Mos ki frikë

Tags: ,

Categories: Predikime

“Atëherë Zoti i foli (Elias), duke thënë: “Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin”. Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: “Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi”. Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: “Më sill edhe një copë bukë”. Ajo u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t’i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t’i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur”. Elia i tha: “Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë”". Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë. Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.” (1 Mbretërve 17:8-16)
Parathënie   
Vejusha e këtij tregimi kujtoi se ajo dhe i biri do të vdisnin, për shkak të zisë së bukës, që kishte pushtuar gjithë vendin. Ajo kishte aq pak ushqim sa për vaktin e fundit! Ndoshta nuk e dinte se Perëndia e kishte sjellë zinë e bukës si ndëshkim ndaj idhujtarisë së mbretit Ahab (1 Mbretërve 16:28-33). Vejusha ishte, pra, viktimë e pafajshme e mëkatit të mbretit, por së shpejti ajo vetë do të përjetonte një mrekulli të mahnitshme. Zoti do t’ia kthente varfërinë në begati, frikën në besim dhe ankthin në siguri.
“Nuk kam” (vargu 12)
Ndërkohë që vejusha po mblidhte drunj për të ndezur furrën e për të pjekur copën e fundit të bukës me miellin që i kishte mbetur, shikon tek i afrohet profeti Elia. Ndoshta ajo mund të jetë habitur me këtë vizitë kaq të papritshme të këtij njeriu të famshëm të Perëndisë. Në ato kohë, ishte zakon që mësuesve të fjalës së Perëndisë, që udhëtonin nga vendi në vend, t’iu jepej diçka për të ngrënë, por ç’mund t’i jepte vejusha Elias? Profeti nuk e dinte gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhej kjo vejushë, por Zoti i kishte thënë se ajo jo vetëm që do t’i jepte atij diçka për të ngrënë, por edhe do t’i siguronte ushqim për një kohë të gjatë. Sa ngushtë do jetë ndjerë vejusha, kur Elia i kërkoi pak ujë! Sa keq do i kishte ardhur asaj që s’kishte çfarë t’i jepte atij për të ngrënë! Sa turp! Ku e gjeti kohën për të ardhur edhe ky vizitor?! Vejusha e kishte humbur fare shpresën për të jetuar. Nga momenti në moment, priste që vdekja ta merrte atë dhe të birin.
Ndoshta edhe ne, kur jemi ballafaquar me probleme të ndryshme në jetë, mund të kemi reaguar ashtu si vejusha. Vërtet që s’kemi vuajtur ndonjëherë zi buke, por, prapëseprapë, e zhdekurajojmë veten prej vështirësive të ndryshme. Bëhemi, p.sh. me depresjon, kur na mungon diçka, ndaj kujtojmë se po të kemi edhe më shumë, atëherë Perëndia ka për të na përdorur fuqimisht. Gruaja e ve kishte vetëm një dorë miell dhe pak vaj, por kaq mjaftonte. “Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve” (Psalmi 37:16). E çfarë kemi ne, që ta përdorë Perëndia? Edhe dishepujt e Jezusit kujtuan se nuk kishin asgjë, por 5000 vetë u ushqyen vetëm me ca bukë dhe peshq! (Mateu 14:13-21).
“Mos ki frikë” (vargu 13)
Edhe ne frikësohemi, kur na dalin përpara vështirësi. Por Perëndia nuk na krijoi në këtë mënyrë. Përkundrazi, frika është pasojë e mëkatit dhe e mosbesimit. “”Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha”” (Zanafilla 3:10). Shqetësohemi për veten, për familjen, për shëndetin, për të ardhurat, për shtëpinë, etj. Një frikë e tillë shumë shpejt na e pushton zemrën dhe na bën skllav të saj. Nuk mund të bëjmë dot atëherë asgjë – paralizohemi nga frika.
Elia nuk e qortoi vejushën ngaqë kishte frikë, sepse është normale të kesh frikë në raste të tilla. Përkundrazi, ai e inkurajoi atë, duke i thënë që të bënte të pamundurën me ato pak materiale që kishte. Profeti e kuptoi mirë gjendjen në të cilën ndodhej vejusha, e megjithatë, i tha asaj që t’i jepte atij të hante i pari. Mos vallë, u tregua egoist? Jo, sepse ai e dinte se ajo duhej t’i besonte Perëndisë e të mos kishte më frikë. Gjithë frika, pra, largohet, në momentin kur Perëndinë e vëmë në plan të parë në jetën tonë. “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:31-33). Një besim i tillë është pjesë përbërëse e dashurisë së përsosur. “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (1 Gjonit 4:18). Rrugëzgjidhja më e mirë, pra, për ta mposhtur çdolloj frike, është ta vësh Perëndinë në plan të parë, pavarësisht nga problemi me të cilin mund të ballafaqohemi.
“Nuk mbaroi” (vargu 16)
Shikoni se ç’ndodhi, kur vejusha i zuri besë fjalës së Perëndisë! Më përpara, ajo mezi priste të vdiste. Tani që kishte besim, gjithçka po përmirësohej, ngaqë Perëndinë e kishte vënë në plan të parë. Para se të vinte Elia, vejusha nuk kishte asgjë, kurse tani kishte një sasi të mjaftueshme ushqimi, që do t’i zgjaste gjatë gjithë kohës së zisë së bukës.
“Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë” (Psalmi 37:25). Ashtu siç na premtoi edhe Jezusi, nëse e vëmë Perëndinë në plan të parë, atëherë kemi për ta parë se Ai ka për të na bekuar edhe më shumë sesa ç’e kemi imagjinuar. Ai është gjithmonë besnik. Po t’i japim Atij, Ai na i plotëson të gjitha nevojat. “Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu” (Luka 6:38). Është e pamundur t’i japim Zotit më shumë sesa ç’na jep Ai!
Përfundim     
Frika na e shkatërron besimin. A e vjedh gëzimin. Na e bën të mjeruar të ardhmen. Por ashtu si vejusha, edhe ne mund ta kthejmë frikën në besim. Do të marrim bekime të shumta, po ta vëmë Jezusin në plan të parë. “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5).

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

Author: magda maylam

One Response to "Mos ki frikë"

  1. User Posted on 03/12/2013 at 05:14

    Frika na e shkatërron besimin.

Leave a Reply