Ndaj Filimonit (komentari)



nga: kamenica, botuar me: 06.02.2007

Shkruar nga: Spiros I. Portinos
Perkthyer ne shqip nga: Lavdimir Marku

Letra e vetme…

Letra drejtuar Filemonit, të cilën disa e quajnë thjesht një shënim ose biletë, për shkak se është e shkurtër, është me të vërtetë letra më e shkurtër e apostullit Pal. Por megjithëse i shkurtër, ky tekst sikurse edhe Letra drejtuar Romakëve, na paraqet mendimin e tij të thellë. Këtu ai na zbulon zemrën e madhe në Krishtin.
Nga njëra anë kjo letër zë një vend të veçantë në literaturën e krishterë dhe Shkrimin e Shenjtë sepse është letra e vetme personale e Apostullit të Kombeve. Pali duhet të kishte shkruar edhe letra të tjera personale. Rrethi i vëllezërve, i të njohurve të tij personalë, shërbesa që kryente thuajse në gjithë atë botë të njohur dhe fakti se Perëndia e përdorte për të sjellë tek e vërteta një listë shumë të gjatë shpirtrash, bindin se letra drejtuar Filemonit nuk ishte letra e tij e vetme personale. Të gjitha letrat e tij personale humbën dhe kjo e bën letrën edhe më të dëshirueshme dhe interesante.

Karakteri i letrës

Letra e vogël është e mbushur me delikatesë. Zemra e Palit derdh gjithë madhështinë e dashurisë së Krishtit. Nuk është apostulli i ditur i asaj drejtuar Romakëve, mësuesi i rreptë i letrave drejtuar Korintasve, ati i mençur i letrave baritore; këtu është thjesht Pali. Përsëritja e fjalës “zemër”, tregon zemrën e madhe të Palit. Një mësim i parë që del nga Letra për ata të cilët Perëndia i ftoi t’I shërbejnë, është zjarri dhe delikatesa që Pali tregon me shpirtrat që sillte në dritën e Krishtit.
E gjithë letra mban erë paqeje, një ngrohtësi të veçantë dhe ndoshta një ide të padukshme dhe kalimtare malli, për familjen, të cilën Pali e dogji mbi altarin e flijimit të madh për lavdinë e Perëndisë.


Personazhet e letrës

Kjo letër ngjason me dramat e lashta klasike të cilat mbanin si titull emrin e personazhit kryesor që luante në skenë.
Kështu personi që zotëron pas Zotit Jezus, i cili u flet zemrave dhe ndryshon jetë njerëzish, është Onesimi.
Asnjëra prej letrave të tjera të Palit nuk është kaq shumë, kaq e lidhur me një person të vetëm, sa kjo letër. Nëse do të kishte vend për titull, do të mund ta quaje menjëherë: “Onesimi”.
Emri është grek dhe i përdorur zakonisht për skllevër. Ai mund të përkthehet lirshëm si “ai është i dobishëm”. Ekzistojnë dy alternativa rreth asaj çka ngjet dhe shkaqeve që çuan në shkrimin e kësaj letre. Alternativa e parë dhe e njohur gjithkund na e jep Onesimin si një skllav, i cili shpëtoi dhe sikurse del në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga vargu “dhe në qoftëse të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim”…, tregon se ishte njëkohësisht edhe vjedhës.
Onesimi mbërriti në Romë, në qendër të Tokës, dhe humbi në lagjet e ndyra të skllevërve dhe keqbërësve në brigjet e Tiberit. Nuk e dimë mënyrën se si ra në kontakt me Palin. Por është e sigurt që Pali e çoi tek e vërteta dhe i bëri të njohur Shpërimtarin Krisht. Sipas shprehjes karakteristike të letrës, Pali e lindi Onesimin në pranga. Se sa kohë qëndroi Onesimi tek Pali edhe kjo nuk dihet. Por fakti që ai i shërbeu Palit të burgosur, dhe çështjes së Ungjillit, tregon për një farë periudhe.
Një vështirësi duhet t’i ketë dalë Palit: si do të mund ta ndihmonte një skllav të arratisur? Alternativa romantike se u njohën dhe jetuan bashkë në një burg romak, është e vështirë të qëndrojë po të mendojmë se Pali të paktën gjatë burgimit të tij të parë në Romë, jetoi me qira.
Diçka e papritur do të vijë që t’i shtyjë gjërat drejt zgjidhjes përfundimtare. Ndoshta mund të jetë ardhja e Epafrës. Epafra e njohu Onesimin dhe historia e trishtueshme e këtij të fundit erdhi në dritë, dhe ardhja e Epafrës bëri që sytë e skllavit të njomen nga lotët e pendimit? Dhe vendoset që Onesimi t’i dërgohet Filemonit, zotërisë së tij. Pali ka nevojë ta mbajë pranë, por nuk do ta mbajë Onesimin pa pasur së pari miratimin nga Filemoni. Tashmë ai skllavi i dikurshëm dhe i pavlerë u bë, me hirin e Krishtit, i vlefshëm.
Letra shkruhet dhe i jepet - sikurse duket - Tikikut në dorë, i cili bëhet postieri dhe sjell me vete edhe letrat drejtuar Kolosianëve, Filipianëve dhe Efesianëve. Dhe rrëfimi i kësaj historie, mbush shpirtrat e besimtarëve këtu e dy mijë vjet me falënderim ndaj Zotit.
Alternativa e dytë, dhe duhet të themi se është pak e ndërlikuar, ka për krijues të sajin E. GOODSPEED-in. Edhe kjo alternativë e dytë është edhe më romantike, por më tepër dramatike.
Dhe në qoftë se herën e parë thamë se letra mund të titullohej “Onesimi”, këtë herë del qartë një person tjetër, Arkipi. Në letër, tek vargu 2, Pali i dërgon të fala Arkipit, duke e quajtur atë bashkëluftëtar. Veç kësaj përshëndetja i drejtohet edhe “kishës në shtëpinë e tij”.
Duhet të kujtojmë gjithashtu se tek Letra drejtuar Kolosianëve 4:17, ekziston një porosi e veçantë për Arkipin. Dhe është karakteristike që porosia jepet pikërisht në mes të mesazheve drejtuar Kishës në Laodice. Kështu që e kupton lehtë ndokush se Arkipi është një prej pleqve te Kishës në Laodice, dhe siç duket rri dhe banon aty. Kështu shpjegohet ajo që Arkipi duhet të marrë mesazh gojor nga Kolosianët, sepse po të ishte banor i Kolosit do ta dëgjonte letrën sikurse të gjithë vëllezërit e tjerë të kësaj kishe. Nëse gjërat janë kështu edhe Onesimi ishte nga Laodiceja dhe Letra drejtuar Filemonit duhet të jetë letra e humbur sikurse duket nga Kolosianëve 4:16. Dhe kështu del një shpjegim i bukur për Letrën, e cila nuk i drejtohet, megjithë karakterin e saj personal, vetëm Filemonit, por gjithë Kishës në Laodice. Sepse duhet të kemi parasysh se nën ligjet e skllavopronarisë së atyre kohërave, sa e madhe do të ishte përgjegjësia e Palit që ta dërgonte të arratisurin dhe kusarin dhe ç’turbullirë do të mund të krijonte ky veprim i Palit. Duhej që pritja dhe pozicioni i Onesimit të përbënin një objekt mendimesh dhe vendimesh për të gjithë kishën.
Del një vështirësi: tek Kolosianëve 4:9, Onesimi përmendet si “nga tuajt”, gjë që krijon përshypjen se ishte kolosian.
Por E. GOODSPEED-i thekson, dhe me shumë të drejtë, se Hierapoli, Kolosi dhe Laodiceja, ishin shumë afër njëra me tjetrën dhe lidhjet midis besimtarëve dhe kishave ishin të shumta dhe të forta, sa mund të shiheshin të gjitha bashkë si një bashkësi e vetme frymore. Dhe Onesimi ishte nga e njëjta krahinë.
Dhe historia vazhdon…
E. GOODSPEED-i na e jep Filemonin me një zemër të madhe, zemër të pastër Krishti. Një zemër që nuk do t’i kundërshtojë Palit, t’i japë atij, t’i falë Onesimin. Tashmë jo ta ndihmojë në burg, por ta ketë shok të vërtetë besimi dhe bashkëluftëtar në shërbim të Ungjillit të Krishtit.
Dhe Onesimi qëndron ndoshta pranë Palit, jeton pas vdekjes së Palit dhe u shërben kishave të Azisë së Vogël.
Nëse gjërat janë kështu atëherë emri i Onesimit do të dëgjohet përsëri në historinë e kishës. Pesëmbëdhjetë, ndoshta tetëmbëdhjetë vjet më vonë pas ngjarjes që përshkruhet, Ignati, një prej martirëve të mëdhenj të krishterë, dërgohet nga Antiokia për në Romë që të ekzekutohet. Në rrugë e sipër shkruan një radhë letrash, të cilat kanë shpëtuar. Njërën prej këtyre, e shkruan në një ndalesë që bënë në Izmir. Ajo i drejtohet kishës në Efes. Një pjesë e madhe e kapitullit të parë i është kushtuar mbikëqyrësit të tyre, që përshkruhet me fjalët më të jashtëzakonshme. Dhe a doni ta mësoni emrin e mbikëqyrësit? Onesim!! Ignati bënë të njëjtën lojë fjalësh me Palin dhe shkruan se sa i dobishëm ëshë mbikëqyrësi i tyre. Mos bëhet vallë fjalë për skllavin e arratisur, Onesimin? Pse jo? A nuk është i aftë Krishti të bëjë mrekulli me pasoja dhe rezultate kaq mahnitëse?

