Ndize përsëri pasionin!

Categories: Predikime

“Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le. Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh… Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë! Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime. Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur. Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh. Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu. Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua. Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij” (Zbulesa 2:4-5, 3:15-21).
 
Parathënie
Edhe pse mund të mos na pëlqejë të dëgjojmë të na predikohen tema të tilla, secili prej nesh duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje: A egziston në jetën tonë ndonjë gjë, që po e pengon Perëndinë së vepruari tek ne? Është për të të ardhur keq, që shumica e besimtarëve e kanë humbur dashurinë e tyre të parë dhe janë bërë të vakët. Zellit dhe pasionit të dikurshëm ia ka zënë vendin krishtërimi mediokër. Zjarri, që dikur flakëronte në shpirtin e tyre për Zotin, mund të ndizet prapë, nëse i besojnë Atij. Ndoshta jemi akoma të flaktë për Krishtin, por një mesazh i tillë na ndihmon që të vazhdojmë ta mbajmë atë flakë të ndezur, që të mos na shuhet. “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Korintasve 10:12).
 
Pasion i humbur
Me fjalën “pasion” nënkuptojmë përkushtimin biblik ndaj Krishtit. “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde” (Luka 10:27). Ky pasion mund të humbet për disa arsye:
1) Ndoshta i konsiderojmë gjërat e shenjta thjesht si gjëra fetare dhe, në vend që ta adhurojmë Zotin “në frymë dhe në të vërtetë”, jemi kthyer në shërbëtorë me detyrim, duke ia bërë qejfin vetes e duke e patur ndërgjegjen të pastër (Gjoni 4:24). Feja na e shuan zjarrin e përkushtimit tonë ndaj Perëndisë.
2) Ndoshta iu jemi përshtatur standarteve të botës. Kodi moral i kësaj bote ndryshon vazhdimisht, ndaj edhe nuk mund ta marrim atë dot si kodin tonë. Kemi standarte më të larta, sesa ç’mund të na japë bota, prandaj edhe nuk mund të jetojmë si të humburit. “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:2). Po të jetojmë sipas standarteve të botës, kemi për t’u ftohur ndaj gjërave të Perëndisë dhe, shumë shpejt, kemi për t’u mërzitur me shërbesën e Tij.
3) Ndoshta vështirësitë na kanë bërë, që të heqim dorë nga Perëndia. Kjo vjen shpeshherë, ngaqë kujtojmë se meritojmë më shumë nga jeta, e jo vuajtjet për kauzën e Krishtit. Kur mendojmë kështu, atëherë gëzimi, që dikur ndjenim tek i shërbenim Zotit, fillon e shuhet. “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet” (Jakobi 1:2).
4) Ndoshta në jetën tonë kemi akoma mëkate të parrëfyera. Nuk është asnjëherë një gjë e mirë ta mbash mëkatin nga brenda, sepse ai ta ha jetën shpirtërore, ashtu si kanceri. Mëkati është një nga mënyrat, që na e largon Perëndinë prej jetës sonë. “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2). Teksti në hyrje të këtij studimi na thotë se pendimi mund të na e zgjidhë problemin e mëkatit dhe mund të na bëjë përsëri të flaktë për Zotin.
 
Pasioni i rifituar
Duhet të jemi gati për ta ndryshuar mënyrën tonë të jetesës, nëse duam ta rifitojmë pasionin e humbur. Qëllimi ynë i vetëm në jetë duhet të jetë për ta kënaqur Perëndinë, nëpërmjet besimit të vërtetë. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij” (Hebrenjve 11:6). Këtu duhet të përfshihet vendosshmëria jonë, për të qenë ai lloj njeriu, që kërkon Perëndia që të jemi. Ashtu siç bota kërkon që të ketë sukses në planet e veta, ashtu edhe ne duhet të dëshirojmë, që të kemi një jetë të suksesshme të krishterë. Një besim i tillë duhet të ngrihet mbi themelin e fuqishëm të fjalës së Perëndisë. Po të bazohemi mbi ndonjë themel tjetër, apo n.q.s. dëshira jonë është e dobët, atëherë përpjekjet tona nuk do të japin fare rezultat. “Por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme” (Marku 4:19). Do të rritemi e do të maturohemi, aq shumë saç kemi dëshirë.
Shembulli ynë më i mirë për të jetuar një jetë të përkushtuar, është vetë Krishti. Ai donte vetëm që ta kënaqte Atin e Tij. “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” (Gjoni 4:34). Ai ishte i zellshëm për gjërat e Perëndisë. “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!” (Gjoni 2:17). Apostulli Pal është një shembull tjetër për ne, shembull i një njeriu me shpirt të flaktë për Perëndinë. Ai shkroi: “Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:14) dhe “Për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet” (Kolosianëve 1:29).
Duhet që, me të vërtetë, të dëshirojmë të jemi të flaktë për Perëndinë, sepse, përndryshe, kot që e marrim në konsideratë këtë fakt. Na duhet që të jetojmë, të drejtuar prej Frymës së Shenjtë. “Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16)… “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14)… “Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë” (Romakëve 12:11). Ky pasion i ripërtërirë, jo vetëm që do të na e ndryshojë jetën tonë, por ka për të ndikuar për mirë edhe në jetët e atyre, që na rrethojnë. Me fjalë të tjera, pra, zjarri është ngjitës. “Sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te Maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë” (2 Korintasve 9:2).
Ndoshta kemi kujtuar se vetëm disa njerëz mund ta kenë një pasion të tillë për Zotin. Por, jo, ky pasion është për të gjithë ata, që janë gati të preken e të pastrohen prej flakës së shenjtë. “Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet” (Isaia 6:6-7). Nëse nuk e kemi akoma një pasion të tillë, atëherë, le të lutemi, që ta marrim. “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket” (Mateu 7:7-8).
    
Përfundim  
Nuk kemi pse të jemi të vakët, apo me dy mendje, kur vjen puna për t’i shërbyer Perëndisë. Përkundrazi, duhet të jemi të entuziazmuar dhe të pasionuar pas Tij. Fryma e Shenjtë mund të na e ndezë përsëri shpirtin flakë. Zoti e ka gjithashtu një rrugëzgjidhje edhe për ata, që janë të zhytur në mëkat. Ai mund t’i çlirojë ata menjëherë, nëse pendohen dhe e ringjallin përsëri dashurinë e tyre të parë për Të. Zjarri nuk ka, pra, pse të na shuhet në zemër, por mund të flakërojë ndriçueshëm përsëri.       
 
 
Author: magda.maylam

Leave a Reply