Mos i përbuzni profecitë!
“Mos i përbuzni profecitë” (1 Thesalonikasve 5:20).
Parathënie
Në Bibël, fjala “profeci” ka kuptime të ndryshme, p.sh. kjo fjalë mund t’i referohet parashikimit të një ngjarjeje që do të ndodhë në të ardhmen, por ajo ka të bëjë gjithashtu edhe me të predikuarit dhe të mësuarit e fjalës së Perëndisë. Nuk ka shumë të ngjarë që Pali të ketë patur në mendje një kishë, që vazhdimisht parashikonte të ardhmen, apo një kishë që vazhdimisht iu prezantonte të tjerëve një seri zbulimesh prej Biblës. E megjithatë, ka raste kur Perëndia i flet popullit të Tij nëpërmjet dikujt, por, gjithmonë, ajo që iu transmetohet njerëzve duhet të përputhet me fjalën e shkruar të Perëndisë.
Fjala e zbuluar prej Frymës
Në Dhiatën e Re shohim individë të ndryshëm, të cilët Perëndia i vajosi për të kryer shërbesën profetike. “Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni” (Veprat e Apostujve 13:1)… “Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan” (Veprat e Apostujve 15:32). Shërbesa profetike, edhe pse është një pjesë e rëndësishme e punës së Frymës së Shenjtë, shpeshherë neglizhohet në kishë. “Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit” (Efesianëve 4:11-12)… “Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot. Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë. Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:4-11). Nuk mund të jemi kisha e vërtetë e Krishtit, nëse e mohojmë dhe e hedhim poshtë, qoftë edhe një pjesë të vetme të punës së Frymës së Shenjtë, duke përfshirë këtu edhe profecinë.
Fjala e folur
“Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t’ju flisja në gjuhë, ç’dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?” (1 Korintasve 14:6)… “Po ta besoj këtë detyrë, o Timote bir, sipas profecive që u bënë më parë për ty, që sipas tyre të bësh luftimin e mirë” (1 Timoteut 1:18). Këto profeci nuk janë njëlloj si fjalët profetike të profetëve të Dhiatës së Vjetër, apo si ato të apostullit Gjon në librin e Zbulesës. Përkundrazi, ato janë fjalë inkurajuese, fjalë mençurie dhe bekimi. “Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë” (1 Timoteut 4:14). Lidhur me këtë varg, Gjon Uesli thotë kështu: “Këtu bëhet fjalë për predikimin. Apostulli nuk e ka fjalën për dhurata të jashtëzakonshme. Duket sikur të gjithëve iu jepet i njëjti hir dhe ai që i mohon ato dhunti që i jepen prej Frymës, e shuan gradualisht Frymën”.
Fjala e shkruar
Në fakt, e tërë Bibla është një libër profetik, sepse është zbulesa e Perëndisë. “Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:20-21). Me këtë kuptojmë se Fryma e Perëndisë veproi mbi të gjithë autorët e librave të Biblës dhe bëri që ata ta kapnin penën e të shkruanin ato gjëra, që iua diktoi Ai vetë.
Mos e përbuzni fjalën!
Ta përbuzësh qoftë edhe një aspekt të vetëm të fjalës së shkruar apo të folur të Perëndisë, është njëlloj sikur ta mohosh e ta hedhësh poshtë vetë Perëndinë. Ata që nuk iu besuan fjalëve të profetëve, por i vunë në lojë ata, ishin fajtorë para Perëndisë, sepse e kishin përbuzur vetë Atë: “Si mund të thoni: “Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne”? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet. Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?” (Jeremia 8:8-9). Njeriu, që përdoret nga Perëndia për të profetizuar në kishë, në fakt e ndërton dhe e inkurajon kishën. “Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim” (1 Korintasve 14:3). Prandaj, pra, kur anëtarët e kishës e hedhin poshtë mesazhin profetik, ata nuk bëjnë gjë tjetër, veçse dëmtojnë veten dhe e çnderojnë Perëndinë.
Përfundim
Profecia mund të mos dalë gjithmonë nga goja e një profeti të famshëm e të fuqishëm. Ajo mund të dëgjohet edhe gjatë predikimit dhe shpjegimit të Biblës në kishë. Cilado qoftë mënyra, me anë të së cilës Perëndia kërkon të komunikojë me ne, ne duhet të jemi gati për ta dëgjuar zërin e Tij. Duhet ta hedhim poshtë çdo lloj fjale, që nuk përputhet plotësisht me fjalën e shkruar të Perëndisë. Madje edhe ajo fjalë, që na duket e saktë, duhet gjykuar në bazë të Biblës. “Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë” (1 Korintasve 14:29).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



