Ngushëlluesi që të bind
“Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua; për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më; për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.” (Gjoni 16:7-11).
Parathënie
Të shumtë janë ata të krishterë, të cilët kanë qejf të dëgjojnë t’iu flitet rreth dashurisë së Perëndisë. Por, kur vjen puna për të dëgjuar rreth qortimit të Perëndisë, të tillë njerëz i mbyllin shpejt veshët. Dashuria dhe gjykimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Është e pamundur ta kuptosh njërën, pa kuptuar tjetrën. “Sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen” (Hebrenjve 12:6)… “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj” (Zbulesa 3:19). E njëjta gjë ndodh edhe me Frymën e Shenjtë. Të gjithë duan të marrin fuqinë dhe ngushëllimin e Frymës së Perëndisë, por e hedhin poshtë idenë e gjykimit. Fryma e Shenjtë na ngushëllon në momente hidhërimi, por gjithashtu edhe na bind kur mëkatojmë.
Të bindurit
Ndoshta Fryma e Shenjtë na ka bindur, atëherë kur kemi dëgjuar predikimin e fjalës së Perëndisë. Jemi ndjerë fajtorë për mëkatin dhe kemi marrë vendim se do t’i bindemi Perëndisë e jo mishit mëkatar. Ata që s’besojnë, binden, ngaqë i prek ndërgjegja, kurse besimtarët e kuptojnë se ndodhen nën ndikimin e Frymës së Shenjtë. Është Fryma e Shenjtë Ai, që na bën ta ndjejmë thellë barrën e turpit dhe të ndëshkimit, që vjen si rezultat i mëkatit të parrëfyer. Kjo bindje na shtyn drejt pendimit. “Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriut nuk i vjen keq” (2 Korintasve 7:10).
Kjo vepër e Perëndisë u shfaq qartë tek Jezusi, në momentin kur Ai iu foli farisenjve dhe skribëve, të cilët po e tërhiqnin zvarrë përpara Tij gruan, që kishte shkelur kurorën, me qëllim që Jezusi ta ndëshkonte. Në fillim, Jezusi iu drejtua drejtuesve fetarë, që po e shikonin gruan me përbuzje. Ai iu tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!” (Gjoni 8:7) Me të dëgjuar këto fjalë, akuzuesit u larguan një nga një, sepse vetë ndërgjegja e tyre po iu thoshte se ishin më mëkatarë sesa vetë gruaja. “Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes” (Gjoni 8:9). Po nuk ndërhyri Perëndia, njeriu nuk do të mund të bindet kurrë për mëkatin. Një zemër dhe një mendje kokëfortë binden vetëm atëherë, kur Fryma e Shenjtë vepron tek njeriu, që i ka sytë të errësuar prej Satanait.
Nuk mjafton vetëm që t’iu themi njerëzve se janë mëkatarë, por duhet t’i drejtojmë ata gjithashtu edhe tek i vetmi Perëndi, që mund t’i pastrojë ata prej mëkatit. “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar, nuk e tërheq” (Gjoni 6:44). Perëndia i tërheq njerëzit tek Vetja, nëpërmjet Frymës së Shenjtë. “Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7). Puna tërheqëse e Frymës së Shenjtë fillon në momentin, kur njeriu bindet për mëkatin.
Ngushëllimi
Fryma e Shenjtë i bind mëkatarët për mëkatin. Por vetëm ata mëkatarë që pendohen, arrijnë të marrin ngushëllimin e Frymës. Prandaj pra, Fryma e Shenjtë nuk mund të jetë Ngushëlluesi Ynë, po qe se, në fillim, nuk bindemi prej Tij. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:15-18). E shohim, pra, se si vetëm ata, që i binden fjalës së Perëndisë, marrin Frymën e Shenjtë dhe ngushëllimin, që të jep Ai. Ata, që nuk pranojnë t’i binden Perëndisë, përjetojnë vetëm qortimin e Frymës së Shenjtë. Ai na qorton dhe na tërheq drejt pendimit, para se të na bekojë e të na përdorë për Perëndinë.
Prania ngushëlluese e Frymës së Shenjtë iu takon vetëm atyre, që duan t’i binden Biblës. Fryma e Shenjtë nuk banon përgjithmonë në zemrat e atyre, që nuk kanë aspak dëshirë t’i shërbejnë Perëndisë. “Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3)… “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). Ata që gjejnë kënaqësi tek Zoti, do të përjetojnë ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, në mes të problemeve, vështirësive, apo përndjekjeve, që mund të kalojnë. “Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?” (Isaia 51:12-13)… “Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi. Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë. Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve. Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim” (2 Korintasve 1:3-7).
Përfundim
Secili prej nesh ka nevojë për ngushëllimin, që sjell vetëm Fryma e Perëndisë. Por a jemi gati ta pranojmë edhe qortimin e Tij, kur mëkatojmë? Ai nuk mund të banojë dot aty, ku banon edhe mëkati, sepse Ai trishtohet prej një sjelljeje të tillë. “Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë” (Efesianëve 4:30). Është e vërtetë se Fryma e Shenjtë na ka vulosur “për ditën e shpengimit“, por Ai, prapëseprapë, trishtohet atëherë, kur mëkatojmë. Mëkati e pengon Frymën, që të punojë në zemrën tonë. Le të mos harrojmë, që ta falenderojmë Perëndinë për Ngushëlluesin, që na bind e na qorton, sepse pa Të, nuk ka shpëtim.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



