë i Shpëtuar, Përherë i Shpëtuar?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 20.09.2007

“Do të thuash, pra: “Degët u prenë që të shartohem unë”. Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj. Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty. Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh” (Romakëve 11:19-22).

Parathënie
Gabimi fatal i atij që beson në të qënit “Njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”, është ky: ai gabimisht i bën njësh veprat e Ligjit të Besëlidhjes/Dhiatës së Vjetër, “sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit” (Romakëve 3:20) me veprat e bindjes ndaj Fjalës së Perëndisë, që janë të lidhura në mënyrë të pandarë në të dyja Besëlidhjet, në të Vjetrën e në të Renë, “besimi pa vepra është i vdekur” (Jakobi 2:20). Në këtë mënyrë, ai e hedh poshtë si bindjen, ashtu edhe veprat!

Rëndësia e veprave 
“Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi” (Jakobi 2:24).
Jakobi nuk e ka fjalën këtu rreth kryerjes së “veprave të mira”, apo zbatimit pikë për pikë të “ligjit” tek vargu 23. Përkundrazi, ai i referohet domosdoshmërisë që besimtari, ashtu si edhe në rastin e Abrahamit, ta vërë në praktikë besimin e tij, duke marrë vendim për ta jetuar jetën, duke iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
Ata që besojnë në doktrinën e “Njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”, presupozojnë se sapo njeriu ta pranojë dhuratën e shpëtimit prej Perëndisë nëpërmjet besimit dhe me anë të pendesës, atëherë ai ka të drejtë zgjedhjeje nëse do t’i bindet apo jo Perëndisë. Ç’do të thotë kjo, vallë, se mund ta pranosh Krishtin si Shpëtimtar, duke thënë një formulë lutjeje të mëkatarit, e pastaj, të mos i bindesh fjalës së Tij, duke mos patur kështu kurrë frikë prej pasojave të mëkatit, me përjashtim ndoshta të ndonjë disiplinimi të përkohshëm, ose, ç’mund të jetë më e keqja, një zvogëlim të shpërblimit tënd të përjetshëm?

I Shpëtuar?
“Oh, po ata nuk kanë qenë me të vërtetë të shpëtuar!” – kështu thotë ai që beson në doktrinën “Njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”, kur prezantohet me ata, që nuk jetojnë një jetë të perëndishme. Me pak fjalë, kurrë nuk mund të rrëzohesh e të largohesh plotësisht nga besimi, ashtu siç përshkruhet në Bibël, sepse nëse rrëzohesh e largohesh, atëherë kurrë nuk ke qenë me të vërtetë i shpëtuar që në fillim.  Por, apostulli Pal nuk do të binte dakort me këta njerëz. Ai tha se e mbante trupin e vet të nënshtruar: “Madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar” (1 Korintasve 9:27). Pali e kishte kuptuar se bindja ndaj fjalës së Perëndisë është një vendim, që duhet të merret prej çdo besimtari. Nuk bëhemi robotë shpirtërorë menjëherë pas rilindjes (ardhjes në besim).
Këtu qëndron edhe problemi tjetër verbues i doktrinës “Njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”: shprehjet që përfshihen në paralajmërimet serioze ndaj të krishterëve, si p.sh. “të neveritshëm” (2 Timoteut 3:8; Titit 1:16), “të këputesh” (Romakëve 11:22), “rënia” (2 Thesalonikasve 2:3; Hebrenjve 6:6) dhe “do t’i caktojë fatin me të pabesët” (Luka 12:46), janë përkufizuar për së dyti, që të kenë kuptimin e diçkaje më pak të frikshme. Mateu 24:13 thotë: “Por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet”. Ata që besojnë në doktrinën “Njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”, e kanë shkruar për së dyti këtë varg, me qëllim që të thotë kështu: “Por ai që është i shpëtuar, do të ngulmojë deri në fund”. Në këtë mënyrë, ata i kanë bërë të pakuptueshme ato, që thotë Bibla, në lidhje me rënien dhe largimin nga besimi. Autori i librit të Hebrenjve nuk na thotë se mëkatet e veçanta të mishit do ta vënë në rrezik shpëtimin, por i paralajmëron hapur ata që vazhdojnë të mëkatojnë me dashje. Kjo lloj mënyre të sjelluri është rebelim: “Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët. Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve. Ç’dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?” (Hebrenjve 10:26-29).

Besimi i vdekur
“Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia. Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen. Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur? Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër? Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:18-26).
Sa dëm i madh iu shkaktohet shpirtrave të atyre, që duhet të kthehen tek Perëndia, por, që iu thuhet se “s’ka problem, vazhdo kështu, se nuk mund ta humbësh dot shpëtimin”! Shëmbëlltyra e djalit plangprishës mund t’iu shkojë më shumë përshtat atyre, që dikur ishin anëtarë të familjes së Perëndisë, sesa atyre, që nuk e kishin njohur kurrë Atë. Ati, me lumturinë e tij, vuri në dukje faktin se, sapo i biri u kthye në shtëpi i penduar, ai “u kthye në jetë”, edhe pse më parë kishte qenë “i vdekur”. “Kishte humbur dhe u gjet përsëri” (Luka 15:24). Për babanë, një bir i vdekur, apo i humbur ka po aq vlerë sa një bir, që s’egziston fare. Ata që besojnë në doktrinën “njëherë i shpëtuar, përherë i shpëtuar”, shpesh thonë se djali plangprishës nuk pushoi asnjëherë së qëni bir i atit të tij. Pyetja qëndron këtu: a pati ai më pjesë në trashëgiminë e të atit? Jo. Vetëm kur u kthye tek i ati, atij iu dha përsëri e drejta e trashëgimisë. “Por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme” (Mateu 8:12).
               
Përfundim
Hiri është mjeti, me anë të së cilit shpëtimi iu ofrohet të gjithëve. Por, në Bibël, thuhet qartë se shpëtimi nuk është vetëm një ngjarje, por gjithashtu edhe një proçes, që ruhet me anë të besimit, përsa kohë që të jemi gjallë në këtë botë: “Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8). I njëjti besim, po të neglizhohet e të mos karakterizohet prej bindjes ndaj Fjalës së Perëndisë, do të përfundojë së qëni, si rrjedhim, thjesht një besim


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net