Një djalosh i çuditshëm



nga: anila.shyti, botuar me: 05.03.2007

Një pronar i një ferme të madhe blegtorale kishte shumë nevojë për një ndihmës, i cili do të kujdesej për stallën e për fermën e tij. Sipas traditës, në ditën e festës së fshatit filloi të kërkojë. E vuri re një djalosh 16-17 vjeçar i cili po sillej në mes të panairit.

Ishte një tip i gjatë e i thatë e që nuk dukej shumë i fortë.
“Si quhesh, djalosh?”.
“Alfred, zotëri!”.
“Jam duke kërkuar dikë që dëshiron të punojë në fermën time. A merr vesh ndopak në punët bujqësore”.
“Po, zotëri. Unë jam në gjendje të fle gjumë gjatë një nate me erë e furtunë”.
“Si the?”, e pyeti fshatari i befasuar.
“Unë fle gjumë gjatë natës me erë e furtunë”.
Fshatari e tundi kokën dhe shkoi.
Pasdite vonë fshatari e takoi prapë Alfredin dhe i bëri të njëjtën pyetje. Përgjigja e Alfredit ishte e njëjta: “Unë fle gjumë gjatë natës me erë e furtunë”.
Atij i nevojitej një ndihmës e jo një djalosh i cili mburret se fle gjumë në një natë me erë e furtunë.
U mundua të kërkonte prapë, por, nuk gjeti askënd të gatshëm që të punonte në fermën e tij, sepse të gjithë e dinin se sa punë e vështirë ishte. Kështu vendosi ta merrte Alfredin i cili prapë i tha: “Mos u merakos, zotëri, se unë fle gjumë gjatë natës me erë e furtunë”.
“Mirë, mirë. Do të shohim se çfrarë di të bësh”.
Alfredi punoi në fermë disa javë me radhë. Pronari i tij ishte shumë i zënë me punë e nuk kujdesej për punën që bënte djaloshi.
Një natë u zgjua nga një erë e furishme. Era e fortë ulërinte në mes pemëve e poshtë në oxhak dhe i tundte ashpër dritaret.

Fshatari u hodh menjëherë poshtë nga shtrati. Stuhia e fortë mund të ketë hapur dyert e stallës e mund të ketë shqetësuar lopët e kuajt, mund të ketë shkapërderdhë sanën dhe kashtën e mund të ketë shkaktuar shumë dëme të tjera siç bënte zakonisht në në ato anë.
Vrapoi me të shpejtë dhe trokiti në derën e Alfredit, por nuk mori përgjigje. Trokiti edhe më fort.
“Alfred, zgjohu! Eja e më ndihmo, para se era e fortë të shkatërrojë çdo gjë!”. Por, Alfredi flinte në një gjumë të thellë dhe nuk përgjigjej në thirrjet e dëshpëruara të pronarit.
Fshatari nuk kishte kohë për të humbur, meqë Alfredi nuk bënte zë, vendosi të merrej vetë me atë punë dhe u lëshua me vrap nëpër shkallë, e kaloi me shpejtësi lëmën dhe arriti tek ferma.
Atje e priste një befasi e madhe.
Dyert e stallës ishin të mbyllura në mënyrë të qëndrueshme dhe dritaret të ngujuara mirë. Sana e kashta ishin të lidhura në mënyrë të tillë saqë era nuk mund t’i shpërndante asgjë. Kuajt ishin në një vend të sigurt ndërsa lopët e pulat rrinin të mbylluara mirë e shumë të qeta. Jashtë era fryente me tërbim. Ndërsa, brenda të gjitha shtazët rrinin të qeta e të sigurta.
Papritmas, fshatari shpërtheu në një të qeshur shumë të fortë. E kuptoi se ç’kuptim kishin fjalët e Alfredit kur i thoshte : “Unë fle gjumë gjatë natës me erë e furtunë!”.
Djaloshi i ri e bënte mirë punën e tij të përditshme. Sigurohej në mënyrë që çdo gjë të ishte në rregull. I rregullonte e i mbyllte mirë dritaret dhe kujdesej shumë për kafshët.
Përgatitej çdo ditë për momentin e furtunës. Për këtë arsye nuk frikësohej më.

Po ti? Ti a je kujdesur për jetën tënde në mënyrë që kur të vijë furtuna të mund të flesh i qetë?


per autorin: