Në vend të tij
Sebastiani, një eremit (murg i krishterë që braktisë çdo gjë duke jetuar në vetmi dhe duke iu kushtuar lutjes dhe meditimit të Fjalës së Zotit) plak, lutej zakonisht në një shenjtërore të vetmuar që gjendej në një luginë.
Në atë shenjtërore nderohet një kryq i cili e kishte marrë titullin “Krishti i hireve”. Vinin njerëz prej shumë vendeve për të kërkuar hire dhe ndihmë.
Sebastiani plak vendosi që një ditë t’i kërkonte një hir, dhe pasi u gjunjëzua para kryqit iu lut kështu:
“O Zot, kam dëshirë që të vuaj së bashku me ty. Më lejo që të marr vendin tënd. Kam dëshirë që të rri unë në kryq”.
Mbeti në qetësi me sy të drejtuar drejt kryqit dhe priste një përgjigje.
Papritmas Krishti i kryqëzuar i lëvizi buzët dhe i tha: “Miku im, e pranoj dëshirën tënde, por vetëm me një kusht: çfardo që të ndodhë, çfardo që të shohësh, duhet të rrish gjithmonë në heshtje e të mos flasësh asgjë”.
“Të premtoj, o Zot, se nuk do të flas në asnjë mënyrë”.
E kështu u bë ndërrimi.
Askush nga shtegtarët që vinin aty nuk e vuri re se tani në kryq ishte i gozhduar Sebastiani, ndërsa Zotëria ishte ulur në vendin e eremitit i veshur me rrobat e tija. Besimtarët vazhduan të vinin e të luteshin duke kërkuar hire, ndërsa Sebastiani heshtte duke i mbetur besnik premtimit që kishte bërë.
Derisa një ditë…
Arriti një i pasur dhe, pasi u lut, e harroi në shenjtërore një trastë plot me monedha ari. Sebastiani e vuri re, por arriti të përmbahej e nuk bëri zë. Nuk tha gjë as pas një ore, kur arriti një i varfër i cili, pas lutjes e vrejti trastën me monedha ari dhe i pabesueshëm për një fat të tillë, e mori trastën dhe shkoi. Nuk foli as kur arriti një djalosh i ri i cili u gjunjëzua dhe filloi të kërkonte që ta ruante në udhëtimin e gjatë që po fillonte nëpër det…
Por… Nuk arriti të përmbahej kur e pa se u kthye me vrap pasaniku e, meqë mendonte se ishte djaloshi i ri ai që ia kishte marrë trastën me monedha ari, filloi të bërtasë me zë të lartë duke thirrë rojet për ta burgosur.
Atëherë, u dëgjua një britmë: “Ndaluni!”.
Të befasuar, të gjithë e kthyen shikimin drejt kryqit dhe e vunë re se prej tij vinte zëri. Atëherë, Sebastiani u shpjegoi se si ishte zhvilluar ngjarja. Në të dëgjuar fjalët e Sebastianit, i pasuri u lëshua në vrap për ta gjetur të varfërin, ndërsa djaloshi me shpejtësi shkoi për ta zënë anijen me të cilën duhet të udhëtonte.
Kur në shenjtërore nuk ishte më askush, atëherë Krishti u kthye drejt Sebastianit dhe i tha: “Zbrit menjëherë nga kryqi. Nuk je i denjë të zësh vendin tim. Nuk arrite të rrish në heshtje”.
“O Zot”, u përgjigj Sebastiani, “po unë nuk duhej të lejoja një padrejtësi të tillë?”.
“Ti nuk e di”, i tha Krishti, “se për pasanikun ishte më mirë të humaste trastën me monedha ari, sepse me ato të holla ai dëshiron të paguaj një vrastarë për të marrë gjakun. Ndërsa i varfëri, në të kundërtën, kishte shumë nevojë për ato të holla, sepse ka një grua dhe pesë fëmijë e para dy ditësh i është djegur edhe kasolla e vogël që e kishte.
Për sa i përket djaloshit, po ta kishin ndalur do ta çonin në gjyq i ku do të shpallej i pafajshëm dhe nuk do të arrinte të udhëtonte me atë anije, e kështu do të shpëtonte jeta e tij, sepse në këtë moment anija e tij është duke u fundosur në det të thellë dhe i vetmi që duhej të shpëtonte nga përmbysja ishte pikërisht ky djalosh i ri”.
Është vështirë t’i njohim planet e Zotit. Shumë gjëra që ne na duken padrejtësi e vuajtje, në realitet janë shpëtim dhe burim lumturie për shumë të tjerë.
Kështu ndodhi edhe para dy mijë viteve kur Jezusi po vdiste në kryq: të gjithëve u dukej një gjë e marrë dhe e pakuptim, por në realitet vdekja e tij i parapriu ringjalljes në të tretën ditë e kështu ne e fituam lirinë nga mëkati dhe hapjen e derës së parajsës ku do të jemi të lumtur në amshim.



