Në qoftë se… Atëherë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.02.2007

“Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.” (2 Kronikave 7:14).

Parathënie
Shumica e besimtarëve bien dakort me faktin se po jetojmë në kohë të paperëndishme. Të mëkatuarit ka arritur pothuajse kulmin dhe shumë vetave iu është ftohur dashuria ndaj Zotit (Mateu 24:12). Kujt mund t’i drejtohemi, që të na japë një rrugëzgjidhje? Politikanëve? Drejtuesve të fesë? Kujt mund t’i drejtohemi tjetër përveçse Zotit? “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Kemi me të vërtetë nevojë për një derdhje nga lart të Frymës së Perëndisë mbi ne.

Ringjallja është e mundur 
“Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet. Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para teje. Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde. Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai. Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi. Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era. Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t’u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona. Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua. Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt” (Isaia 64:1-9).

A po presim që të lindë një predikues tjetër si Ueslli (Wesley), apo si Uaitfilldi (Whitefield), apo si Mudi (Moody), që të na zgjojë nga gjumi? A po kërkojmë që të vijë një predikues tjetër si Dankën Kambëll (Duncan Campbell), apo si Evan Roberts, që të na sjellë bekimin e Perëndisë? Por a e di një gjë? Perëndia po të pret ty! Puna e ringjalljes nis fillimisht në zemrat tona. Asnjë nga predikuesit e mësipërm nuk e nisi vetë ringjalljen, sepse ringjallja kish kohë që kishte nisur në zemrat e atyre të krishterëve të paktë, që po luteshin për të. Këta predikues ishin thjesht pika përqëndruese e ringjalljes në botë.

Kur predikohet ungjilli i vërtetë i Jezus Krishtit, atëherë kombe të tëra mund të bien nën ndikimin e Frymës së Perëndisë. Mbreti Jehoshafat i shfarosi të gjithë ata që merreshin me idhujtari dhe kurvëri në Jude. Si ringjallja në Uells, ashtu edhe ajo në Ishullin e Luisit (afër Skocisë) rezultuan në mbylljen e klubeve dhe të pijetoreve, atëherë kur me mijëra vetë besuan tek Perëndia për shpëtim. Disa thonë se e njëjta gjë nuk mund të ndodhë përsëri. A kemi kryer kaq shumë mëkate saqë tani s’ka më rrugëdalje? A nuk janë kushtet sot të ndryshme nga ato të viteve më parë? Po, kjo është e vërtetë, por mbi Fronin e Qiellit qëndron i ulur i njëjti Perëndi si edhe më parë! Me Të, asgjë nuk është e pamundur (Luka 1:37).

Kush e ka fajin?    
Kur e marrim në konsideratë gjendjen shpirtërore si brenda, ashtu edhe jashtë kishës, zakonisht përpiqemi të fajësojmë dikë apo diçka për problemin që shohim. A ta fajësojmë politikanin e korruptuar dhe drejtuesin e fesë? Ata gjithmonë kanë qenë të pranishëm në këtë botë, apo jo? Apo, mos vallë, shkaku i mëkatimit të sotëm është televizori, apo radioja, apo kompjuterat, apo teknologjia moderne? Por gjithmonë ka patur forma të ndryshme argëtimi, që i kanë larguar njerëzit nga Perëndia. Ç’mund të themi për ata që keqtrajtojnë fëmijët, apo për homoseksualët? Njerëz të tillë e kanë helmuar gjithmonë shoqërinë. Në të kaluarën, Perëndia i ka bekuar kombet me shumë ringjallje të shquara, pavarësisht nga të gjitha këto të liga të vjetra.

Shpesh, Perëndia ka dërguar ringjallje, atëherë kur një komb ka arritur nivelin më të ulët të moralitetit, d.m.th. atë nivel të ujërave të zeza. Ne ia kemi arritur kësaj pike sot. Pse, atëherë, vonohet ardhja e rilindjes? Fajin e ka kisha. Ne nuk e besojmë se ringjallja është e mundur, apo se Perëndia mund të na përdorë ne për të sjellë një ringjallje të tillë. Duhet ta mbjellim farën e ringjalljes, edhe pse ndoshta mund të jetë brezi i ri, që do t’i mbledhë të korrat. Po qe se ringjallja do të vinte që nesër, ajo do të vinte për shkak se dikush (në të kaluarën) e ngriti themelin para nesh.