Pali
Poli i dytë i letrës

Gjyqi i Palit para Agripës dhe Festit në Cezare, duhet të jetë bërë vjeshtën e vitit 60 pas K.. Dimri i vitit 60 pas K. kalohet gjatë udhëtimit për në Romë dhe mbytjes në Maltë. Është llogaritur se Pali bashkë me bashkëpunëtorët e tij mbërritën në Romën e Neronit rreth prillit të vitit 61 pas K., kurse burgimi i parë mendohet se ka zgjatur thuajse 3 vjet (61-62 dhe 63 pas K.). Nga vargu i 1 Timoteut 1:3, duhet që nga fundi i vitit 63 pas K., Pali të jetë liruar dhe të ketë shkuar në Azinë e Vogël. Është pikërisht ai vit në të cilin Jozepi mbërriti në Romë. Vitin e ardhshëm, më 19 korrik të 64-ës pas K., do të digjet Roma dhe do të fillojnë përndjekjet e mëdha ndaj të krishterëve. Letra drejtuar Filemonit duhet të jetë shkruar nga Roma më 63 pas K., bashkë ose njëkohësisht me atë drejtuar Efesianëve dhe atë drejtuar Kolosianëve.
Pali tashmë ka një përvojë të madhe frymore. Pasi të kemi shënuar kthimin e tij tek Krishti më 36 pas K., do të kemi 27 vite jetë me Zotin. Dhe nëse udhëtimi i tij i parë misionar u bë në harkun kohor 46-47 pas K., Pali do të ketë një jetë me 17 vjet veprimtari misionare. Mundet të flasë si plak, si baba frymor. Është pikërisht ai i cili mund të thotë se Filemoni s’do të ishte e padrejtë që të rrëfente se të gjitha ia detyronte Palit. Domethënë nuk është vetëm çështje qëllimi por edhe mundësish…

Në ato vite…
Pali dhe rendi i skllavërisë

Duke marrë shkas si nga njëra alternativë ashtu edhe nga tjetra, për jetën e Onesimit, besoj se duhet të qartësohet në mendjet tona një çështje. Çështje e vështirë por që megjithatë duhet zgjidhur.
Ekziston një padi e rëndë e ngritur kundër Palit, padi që ngrihet edhe ndaj frymës së lirisë në Krishtin. Është akuza ndaj krishtërimit, se ky i fundit ndërkohë që nuk mundi ta shërojë plagën e skllavërisë nuk guxoi as edhe ta prekë këtë çështje. Është e vërtetë? Le të shikojmë si fillim pozicionin e skllevërve në atë kohë. Skllavi nuk ishte njeri. Ishte diçka, send, vegël folëse, shitej dhe blihej dhe zotëria i tij kishte mbi të të drejtën e jetës dhe vdekjes. Një tekst zyrtar thotë se zotëria mund t’i rrihte ose dënonte me punë të rënda, duke i vënë p.sh. të punojnë të lidhur me zinxhirë, në arat e tij ose në ndonjë lloj punishteje - burg. Mundej gjithashtu t’i fshikullonte me thupër me kamzhik të zakonshëm ose me nyje. Gjithashtu edhe t’i shënonin në ballë nëse ishin vjedhës ose të arratisur, madje dhe t’i kryqëzonin rebelët.
Tekstet në lidhje me temën e prekur janë të shumta dhe faktet që kanë mbërritur deri në ditët tona, të frikshme. Si karakteristik duhet të përmendim një rast që na jep Pleni, historiani thuajse i së njëjtës periudhë me Palin, dhe që përshkruan mënyrën se si Vedio Pollio dënon një skllav. Skllavi sillte një tabaka me gota qelqi në oborr, por i ra një gotë dhe u thye. Vedio Pollio urdhëroi menjëherë dhe skllavin fatkeq e hodhën në një rezervuar me peshq mishngrënës, që ndodhej në mes të oborrrit. Kuptohet që e grinë menjëherë.
TYNEVAL-i i madh na jep disa pamje karakteristike: Një zonjë rreh për vdekje një skllave, vetëm e vetëm për një kapriço. Një romak tjetër kënaqet duke dëgjuar tingujt e rrahjes me kamzhik dhe i duket kjo më të ëmbël se kënga e sirenave dhe s’ndjehet i lumtur veç kur thërret xhelatin për të djegur me hekur të skuqur dikë që vodhi… një palë peceta.
Një skllav i pabindur nuk ekzekutohej nëse më parë nuk kalonte para disa torturave të tmerrshme, si shembull për të tjerët. Pothuajse çdo shtëpi romake kishte në bodrumin e vet edhe sallën e torturave.
Ishin shumë me fat ata skllevër që pas arratisjes dhe arrestimit të parë shpëtonin me një vulë të madhe DT në ballë. DT ishin shkronjat e para të fjalës DRAPETA që do të thotë në latinisht i arratisur.
Më e tmerrshme në gjithë këtë histori dramatike është se torturimi dhe më pas vrasja e skllevërve, bëhej me dashje.
Në Perandorinë Romake kishte 60.000.000 skllevër. Një kryengritje e tyre pa dyshim që do ta thyente keq perandorinë. Prandaj duhej që me çfarëdolloj mënyre dhe për një shkak çfarëdo, të turpëroheshin, të frikësoheshin, të binin.
Por thellë-thellë, në kuptimin e plotë të fjalës, skllavëria ishte e trupëzuar me mendimin njerëzor. E gjithë shoqëria e lashtë ekonomikisht ishte e mbështetur mbi punën e skllavërisë. Aristoteli ishte i mendimit se natyra e gjërave e bën të nevojshme ekzistencën e një numri njerëzish që do të duhej të ishin skllevër, të prisnin dru, të pomponin ujë, t’u shërbenin njerëzve që i takonin shtresave më të larta.
Përse Pali nuk mori një pozicion përfundimtar? Përse veçanërisht, nuk kërkoi nga Filemoni ta lironte, atë që tashmë e kishte vëlla, Onesimin?
Le ta analizojmë më me kujdes; të supozojmë se krishtërimi do të ngrihej menjëherë pro çlirimit të skllevërve. Ky veprim do të çonte në një tragjedi të dyfishtë. Lëvizja e papërgatitur, e vakët dhe mbi të gjitha e papjekur, do të mbytej në gjak dhe në tmerr. Dhe skllevërit do të ktheheshin - ndoshta me të drejtë - kundër të krishterëve duke pasur aleat tashmë dhe të zotët. Krishtërimi do të ishte një organizatë e vërtetuar si subversive.
Por është edhe një pikë tjetër delikate që del fare qartë: Krishti erdhi jo që t’i bëjë skllevërit të lirë, por skllevërit dhe zotërinjtë “një në Krishtin Jezus “.
Krishti krijoi jo një përmirësim të mjerimit shpirtëror të njeriut por një marrëdhënie të re. Të krishterët, të gjithë, pavarësisht nëse janë skllevër ose të lirë, barbarë, skitë, judenj a grekë, janë tani diçka e re, janë tani një në Krishtin Jezus, Galatasve 3:8. Onesimi kthehet dukshëm, skllav. Por jo. Tashmë ishte vëllai i Filemonit. Filemonin dhe Onesimin nuk i lidhnin interesat, rende klasore dhe shtresa shoqërore; tani i lidhte amshueshëm dhe në mënyrë të pandashme Gjaku i Shpëtimtarit Krisht. Çlirimi nga skllavëria nuk ishte qëllim. Ishte një rezultat i natyrshëm. Ishte fryti historik që erdhi e u poq. Një çlirim do ta bënte skllavin si zotërinë e tij. Krishti e bën skllavin një me zotërinë dhe kjo është e mrekullueshme. Predikimi i Krishtit nuk synon ta ngrejë skllavin në një shkallë më të lartë shoqërore, por mëson, predikon, një mënyrë sa të habitshme aq edhe të mrekullueshme, të prishjes së skllavërisë: Zotëria do ta dojë skllavin e tij, dhe skllavi do ta dojë zotërinë e tij. Takimi nuk do të bëhet mes rrënojave të një shkatërimi që do të sjellë një luftë, por në lëndinën e dashurisë.
Le të rrëfejmë me turp se madje edhe sot s’mbërritëm tek idealja e dëshiruar e dashurisë së Krishtit. Ndryshimi që nga atëherë është se nuk lejohet që njëri ta shikojë tjetrin si send. Por le të bëhet e ditur se ende s’e shikojmë njëri-tjetrin sikurse duhet - si vëllezër. Janë të shumtë ata që thonë se pjesët e njohura, që shkroi Pali për detyrimet e skllevërve etj., (Efesianëve dhe Kolosianëve), janë fryt i bisedave të gjata që ai kishte pasur me Onesimin.
Si mbyllje do të mund shpallte ndokush se Pali s’pati frikë dhe nuk e uli flamurin kundër skllavërisë. Por në vend të mjeteve njerëzore shkatërruese e plot tmerre, predikoi, jetoi dhe zbatoi në rastin e Onesimit, diçka tjetër, më rezultative, më të fuqishme dhe të përjetshme: marrëdhënien e dashurisë në Krishtin.

