Ndikimi negativ i muzikës së kësaj bote tek besimtarët



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.01.2012

“Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 4:8).
 
Parathënie
Në Bibël nuk na thuhet që është mëkat të dëgjosh muzikën e kësaj bote, por në të njëjtën kohë, e dimë se gjithçka që prodhohet prej kësaj bote mëkatare, përfundon në degjenerim. Muzika e çfarëdo lloj forme është thjesht një zinxhir notash muzikore, të cilat mund të përdoren për mirë apo për keq. Duke marrë në konsideratë edhe vargun biblik të mësipërm, duhet t’i bëjmë pyetje vetes: “A është e pastër muzika e kësaj bote? A është krijuar ajo për ta nderuar Perëndinë, apo jo?” Zoti interesohet për ne dhe na kërkon që ta përqëndrojmë vëmendjen tonë tek ato gjëra, tek ato mendime, të cilat na e forcojnë dhe nuk na e shkatërrojnë jetën tonë shpirtërore. Pothuajse e gjithë muzika e kësaj bote të nxit të kesh mendime të pista, apo të bën të veprosh në mënyrë të gabuar, ndaj edhe ajo nuk duhet të përdoret prej besimtarëve, të cilët duan të përparojnë në Mbretërinë e Perëndisë. “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (1 Gjonit 2:15).
 
Muzika e kësaj bote e çnderon Perëndinë
Ka nga ata të krishterë liberalë, të cilët thonë se janë të lirë të dëgjojnë muzikën e kësaj bote, por, duke vepruar kështu, ata i kundërvihen vullnetit të Perëndisë në jetën e tyre. Është e pamundur që pastërtia të dalë prej burimeve të pista. “Mos vallë burimi nxjerr nga e njejta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur? A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël” (Jakobi 3:11-12). Gjithçka që bën besimtari, duhet të jetë për lavdinë e Perëndisë. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve 10:31). A e lavdërojnë Perëndinë shumica e teksteve të këngëve, që këndohen sot prej jobesimtarëve? Në fakt, të pakta janë ato këngë, që nuk flasin për imoralitetin, apo që nuk janë vulgare. Le të tregohemi të sinqertë tani. Cila prej këngëve të tilla na bën që t’i afrohemi edhe më shumë Zotit, apo që të duam të jetojmë një jetë edhe më të shenjtëruar? “Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime” (Efesianëve 5:3-4).
Veprimet apo mendimet tona lënë pasoja si për mirë, ashtu edhe për keq. Është e vërtetë se jemi të lirë të zgjedhim për të dëgjuar atë muzikë që na pëlqen, por nëse ajo muzikë nuk e nderon Krishtin, atëherë ka për të na e shkatërruar shpirtin. Vetë Perëndia e krijoi muzikën, ndaj edhe mund të themi me bindje të plotë se muzika është e një natyre shpirtërore dhe ka një ndikim të madh në shpirtin, mendjen dhe trupin e njeriut. Satanai e di mirë këtë gjë, ndaj edhe gjithmonë është përpjekur për ta korruptuar këtë dhuratë të mrekullueshme, duke ia vjedhur kështu lavdinë Perëndisë. E dimë, p.sh. se djalli u krijua si një ëngjëll me shumë vegla muzikore (Ezekieli 28:13), ndaj edhe ai është i pajisur mirë për ta mashtruar botën me tinguj mëkatarë. Vetëm një i krishterë liberal mund të thotë se muzika e kësaj bote është e frymëzuar prej Frymës së Shenjtë. Vërtet që nga pamja e jashtme na duket sikur kjo muzikë e ka prejardhjen prej mendimeve njerëzore, filozofike apo emocionale, por në fakt, krijuesi i saj është vetë djalli.
E si mund të dëgjojë besimtari i shenjtëruar një muzikë, që të nxit të mëkatosh, apo një muzikë, që i dedikohet djallit? Nëse një muzikë e tillë nuk e ka burimin prej Qiellit, atëherë nuk kemi pse ta dëgjojmë. Nëse jemi vërtet krijesa të reja “në Krishtin”, atëherë “gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Duhet ta hedhim poshtë dhe të mos ia vëmë veshin muzikës së kësaj bote. “Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni” (Efesianëve 5:11). Perëndia do të na japë kurajon, për ta mposhtur çdo dëshirë që mund të kemi, për ta mbushur mendjen tonë me mbeturina, sepse Ai dëshiron që ne të ecim përpara Tij në shenjtëri. “Provoni të gjitha, mbani të mirën. Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë. Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë” (1 Thesalonikasve 5:21-24).
 
Po muzika e krishterë?
Do të tregoheshim naivë fare, nëse nuk do ta pranonim se edhe muzika e krishterë e ditëve të sotshme është ndikuar prej muzikës së kësaj bote. Është me vlerë për t’u theksuar fakti se, p.sh. nëse tingujt muzikorë janë aq të zhurmshëm, saqë nuk mund t’i dëgjojmë mirë fjalët e një kënge, atëherë autori i këngës e ka një arsye që vepron kështu, sepse përndryshe pse e fsheh mesazhin e krishterë të këngës së tij? Muzika duhet të shoqërojë fjalët, jo fjalët muzikën! Për më tepër, problemi qëndron edhe tek vetë fjalët apo teksti i këngëve të sotshme të krishtera. Shumica e tyre nuk përmbajnë qoftë edhe një fjalë të vetme lidhur me Perëndinë, apo Biblën. Nga ana tjetër, përdorimi tejmase i fjalës “dashuri” i mashtron besimtarët, të cilët kujtojnë se ajo këngë, apo ai grup muzikor është i shenjtëruar. Djalli nuk prodhon asnjë lloj muzike të pastër, apo të mirë.
Veglat muzikore, ritmet, meloditë, harmonia dhe teksti i këngëve të krishtera nuk duhet t’i përngjajnë muzikës së botës. Nuk ka ç’na duhet pisllëku i botës, kur kemi në zemër muzikën e Zotit! “Duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj” (Efesianëve 5:19)… “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!” (Kolosianëve 3:16). Muzika gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në të adhuruarit e Perëndisë (Zanafilla 31:27) dhe zakonisht ajo është shoqëruar me valle, apo vallëzim (Eksodi 31:27). Le të mos e harrojmë faktin se Davidi, “këngëtari i ëmbël i Izraelit” organizoi një kor dhe orkestër për ta adhuruar Perëndinë në Tempull (2 Samuelit 23:1, 1 Kronikasve 15). Madje edhe në librin e fundit të Biblës (tek Zbulesa) na thuhet qartë se si Perëndia ka për t’u adhuruar nëpërmjet muzikës. Këtu qëndron, pra, edhe thelbi i çështjes: a e nderon dhe a e lavdëron Zotin muzika e krishterë e ditëve të sotshme? A na nxit ajo për të patur një marrëdhënie edhe më ngushtë me Të? Të shumtë janë ata artistë të krishterë, të cilët ia kanë përkushtuar jetën Shpëtimtarit dhe nuk kanë adoptuar tingujt e pistë të kësaj bote. “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24).
  
Përfundim 
A është mëkat të dëgjosh muzikën e botës? Nëse ajo muzikë nuk e lavdëron Perëndinë, nëse ajo të nxit të tregohesh i pabesë ndaj Tij, nëse teksti i këngëve të saj është i gabuar nga ana morale, atëherë po, dëgjimi i një muzike të tillë është mëkat. Pse i harxhon kot paratë dhe kohën tënde, duke dëgjuar atë që ta ndot dhe ta shkatërron shpirtin? “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjonit 2:15-17).
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com