Ringjallja është e pa-evitueshme      
Ringjallja është e pa-evitueshme për ata që veprojnë sipas fjalës së Perëndisë. Si fillim, duhet të plotësohen disa kushte të thjeshta. Le t’i hedhim prapë një sy 2 Kronikave 7:14.

“Në qoftë se”… Duket pothuajse sikur Perëndia thotë: “Ah, sikur!” Po qe se bëjmë atë që na kërkohet, atëherë Perëndia do të veprojë për hatrin tonë. Në vend të fjalës “në qoftë se” mund të përdoret edhe fjala “kur”.

“Populli im, i cili thirret me emrin tim”… A jemi populli i Perëndisë? Nëse jemi, atëherë Perëndia është gati të na rilindë, apo të na ringjallë. Perëndia po i thërret të vetët, me qëllim që ata të ndryshojnë dhe i gjithë vendi i tyre të ndikohet nga këto ndryshime.

“Përulet”… Përulësia nuk është një nga karakteristikat e kishës së ditëve të sotme. Perëndia na përdor, atëherë kur bëhemi “askushi”. Duhet të jemi si argjila në duart e po*arit.

“Lutet”… Zoti do të përgjigjet, atëherë kur lutja e vërtetë bëhet nga thellësia e zemrës.

“Kërkon fytyrën time”… Nganjëherë ne lutemi me gojë, por nuk e kërkojmë me të vërtetë fytyrën e Perëndisë. Të kërkosh fytyrën e Perëndisë do të thotë të lutesh me agoni në shpirt, të trokasësh në derën e Perëndisë, derisa Ai ta hapë.

“Dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija”… A jemi gati ta lëmë një herë e përgjithmonë mbi altar atë mëkat që na qarkon vazhdimisht duke na joshur? Fryti i mirë nuk mund të rritet në degë të kalbura. Në të njëjtën mënyrë, nuk mund të presim që Perëndia të ndërhyjë, ndërkohë që ne s’kemi hequr dorë nga mëkati.

“Atëherë”… Kur “në qoftë se”-ja është kryer, atëherë Perëndia do të kryejë “atëherë”-n, d.m.th. Perëndia do të veprojë gjithmonë ashtu siç ka premtuar, sapo të jenë plotësuar kushtet. Shikoni librin e Gjyqtarëve. Ky është një ditar, që mban shënim ringjalljet, dhe jo thjesht një listë historish rreth ca njerëzve të famshëm. Perëndia derdhi shpirtin e ringjalljes mbi kombin e Izraelit, sapo ai e hodhi tej mëkatin.

“Unë do ta dëgjoj nga qielli”… Jo nga godina e parlamentit, apo nga pallati i kryepriftit, por nga Qielli! Perëndia na premton një përgjigje personale dhe të menjëhershme ndaj përuljes, lutjes dhe braktisjes së mëkatit nga ana jonë.

“Do t’i fal mëkatin e tij”… Jo mëkatet e kombit, edhe pse ato janë të shumta, por mëkatet e popullit të Tij. Gjyqi gjithmonë fillon nga shtëpia e Perëndisë (1 Pjetrit 4:17).

“Dhe do ta shëroj vendin e tij”… Ky lloj shërimi është ringjallje dhe një revolucion  shenjtërie dhe drejtësie.          

Përfundim
Perëndia mund ta bëjë një gjë të tillë edhe sot, sepse Ai nuk ndryshon kurrë (Hebrenjve 13:5). Derdhja e zemërimit të Tij mund të kthehet në një derdhje të mëshirës së Tij. Kjo gjë ndodhi në Nineve, kur predikoi Jona. Ndodhi në Angli, kur predikoi Ueslli. A nuk mund të ndodhë përsëri? “O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën” (Habakuku 3:2).

Nga Pastor Gary J. Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net