Ndarja e letrës

Ajo ndahet lehtë. Pjesët e ndara kanë përmbajtjen e tyre, dhe në këtë pikë ngjasojnë me letrat klasike të Apostullit të Kombeve.
Shumë klasifikime janë bërë deri tani. Ndjekim dhe me përulësi tregojmë vijuesin që është dhe më i lehti:
A. Përshëndetje, v. 1-3
B. Falënderim ndaj Filemonit, v. 4-6
C. Dëshmi e dashurisë së Filemonit, v. 7
D. Çështja e Onesimit, v. 8-16
E. Pali dhe Filemoni, v. 17-20
F. Bindja e Filemonit, v. 21
G. Ftesa për përgatitjen, v. 22
H. Të falat, v. 23-24
I. Urimi apostolik, v. 25

Mendime mbi letrën
1. Çfarë bëri Krishti në mua?

Janë të shumtë ata që mbajnë emrin të krishterë e që thonë se çfarë bëri Krishti për ta. Dhe e thonë fët e fët, si vjershë. Ndërsa janë të paktë ata që thonë se çfarë bëri Krishti jo për ta por në ta.
Onesimi ishte njëri prej shpirtrave që mund të thonte jo vetëm çfarë bëri Krishti për të, por diçka edhe më të madhe dhe me pasoja të panumërueshme në jetën e tij. Çfarë bëri Krishti brenda tij, skllavit kusar, të humburit, të arratisurit, të padobishmit, të dënuarit me vdekje. Onesimi është tipi i shembullit klasik; kusari të cilin Krishti e ktheu në shenjt; i arratisuri që i shërben Ungjillit; errësira që tashmë predikon dritën; dikur i pavlefshëm, tashmë i vlefshëm.
A mundet çdo shpirt që ndjek Krishtin të thotë se ç’ndryshim të madh dhe të mrekullueshëm bëri gjaku i Shpëtimtarit në jetën e tij? Madje edhe të tjerë përreth, shtëpiarët, miqtë dhe të njohurit, të mund ta dëshmojnë këtë ndryshim rrënjësor? Krishti i cili e ndryshoi kaq shpejt por edhe rrënjësisht jetën e Onesimit, mund të ndryshojë edhe jetën tënde. Po ti vetë, a do?

2. Pali dhe bijtë e tij

Kjo letër tregon edhe një anë tjetër me të cilën ia vlen të merret një zemër besimtare e që i shërben Zotit të saj. Cila është lidhja jonë si shërbyes të Krishtit me shpirtrat që u shërbejmë? A e kemi frymëzuar vallë këtë respekt të thellë e të shenjtë në shpirtrat që na fali Krishti?
A ekziston ky familjaritet i ëmbël si ai midis atit dhe birit. Nga njëra anë dashuria, toleranca, thjeshtësia, zemra e madhe e shërbëtorit që di të çojë pranë Krishtit shpirtra, nga ana tjetër shpirti i cili u shërbye, të cilit Perëndia i ka zbuluar madhësinë e detyrimit ndaj njeriut që Perëndia përdori ta sillte pranë vetes së Tij.
Kostë Metalinoja kishte një dobësi fizike. I ishte e pamundur të flinte, të paktën netëve të para kur ndërronte vend. Mbaj mend ishim të rinj atëherë kur luteshim për gjumin e xhaxhait, sa herë që Zoti e ftonte për të shërbyer në ndonjë qytet ose jashtështetit. Në një rast të tillë ishte i ftuar, më duket, nga Instituti Biblik i Katerinit. Dhe natyrisht me gjithë mundimet e përgatitjes dhe rrugës me tren - për shumë orë asokohe - u shtua edhe pagjumësia. Dhe mëngjesin e ardhshëm do t’i duhej të vazhdonte shërbesën në Katerini. Ndenji duke u rrotulluar herë këtej e herë andej me lutje gjatë gjithë natës në shtrat. Duket se në të gdhirë mori një sy gjumë. Kur befas ngrihet nga disa trokitje në derën e dhomës, me takt por të paafta për t’i kthyer gjumin e shtrenjtë. E hap. Një plakushe duke buzëqeshur, nxjerr nga poshtë përparëses dy franxholla që nxirrnin avull.
- Ndeza furrin që herët e thashë t’i sjell vëllait dy bukë të ngrohta…
Një dashuri e vërtetë e ditëve të para të Kishës…
Kostë Metalinoja lidhej me shpirtrat që Zoti i jepte hir t’u shërbente.
Sa shumë i nevojiten kishës sot shërbyes të tillë, një frymë e tillë. Madje dhe zemra si e plakushes nga Katerini. Jeta e kishës nuk është plane dhe skema retorike por është dashuri Krishti dhe ngrohtësi marrëdhëniesh.

3. I burgosuri

Atëherë kur u shkrua ky titull duhet të ketë shkaktuar shumë reagime. Shekujt që rrodhën punuan mbi këtë titull ashtu si zjarri mbi arin. E pastruan dhe u bë stemë dhe titull i veçantë nderimi. Dhe kishte kaq tituj Pali: brezi, fisi, aftësish, fuqish, diturie, morali. Por marrëdhënia e re me Krishtin e mbushte, mund ta mbushte edhe më me tituj të tjerë të pafund dhe të bekuar. Përdor në çastet e çlodhjes personale me Filemonin këtë titull të çuditshëm. Jo apostulli, por i burgosuri…
Sa i ndryshëm nga ato të sotmit dhe kartvizitat e mbushura me skema, tituj vezullues dhe iniciale universitetesh të huaja…
Kur punoja diku para shumë vitesh, aty në punë kishim edhe një ftues. Duhet të ishte ftuesi më i çuditshëm në botë. Begeniste të vinte herë-herë në ndonjë zyrë që të pyeste për orën, të kërkonte cigare ose të mësonte se kur do të vinte arkëtari për të dhënë rrogat.
I ri atëherë kur u njoha me të, kur hyri një herë në zyrën ku isha vendosur. Hodhi një sy rreth e përqark, dhe hoqi xhaketën, hijerëndë e mekanikisht. E hodhi shuk mbi një karrige dhe rrufeshëm më pas dhe këmishën e kanatjeren, duke i tërhequr nga rripi i mesit. Ngriti këmishën dhe na e tregoi të gjithëve: ishte mbushur plot me shenja. I veshi përsëri rrobat dhe ndërsa çonte në vendin e vet mëngët e xhaketës na tha:
- Unë kam ngrënë dru për këtë parti që qeveris tani, kurse ju më çani veshët.
Gjurmët e shkopinjve dhe shenjat në trup ishin për këtë njeri të shkretë një titull i vërtetë nderi. A di ndonjë titull edhe më të madh që mund të hynte në kartvizitën tënde? I burgosuri i Krishtit…
Sa shumë që mungon fryma e heroizmit…
Dikur me një shok vizituam një shkollë.
- Këtu, - më thotë, - janë pelerinat e tyre. Shiko ç’turpe mbi varëse. Pa shih fotografitë…
Dhe me të vërtetë muri mbi kokat e shtretërve, por edhe muri për të privilegjuarit, ata që i mbështesnin shtretërit e tyre në cepat e dhomave, ishte i mbushur me fotografi: yje kinemaje, boksierë e sportistë të tjerë keçi dhe futbolli.
Me shokun që kishim shkuar në atë shkollë patëm një bisedë, ndërsa po pinim kafe në një verandë të mrekullueshme, dhe thamë se të rinjtë nuk duhet të akuzohen pse kishin fotografi dhe heronj. Do të ishte e çuditshme, nëse jo patologjike, që të rinjtë të mos kishin heronj në mendjen e tyre, në jetën e tyre, në zemrën e tyre dhe natyrisht dhe në muret e dhomave të tyre. Fëmija, i riu, ka nevojë për heronj. Nuk mund t’ia heqësh ujin dhe lëvizjen fëmijës. Heroi për fëmijën, nuk është rrugëzgjidhje, por nevojë. Heronjtë nuk ç’rrënjosen dot. Le të mos gënjejmë veten. Por përgjegjësia e të gjithëve, përgjegjësia e kishës është se nuk i zëvendësoi këta heronj të lirë (vlerë), që Perëndia të vinte të tjerë. Në masën njerëzore një Pal, por Pal të burgosur.
Sa shumë që na mungon fryma e parë heroike!
Nuk është shumë e largët koha kur çdo familje amerikane e shihte si detyrim dhe nder të lartë të jepte një, shumë herë tre dhe pesë fëmijë për çështjen e Ungjillit të Krishtit. Një lutje që mungon: Zot, bëmë të ndiej që të të shërbej, qoftë dhe i burgosur e i lidhur me vargonj.

4. Shtëpia jonë

Filemoni ia dha zemrën e tij Zotit dhe i hodhi në këmbët e Kryqit fuqitë e shërbesës së tij të përulur. Më vonë ofroi në altarin e shërbesës së Ungjillit paratë, pasuritë, gjithë ç’kishte. Por mbeti edhe diçka. Diçka që mund ta mbante për vete. Ishte shtëpia e tij. Por me bujarinë e atyre që japin e që dinë se sa vlen çdo ofertë ia bërë Zotit, ia ofroi edhe atë, që të bëhej diçka më shumë se një familje e krishterë; të bëhej kishë, që do të lavdërojë Perëndinë, do të çlodhë shpirtrat e shenjtorëve. Shtëpia e Filemonit duhet të kishte pas qenë një oaz në shkretëtirën përvëluese. Hije, ujë dhe dashuri. Dhe gjithmonë të tre këta elemente kanë munguar kaq shumë…
Mbaj mend dëshminë e një vajze para shumë vitesh… U largua nga qyteti i saj, për në një tjetër, një qytet shumë më i madh, për studime. Makina pat pësuar një defekt të madh dhe ajo po vonohej shumë. Në vend që të ishte për drekë aty për ku ishte nisur, mbërriti natën vonë. E vetme ku do të mund të rrinte?! Hoteli ishte një zgjidhje, por për një vajzë të ishte vetëm - dhe ishin vite të vështira - s’ishte zgjidhja më e mirë. E la një valixhe dhe u nis. Po për ku? Në kthesën e një rruge, qëndroi, ngriti sytë dhe me zë të shuar bëri një lutje me dy fjalë. Vazhdoi të ecte. Papritur nga diku dëgjoi një himn. Një të njohur për të. I ngjiti shkallët pa ndrojtje, duke vrapuar. Duhet të ishte një shtëpi e krishterë. Trokiti me guxim në portë. Ndeshi me një buzëqeshje. Një shtëpi vëllazërore i ofroi mikpritjen e saj për shumë ditë. Ishte oazi në shkretëtirën e errët të atij qyteti të trazuar. E pyes shumë herë veten time: A është një oaz shtëpia ime? A mundet udhëtari të gjejë Krisht, hije Kryqi dhe dashuri? Historia e besimit do të shkruajë me shkronja të arta në shtëpinë e Filemonit, sikurse në shtëpinë e Betanisë: “Këtu u preh Zoti”.

5. Lista e dashurisë

Ndoshta menjëherë do të kujtoje se bëhet fjalë për një listë personash të cilëve u ke bërë mirë, ose të kanë bërë ty. Madje ndoshta edhe një listë me emrat e miqve, kushërinjve. Por këtu bëhet fjalë për një katalog të çuditshëm. Një listë me emrat e atyre personave për të cilët lutesh. Ç’listë e bukur!
Vërtet, sa emra përmbante kjo listë? Dhe sa herë që rritej, aq më shumë ngrinin në dheun e ftohtë gjunjët e plakut Pal.
Ja një mënyrë e bukur dhe praktike që të lidhemi me njëri-tjetrin me vargonj dashurie. Të lutemi për njëri-tjetrin. Si do të mund të flasësh keq për një njeri për të cilin sapo u ngrite nga gjunjët?
Mbaj mend një rast që më tregoi një mbikëqyrës, vëlla serioz dhe i nderuar. Një sëmundje, para disa vitesh e kishte detyruar të shkonte në kirurgji. Dhe sëmundja nga vetë natyra krijoi një gjendje të jashtëzakonshme. Operacioni ishte nga më delikatët dhe të rrezikshmit. Diçka ndërmjet jetës dhe vdekjes, me ata mjekë të rezervuar, fjalëpaktë, që nuk duan të lidhen me premtime. Dhe sikur është e natyrshme kishat ranë në gjunjë dhe e sollën vëllain mbikëqyrës në këmbët e Krishtit tonë. Operacioni u bë. Vëllai u ngrit shpejt për të vazhduar shërbesën e Ungjillit të hirit. Duhet të kishin kaluar vite që atëherë kur një ditë në një bashkësi një vëlla i prezantoi mbikëqyrësit një të panjohur. Atëherë i panjohuri duke buzëqeshur, i shtrëngoi me dashuri dorën plakut, ndërsa ky i fundit e pyeti:
- Më njeh, i dashur?
- Personalisht jo. Por lutem gjithmonë për shëndetin tuaj, që atëherë kur kërkuat lutje për një operacion.
Sa vite… Ndoshta ai vetë që ishte operuar mund të kishte mbaruar së luturi dhe falënderuari, por vëllai e kujtonte gjithmonë.
Vërtet, çfarë do të thoje nëse do t’i hidhje një sy listës së personave për të cilët lutesh?…
Ndoshta është e shkurtër, e varfër, përmban pak, aty-aty disa të tutë dhe dy-tre shokë. Pali duhet të kishte një listë shumë të madhe, prandaj dhe donte, prandaj dhe e donin. Mos thuaj se ti nuk mund të lutesh!
Folëm shumë herë për nevojën e vargonjve. Kjo vetë është një nevojë e madhe. Por le të nisim me fillimin e bekuar të një vargoi të tillë, e të lutemi për njëri-tjetrin. Le të rishikojmë listën e dashurisë.


6. Amatorët

Kam frikë se titulli s’është i qëlluar. Sepse kur dikush nuk është amator, duhet të jetë profesionist. Në rastin tonë s’bëhet fjalë për diçka të tillë. Termin “të krishterë amatorë” e përdor për të dalluar disa njerëz të mrekullueshëm në çdo gjë, dhe që bashkë me të tjerat janë edhe të krishterë. Familjarë të mrekullueshëm, bashkëshortë dhe prindër, prototipë dhe shembuj në profesionin e tyre. Dhe natyrisht edhe të krishterë të mirë. E di që ke pyetje dhe do të mund të thuash: “E ç’do më tepër?”. Asgjë. Ose më mirë, diçka të vogël desha: të jenë së pari të krishterë e më pas çfarëdo tjetër.
Nëse tepron koha, qoftë për shtëpinë; nëse tepron fuqi, qofshin për fëmijët. Në fillim Krishti dhe çështja e Ungjillit të tij. Kjo do të thotë të jesh ushtar, dhe këtë nënkupton Pali kur tregon “Arkipin bashkëluftëtarin”.
Më tregonte një baba i cili drejtonte një studim diku. Fëmijët iu rritën dhe që të dy ishin dobët në matematikë. Bashkëshortja i binte mrekullueshëm lirës së grindjes, në tonalitet më të larta e më të ëmbla të mërmëritjes:
- S’ndihmon fëmijët. S’shikon fëmijët.
Dhe të tjera të ngjashme. Dhe babai si zgjidhje më të lehtë dhe të çastit pa lënien pas të studimit. Dhe kështu filloi të merrej me fëmijët e matematikën e tyre. Në fund të vitit pati një surprizë: fëmijët nuk mbetën në matematikë, sikurse çdo vit, por në klasë.
Dikush e këshilloi prindin matematicjen:
- Merre përsëri shatin e studimit, dhe kohën që do të jepje në dispozicion të fëmijëve, jepja Zotit. Është Zoti edhe i kohës së fëmijëve të tu edhe i matematikës.
Ati u bind. Fëmijët u shtruan. Dobësia në matematikë i përkiste tani së shkuarës. Nuk është ilaç, që duhet të ta rekomandojë ndokush, është një përvojë e bekuar e cila duhet të dëgjohet.
Sa shumë mungon sot nga gjithësecili veç e veç fryma e të rreshtuarit (ushtar ), e cila krijoi rendin e Kishës së rreshtuar…
Dhe është e vështirë që të caktosh shkaqet.
Me shumë përulësi do të mund thonte ndokush, se njëra nga arsyet është edhe “amatorizmi frymor”. Të gjitha të tjerat që na shqetësojnë, dhe bashkë me to dhe çështja e Zotit.
Kjo është gabim. Çdo gjë që do të heqësh nga Krishti, kohën, paratë, fuqinë, e do ta shtosh diku tjetër, sado e shenjtë qoftë ajo “tjetër”, është një veprim që krijon situata mallkimi për ata, të cilët kryhet ky veprim.
Le ta kem kujdes dhe ta kesh kujdes.

