Një grua për ngrohje
nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.01.2012
“Tani mbreti David ishte plak dhe i shtyrë në moshë dhe, megjithëse e mbulonin me rroba, nuk ngrohej dot. Prandaj shërbëtorët e tij thanë: “Të kërkohet për mbretin, zotërinë tonë, një vajzë e virgjër që ta ndihmojë atë, të kujdeset për të dhe të flerë mbi gjirin e tij; kështu mbreti, zotëria jonë, do të mund të ngrohet. Atëherë kërkuan në të gjithë territorin e Izraelit një vajzë të bukur dhe gjetën Abishagin, Shunamiten, dhe e çuan te mbreti. Vajza ishte shumë e bukur, kujdesej për mbretin dhe i shërbente; por mbreti nuk e njohu” (1 Mbretërve 1:1-4).
Parathënie
Këto janë ditët e fundit të jetës së Davidit. Ai tani është i plakur dhe i sëmurë në shtrat. Edhe pse është vetëm 70 vjeç, ai është pothuajse në pragun e vdekjes. Ngjarjet pra, që do t’i studiojmë në këto mësime të fundit, duhet të kenë ndodhur gjatë vitit të fundit të jetës së tij.
Mosha
Asnjë prej nesh nuk mund ta mënjanojë dot plakjen dhe vdekjen, pavarësisht se mund të përdorim lloj-lloj kremi për fytyrën! Të pëlqen a s’të pëlqen, pak rëndësi ka – Perëndia ka lënë takim me ty një ditë! “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë” (Hebrenjve 9:27). Jeta jonë është thjesht një parapërgatitje për takimin tonë me Krijuesin. “Përgatitu të takosh Perëndinë tënd” (Amosit 4:12). Do të ballafaqohemi një ditë me gjyqin. “Më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).
Siç e përmendëm edhe më lart, Davidi tanimë ishte 70 vjeç, një moshë kjo e jashtëzakonshme për atë kohë. Ai vetë kishte shkruar dikur: “Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje” (Psalmi 90:10). Na duket, pra, sikur Davidi e profetizoi vetë jetëgjatësinë e tij. E dimë se ai ishte 70 vjeç, po t’i llogarisim me kujdes vitet e disa ngjarjeve të shënuara të jetës së tij. “Ishte 30 vjeç, kur u kurorëzua mbret në Hebron (2 Samuelit 5:4); mbretëroi për shtatë vjet e gjashtë muaj në Hebron (2 Samuelit 2:11, 1 Kronikasve 3:4) dhe mbretëroi 33 vjet në Jeruzalem (2 Samuelit 5:5) (citat i marrë prej librit ‘Shënime rreth Biblës’ nga autori Barnes). Është interesant për t’u theksuar fakti se, me përjashtim të Salomonit, pas vdekjes së Davidit asnjë mbret tjetër i Izraelit apo i Judës, nuk jetoi më shumë sesa 60 vjet.
Por, pse vdiq kaq i ri Davidi? Përgjigjen e gjejmë ndoshta tek fakti se ai përdori një sasi të madhe energjie, për ta bashkuar kombin, si edhe përjetoi gjithashtu shumë vite të mbushura plot me hidhërim, vështirësi dhe konflikte. “Davidi ishte shumë i lodhur, sidomos prej problemeve familjare, ndaj edhe dukej më i vjetër se ç’ishte” (Komentimi që i bën Biblës autori Klark). Jeta e kishte lodhur shumë mbretin e megjithatë, edhe pse ishte i dobët fizikisht, Davidi mendjen dhe shpirtin e kishte të shëndetshëm.
Abishagi
Na thuhet se Davidi nuk ngrohej dot, edhe pse e kishin mbuluar me shumë rroba. Pa dyshim që krevatin e kishte në një dhomë të ngrohtë, ndaj edhe problemi nuk qëndronte me nxehtësinë e ambjentit ku ndodhej. Ka të ngjarë që sistemi i qarkullimit të gjakut nuk po i funksjononte siç duhej, ngaqë ishte në prag të vdekjes. Gjithashtu, ngaqë nuk mund të ngrohej dot, ka të ngjarë që të kishte dhimbje në gjithë trupin.
E këshilluan që një vajzë e re të flinte pranë tij, për ta mbajtur ngrohtë. Por kjo nuk ishte as këshillë e mirë, as zakon i mirë, edhe pse disa mund ta pranojnë si të tillë. Vërtet që Davidi nuk pati një marrëdhënie intime me Abishagin, por prapëseprapë është gabim të përdorësh një metodë mëkatare për të zgjidhur një problem të caktuar. Në vetë tekstin e studimit tonë na thuhet se kjo metodë ishte e gabuar. Kërkuan lart e poshtë një vajzë të bukur – nëse Davidi kishte nevojë vërtet vetëm për ngrohje, atëherë vajza më e shëmtuar e qytetit do ta kryente po aq mirë këtë detyrë! Një gjë e tillë nuk ishte e jashtëzakonshme në ato kohë, kur martesat ishin poligamike (një burrë mund të martohej me shumë gra). Por pse duhej të përdorej një metodë e kësaj bote? Abishagi, në fakt, u bë si një pjesëtare tjetër e haremit të mbretit dhe kjo nuk ishte e drejtë. Ndoshta ajo nuk donte të shtrihej natë për natë pranë një plaku! Siç do ta shohim edhe më vonë, pas vdekjes së Davidit Abishagi do të bëhej shkaktare për shumë probleme familjare.
Përfundim
Davidi i kishte mundur armiqtë e vet dhe tani që atij po i afroheshin ditët e fundit të jetës, Izraeli kishte paqe. Edhe pse gjatë këtyre viteve të fundit, Davidi bëri përgatitjet e duhura për mbretërimin e ardhshëm të Salomonit, prapëseprapë atë nuk e shohim duke vepruar gjithmonë me mençuri. Pa dyshim që mund të gjendej një metodë tjetër për ta mbajtur mbretin ngrohtë. Nuk ishte nevoja për të gjetur një grua tjetër. Davidi kishte disa gra – pse nuk mund të ngrohej të paktën prej njërës prej tyre? Bathsheba, p.sh. ishte akoma energjike, siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm. Ajo ishte gati për të luajtur një rol të rëndësishëm në kurorëzimin e Salomonit si mbret. Mos, vallë, Davidit nuk i pëlqenin më gratë që kishte? Një ide e tillë na vërteton, pra, se situata e Abishagit ishte e gabuar, si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ana morale.
per autorin:
Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com