7. Vëllai

Nëse Pali e thonte këtë fjalë me sa shumë ëmbëlsi do të dëgjohej… Ka fjalë të lidhura me persona, të cilat ndërsa i shqipton, buzëqesh dhe mbushesh dritë.
Njëra prej këtyre për Palin duhet të ishte fjala “vëlla”. Ai flijoi krijimin e një familjeje dhe s’pati gëzimin njerëzor të mbante në prehër fëmijën e tij. Përveç kujtimit të papërcaktuar të disa kushërinjve dhe nipit të vogël tek Veprat, nuk kemi ndonjë dëshmi tjetër shkrimore për shtëpiarët e Palit. Dhe pas spastrimit prej vëllezëre të rremë, mbetet vëllai i vërtetë e i çmuar.
Sot mund të gjesh njerëz të së njëjtës ngjyrë, të të njëjtit fis, të së njëjtës fe e madje së njëjtës dogmë, ndoshta edhe në kishën lokale, por që të mund mos jenë “vëllezër”…
Dhe nëse ka më shumë nevojë për diçka njeriu i sotëm, është pikërisht kjo: të gjejë vëllain e vet. Kisha vuan jo për besimtarë por për vëllezër. Nuk është çështje fjalësh, është e vërtetë e shumë lotësh dhe dhimbjesh.
Dhe të mos harrosh kurrë se edhe në qoftëse të gjithë s’qëndrojnë si vëllezër, është njëri, i madhi, vëllai ynë besnik.
Një shënëndre, shumë prej vëllezërve tanë u mbyllën nëpër shtëpi, pa ushqime. Një familje e tillë para 48 orësh kishte gatuar dorën e fundit të qiqrave. Të dilje do të thonte të vdisje. Lagjja ishte goditur rëndë, kur në të ngrysur u dëgjuan në portë disa trokitje të ndrojtura. Pas hapjes u duk një fytyrë e dashur.
- Ti, vëlla? S’pate frikë? Këtu erdhe të rrish? Po mbarojmë.
- Qetësohuni, ju lutem. S’erdha të rri. Ju solla pak ushqime. Më dërgoi vëllai ynë i madh. Zoti më dërgoi.
Dy fjalë lutje ngushëllimi, dhe besimtari iku. Pak miell, një shishe vaj, një konservë me peshq, por më shumë veprimi i çmueshëm i dashurisë: vizita e vëllait.


8. Apfia

E ç’rëndësi mund të ketë lidhja e Apfisë me Filemonin? Të jetë vallë bashkëshortja e tij? Ndoshta. Si do që të jetë Apfia ishte motër.
Nëse veprimi më i rëndësishëm në jetën e njeriut është pranimi i shpëtimit në Krishtin, pa dyshim që i dyti është martesa, në kuptimin e zgjedhjes, i asaj të bashkëshortes(-tit).
Në luftën kundër besimtarëve, mina e një martese jashtë vullnetit të Perëndisë ka sjellë nga pasojat më të tmerrshme të humbjes. Pleqësitë pasi binden se Zoti e bëri dikë të denjë t’i shtohet Kishës së tij të shenjtë, bashkë me pyetjet e tjera, cilatdoqofshin, që u bën të pamartuarve, besoj se duhet t’u drejtohet edhe: “Dhe si mendon biri im t’ia bësh me çështjen e martesës?”.
Një përgjigjje e paqartë ndaj një pyetjeje frymore korrigjohet. Ishte njëri prej një shoqërie shumë të ngushtë. Beqarë atëherë dhe shumë herë hanim bashkë. Mbi të gjitha ishim të një rrethi lutjeje. Kalonim orë të paharrueshme në gjunjë. Ishte një vëlla besimtar, e me një karakter që llamburiste. Zoti punonte brenda tij me shumë fuqi.
Kur… u njoh me një të re. Edhe një shpirt tjetër… do të shpëtohej. Së pari në kishë. Lotë, entuziazëm, dëshmi dhe natyrisht edhe “kurora” e domosdoshme. Dhe kur u arrit qëllimi, rrjedha e jetës ndryshoi. Në kishë më rrallë, dhe dalngadalë të gjitha ato të cilat kishin ikur dikur, filluan të zinin vendin e mëparshëm. Një fëmijë që patën e lidhi edhe më shumë këtë çift tragjik.
Ai rrëshqiti në përqafimin mbytës të vdekjes. Duket duke qarë, dhe qan që të lehtësohet.
U plak shpejt. Pati shumë dhimbje, por më shumë ka t’u tregojë të rinjve.


9. Dashuria që dëgjohet

Dashuria ka karakteristikat e saj dhe natyrisht dhe jehonën e vet.
Ata që marrin vesh nga monedhat kanë një mënyrë të veçantë për ta njohur pastërtinë e tyre. I hedhin në mermer ose mbi çimento dhe kështu munden me saktësi që të sigurohen për arin e pastër të monedhës. Ajo shtëpi dinte të donte, dhe jehona e dashurisë së saj kaloi Maqedoninë, Greqinë, u derdh si një parfum në Itali dhe mbërriti deri në qelinë e një burgu romak. Në një listë të madhe të bekimeve që Zoti i fali kësaj “kishe në shtëpi”, ndoshta bekimin e dashurisë mund ta harronim. Ndoshta mund ta vendosnim në rreshtat e fundit të katalogut. Pa dyshim do të paraprinin podiumi, dhuntia, masa e ndjenjave dhe çka do të mbetej të mbushej me shpirtrat. Do të hynte së pari paraqitja, organizimi, të ardhurat e s’di çfarë tjetër. E pra, nëse u dëgjua diçka për këtë bashkësi të vogël, ishte se ajo dinte të donte. Plaku Pal shkruan se një e dy herë e kishin kujtuar filipianët.
Para disa kohësh - të rinj atëherë - shkuam ekskursion në një kishë në provincë. Na ndanë në shtëpitë e vëllezërve. Një përkujdesje e veçantë e cila mbeti në mendjet tona dhe u bë shembull për ne. Një pjese të ekipit i ra të mikpritej nga më të varfrit. As shtëpi e as mobilje. Në mbrëmje u mblodhëm në kishë dhe thamë përshtypjet. Të shumta ishin ato që kujtuam për dashurinë e vëllezërve. Në mes të tyre edhe këtë: Kishin një - vetëm një - pulë dhe e therën. Protestës së miqve, dashuria e vëllezërve, iu përgjigj me një ton natyral:
- Perëndia na e fali, dhe fëmijët e Tij duhej ta hanin.
Ndoshta është e domosdoshme një lutje për çdo bashkësi dhe çdo kishë:
“Zot, mësona të duam dhe nëse lejon që jeta e kishës tënde të bëhet e njohur, qoftë e tillë për dashurinë e saj. Amen, Zot”.

10. U prehën…

Njohuritë janë të çmueshme e sidomos ato mbi gjërat e Perëndisë. Sa të gëzon mendimi se je i detyruar t’i shërbesh vëllait tënd! Janë disa shtëpi të cilat të mbushin me dispozicionin e tyre mikpritës, dhe vëllezër pranë të cilëve prekesh nga mallëngjimi i rrëfimeve të mundimeve për çështjen e Zotit.
Por nuk do të thotë prehje përkujdesja shumë e nevojshme, nuk është prehje as pija e as ushqimi. Prehja është diçka tjetër: ngrohtësia që ndien pranë të tuve; siguria që të rrethon në shtëpinë tënde; të mund të flasësh lirshëm, të mund të hapësh zemrën, të mund të të thonë të fshehtat e tyre, qoftë dhe të vogla; të thuash edhe ti atë dhimbjen tënde njerëzore. Ndoshta kjo qe ajo që Zoti dha si premtim: “Ju jeni miqtë e mi…”
Gjithmonë kujtoj me mallëngjim, një shtëpi vëllezërish, që ishte në një lagje të largët. Ishin të varfër dhe babai vazhdimisht kalonte tunelin e papunësisë. Qiraja dilte me vështirësi. Diku aty afër kishte edhe familje të tjera të dashura. Dhe mbaj mend ankesën:
- Tek ne nuk shohim që të vish aq shpesh, sa në shtëpinë e…
Dhe ishte e vështirë. Ndoshta nuk mund ta kuptonin se ishte një shtëpi e cila i prehte zemrat tona. Një pyetje shkon në raste të tilla: A lejohen rrethet miqësore midis njerëzve frymorë? A nuk është të paktën përçmuese për të tjerët? Jo. Nuk është, nuk mund të jetë përçmuese.
Dashuria është e pandashme. Nuk jepet me masë dhe as i falet dikujt më shumë e për dikë tjetër është anemike. Por ekzistenca e një miqësie në një kuadër të tillë, jo vetëm që nuk është kontradiktore me qëllimin dhe përmbajtjen e dashurisë, por e fuqizon atë. Zoti kishte miq në rrethin e të dymbëdhjetëve. Ai e mori shumë herë grupin e të treve, në disa çaste vetmie, pranë vetes së tij. Kjo nuk do të thotë se nuk i donte të tjerët. Gjoni është nxënësi “që Jezusi e donte”.
Njoh vëllezër dhe shokë të cilët i bashkoi e njëjta dhimbje. I bashkoi lufta e përbashkët për shumë vite për një pjesëtar jobesimtar të familjes.
Le të përpiqemi për lidhje miqësore - frymore. Ato janë vendet e qeta të të lutjes dhe të besimit për t’u prehur zemrat tona, dhe kemi kaq shumë nevojë për prehje sot.

11. Të lutem

Ajo “të lutem” pa dyshim nuk është një shprehje formale. Është diçka që apostulli Pal e përdor vazhdimisht në tekstet e tij, që të tregojë vendin që u takon barinjve të shpirtrave, por edhe që të nënvizonte vazhdimisht respektin ndaj çdo personaliteti që përbën trupin e Krishtit.
E kam pyetur shumë herë veten dhe ndoshta dhe të tjerë ta kenë bërë të njëjtën pyetje: “Ku mbarojnë dhe ku fillojnë lidhjet shërbenjës-kishë? “.
Pyetje e vështirë. Nuk mund të jepen përgjigjje që kënaqin. Vetëm vija të përgjithshme mund të hiqen:
Së pari është e rëndësishme që të krijohet dashuri dhe respek, shërbim ndaj një oferte të thjeshtë dhe seriozitet. Dhe: Të lutem. Jo ëmbëlsirën, të lutem. Jo! Ta ndiesh. Ta jetosh. Je i fundit i të gjithëve dhe është e natyrshme që të lutesh. E ke për detyrë. S’ta kanë për borxh. Dhe çfarëdo që ke marrë je i detyruar ta shoqërosh me: “Të lutem!” U lutesh si atyre “që ecin me mend” ashtu dhe atyre “pa mend”. Dhe kjo “të lutem” ka një veti të çuditshme: bashkon, sjell më afër, ngroh, hap zemra, por është në gjendje që edhe të mbajë largësinë e duhur.
Duke kërkuar nëpër letrat e mia, para disa kohësh, gjeta një shënim, pak fjalë. Ishte një copë letër nga Kostë Metalinoja. M’u kujtua ngjarja, po bëhen pesëmbëdhjetë a më shumë vjet. Në një takim filluan kontraditat mbi një çështje. Kur u larguam zemrat e shumë vetëve prej nesh ishin rënduar. Medoemos jo me Metalinonë. Mallkim i përjetshëm në mes të anëtarve të takimit. Të shtunën tjetër do të mblidhemi përsëri! Kjo vihej në dyshim për disa, dhe për shkruesin e këtyre pak rreshtave natyrisht. Një vëlla, një mbrëmje para të shtunës së takimit të ardhshëm, më dha një letër. “Xhaxhai lutet që të vish” - ishte shënimi i Kostë Metalinosë. Natyrisht që shkova. Shkuam. Nuk ishte e mundur që të bëhej ndryshe. Ishte e shkruar nga xhaxhai…
“Xhaxhai lutet…”
Dhe sa e sa herë Krishti nuk lutet… Për pendim, për urtësi, për dashuri, për dituri. Për një fjalë të mirë.
T’i them e t’i thuash dhe ti të afërmit tënd, që i munduar nga jeta ka uri për një “të lutem”.

12. Pali, plaku

Ndërsa shkruhet kjo frazë, pa dyshim Pali nuk do që të krijojë situata sentimentale. Sentimentalizmi i turbullon gjërat dhe kështu që e pengon dallimin e së vërtetës. Madje nuk mund të thuhet se kjo frazë shkruhet për të shkaktuar dhembshuri. Pali kurrë, qoftë dhe jo drejtpërsëdrejti nuk shkeli në toka të rrëshqitshme. Kërkon, pret, lutet. Dhe nëse nevojitet të paguajë, duart e tij të mavijosura dinë dhe të punojnë e të fitojnë. E megjithatë tabloja e qelisë së errët mbetet. Pali gjysmë i verbër, ndoshta me dritën e ndonjë llambe vaji mënjanë, shkruan në një cep. Mund të kundërshtosh?
Një predikues i shërbeu grigjës së tij për mëse gjashtëmbëdhjetë vjet. Zuri shtratin. Zëri i tij s’dëgjohej dhe sytë e skuqur s’shihnin më. Një tjetër i zu vendin por auditori u pakësua. Plaku e mësoi dhe qau. Të dielën në mëngjes kërkoi që ta merrnin në kishë. Të tijët u habitën, kundërshtuan dhe i treguan të ftohtin e dimrit. Por shërbëtori i Perëndisë këmbënguli. E çuan të mbështjellë me batanije, dhe e ulën në një nga ndenjëset e para. Kështu ndodhi edhe të dielën e ardhshme, edhe tjetrën, e kështu çdo të diel. Lajmi u përhap gjithandej. Shpirtrat dalngadalë, të turpëruar filluan të ktheheshin një nga një. Nuk bëhej ndryshe.
Sa shumë nevojë kemi që t’i kthejmë mendimet tona tek Zoti i varur. Ta shikojmë në çastet e trishtimit, të dhimbjes, të braktisjes, të martirizimit të trupit, të frymës, të moralit. Dhe martirizimi frymor e moral është më i madh, kur ai që vuan është lart moralisht e frymërisht. Dhe është shumë më e madhe për një zemër, një ndërgjegjje të patëmetë si ajo e Zotit tonë. Që kur është në Kryq mund të dëgjosh lutjen e tij.
Lutet që unë të fal, të harroj, të dua. Lutet që të jetosh në shoqërinë e shenjtorëve, të kullotësh delet e tij.
Duhet që ta kujtojmë shpesh atë goditje të fortë në fytyrën e tij. Duhet t’i ketë prekur mollzën e gjakosur dhe të jetë kthyer në drejtim të atij që e goditi:
- Pse më qëllon?
Cila pakujdesi, shkelje, fjalë e hidhur, nuk i ka sjellë vallë në buzët e Zotit të njëjtat fjalë për mua, për ty?…
- Pse më qëllon?

13. Për birin tim

Vitet e mia të fëmijërisë i kalova në ishullin e Egjinës, pa turizëm asokohe dhe ku ngjarjet e ditës ishin mbërritja e vaporit të linjës METHANA - POROS - HIDRA, dhe transferimi i të burgosurve. Më kujtohet ardhja e një të riu nga një lagje e Pireut i cili kishte vrarë në Elefsinë një shofer për disa qindarka.
Pak ditë para ekzekutimit erdhi edhe e ëma e të dënuarit. E sjell në imagjinatën time. Më kujtohet se nuk ishte më shumë se 35-38 vjeç. Për ne atëherë ishte plakë. Rrinte në një dhomëz, në bodrumin tonë, në atë që shihte për nga burgu. Mblidheshim të gjithë fëmijët para portës së saj dhe rrinim për orë të tëra.
Një fqinje, një ditë na ndoqi me vrap, dhe ajo nëna thërriti fort me një zë të rënduar nga të qarat, me theks lindor:
- Lëri zonjë fëmijët. T’u flas për Nikon tim. Është i pafajshëm im bir.
Nga gazetat kishim ndjekur vrasjen, arrestimin e më vonë gjyqin. I riu vrasës pranoi.
Po nëna kurrë s’e pranoi. Për atë gjithmonë ishte një gabim i madh. Ia vranë fëmijën e pafajshëm të shkretës…!
A do një masë praktike të dashurisë? Nëse vërtet duam një person?
Nëse fëmija yt bën një gabim, qoftë edhe serioz, kujtohu pak, pa mendohu… Sa mirësi! Ç’ton i ulët! Sa përpjekje që të shuhet ngjarja, të humbë përshtypja, mëkati duket “gabim i vogël”, dëmi - “pa rëndësi”, do të gjehet justifikimi dhe argumentet do të vërshojnë. Është fëmija yt. Dhe kush do të të akuzuojë për këtë përpjekje tënden?
Po për fëmijën tim? Të marrësh masat menjëherë… More flakë për dikë, i cili, për keq, e përhapi atë gjëmën e fëmijës tënd. Për fëmijën time? Ashpërsia, ftohtësia, që nuk njeh mirësi dhe ngrohtësi.
Për birin tim… Pali shkruan dhe i rekomandon një grabitës, një vjedhës, një skllav të arratisur… Por sa ëmbëlsi, mirësi, ngjyrë dashurie… Dhe është e thjeshtë, shumë e thjeshtë: Pali kishte dashuri…

14. Por pa mendimin tënd…

Sa ndryshe do të ishin gjërat frymore, pse jo edhe ato kishtare nëse do të mund respektonim edhe mendimin e tjetrit… Cilitdo tjetër. E di (ti) që shumë herë ai mendim s’do të thotë asgjë. S’ka gjë. Nderoje vëllain tënd. “Po ti ç’thua?”.
Dhe kështu dalëngadalë e ndamë kishën në podium dhe auditor, në drejtues dhe të drejtuar, në ata që vendosin, dhe në ata të cilëve u mbeti luksi të thonë vetëm “Amen”. A mund të flasësh për dashurinë pa respekt, dhe mund të thuash se e respekton dikë nëse e përçmon mendimin e tij, madje duke u shmangur për ta dëgjuar? Vëllai yt i përulur ka një personalitet të shenjtë dhe që e respektojnë engjëjt. Po ne? Ka disa raste kur ai i cili po thotë mendimin e tij, duket se nuk e ka kapur çështjen dhe nuk e di (ai) mirë se ç’po thotë. S’ka gjë. Dëgjoje.
Si ta harroj dikë që duke folur për përulësi pyeste veten se ç’ishte bërë vallë ai vëlla… “Manteli” të cilin Pali e kishte lënë në Troadë, dhe tani i shkruante Timoteut që t’ia sillte.
Mbaj mend sesi u skuq kur mësoi se vëllai i harruar në Troadë ishte… një lloj palltoje. E ç’rëndësi mund të ketë? Mendimi i njërit që lutet, është të paktën mendim që duhet të dëgjohet. Edhe kjo është njëra anë e dashurisë.

15. E mira me dashje

Kur jep jo dora por zemra dhe kur loton jo syri por shpirti. Sa të vegjël për “të mira me dashje”, dhe sa të varfër? Shpërdorues për veten tonë dhe dëshpërueshëm: kurnacë për tjetrin.
Kur më lindi djali të ardhurat ishin të pakta. Kohë të vështira. Në një grup në të cilën bashkë shërbenim në ato vite heroike të një shërbese spontane në Zotin, dikush na fali një karrocë… Gjëja më e mirë për atë kohë. Funksiononte edhe si kolovajzë. Më kujtohet gjithmonë…
Në fillim të Luftës së Parë, një i plagosur po vdiste duke bërtitur. E dërguan në prapavijë. I mungonin një këmbë dhe dy sytë. Në spitalin e parë, sapo mbërritën, një infermiere u përkul mbi të.
- Mos m’u afro! - bërtiti ai që ishte gati të vdiste.
- Duhet të qetësohesh, ushtar, - u dëgjua zëri i ëmbël i infermieres dhe plotësoi, - jam një vullnetare.
Sa vështirë që ndiehet podiumi kur duhet të kujtojë se vijnë festa dhe ka të varfër… Ato pak para që do të mblidhen nuk janë lule dashurie, por kontribute të detyruara.
Sa duhet të skuqemi ndërsa thuajse duke u lutur, na thonë për ndonjë të sëmurë që duhet të shohim. Dhe nëse do ta dinte ai kur t’i shkonim pranë krevatit, se nuk shkuam të shtyrë nga vetja jonë? Na rreshtuan për shërbesë thuajse me detyrim…
Ja një pikë lutjeje, për në gjunjë. Ja një nevojë e madhe: të mësojmë prej Tij të bëjmë të mirën. Të jetë një e mirë me dashje, spontane, e thjeshtë.

16. Bashkëpjesëtar

Më është dhënë mundësia të udhëtoj shumë. Dhuratë prej Perëndisë edhe kjo.
Nëse lëviz në hapësirat e Amerikës së Veriut, të Europës, Lindjes së Mesme, ndoshta mund të humbësh edhe gjuhën. Por di dy fjalë, diçka ndien, diçka lexon. Një fjalor i vogël ndihmon.
Por në një udhëtim timin në Tokio, thuajse u ngatërrova fare. Çfarë të lexoje e çfarë të pyesje. Dhe duke dëgjuar çfarë të ndieje. Ata njerëz të bekuar edhe në gjestet më të thjeshta ndryshonin kaq shumë nga ne. Atëherë e kuptova se sa i vetëm e sa larg isha prej tyre.
Ka njerëz që e shkojnë jetën në një vetmi të ankthshme, ndërkohë që thuajse shtypen në një qytet disa milionësh. Ndihen të vetmuar brenda një familjeje e cila mbush një shtëpi të madhe. Janë të krishterët, janë njerëz besimtarë të cilët s’e patën mundësinë të kishin një shok të dashurisë së Krishtit. Nuk i kupton kush. Nuk kuptojnë kënd. Sa pak që u kujdesëm për shoqërinë frymore. Sa fryte të hidhura shijuam nga kjo pakujdesi e jona…
Kostë Metalinoja besonte në një shoqëri të tillë, në një shkallë sa - nuk ka shumë vite - e bëri njërën prej dhomave të kishës dhomë miqësie, me tavolina, me karrige, me pije freskuse.
Me këtë dhomë miqësie është e lidhur edhe njëra prej historive të shumta e peripecive të paharrueshme të Jozefit. Kishte dëgjuar për pije freskuese, dhe natyrisht për një frigorifer të domosdoshëm. Ditën tjetër, jashtë, në rrugën “Alkiviadhu”, ndaloi një kamion i stërmadh. Një grup punëtorësh që ishin mbi të kërcyen poshtë. Pyetën Jozefin nëse ishte aty numri tre. Ai duke qeshur, si gjithmonë, iu gjegj se po. Filluan të zbrisnin me zëra e me britma, një frigorifer po të stërmadh. Dhe ku do të hynte gjithë ajo gjë?! E mbi të gjitha si do të hynte!? Vjen mekaniku i fabrikës dhe gjithë ai frigorifer i madh profesional i asaj kohe çmontohet në rrugë. E fusin në dhomëzën. E zuri thuajse të tërën. Dhe bërtisnin punëtorët të lodhur në pisk të vapës. Dhe Jozefi gjithmonë qeshte.
Nuk duhet të kishte kaluar ora, kur argatët e pafat, si të çmendur, erdhën përsëri tek “Alkiviadhu”. Agresion i vërtetë. Çirreshin. Me gjestet që bënin kërcënonin. Në mënyrë të veçantë kërkonin të linçonin Jozefin. Por e zgjidhi shumë shpejt misterin shefi i tyre: frigoriferi, tërë ai gjësend, ishte pas caktuar për tjetër vend. Tragjedi…
- Po mirë mor Zef, ti e porosite gjithë atë frigorifer?
- Zoti Metalino…, unë për vëllezërit thashë…
Shefi i tyre desh u çmend. Qe me të vërtetë çasti kur e humbi fare pusullën. Dhe Jozefi ynë buzagazte…

17. Llogaritë

E kam dëgjuar para shumë-shumë vitesh, dhe duket se është edhe më e vjetër. Në ato vite, çdo qeveri që do të vendosej, përpiqej së pari të largonte nga postet nëpunësit që i takonin partisë së mëparshme. Ndërmjet viktimave qe edhe një ftues. Fukara. E ç’të bënte tani? Të priste të vinte përsëri në pushtet partia e tij e të ricaktohej? Bëri diçka tjetër: diku në një shesh hapi një shitore të vogël ku shiste bojra, xhama, brava, ja, gjëra të tilla. Dhe zuri. E bëri më të madh shitoren. Hapi një të dytë në Monastiraq, dhe së treti një punishte. U pasurua. Por në shitoren e parë - plak tashmë - kishte edhe një fotografi të madhe të kryetarit të partisë opozitare që e kishte larguar dikur nga puna.
Natyrisht që nuk kishte ndërruar bindje politike. Dhe kur e pyesnin të habitur, u përgjigjej:
- Aaaa, është i madh armiku im. I detyrohem mirënjohje që më largoi. Ndryshe ende do të isha një copë ftues.
Pali i foli Filemonit, Filemoni dëgjoi, besoi, njohu, u shpëtua. Një llogari dashurie u hap. Nëse ai nëpunësi fakir i detyrohej tjetrit mirënjohje për një të keqe që i bëri, pavarësisht nga rezultati përfundimtar, me të vërtetë në llogarinë e dashurisë sonë për personat që Perëndia përdori për të na shpëtuar, ç’shkresa kemi? Sa herë - për turpin tonë u treguam mosmirënjohës dhe ndoshta armiqësorë ndaj këtyre personave…
Të na vijë turp!

18. Borxhi

Më ke borxh jetën tënde, mund të shkruante Pali, Filemoni me respekt do të korrigjonte:
- Vetëm jetën të kam borxh? Vetëm atë? Ta kam borxh edhe këtë jetë sepse e fitova, të kam borxh dhe përjetësinë, sepse më prezantove Jezusin.
E shtunë pasdite tek “Alkiviadhu”. Ndoshta sapo ishim transferuar aty nga “Likurgu”. Bënim mësim me xhaxhain. Dy-tre vetë, jo më shumë. Papritur u dëgjuan trokitje të forta në derë. Një njeriu ynë, i qeshur, hyri me guxim. Mbante diçka të mbështjellë mirë.
- Zoti Metalino, thashë t’ju bëja diçka me dorën time.
Xhaxhai falënderoi. Fytyra e tij shkëlqente. Shoku ynë i mirë kishte ikur dhe xhaxhai u vu të zgjidhte spangot, si fëmijë kureshtar. Hoqi një letër. Edhe një tjetër më pas. U zbulua një zile bronxi që varej në një degëz. Qeshëm. Dikush tha që ta mbështillnim. Xhaxhai e mbajti pranë vetes. Zilka pat edhe një fund të trishtueshëm. Mësim, thuajse nuk bëmë. Gjatë gjithë kohës xhaxhai e tundte zilkën, dhe qeshte fort.
Shpirti ndiente borxh, ndiente detyrim. Edhe zemra ndiente borxh. Mendja e bëri borxhin dashuri dhe dashuria u bë… zile. Mos shiko zilen. Lum zemra që di të jetë mirënjohëse.


19. Bindja

A ka përvoja lotësh? Paralajmërime për fatkeqësi që do të godasin magjjen e kishës? Çfarëdo që të jetë duhet të pranojmë që bindja është një element plotësisht i huaj në lidhje me gjithë qenien tonë frymore. Në një rast keqkuptimi ai që duhet të bindet mbetet me përshtypjen se që prej atij çasti ai bëhet një skllav.
Kam frikë se mos në vendin tonë kanë mbetur ende disa gjurmë të rajave turke, pasi kohë pas kohe pikërisht një përshtypje e tillë të krijohet. E çfarë tjetër mund të mendosh? Që në mëngjes kur bindesh për pazarin që duhet të bësh para se të kthehesh në mbrëmje në shtëpi; fatorinoja i papërshkrueshëm i urbanit i cili thërret orë e çast që të shtyhesh më tutje; punëdhënësi i vështirë, apo dhe shitësi nevrik i kjoskës së lagjes - vazhdimisht bindesh, e kështu duhet të ndodhë.
Por kur kalojmë te gjërat frymore, aaa, aty stop. Asnjë detyrim bindjeje, secili ç’ti marrë mendja, kur t’ja marrë, e si t’ia marrë.
Disiplina është e panjohur, këshillimi është qesharak dhe sugjerimi peshë që s’ngrihet dot.
Bindja: frut i panjohur në kopshtin e kishave. Në përgjithësi, njeriu do të bëjë atë që do. Sheh fatkeqësitë - “Është fshikulla e Perëndisë”, kështu i thotë mendja. Shkakton lotë! Filistenjtë shqyhen gazit! Asgjë. Së fundi, i goditur nga krenaria, bëhet i parë sekti; i një sekti të ri. Mosbindja që fillon me lotët e një tragjedie, përfundon me të qeshurat e një komedie.

20. Do të bësh

Një këmbim i veçantë dhe i mrekullueshëm.
- Filemon, për ty bëra gjithçka. E di që ti do të bësh edhe më shumë për Jezusin tonë.
Lexova diku një rregull të artë: “Që të presësh të mirën prej të tjerëve, është njëlloj sikur të kesh bërë gjysmën e rrugës për t’ia arritur qëllimit”.
Është këmbimi i dashurisë.
Nuk i lamë të tjerët të bëjnë asgjë në arën frymore. Gjithmonë ekziston një justifikim i çastit: “Nuk e bëjnë mirë”. Dhe mund të jetë vërtet ashtu. Por dy gjëra zakonisht i harrojmë: Se në fillim edhe ne i bëmë ibret, dhe tjetrën, se askush s’bëhet menjëherë i përsosur. A mendon ende se edhe ti do ta bësh të përsosur atë që tjetri nuk do të mundte ta bënte sikur ti? A je i përsosur? Perëndia pra, i dashur, të shikon ty të përsosur? Le t’i kërkojmë pra të falur Zotit!!
Qajmë shpesh për prirje ndaj pastoralizmit, prirje këto jashtë ngjyrës kombëtaro-frymore të zbulesave që Perëndia i fali Kostë Metalinosë. dhe bëjmë mirë që qajmë. Mos vallë duke u prerë rrugën të tjerëve të bëjnë ç’të duan, vumë gjerdhe të hekurta dhe e ndamë Kishën në “grigjë” dhe “barinj” e shumë herë “bari”?
Dëgjova dikë, një njeri që dinte shumë dhe të respektueshëm, i cili thonte se kuptimi leksikor i fjalës “ambicie” dhe “tregohem ambicioz” (në trajtat greke të tyre) nuk përkthehen në asnjë gjuhë. Sille tjetrin tek ambicia. Thuaji se mundet. Ndihmoje të hapë krahët e tij të vegjël. Asnjë shqiponjë nuk lind me dy metra krahë… Kemi përbrenda, në një gjendje letargjie, një frymë heroizmi, njerëzore dhe ambicioze. A është e mundur pra që dikush të mos bëjë absolutisht asgjë?
Ndoshta mendon se mundi i harxhuar për të mësuar është më i madh se frytet që do të japë? Është gabim. Askush nuk ka të drejtë që ta shuajë flakën e papërfillshme që merr një fije e hollë pambuku. Sa pore ka trupi i njeriut? Duhet të ketë shumë, jashtëzakonisht shumë. Qesh pse u mbyll njëri? Dhjetë? Mijëra? A harrove krejt që nëse mbyllen të gjithë do të vijë vdekja?
Nuk marrim asgjë nga ata prej të cilëve s’presim asgjë. Gëzoje vëllanë tënd për diçka të vogël që mund të bëjë. Shtrëngoi dorën dhe thuaji:
- Bravo i dashur. Zoti të bekoftë?
Folëm për veprën. E besuam dhe u lutëm. Si prototipe patëm kishën e parë.
Një Pal, një Tit. Por ja që nuk deshëm të mbetemi tek e fshehta e madhe e suksesit të madh. Pali diti që para se të fillonte një punë, të zgjidhte bashkëpunëtorë pikërisht për atë punë. Diti të lutej, dhe Fryma e Shenjtë e udhëhiqte gjithmonë.
Çdo vepër e madhe dhe e fuqishme nëse nuk i takon kishës, sigurisht që dalëngadalë do të bjerë në duart e pasardhësve, të cilët kushedi seç soj njerëzish frymorë do të jenë, ose në duart e botës…
Duam që të rinjtë tanë të vazhdojnë rrugën e pishtarit të ndezur të Kishës, por nuk i lamë të shikojnë asgjë, si ndizet pishtari. S’mësuan ç’është pishtari!
Një njeri frymor i cili mblodhi rreth vetes së tij mëditës dhe jo bashkëpunëtorë, do të qajë më vonë mbi gërmadhat e asaj vepre, për të cilën punoi dhe shërbeu. Kostë Metalinoja para njëzet vjetësh, kur u kthye nga udhëtimi që kishte bërë në kishat e Europës, i mallëngjyer nga bujaria dhe dashuria e vëllezërve, ra shumë herë në mendime, tek sillte ndërmend të ardhmen e këtyre kishave:
- Asamble të mëdha, por pa të rinj…
Perëndia na fali shumë të rinj me dhunti, fuqi, talent. S’mund t’a harrojë kush që rruga e të rinjve ngjason me kardiogramën. Është e vërtetë. Megjithëse kardiograma shkon një herë lart e një herë poshtë, ajo vazhdon drejtimin. Edhe kisha ka drejtimin e vet.
Nëse do të ishte e mundur të hulumtonte ndokush terrenin e fortë mbi të cilin shkeli Kostë Metalinoja që të bëhej i madh e i përulur, do të thonte se Krishti e ndihmoi të gjente, të zgjidhte dhe të bënte nxënës të Krishtit, bashkëpunëtorë. Shkrimet e tij shkuan, predikimet e tij u harruan, fletushkat e tij ungjillizuese s’kujtohen më, por megjithatë mbeti vazhdimi, ata që zgjodhi Zoti. Dhe Zoti vazhdon. Pali e dinte ç’mund të bënte Filemoni. E dinte se Zoti punonte në zemrën e Filemonit. Dhe Pali e ndihmoi zemrën e Filemonit të jepte më shumë, më shumë fryt për lavdinë e Zotit.


per autorin:


My name is Adrian. More text to come soon.